Intervista e ambasadorit Kosnett për Kossev, 3 dhjetor 2019
KoSSev: Përkundër negociatave disamuajshe për formimin e qeverisë së Kosovës dhe deklaratave të shumta për koalicion të shpejtë ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, dje në të vërtetë pamë dështimin për formimin e qeverisë. A pritni që sot të ketë ndryshime? A pritni që koalicioni do të përmbyllet gjatë ditës së sotshme ose ditëve të ardhshme?
Ambasadori Kosnett: Mendoj se është e qartë se më 6 tetor, populli i Kosovës votoi për ndryshim dhe LDK dhe Vetëvendosje janë të përkushtuara për formimin e koalicionit që do të mundësojë ndryshim dhe përparim për të gjithë popullin e Kosovës. Edhe unë, si qytetarët e Kosovës, pres me padurim përmbylljen e këtij procesi që qeveria e re të formohet dhe t’ia fillojë punës. Nuk e di edhe sa ditë do të duhen, por mendoj se të gjithë që janë të përfshirë e dinë se kjo është mundësi e madhe dhe që nuk do ta hedhin dëm atë.
KoSSev: Më lejoni t’ua shtroj pyetjen më ndryshe. A mund ta mënjanoni mundësinë e ndonjë befasie të çastit të fundit që votat e deputetëve nga pakicat do të mungojnë kur në anën tjetër i kemi parë gjithë ato lajmërime që do të ndodhë e prapëseprapë nuk ndodh?
Ambasadori Kosnett: Jam i bindur se kjo do të funksionojë dhe që do të formohet qeveri e tillë që i kushton vëmendje zërit të të gjithëve në Kosovë.
KoSSev: Përderisa presim formimin e qeverisë, a pajtoheni me perceptimin se strukturat e PDK-së nuk janë njëmend të gatshme për të hequr dorë nga një pjesë e madhe e ndikimit që e kanë mbi institucionet?
Ambasadori Kosnett: Më lejoni të përgjigjem më gjerësisht, qeveria ime pret që të gjitha partitë politike, qofshin në qeveri apo në opozitë, do të sillen në mënyrë konstruktive duke e vënë interesin e vendit në krye.
KoSSev: Kjo nënkupton se nuk po përgjigjeni… a mund ta shtroj pyetjen në mënyrë tjetër?
Ambasadori Kosnett: Do të përgjigjem më ndryshe. Natyrisht, të gjitha partitë politike do ta presin me padurim mundësinë e ardhshme për të qenë në qeveri: këtë punë e kanë ato. Çka shpresoj dhe pres është që PDK-ja dhe AAK-ja, si dhe partitë e tjera që do të jenë në opozitë, do të sillen në mënyrë konstruktive siç duhet të sillen partitë opozitare – duke i shqyrtuar mundësitë për të bashkëpunuar me qeverinë. E kuptoj pyetjen tuaj. Mendoj se është me rëndësi që të gjithë në klasën politike ti mbajnë në mend interesat e vendit, interesat e qytetarëve. E qytetarët e kanë shprehur qartë dëshirën e tyre më 6 tetor.
KoSSev: Ju faleminderit. Një pyetje shtesë: a jeni të vetëdijshëm për perceptimin e opinionit publik që po e shohin qëllimin – deri tani – e partisë më të madhe për të vazhduar të ushtrojë ndikim. P.sh. një prej sqarimeve pse qeveria nuk është formuar ende – shumë veta janë të gatshëm të thonë se kjo po ndodh për shkak të pengesave të brendshme, në radhë të parë të strukturave të PDK-së, për të mos e lëshuar qeverinë?
Ambasadori Kosnett: Jam më shumë i interesuar për të folur se çka do të bëjë qeveria e ardhshme se sa për këto çështjet e manovrave politike dhe si u mbajtën zgjedhjet e ngjashëm. Pra, të flasim çka presim nga qeveria e ardhshme.
