Intervista e ambasadorit Kosnett për Radion Gorazhdevc

Intervista e ambasadorit Kosnett për Radion Gorazhdevc, 15 maj 2019

Radio Gorazhdevci: Shkëlqesia Juaj, mirësevini në studion tonë dhe ju faleminderit për këtë intervistë.

Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit Darko, kam nderin që jam këtu.  Është gjithmonë kënaqësi për të dalë jashtë kryeqytetit për të hulumtuar pjesë të reja të vendit dhe për të dëgjuar pikëpamje të ndryshme nga njerëzit anembanë vendit.

Radio Gorazhdevci: Për fillim, ndoshta është e rëndësishme për ju për t’na treguar arsyen e vizitës suaj në rajonin e Pejës?

Ambasadori Kosnett:  Si ambasador amerikan, mendoj se është me rëndësi për ta vizituar vendin anembanë, për tu njoftuar me njerëzit – jo vetëm zyrtarët e qeverisë – por ata që punojnë në shoqërinë civile, qytetarët e rëndomtë, vendasit, për ti kuptuar jo vetëm problemet e tyre, por edhe se si e shohin ata të ardhmen dhe çfarë mundësish i shohin për vete në komunitetet e tyre.  Pra, ne – unë, bashkëshortja ime, stafi im – udhëtojmë shpesh anembanë vendit dhe kjo është vizita jonë e parë në Deçan.

Radio Gorazhdevci: Pra, çka patë në rajonin tonë sot?

Ambasadori Kosnett: Sot patëm takim me kryetarin e komunës, si dhe me këshilltarë të Kuvendit Komunal nga të gjitha partitë e ndryshme politike që përfaqësohen aty.  Pastaj, patëm privilegjin për të vizituar manastirin, Manastirin e Deçanit, i cili është një objekt jashtëzakonisht i bukur dhe historik.  U takuam me atin Sava dhe me disa prej njerëzve që punojnë aty.  Më duhet të them se Manastiri është i jashtëzakonshëm dhe na përkujton trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe sa është e rëndësishme që Kosova të mbetet vend shumëkulturor e shumëfetar.

Radio Gorazhdevci: Të flasim për çështjen e rëndësishme të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Negociatat janë ndalur. Kërkesa e Beogradit është që të ndërpritet taksa, kurse kryeministri i Kosovës, z. Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të ndërpritet.  Ku qëndron problemi, si të fillohet apo vazhdohet ky proces dhe sa është e rëndësishme që të vazhdojë ai?

Ambasadori Kosnett: Para së gjithash, Darko, mendoj se është me rëndësi që njerëzit të mos shkurajohen rreth procesit të dialogut.  Natyrisht, është frustruese kur negociatat përballen me ndonjë pengesë dhe ndalen e pastaj njerëzit duhet të mendojnë si të ecin përpara.  Qëndrimi i qeverisë sime është se pezullimi i taksës paraqet hap të rëndësishëm për të rikthyer momentumin.  Po ashtu, janë disa hapa që dëshirojmë që qeveria e Serbisë ti ndërmarrë.  Dëshirojmë ti shohim të dy anët duke iu qasur diskutimeve në frymë të fleksibilitetit dhe kompromisit.  Mendojmë se është në interesin e të dy vendeve dhe në interesin e qytetarëve të dy vendeve, për të parë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do të rezultojnë në marrëdhënie normale dhe mundësi të reja politike dhe ekonomike për të dy vendet.

Radio Gorazhdevci: Po, shumë përfaqësues politikanë, shqiptarë ose serbë, po thonë se takimi i ardhshëm do të mbahet në qershor në Uashington DC. A është e vërtetë kjo dhe çka pritni nga ky takim?

Ambasadori Kosnett:  Nuk kam asgjë për të thënë për ndonjë takim të mundshëm në Uashington.  Do të them se Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përfshira në procesin e dialogut në partneritet me Bashkimin Evropian dhe me popullin e qeverinë e Serbisë dhe popullin e qeverinë e Kosovës. Presidenti Trump, siç e dini, iu ka shkruar presidentit Vuçiq dhe presidentit Thaçi për të theksuar rëndësinë e procesit të dialogut dhe përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të parë që ky proces të ecë përpara.

Radio Gorazhdevci: Shumë procese të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk po respektohen.  Çka ka ndodhur përkitazi me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.  E dini që Asociacioni i komunave serbe nuk është themeluar. Ka shumë probleme në të dy palët sa i përket përballjes me procesin e të kaluarës. Çka ndodhi me këtë?

