Intervista e ambasadorit Kosnett për Radio Kosova 2

Intervista e ambasadorit Kosnett për Radio Kosova 2, 5 dhjetor 2019

Radio Kosova 2: Fillimisht, ju faleminderit për intervistën. Z. ambasador, së pari dëshiroj të di se si i komentoni negociatat e deritanishme ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së?

Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit, Sandra. Besoj se si Vetëvendosje, ashtu edhe LDK-ja, janë të përkushtuara për të lidhur koalicion që do të pasqyrojë në mënyrë efikase të gjithë popullin e Kosovës. Mendoj se më 6 tetor, populli votoi për ndryshim dhe këto parti janë të përkushtuara për të. Është me rëndësi të vihet në pah se koalicioni i ri qeveritar duhet të përfshijë përfaqësim edhe përtej vetëm këtyre dy partive. Para pak ditësh u takova me përfaqësues të partive të pakicave joserbe dhe besoj se edhe ato janë të përkushtuara për të tejkaluar politikën tradicionale dhe njëmend të përpiqen të ndërtojnë të ardhme të mirë për vendin.

Radio Kosova 2: Grupet punuese kanë thënë se janë pajtuar për 100 për qind të programit, por duket se nuk e kanë të lehtë ta arrijnë marrëveshjen përfundimtare.

Ambasadori Kosnett: Mendoj se ka pasur shumë deklarata në publik dhe spekulime për natyrën e këtyre diskutimeve. Unë vetë po rri i tërhequr nga kjo sepse nuk mendoj se ka ndonjë vlerë për të komentuar rreth kësaj. Sinqerisht, qeveria ime është e bindur se kjo do të kryhet dhe jemi më shumë të interesuar për të folur për mënyrën si të shtyhen gjërat përpara – të ardhmen e vendit – se sa për këto hollësi politike.

Radio Kosova 2: Mund të jetë hipotetike, por nëse këto dy parti nuk arrijnë marrëveshjen, a mund të shkojë Kosova sërish në zgjedhje? A mund t’i përballojë zgjedhjet e reja Kosova?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se gjasat janë shumë të vogla, por siç e thatë, është hipotetike, prandaj nuk do ta komentoj këtë. Edhe njëherë, mendoj se Vetëvendosje dhe LDK-ja dhe partitë e tjera e kanë rastin për të formuar një qeveri që do të bëjë gjëra të mëdha për vendin. Më lejoni të shtoj se ato parti që nuk janë pjesë e qeverisë, partitë që do të dalin në opozitë, gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm kur mendohet për unitetin e vendit duke kërkuar mundësitë për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive me qeverinë. Ne mendojmë se çdokush në këtë vend luan një rol. Për këtë arsye, flasim shumë për rolin e partive politike, por qytetarët në sektorin privat, nga organizatat e shoqërisë civile, qytetarët e rëndomtë, mediet – të gjithë kanë të drejtë dhe përgjegjësi për të bërë që t’ju dëgjohet zëri.

Radio Kosova 2: Si e sheh SHBA-ja Albin Kurtin si kryeministër të ardhshëm?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se z. Kurti e di që të jesh kryeministër dallon shumë nga të jesh prijës opozitar dhe mënyra e të menduarit të tij po ndryshon shumë shpejt. Mendoj se ai do t’ua shtrijë dorën të tjerëve në përpjekje për të ndërtuar qeveri përfshirëse dhe për të ndërmarrë hapa konstruktivë në të gjitha fushat që SHBA-ja mendon se janë të rëndësishme për Kosovën. Çka mendoj me këtë? Ne flasim shumë për prioritetet tona për Kosovën që kanë të bëjnë me mbështetjen tonë për kosovarët në ndërtimin e paqes, drejtësisë, prosperitetit. Me paqen mendojmë në përmirësimin  e marrëdhënieve me fqinjët – me shtetet fqinje – por edhe për marrëdhënie më të mira mes komuniteteve këtu në Kosovë. Kur flasim për drejtësi, flasim për luftën kundër korrupsionit, që ishte në qendër të vëmendjes të fushatës zgjedhore këtë vit, por më gjerësisht flasim për ndërtimin e një shoqërie të barabartë për të gjithë – mundësi të barabarta, barazi para ligjit pa marrë parasysh komunitetin, gjininë, orientimin. Kur flasim për prosperitet, mendojmë se çelësi i zhvillimit ekonomik është çlirimi i energjisë dhe kreativitetit të sektorit privat. Investimet e huaja janë të rëndësishme dhe ne mendojmë se përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të sjellin më shumë investime të huaja, por në të njëjtën kohë Kosova nuk duhet të anashkalojë energjinë dhe aftësitë e popullit të tij.