KoSSev: Sa i përket qeverisë së ardhshme, pyetja do të ishte se a mendoni që qeveria e re do të jetë mjaft stabile, nëse qeveria bëhet nga LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, a do të ishte mjaft stabile për të ndërmarrë hapat e vështirë politikë përfshirë edhe pezullimin apo heqjen e taksës, e cila është vendosur më shumë se një vit.
Ambasadori Kosnett: Tanja, jam i bindur se qeveria e re do të jetë në gjendje të sillet në mënyrë të përgjegjshme dhe përparimtare në të gjitha çështjet, si ato të drejtësisë, të prosperitetit dhe të zhvillimit ekonomik, si dhe lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj. Qëndrimi ynë është se ne besojmë që Kosova dhe Serbia duhet ti kthehen negociatave sa më shpejt që është e mundur dhe të mos vendosin pengesa, specifikisht ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për pezullimin e taksës dhe i bëjmë thirrje Serbisë për ti dhënë fund fushatës së çnjohjeve. Çka duam të shohim është që palët të garojnë për të parë se cila do të jetë më kreative në krijimin e kushteve për përmirësimin e marrëdhënieve, e jo cila palë do të vë më shumë pengesa.
KoSSev: A jeni optimist që kjo mund të ndodhë menjëherë pas formimit të qeverisë dhe çka nënkupton kjo praktikisht? A mendoni se kjo duhet të jetë lëvizje e njëkohshme nga Beogradi dhe Prishtina apo duhet të bëhet njëra pas tjetrës?
Ambasadori Kosnett: Mendoj se është me rëndësi që të dy qeveritë të lëvizin me vendosmëri për rifillimin e bisedimeve dhe të kthehen në tryezën e negociatave, të krijojnë mundësi ekonomike, mundësi për bashkëpunim në shumë çështje, përfshirë çështjet si personat e pagjetur, bashkëpunim në çështjet e zbatimit të ligjit, krijimin e mundësive për tregti dhe investime. Sepse ne mendojmë që e ardhmja ekonomike e Kosovës varet mjaft edhe nga përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët e saj, jo vetëm me Serbinë. P.sh. të flasim për mini-Shengenin pak. Në Kosovë ka shumë pyetje rreth propozimit për mini-Shengen. Njerëzit i kanë vënë në pah shumë pika të dobëta në formulimin fillestar për të. Pikëpamja jonë është se Kosova po ftohet për të marrë pjesë në procesin e mini-Shengenit si e barabartë me vendet tjera në rajon; që Kosova duhet të dërgojë një delegacion në seancën e ardhshme të mini-Shengenit dhe ti paraqesë idetë e veta – nëse nuk ju pëlqen trajta e tanishme, atëherë Kosova duhet të argumentojë për ndryshim, duhet të përpiqet ti japë formë asaj. Mendoj se vendet e tjera të rajonit e pranojnë se çdo vendi i rajonit, përfshirë edhe Kosovën, duhet të marrë pjesë në këtë proces për të pasur ekonomi të fuqishme rajonale. Besoj se qeveria e ardhshme e Kosovës do të ketë vetëbesimim për të marrë pjesë në negociata me bindje të plotë dhe si e barabartë me Serbinë dhe vendet e tjera.
KoSSev: Z. ambasador, a mendoni se është më e saktë: që Kosova nuk ftohet për t’ju bashkuar tryezës për mini-Shengen apo që Kosova nuk dëshiron ti bashkohet tryezës së mini-Shengenit?
Ambasadori Kosnett: Mendoj se në këtë çast Kosova e ka derën e hapur dhe do të duhej të marrë pjesë në tryezë. E dini, përderisa Kosova bëhet më aktive në skenën globale dhe jam plotësisht i bindur, eventualisht do ti bashkohet Kombeve të Bashkuara, do të bëhet anëtare e këtyre organizatave ndërkombëtare. Kosova do të bëhet partnere e barabartë me çdo vend tjetër sovran dhe nuk ka çast më të përshtatshëm se tani.
KoSSev: Pra, a po ju kuptoj drejt se Kosova ka marrë ftesë?
Ambasadori Kosnett: Po.
