Intervista e Ambasadorit Kosnett me Radio Vicianum

Intervista e Ambasadorit Kosnett me Radio Vicianum, 6 qershor 2019

RADIO VICIANUM: Dëgjues të nderuar, kemi nderin ta kemi sot në studion tonë Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Philip Kosnett. Z. Ambasador, mirë se vini

AMBASADORI KOSNETT: Është kënaqësi e madhe të jem këtu.

RV: Ishte ndihma e popullit amerikan që mundësoi hapjen e Radios Vicianum në vitin 2000 – me ndihmën e USAID-it dhe ndihmën e taksapaguesve amerikanë. Në emër të menaxhmentit dhe të stafit, dëshirojmë ta falënderojmë Ambasadën dhe popullin amerikan. Z. Ambasador, sot ishit në Vushtrri – cili është qëllimi i vizitës suaj?

AMBASADORI: Sot erdha në Vushtrri për t’u takuar dhe biseduar me një numër të organizatave me të cilat Ambasada bashkëpunon. Para së gjithash, pata kënaqësinë ta vizitoj komunën, të takohem me kryetarin Tahiri dhe me disa nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë me komunën në projekte që kanë të bëjnë me prokurimin e hapur e transparent dhe anti-korrupsionin.

Kam dëgjuar me muaj të tërë që Vushtrria ishte një komunë model në këtë drejtim, një shembull vërtet i mrekullueshëm i ndikimit pozitiv kur qeveria komunale dhe shoqëria civile punojnë së bashku. Ajo që mësova sot më la përshtypje të madhe. Vizituam edhe disa institucione të tjera – vizituam një kompani të prodhimeve të drurit, e cila ka përfituar nga një grant nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar për ta ndihmuar atë që të rimëkëmbet. E vizituam Akademinë për Siguri Publike, e cila merr shumë ndihmë dhe bashkëpunim nga agjenci të ndryshme të Qeverisë së SHBA për ta forcuar policinë. U takuam me Vullnetarët e Korpusit të Paqes; është kënaqësi t’i shohësh këta vullnetarë të zellshëm të Korpusit të Paqes që janë duke punuar në projekte me të rinjtë në Kosovë. Në fund vizituam kalanë, e cila është rinovuar, pjesërisht, përmes një granti nga Ambasada e SHBA-së. Këto janë të gjitha fusha të ndryshme në të cilat Ambasada është duke i mbështetur përpjekjet e popullit të Vushtrrisë për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për vete.

RV: A janë qytetarët e Kosovës vërtet duke e përdorur këtë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara në dobi të tyre? A jeni i kënaqur me atë që keni parë në terren?

AMBASADORI: Isha shumë i lumtur, shumë i impresionuar, me atë që pashë sot në terren. Mendoj që të rinjtë në Kosovë, në veçanti, tregojnë shumë energji, shumë vizion për të ardhmen e tyre dhe për të ardhmen e vendit.

Tema që dua ta potencoj kur flas për ndihmën amerikane për Kosovën është se ne po u ndihmojmë qytetarëve të Kosovës që të bëhen më të pavarur, pa marrë parasysh a është kjo ndihmë për kompanitë që të rimëkëmben ose ndihmë në forcimin e profesionalizmit dhe aftësisë së institucioneve qeveritare. Qëllimi ynë është ta ndihmojmë Kosovën që të konkurrojë në skenën botërore dhe ta ndërtojmë një shoqëri me prosperitet, drejtësi dhe paqe për të gjithë qytetarët.

RV: Gjithashtu e dimë se keni ardhur këtu për ta inauguruar një zyrë në komunë, e cila është ndërtuar në bashkëpunim mes USAID-it dhe komunës. A jeni i kënaqur me transparencën që komuna e Vushtrrisë ka treguar?

AMBASADORI: Po. Në të vërtetë, do të thoshja se, nga ajo që kam parë, Vushtrria mund të jetë model për komunat e tjera në vend, sepse kam parë se si stafi komunal, shoqëria civile dhe qytetarët e rëndomtë mund të punojnë së bashku për ta krijuar një shesh lojërash të barabartë – mundësi e barabartë për të gjithë që bëjnë biznes me komunën. Kosova ka nevojë pikërisht për këtë lloj modeli të transparencës dhe sinqeritetit.