Radio Kosova 2: Sipas Kushtetutës së Kosovës, një ministri i takon komunitetit serb në Kosovë dhe në këtë rast do të duhej ti shkonte Listës Serbe sepse ajo ka fituar më së shumti vota në zgjedhje. Por, a e shihni Listën Serbe në qeverinë e ardhshme sepse kemi dëgjuar Albin Kurtin duke thënë se më me dëshirë do ti kishte në opozitë?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se z. Kurti e kupton shumë mirë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe e kupton realitetin politik të Listës Serbe dhe nuk e shoh ndonjë mënyrë që ky vend të ecë përpara pa i dëgjuar zërat e komunitetit serb, si dhe të të tjerëve, e Lista Serbe paraqet zë shumë të rëndësishëm.

Radio Kosova 2: Një ministri tjetër duhet ti shkojë komuniteteve tjera. Si e vlerësoni pozitën e komuniteteve tjera në Kosovë?

Ambasadori Kosnett: Sërish, unë nuk jam palë – nuk jam drejtpërdrejt i përfshirë në këto negociata në mes të partive, por jam takuar me përfaqësuesit e partive të pakicave. Mendoj se përgjithësisht ata janë shumë optimistë për qeverinë e re dhe mendoj se do të ketë bashkëpunim ndërmjet partive të pakicave dhe partive të pakicave në elementet e tjerë të qeverisë. Natyrisht, ka shumë negociata dhe diskutime intensive – kjo është normale. Siç mund ta mbani në mend, ka pasur raste në të kaluarën pas zgjedhjeve në Kosovë kur janë dashur muaj të tërë për formimin e qeverisë së re. Mendoj se ky proces po shkon shumë më shpejt këtë herë.

Radio Kosova 2: Jeni takuar me prijësit e pakicave para dy ditësh apo jo?

Ambasadori Kosnett: Po.

Radio Kosova 2: Për çka folët me ta?

Ambasadori Kosnett: Folëm për të ardhmen e vendit dhe se si të gjithë në Kosovë – të gjithë në pozita politike në Kosovë – duhet të mendojnë jo për të ardhmen e tij apo saj si individ apo vetëm për komunitetin që i takojnë – por edhe për të mirën e vendit. Fola sa është e rëndësishme që njerëzit ti tejkalojnë mënyrat tradicionale të politikës së shkëmbimit dhe aleancave dhe njëmend të mendojnë se si të ndërtojnë një vend në paqe, drejtësi dhe prosperitet për gjeneratat e ardhshme – mendoj se kjo është porosi me të cilën pajtohen të gjithë.

Radio Kosova 2: Çka pritni nga qeveria e ardhshme? Cilat duhet të jenë prioritetet kryesore?

Ambasadori Kosnett: Mendoj se ishte e qartë gjatë fushatës zgjedhore se qytetarët janë të fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe për të ndërtuar një sistem të drejtësisë, të cilit i besojnë të gjithë. Njerëzit shqetësohen për mungesë të vendeve të punës, mungesë të mundësive ekonomike. Mendoj se edhe pse Vetëvendosje dhe LDK kanë pasur teori – ideologji – mjaft të ndryshme ekonomike, ma merr mendja se do të gjejnë mënyrë për të bërë pjesën e tyre për të çliruar energjinë e sektorit privat, gjë që është e rëndësishme. Në fund, besoj – qeveria ime fuqimisht beson – se qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme për t’iu kthyer negociatave për dialog me Serbinë. Gjithashtu, mendojmë se Kosova duhet ta shfrytëzojë rastin për tu ulur si e barabartë me vendet e tjera në rajon për të folur rreth propozimit për mini-Shengen sepse nuk besojmë që mund të flitet për të ardhme të begatshme ekonomike për rajonin pa Kosovën që luan rolin e saj për t’ia dhënë formën asaj të ardhme. Pika ime e fundit është se besojmë që çështjet si paqe, drejtësi, prosperitet duhet të trajtohen së bashku.