Ambasadori Kosnett: Darko, mendoj se është me rëndësi të them se Shtetet e Bashkuara nuk ka ndonjë rezultat përfundimtar në mendje për negociatat gjatë dialogut.  Çka duam të shohim është që vetë palët – Kosova, Serbia – të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Pra, ne po rrimë larg nga argumenti për rezultat përfundimtar specifik – këtë apo atë. Ne mendojmë se nëse njerëzit i kthehen tavolinës dhe fillojnë të negociojnë për një varg çështjesh dhe kjo do të ishte mënyra për të ecur tutje. Dëshiroj të shtoj, se përveç rolit që të dy qeveritë luajnë për ta çuar përpara procesin, mendoj se është me rëndësi që si pjesë e procesit, është me rëndësi që të dëgjohet zëri i shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe çdo qytetari të rëndomtë. Pra, i kemi nxitur ekipet negociatore në të palët për të dëgjuar shumë zëra në vendet e tyre dhe për tu siguruar që i dëgjojnë zërat e të gjithëve që kanë rol në të ardhmen, që kanë hise në të ardhmen e vendit.   Mendojmë se shumë herë, qytetarët e rëndomtë dhe organizatat e shoqërisë civile në Kosovë dhe Serbisë në të vërtetë i kanë qëllimet e përbashkëta dhe interesat e njëjta dhe do të donim ti nxitnim që të ketë më shumë bashkëpunim të tillë dhe komunikim përtej kufijve ndërkombëtarë.

Radio Gorazhdevci: Sot vizituat këtë rajon dhe folët me shumë përfaqësues. Dëshiroj të flas për sundimin e ligjit.  Ky është problem për shumë njerëz, ka problem me lëshimin e dokumenteve, me lëshimin e dokumenteve kosovare.  Shumë njerëz kanë probleme me pronë të uzurpuar. A bisedoni me përfaqësues të qeverisë në nivel lokal? Çka thonë përfaqësuesit për këtë problem? Si të gjindet një zgjidhje?

Ambasadori Kosnett: Pas kthimit në Kosovë – kjo është hera e dytë që jam në Kosovë – për rreth pesë muaj që jam këtu, kam përshtypjen se Kosova ka ligje të shkëlqyeshme, por problemi është se jo gjithmonë këto ligje zbatohet në mënyrë të drejtë e të shpejtë.  Qeveria ime beson se është shumë me rëndësi që njerëzit e respektojnë sundimin e ligjit, respektojnë proceset ligjore.  Në të njëjtën kohë, nëse njerëzit punojnë në nivel lokal, nëse komunitetet kanë komunikim të hapur dhe të ndershëm me fqinjët e tyre, mund ti zgjidhin problemet vetë në mënyrë paqësore pa domosdoshmërinë e shumë proceseve ligjore, pa shumë avokatë, atëherë edhe kjo mund të funksionojë. Çka mendojmë thjeshtë se është e gabuar nëse qeveritë i zbatojnë vendimet e gjykatave vetëm nëse ju pëlqejnë ato.  Thjeshtë nuk është e duhur që udhëheqësit qeveritarë të çdo niveli të thonë: “Ok, kemi humbur në gjykatë, prandaj nuk do ta zbatojmë atë vendim”. Ky është pozicioni që qeveria ime do të vazhdojë ta mbajë.

Radio Gorazhdevci: Por si të zbatohen ato vendime?  P.sh. Manastiri i Deçanit ka problem. Shumë njerëz nga komuniteti serb nga Peja kanë probleme të ngjashme. P.sh. Milorad Gjokoviq ka problem me komunën lidhur me një parcelë toke dhe gjykata ka vendosur në të mirë të tij, por komuna nuk e pranon atë vendim. Çka duhet të bëjë njeriu në këtë rast?

Ambasadori Kosnett: Nuk dua të flas në detaje për rastet specifike ku ndoshta nuk i di shumë të gjitha hollësitë. Por, dëshiroj ta theksoj sërish, që është me rëndësi që komunat dhe qeveritë qendrore respektojnë sistemin ligjor, ti respektojnë vendimet e gjykatave.  Është shumë me rëndësi për qytetarët që të marrin të njëjtën pikëpamje që do të respektojnë vendimet e gjykatave edhe nëse nuk janë drejtpërdrejtë të përfshirë në to.  E kam thënë edhe më parë në publik, ka shumë njerëz që mund të mendojnë se çështja e të drejtave pronësore të Kishës ortodokse serbe nuk është problem i tyre. Por, njerëzit duhet të kenë besim se nëse kanë problem me pronën ose ndonjë çështje ligjore, ata mund ti besojnë sistemit të gjykatave.  Është me rëndësi për njerëzit që nuk janë drejtpërdrejtë të përfshirë në një rast të caktuar për të respektuar vendimet e gjykatave ose përndryshe sundimi i ligjit nuk funksionon për askënd.