Dëgjoj që njerëzit ankohen shumë për gjendjen në Kosovë, për ekonominë e dobët, për mungesën e vendeve të punës, për korrupsion. Këto janë natyrisht probleme serioze, por mendoj që zgjidhja nuk qëndron në ndonjë gjë që bashkësia ndërkombëtare do të bëjë. Përgjigja qëndron tek njerëzit e Kosovës që kanë aftësinë, energjinë dhe guximin për ta marrë kontrollin për të ardhmen e tyre.

Pika ime e fundit është se Shtetet e Bashkuara angazhohen për suksesin e Kosovës: për paqe, drejtësi dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe rajonin. Kur takoj llojin e njerëzve që takova sot në Vushtrri, jam plotësisht i bindur që e ardhmja e Kosovës është shumë e ndritshme.

RV: A mund të kuptojmë nga kjo se mbështetja e USAID-it dhe e Ambasadës për komunën e Vushtrrisë do të vazhdojë?

AMBASADORI: Do të vazhdojë, por më lejoni të potencoj gjithashtu se qëllimi afatgjatë këtu është pavarësia për Kosovën, jo varësia. Llojet e projekteve që jemi duke i financuar kanë për qëllim ta ndërtojnë themelin në mënyrë që populli i Kosovës ta ndërtojë të ardhmen e vet. Pra, mbështetja jonë do të vazhdojë, por njerëzit nuk duhet të supozojnë se kjo do të vazhdojë në të njëjtën formë si në të kaluarën.

RV: Cila është rruga të cilën Shtetet e Bashkuara dhe Ambasada do ta mbështesin në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e BE-së? Dëgjojmë shumë politikanë që flasin për çështjen se jemi pjesë e Evropës, pra cila është rruga e drejtë?

AMBASADORI: Shikojeni hartën – ju jeni pjesë e Evropës. Kjo nuk është çështje e zgjedhjes apo çfarë rruge duhet të merrni. Mendoj se është me rëndësi që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë t’i forcojnë marrëdhëniet e tyre – politikisht dhe ekonomikisht – me të gjithë fqinjët e vet. Kjo është rruga drejt anëtarësimit të plotë në bashkësinë evropiane. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, me Serbinë, me të gjitha vendet në rajon për t’u përpjekur për ta ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë. Do ta mbështesim këtë proces, por çfarëdo zgjidhjesh që paraqiten duhet të përcaktohen nga njerëzit në rajon dhe duhet të jenë të qëndrueshme. I takon popullit të Kosovës që ta përcaktojë rrugën e vet.

RV: A janë politikanët e nivelit qendror në linjë me këtë qëndrim të Shteteve të Bashkuara?

AMBASADORI: Mendoj që udhëheqësit e Kosovës e dinë fare mirë që e ardhmja e Kosovës varet nga marrëdhëniet paqësore me fqinjët e saj dhe lidhjet e ngushta me pjesën tjetër të Evropës. Nuk mendoj që dikush nuk pajtohet me këtë. Në të njëjtën kohë, dua t’ju siguroj që Shtetet e Bashkuara angazhohen ta vazhdojnë miqësinë dhe partneritetin e ngushtë me Kosovën. Nuk ka zgjedhje për t’u bërë: Kosova ka nevojë për lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe me fqinjët e saj evropianë gjithashtu.

RV: Shkëlqesia Juaj, mbase dëgjuesit tanë dëshirojnë të dëgjojnë një porosi nga ju – cili do të ishte porosia juaj për qytetarët e Vushtrrisë?

AMBASADORI: Porosia ime për qytetarët e Vushtrrisë është të krenoheni me punën që po bëni për ta ndërtuar komunitetin tuaj dhe për ta ndërtuar vendin tuaj dhe se rruga drejt suksesit varet nga populli i Kosovës, duke kujtuar gjithmonë që kjo është demokraci. Në një demokraci, njerëzit e zgjedhin të ardhmen e vet. Kam besim të madh në popullin e Kosovës për ta ndërtuar një të ardhme të ndritshme.

RV: Ju faleminderit shumë për sinqeritetin tuaj gjatë kësaj interviste. Ju faleminderit shumë që pranuat ftesën për të qenë pjesë e një interviste në këtë radio – ka kohë që dëgjuesit tanë e kanë pritur këtë.

AMBASADORI: Faleminderit shumë.