KoSSev: Lista Serbe është shumë e rëndësishme në këtë tangon e re që do të jetë duke pritur për qeverinë e re dhe për qeverinë e tanishme në Beograd. Kohëve të fundit kemi parë se Kurti ka shprehur kundërshtim të fortë për të pasur Listën Serbe në qeveri. Në anën tjetër, Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë se ai duhet të ketë miratimin e shumicës së deputetëve. A mendoni se në fund të fundit, Kurti do të emërojë një ministër nga Lista Serbe në qeverinë e tij dhe nëse është kështu, çka do të thotë ai kur thotë se do ta marrë një, por ai do të jetë në opozitë?
Ambasadori Kosnett: Dëshiroj të jem i kujdesshëm e të mos hamendësoj për të ardhmen. Mendoj se z. Kurti është i njoftuar për përgjegjësitë e kryeministrit dhe që e kupton çka thotë Kushtetuta për rolin e partive nga pakicat, si dhe që e di se Lista Serbe është realitet politik që nuk mund të injorohet. Mendoj se mbetet të presim se si do të manifestohet kjo në mënyrë specifike. Por, unë besoj se z. Kurti e kupton se të jesh kryeministër i një vendi dallon shumë nga të qenit prijës politik opozitar dhe ai është i përkushtuar për të punuar me të gjitha pakicat në Kosovë. Do të shohim kur të formohet qeveria, por deri tani ai ka ofruar të gjitha garancionet e duhura.
KoSSev: Pyetja e fundit – në të vërtetë e parafundit për dialog. Në një anë shpresojmë që eventualisht ta kemi qeverinë e re në Prishtinë, e në anën tjetër e kemi qeverinë e tanishme në Beograd, e cila kohëve të fundit po ballafaqohet me shumë probleme. Në Beograd po shohim atë për çka është fajësuar Kosova para zgjedhjeve – që ka dështuar të ketë miratimin. A parashihni vështirësi kur kjo tangoja e negociatave t’ia fillojë?
Ambasadori Kosnett: Unë nuk jam ambasador në Serbi, por do të them se besoj fuqimisht se presidenti Vuçiq dhe qeveria e tij janë të përkushtuar për ti përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën dhe janë të përkushtuar që procesi i dialogut të funksionojë. Për arsye të dukshme, kjo nuk do të thotë që do të jetë negociatë e lehtë. Ka shumë mosmarrëveshje historike; niveli i besimit në mes të dy vendeve është shumë i ultë – të gjithë e dinë këtë. Por, besoj se qeveria e re në Kosovë dhe çfarëdo qeverie që të formohet nga zgjedhjet në Serbi do ta vazhdojë këtë proces.
KoSSev: Kur e kemi pasur intervistën tonë të parë në dhjetor të vitit të shkuar, ishte intervista për Vit të Ri, si ambasador i sapoardhur, më patët thënë që prisni që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinsë t’ia fillojë në gjysmën e parë të 2019-s e jo më vonë. Kjo nuk ndodhi. Pra, çfarë mësimi keni nxjerrë ju dhe çka parashihni për 2020-n?
Ambasadori Kosnett: Në Kosovë kanë ndodhur shumë gjëra pozitive në 2019-n. Fakti se kemi pasur zgjedhje të lira dhe të drejta në tetor – kishte çështje shqetësuese për ne, pati raporte të sjelljes së pahijshme nga një numër i partive, frikësim i votuesve e të ngjashme, por kemi parë se procesi zgjedhor në Kosovë është përmirësuar me kohë. Mund të vë në pah gjithë ata njerëz që parashihnin dhunë në rrugë në ditën e zgjedhjeve. Kjo nuk ndodhi. Nëse mbani mend, më herët gjatë këtij viti kishte individë që kërcënonin se do ti tërhiqnin serbët nga Policia e Kosovës, nga institucionet e drejtësisë në veri, gjë që do të ishte hap i tmerrshëm prapa – kjo u shmang. Mendoj se kemi vazhduar të shohim përparim në çështjet e drejtësisë, të sundimit të ligjit. Mendoj se të gjithë duan fuqimisht ta luftojnë korrupsionin. Kemi parë se gjithnjë e më shumë kosovarë e pranojnë se nuk do të ketë të ardhme të barazisë dhe të drejtësisë përveç nëse të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, përveç nëse çdo qytetar i këtij vendi ka mundësi ekonomike. Pra, mendoj se tani kushtet janë më të mira se sa para një viti për përparim të njëmendtë.