Radio Kosova 2: Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar qe një vit për shkak të taksës mbi mallrat nga Serbia të vendosur nga qeveria e Kosovës. Tani po dëgjojmë nga Kurti se do të vendosë masa të tjera. A do të ketë kjo ndikim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Kosnett: Qëndrimi i qeverisë sime është se Kosova duhet ta pezullojë taksën e Serbia duhet ta pezullojë fushatën për çnjohje dhe të gjithë duhet ti kthehen negociatave. Qëllimi nuk do të duhej të jetë vendosja e pengesave të reja për tregti, investime e bashkëpunim, por të gjenden mënyra për ti hequr pengesat ekzistuese. Ashtu që, kur qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë të ulen përballë njëra-tjetrës, ato duhet të mendojnë si të përmirësojnë bashkëpunimin ndërmjet tyre.

Radio Kosova 2: Si duhet të duket marrëveshja e fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Kosnett: Pikë së pari, duhet të jetë marrëveshje që pranohet nga populli i të dy vendeve, jo vetëm nga disa politikanë. Por, ne besojmë se një marrëveshje gjithëpërfshirësee do të krijojë mundësi për tregti më të madhe, për më shumë investime, për ti zvogëluar pengesat për partneritet ekonomik. Duhet të adresojë bashkëpunimin e organeve të zbatimit të ligjit dhe të jetë mundësi për rigjallërimin e hetimit të rasteve të personave të pagjetur dhe krimeve të tjera që mund të jenë kryer nga individë të komuniteteve të ndryshme. Mbi të gjitha, mendojmë se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë të ardhme ku nuk e shohin njëra-tjetrën si armike dhe rivale, por si partnere. E dimë se duhet të punohet me shumë mund që Kosova dhe Serbia të ndërtojnë të ardhme të tillë, por tani është çasti për t’ia filluar punës.

Radio Kosova 2: Presidentët e Kosovës dhe Serbisë kanë folur për çështjen e shënimit të kufirit apo shkëmbimit të territorit. A do ta mbështetnit një zgjidhje të tillë?

Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit për mundësinë për ta sqaruar qëndrimin e SHBA-së rreth shkëmbimit të territorit sepse mendoj që nuk është kuptuar mirë. Disa zyrtarë në administratën e SHBA-së kanë thënë se nëse Kosova dhe Serbia hartojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshin ndonjë lloj të korrigjimit të territorit, ne nuk do ta refuzonim atë aty për aty. Do ta shikonim, do ta shqyrtonim, por një marrëveshje e tillë duhet të jetë e pranueshme nga populli i të dy vendeve. Mendoj se është e qartë se oreksi për ndonjë shkëmbim të madh të popullsisë, për ndonjë ndryshim të madh të kufirit në Kosovë – në mesin e cilido komuniteti – është shumë i vogël. Nuk shoh diç të tillë. Por, a është e mundshme që kur dialogu t’ia rifillojë do të ketë diskutime teknike për shënimin e kufirit – korrigjimin e kufirit? Për këtë duhet të vendosin Kosova dhe Serbia, por sërish nuk do ta refuzonim diç të tillë aty për aty. Si diplomat profesional, mendoj se është me rëndësi që negociatorët të mund të flasin për probleme dhe sa më pak kufizime të kenë për çështjet që do të diskutohen në tavolinë, aq më mirë.

Radio Kosova 2: Duket se Dhomat e Specializuara në Hagë e kanë shtuar punën kohëve të fundit. Çka pritni nga kjo gjykatë?

Ambasadori Kosnett: Mendojmë se Gjykata Speciale luan rol të rëndësishëm për të mundësuar drejtësi në emër të viktimave individuale, por edhe për të qartësuar se Kosova si shtet nuk frikësohet që ta shqyrtojë të kaluarën e saj. Mendojmë se është institucion shumë i rëndësishëm dhe mendoj se do ta dëshmojë vlerën e saj gjatë muajve të ardhshëm.

Radio Kosova 2: Edhe një pyetje për fund. Cili do të jetë roli i ardhshëm i SHBA-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Kosnett: Administrata e SHBA-së është e përkushtuar për të mbështetur dialogun dhe të gjitha përpjekjet për të ndërtuar bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kur marrëveshja të arrihet, ne do të jemi aty për të siguruar që palët i mbajnë premtimet e tyre.  Mendoj se populli i Kosovës – nga të gjitha komunitetet – mund të besojë se SHBA-ja do t’ju qëndrojë përkrah në çdo hap.

Radio Kosova 2: Ju faleminderit shumë.

Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit, Sandra. Ishte kënaqësi.