Intervista e ambasadorit Kosnett për TV Opinion, 18 dhjetor 2018
TVO: Z. Ambasador, mirë se vini. Çka dini për bashkëjetesën në qytetin e Prizrenit dhe në përgjithësi për qytetin e Prizrenit?
AMB: Prizrenin e kam vizituar për herë të parë para 15 viteve kur isha duke punuar në Zyrën Amerikane në Prishtinë dhe gjithmonë e kam kujtuar si qytet të bukur plot me histori, kulturë dhe me njerëz të mrekullueshëm. Në veçanti, jam i mahnitur nga aspekti shumë-kulturor i qytetit – njerëz me prejardhje të ndryshme nga bashkësi të ndryshme që jetojnë së bashku në harmoni në një mënyrë të tillë që mendoj se është mësim shumë i mirë për të gjithë ne.
TVO: Takimi juaj i parë ishte me vullnetarët e Korpusit të Paqes. A është e mundshme që kjo ishte porosi për qytetarët e Prizrenit, por edhe të Kosovës?
AMB: Mendoj se Korpusi i Paqes është program i shkëlqyeshëm. Kur më kërkuan të vija sërish në Kosovë isha më se i lumtur kur mësova se në ndërkohë kishte filluar të zbatohej ky program. Korpusi i Paqes ofron jo vetëm programe të arsimimit për njerëz në vendet e tjera, por është një dritare për Amerikën. Për mua është gjithmonë frymëzuese kur i shoh të rinjtë amerikanë larg shtëpisë së tyre duke mësuar për vendet e tjera, duke i informuar të tjerët për Amerikën sepse këto lloj lidhjesh mes njerëzish janë më të rëndësishme se sa lidhjet në mes të qeverive.
TVO: Vizituat gjithashtu edhe Kishën Ortodokse dhe Xhaminë e Bajraklive. Cila është porosia juaj nga këto vizita?
AMB: Ishte kënaqësi të vizitoja xhaminë dhe kishën dhe të takohesha me prijësit shpirtërorë, të cilët i përkushtohen jo vetëm besimit të tyre, por edhe të ardhmes së Kosovës. Mendoj se mund të mësojmë shumëçka prej prijësve shpirtërorë, të cilët janë të përkushtuar për ta bërë vendin bashkë, jo përmes programeve e politikave, por vetëm duke jetuar bashkë me fqinjët e tyre, duke dëgjuar dhe kuptuar për jetën e tyre. Më lejoni po ashtu të shtoj, mendoj se Xhamia e Bajraklive dhe Kisha e Shën Gjergjit na e përkujtojnë çfarë kapitali të hatashëm kulturor ka Prizreni. Mendoj se i gjithë populli i Kosovës, në të vërtetë i tërë rajonit, duhet të jetë krenar me trashëgiminë që e përfaqëson Prizreni dhe të gjithë duhet të punojmë së bashku për t’ia bërë të ditur botës rrëfimin e Prizrenit.
TVO: Kjo është kështu duke iu falënderuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me kë tjetër jeni takuar gjatë vizitës suaj në Prizren?
AMB: Bashkëshortja ime dhe unë, si dhe kolegët nga ambasada, u takuam me përfaqësuesit e disa organizatave joqeveritare të fokusuara në pasurimin e jetës kulturore të Prizrenit dhe të vendit. Për mua, ky është përkujtues i rëndësishëm që jeta është më shumë se vetëm politikë, siguri dhe zbatim të ligjit: ne duhet të sigurohemi që po investojmë në jetën kulturore të vendit për hir të të rinjve tanë.
TVO: Çfarë rëndësie luan komuna në ndërtimin e jetës në vend në përgjithësi?
AMB: Ende kam shumëçka për të mësuar – sapo jam kthyer këtu dhe mirëpres mundësinë për tu takuar me shumë më shumë njerëz nga fusha të ndryshme para se të filloj të jap këshilla të tilla.
TVO: A do të thotë kjo se do ti kushtoni vëmendje edhe komunave e jo vetëm kryeqytetit?
AMB: Absolutisht. E dini, më pëlqen shumë të jetoj në Prishtinë. Është qytet i hatashëm. Më erdhi shumë mirë kur e pashë sa ka përparuar qyteti prej kur kam jetuar këtu herën e parë. Bashkëshortja ime dhe unë shpresojmë të kemi mundësinë të vizitojmë çdo cep të Kosovës, të bëjmë miq nga të gjitha bashkësitë e ndryshme, ta kuptojmë njëmend vendin, sepse kurrë nuk mund ta kuptosh një vend duke qëndruar vetëm në kryeqytet.
TVO: Ambasador, ndër ndihmat që ambasada ia ka ofruar qytetit të Prizrenit është restaurimi i Kalasë. E përmendët se keni takuar përfaqësuesit e disa OJQ-ve. A do të thotë kjo se do të vazhdoni të ndihmoni dhe të përkrahni trashëgiminë kulturore të Prizrenit?
AMB: Nuk kam asgjë për të lajmëruar sot, por sigurisht duam ti kuptojmë nevojat e Prizrenit dhe të shohim nëse mund ti përputhim ato nevoja me resurset që janë në dispozicion në SHBA. Ky është proces afatgjatë dhe mendoj se është me rëndësi që ti shohim investimet në aspektin financiar, por edhe në atë njerëzor që populli i Kosovës e bën në vendin e tyre dhe kjo është vërtetë frymëzuese.
TVO: Secili ambasador ka pasur një qëllim gjatë mandatit të tij apo të saj. Në çka do të përqendroheni ju gjatë mandatit tuaj?
AMB: Disa prej çështjeve në të cilat do të përqendrohem janë rezultat i natyrshëm i prioriteteve të përditshme politike: siguria rajonale, investimet, tregtia, lufta kundër korrupsionit. Përveç kësaj, jam i interesuar për ti shtyrë përpara bisedimet rreth përvojës së Amerikës si shoqëri shumë-kulturore, shumetnike, shoqëri e larmishme fetare dhe për të biseduar me miqtë në Kosovë se si përvoja jonë dhe ajo e Kosovës mund t’na ndihmojë për ta ndërtuar të ardhmen më të mirë.
TVO: Në Prizren e kemi një “legjendë urbane”: nëse keni pirë ujë në Shatërvan, atëherë do të ktheheni sërish këtu. Nuk e di a keni pirë ujë aty apo jo, por shpresoj që të vini sërish në Prizren.
AMB: Shpresoj që të kem rastin të vi shumë herë këtu.