Radio Gorazhdevci: Sa i përket korrupsionit – është i dukshëm në të gjitha nivelet. Si mund të ndalet kjo?

Ambasadori Kosnett: Kur flasim për korrupsionin, janë gjitha ato nivele apo shije të ndryshme të korrupsionit.  Duhet të mendojmë për njerëzit në pozita të autoritetit, pozita të besimit, që keqpërdorin atë autoritet apo vjedhin para – mendoj, ky është problem, këto gjëra ndodhin.  Njëjtë është për tu shqetësuar edhe për këtë punën e favorizimit, nepotizmit, familjarizimit të nivelit të ultë e të përditshëm.  Ku njerëzit ndjenjë – qytetarët e rëndomtë ndjenjë – se nuk mund të përparojnë me merita.  Nëse nuk i kanë miqtë apo familjarët e duhur, ata nuk mund të gjejnë punë ose të marrin pozita.

Ka anketa që tregojnë se vetëm nja 20 për qind të të rinjve në Kosovë besojnë se mund të përparojnë me merita. Kjo është formë shumë e rrezikshme dhe tinëzare e korrupsionit.  Ka ca rrënjë në kulturë, por është me rëndësi për të gjithë për të kuptuar se ata luajnë rol në luftimin e korrupsionit. Nuk është çështje vetëm për qeverinë; nuk është çështje për bashkësinë ndërkombëtare.  Kosova është demokraci dhe qytetarët individualë kanë mënyra për të bërë që t’ju dëgjohet zëri: mund të votojnë, mund të flasin dhe të shkruajnë, mund të organizohen.  Kur i dëgjoj njerëzit në Kosovë duke thënë: “Oh, korrupsioni është problem i tmerrshëm, por nuk mund të bëj asgjë për të”, dua t’ju them se ky është vendi i tyre dhe duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar atë lloj shoqërie në të cilën duan të jetojnë.

Radio Gorazhdevci: Shoqëria civile thotë se janë shumë ligje të mira në letër, por njerëzit ende gjejnë mënyra për të qenë të korruptuar. Çka duhet të bëhet që të respektohen ligjet?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se këtu ka rol për shoqërinë civile, për qytetarët, gazetarët…

Radio Gorazhdevci: Mendoni të monitorojnë…

Ambasadori Kosnett: Pikërisht.  Çdo ditë mund të punoni për të ndriçuar korrupsionin.  Duhet guxim, punë e mundimshme, por në Kosovë ekziston një sektor shumë i gjallë i medieve dhe ne respektojmë rolin që ato e luajnë.  Kam kuptuar se kur njerëzit punojnë së bashku për të luftuar për një sistem të hapur e të ndershëm politik, ata mund të arrijnë përparim.  Është me rëndësi që njerëzit mos të heqin dorë e të mendojnë se nuk kanë fuqi për të ndryshuar gjërat.

Radio Gorazhdevci: Në fund, a keni donjë porosi për njerëzit që jetojnë këtu, për dëgjuesit e Radio Gorazhdevcit, për komunitetin serb ose të tjerët që po na dëgjojnë apo shohin?

Ambasadori Kosnett:  Më lejoni të them se si përfaqësues i SHBA-së, është privilegj i pamasë për të jetuar dhe punuar në një vend të bukur si Kosova.  Kam shumë besim në të ardhmen e Kosovës. Një aspekt i shoqërisë kosovare që e respektoj dhe të cilin e kanë të përbashkët SHBA-ja dhe Kosova, është se kjo është shoqëri shumetnike, shoqëri shumëfetare.  Mendoj se është me rëndësi që pjesëtarët e pakicave të punojnë dhe të përpiqen për të ndërtuar të ardhme për vete dhe fëmijët e tyre në Kosovë. Mendoj se Kosova do të ishte vend shumë më i ndryshëm dhe shumë më pak interesant nëse pakicat të mos kishin atë rol të fortë e kumbues dhe një të ardhme këtu. Shtetet e Bashkuara shpresojnë të bëjnë krejt çka munden për të mbështetur miqtë tanë në Kosovë për të jetuar në një shoqëri kur mbretëron paqja, drejtësia dhe mbarësia për të ardhmen.

Radio Gorazhdevci: Shkëlqesia juaj, ju faleminderit për intervistën.

Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit, Darko. Ishte nder i madh. Ju faleminderit.