KoSSev: A është parandaluar ndarja, siç e përmendët kërcënimin për daljen nga këto institucione – po flasim për serbët? A është parandaluar ndarja, a po flasim për shënim, apo…
Ambasadori Kosnett: Kam folur për këtë edhe më parë, por më lejoni ta përsëris qëndrimin e SHBA-së. Qëndrimi i SHBA-së nuk ka qenë asnjëherë për të qenë në favor në mënyrë aktive të ndonjë shkëmbimi të madh të territorit, ndonjë korrigjim të madh të kufirit apo çfarëdo ndryshimi të kufirit. Qëndrimi i administratës amerikane ka qenë që nëse populli i Kosovës dhe ai i Serbisë, jo vetëm politikanët, por popujt, pajtohen për ndonjë ujdi gjithëpërfshirëse të këtij problemi që përfshin ndonjë korrigjim të tokës, atëherë ne nuk do ta refuzonim atë pa e shqyrtuar fare, por do ta shikonim atë.
KoSSev: Çka shihni si tendencë? Janë dy persona…
Ambasadori Kosnett: Gjithashu, vazhdimisht e kemi thënë se marrëveshja duhet të përkrahet nga popujt dhe mendoj se është e qartë se përkrahja në Kosovë, nga të gjitha bashkësitë, për një shkëmbim të tillë të madh të tokës dhe popullatës – për të cilën flasin njerëzit – është shumë e vogël.
KoSSev: Edhe te serbët?
Ambasadori Kosnett: Nuk shoh përkrahje të madhe te komuniteti serb për këtë dhe sigurisht që nuk shoh përkrahje të madhe për këtë te bashkësitë e tjera. Por, kur dialogu t’ia rifillojë, nëse palët, Kosova dhe Serbia, duan të bisedojnë ndonjë lloj shënimi të kufirit, ndonjë lloj korrigjimi…
KoSSev: Që dallon nga ndarja?
Ambasadori Kosnett: … nëse duan të flasin për këtë, atëherë pikëpamja jonë është se negociatorët nuk duhet të ndalohen për të folur për këtë. Por, fjala “ndarje” që po e përdorni ju është shumë dramatike. Thjesht nuk shoh përkrahje për ndarje…
Kossev:… shkëmbim të tokës…
Ambasadori Kosnett: …për shkëmbim të tokës, për lëvizje të popullatës, për atë lloj të ndryshimit të madh, gjithëpërfshirës – nuk shoh kurrfarë përkrahje për këtë.
KoSSev: Ti kthehemi edhe njëherë çështjes së Kurtit. Si e shihni qasjen e Kurtit ndaj popullatës serbe? Në një anë, serbët e Kosovës, serbët e rëndomtë, e përgëzojnë atë për premtimet e qarta për ta luftuar korrupsionin dhe krimin, por në të njëjtën kohë, më duhet t’ju them se ata – një fjalë dramatike, por kështu ndjehen – janë shumë të frikësuar nga porositë e tij, siç e perceptojnë ata – shumë agresive, madje kërcënuese ndaj mënyrës se si ai e sheh kombin shqiptar. Serbët e shohin atë si shumë etnocentrik dhe mjaft jo të qëndrueshëm në pohimin e tij se ai është social-demokrat. Edhe një pyetje shtesë: Çka do ta këshillonit atë? Pra, si e shihni këtë dhe çka do ta këshillonit atë?
Ambasadori Kosnett: E kam këshilluar që duhet ta bëjë të qartë se synon të bëhet kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Se duhet të dalë dhe të takohet me qytetarët e të gjitha komuniteteve. Jo vetëm me prijësit politikë – por me qytetarët e rëndomtë dhe ti dëgjojë shqetësimet e tyre dhe ta bëjë të qartë se nuk do të rrijë vetëm në zyrën e tij në Prishtinë. Nuk është e fshehtë se ai ka ndjenja të forta për identitetin kombëtar shqiptar; është shumë krenar për këtë. Në vendin tim, njëjtë si në Kosovë, është e natyrshme që njerëzit të kenë afinitet për historinë, kulturën dhe gjuhën me të cilën janë rritur. Kjo jo domosdoshmërisht është diç negative. Mund të shkoni në Amerikë dhe do të shihni festimin e kulturës italiane, meksikane, e kulturave tjera dhe njerëzit duke i valvitur flamujt e tyre në ato ditë. Ata gjithashtu i valvitin edhe flamurin me yje e shirita – amerikan. Dhe nuk ka asnjë dyshim se para së gjithash janë amerikanë. Mendoj se Albin Kurti synon të bëhet kryeministër i Kosovës. Ai e di se nuk është zgjedhur për të qenë kryeministër i Republikës së Shqipërisë së Veriut apo të Shqipërisë së Madhe. E di këtë shumë mirë. Por, do ti duhet ta marrë mandatin dhe t’ju dëshmojë njerëzve qëllimet e tij të vërteta. Gjithashtu dëshiroj them se njëri prej qëllimeve të mia këtu është që kur të vjen koha të largohem nga Kosova, kur të udhëtoj në veri ta shoh flamurin e kaltër e të verdhë përkrah flamujve serbë. Nuk ka asgjë të keqe që qytetarët që kanë rrënjë serbe të ndjehen krenarë për kulturën e historinë e tyre serbe. Askush nuk po tenton t’ua marrë flamujt serb, por do të ishte mirë të shohim edhe flamurin e Kosovës duke valvitur më shpesh.
KoSSev: Pikërisht siç e thatë, këtë e kam dëgjuar kohëve të fundit nga një numër intelektualësh serbë – se nuk do ti kishin problem ndjenjat e tij shqiptare dhe krenarinë si shqiptar, por në të njëjtën kohë ata ndjehen se po privohen nga mundësia për të shprehur ndjenjat e tyre kombëtare serbe si pjesë e komunitetit serb – nga ana e tij. Për këtë arsye, kur qytetarët në veri e shohin, madje edhe serbët e moderuar atje, shpesh bëjnë vërejtjen e njëjtë se në të njëjtën kohë ai ua mohon ndjenjat kombëtare serbe bashkëqytetarëve të tij kosovarë.
Ambasadori Kosnett: E dini, kryeministri i Kosovës nuk punon për mua. Ai punon për ju. Ju jeni qytatare e Kosovës, kështu që do ta keni rastin ta intervistoni z. Kurti dhe t’ia shtroni këto pyetje drejtpërdrejtë.
KoSSev: Mendoj se planifikojmë ta bëjmë këtë. Dje, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë grupore kundër të akuzuarve në rastin e Oliver Ivanoviqit. Nëse nuk gaboj, deri në këtë çast, ende nuk ka deklaratë të Zyrës së Prokurorisë Speciale në gjuhën serbe, përkundër interesimit të madh të komunitetit serb për këtë rast, përkundër faktit se gjuha serbe është edhe gjuhë kushtetuese. Mund t’ua them përvojën tonë shumë të vështirë dje kur po ngarendnim ta botojmë lajmin dhe po përpiqeshim ta bëjmë këtë sa më shpejt dhe duhej ta përkthenim aktakuzën e të njëjtën kohë të shqetësoheshim për të qenë të saktë. Si e komentoni këtë dhe çfarë porosie dërgon Prokuroria me këtë kur as për këtë rast nuk mund ti kemi dokumentet në gjuhën serbe?
Ambasadori Kosnett: Kjo është pyetje shumë e gjerë, por më lejoni të përgjigjem përkitazi me të drejtat për gjuhë që i diskutuat. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës janë shumë të qarta se janë dy gjuhë zyrtare, që njerëzit mund ti kërkojnë shërbimet në të dy gjuhët dhe që ministritë do të duhej ti publikonin dokumentet në të dy gjuhët e kështu me radhë. Gjatë kohës sime këtu, kam dëgjuar shumë ankesa për mangësitë lidhur me këtë se dokumentet nuk përkthehen ose përkthehen përmes Google, që është i pasaktë. Mendoj se çështje ka ndikim në përditshmërinë e qytetarëve dhe është çështje të cilën qeveria e re duhet të përqendrohet për ta përmirësuar nëse duan të demonstrojnë se është serioze për të punuar në përmirësimin e jetës së të gjthë qytetarëve të Kosovës.
KoSSev: Edhe një pyetje rreth dialogut të pritur – ti kthehemi edhe pak. Si e shihni rolin e këtij Përfaqësuesit të posaçëm, së pari nga amerikanët e pastaj pritet edhe nga evropianët – emisari i posaçëm për dialog? Cili do të ishte roli i tij specifik dhe si i shihni të dy palët në procesin e ardhshëm të dialogut? A do të jenë bashkërisht në dhomë apo do të negociojnë së pari me njërën palë e pastaj me tjetrën?
Ambasadori Kosnett: Përgjigja ime e shkurtë është se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të jenë të përkushtuar për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë për ta arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që do të ndërtojë jetë më të mirë për qytetarët e të dy vendeve. Pyetjet se kush do të jetë në tryezë, në cilat takime do të jenë cilët përfaqësuesë të posaçëm, e të tilla – mendoj se këto do të evoluojnë gjatë muajve të ardhshëm dhe nuk dëshiroj të spekuloj për tërë këto gjëra. Do të them se përfaqësuesi i ri i posaçëm nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuar që kjo të funksionojë.
KoSSev: …koha më e afërt për dialog, veç një parashikim i vogël, kur mund të jetë?
Ambasadori Kosnett: Njëmend, nuk mund ta parashikoj, është diçka hipotetike. Mendoj se përveç procesit zyrtar të dialogut, gjithashtu jemi të interesuar për të parë diskutime të vazhdueshme, bashkëpunim ndërmjet institucione në Kosovë dhe Serbi, qeveritar dhe joqeveritar. Kemi folur shumë për skenën politike në këtë intervistë, por të mos harrojmë rolin e sektorit privat dhe të organizatave të shoqërisë civile në ndërtimin e lidhjeve përtej kufijve. Jam takuar me aktivistë të çështjes së personave të pagjetur që zhvillojnë dialogun e tyre përtej kufijve sepse këto çështje kanë ndikim të thellë në familje…
KoSSev: Pra, i doni edhe ata në dialog?
Ambasadori Kosnett: Po them se kjo çështje është më e madhe se vetëm politikanët. Nuk jam aq i brengosur se kush ulet në cilën tavolinë. Më shumë më intereson për tu siguruar se njerëzit flasin me njëri-tjetrin. Kur flasim për të ardhmen ekonomike të Kosovës: më së shumti frymëzohem kur takohem me ndërmarrës të ri, energjik, shumë prej tyre në sektorin teknologjik, që nuk lejojnë që politika t’ua zëjë rrugën. Ata përpiqen të ndërtojnë të ardhme më të mirë për vete dhe ta kthejnë Kosovën në fuqi ekonomike. Ky vend ka njerëz tepër të talentuar nga të gjitha bashkësitë, të cilët duan që ta bëjnë këtë vend një Estoni tjetër, Singapor apo Izrael tjetër. Një vend që përdor fuqinë e trurit për të ndërtuar ekonominë. Dhe kjo është një fushë ku Kosova dhe Serbia kanë shumëçka të përbashkëta. Nëse shihni drejt të ardhmes, ka mundësi të mëdha për ndërmarrësit, afaristët në të dy vendet për të bashkëpunuar.
KoSSev: Në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është edhe çështja e krimeve të luftës.
Ambasadori Kosnett: Mendoj se është e vështirë për çfarëdo vendi që të ecë përpara pa shqyrtuar drejtpërdrejt dhe me sinqeritet të kaluarën. Ka shumë çështje që përfshijnë krimet e luftës, personat e pagjetur dhe dhunën seksuale gjatë luftës, që është çështje të cilës njerëzit po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje, pas shumë viteve të lënies anash. Mendoj se ka shumë çështje të cilat njerëzit në Kosovë dhe ata në Serbi duhet ti diskutojnë dhe ti zgjidhin për të ecur përpara drejt të ardhmes.
KoSSev: A besoni në Gjykatën Speciale dhe cili është komenti juaj rreth aktiviteteve të shtuara të Dhomave të Specializuara? A jeni në rregull me këtë heshtje dhe jotransparencë nga Dhomat e Specializuara edhe pas kaq viteve të themelimit? Përkundër asaj që herë pas here në medie dëgjojmë për shtimin e aktiviteteve të saj. A besoni në përfundim të drejtë dhe të qëndrueshëm?
Ambasadori Kosnett: Kam shumë besim në Gjykatën Speciale si institucion dhe në individët që janë aty. Është e natyrshme që çdo proces gjyqësor të ketë fazën hetuese, e cila zhvillohet në mënyrë diskrete, private dhe pastaj eventualisht lëvizin në fazën e gjykimit, kur gjërat janë më të hapura për publikun. Kështu punojnë gjykatat në demokraci. E di se ekziston ndjenja e përhapur se Gjykata ka qenë aktive qe sa vite dhe ende s’ka pasur çka të tregojë publikisht. Mendoj se kjo do të ndodhë. Dëshiroj të shtoj se mendoj se çfarëdo përpjekje për ta shfuqizuar mandatin e Gjykatës apo për ta mbyllur atë do të ishte plotësisht e papranueshme për Shtetet e Bashkuara. Besojmë se Gjykata po luan rol të rëndësishëm në ndriçimin e të kaluarës dhe në sjelljen e individëve para drejtësisë dhe presim që ajo të vazhdojë të veprojë.
KoSSev: A shihni ende ndonjë kërcënim? Sepse e kemi parë në fazën e parë, veçanërisht qeverisja e udhëhequr nga PDK-ja ka vënë pengesa të mëdha, gjë që ka kërkuar përfshirjen e paraardhësit tuaj dhe të ambasadorëve të tjerë. A konsideroni se këto pengesa do të vazhdojnë?
Ambasadori Kosnett: Mendoj se ka njerëz të pakënaqur me gjykatën dhe që duan që ajo të mos ekzistojë. Ajo ekziston për një arsye dhe mendoj se do të ishte dëm i madh ndaj të gjithëve në Kosovë, si dhe ndaj viktimave nga të gjitha komunitetet për këdo që të sygjerojë që Kosovës i duhet më pak drejtësi e jo më shumë. Përgjigja ime është se besoj që gjykata do të vazhdojë të veprojë dhe që do ta tregojë vlerën e saj.
KoSSev: Në fund, a e konfirmoni përfshirjen më të madhe të SHBA-së apo a do të pajtoheshit me perceptimin e popujve në Ballkan që po shohin përfshirje më të madhe të SHBA-së pas shumë viteve kur njerëzit janë ndjerë thuaja – jo që kishte mungesë të njëmendtë të interesit – por më shumë veprimtari nga larg?
Ambasadori Kosnett: Mendoj se është e qartë që administrata e SHBA-së është thellësisht e përkushtuar për paqe, drejtësi dhe prosperitet për çdo vend të Ballkanit. Dhe tani është mundësia për ta shfrytëzuar këtë. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të përkushtuara ndaj progresit. Nuk mund të premtoj se ky nivel i interesimit të shtuar do të ekzistojë përgjithmonë. Pra, po, është mundësia dhe popujt e Kosovës dhe të Serbisë duhet ta shfrytëzojnë atë mundësi.
KoSSev: Ju faleminderit që folët për Kossev.
Ambasadori Kosnett: Ju faleminderit, Tatjana.