Intervista e Ambasadorit Delawie me RTV KiM, 18 tetor 2017
RTV KiM: Ambasador Delawie, mirëmbrëma dhe mirë se erdhët.
Ambasadori Delawie: Ju faleminderit Aleksandra, më vjen mirë që jam këtu.
RTV KiM: Pyetja ime e parë ka të bëjë me zgjedhjet. Disa pjesëmarrës në këtë garë zgjedhore thonë se ka shumë presion, njerëzit i humbasin vendet e tyre të punës, kërcënohen. Si e shihni këtë? Pse nuk ka asnjë reagim nga autoritetet dhe dënim nga bashkësia ndërkombëtare, madje edhe nga ju personalisht?
Ambasadori Delawie: Natyrisht që jam i shqetësuar për raportet e presionit në veri, edhe për presionin ekonomik dhe në disa raste, për fat të keq, edhe për presionin fizik. Kam folur pakëz për këtë çështje, por keni të drejtë, mbase është dashur të flas më shumë për këtë çështje dhe së paku po e bëj këtë sot. Besoj që qytetarët meritojnë të kenë mundësinë t’i dëgjojnë kandidatët që konkurrojnë në zgjedhje, që mediet duhet të jenë në gjendje të raportojnë lirshëm për qëndrimet e kandidatëve, pa kurrfarë ndërhyrje nga qeveria, që nuk duhet të ketë as kërcënime, as dhunë dhe as presion. Dhe, natyrisht, e dënoj kërcënimin, e dënoj presionin ekonomik, i dënoj përpjekjet për ta kufizuar mundësinë e medieve për të raportuar për kandidatë duke përdorur sabotimin e këtij apo atij lloji. Ky është shqetësim i vërtetë për mua. Më duhet të them që zgjedhjet nuk janë super demokratike nëse kandidatët tërhiqen për shkak të presionit, nëse punonjësit ose vëzhguesit e qendrave të votimit tërhiqen për shkak të presionit. Mendoj që në komunitetet shumicë në Kosovë zgjedhjet janë konkurruese. Ka shumë kandidatë për postin e kryetarit, për postin e asamblistit. Do të doja të shihja më tepër konkurrencë edhe në komunitetet pakicë.
RTV KiM: A pritni zgjedhje të drejta, posaçërisht në veri të Kosovës?
Ambasadori Delawie: Vërtet pres zgjedhje të drejta në ditën e zgjedhjeve, absolutisht. E di që KQZ-ja, me ndihmën e OSBE-së, do të punojë shumë në ditën e zgjedhjeve për të siguruar që të gjitha rregullat dhe ligjet zbatohen. Mund t’ju them që do të jem në terren në ditën e zgjedhjeve në qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë një qytet me shumicë serbe. Kolegët e mi nga Ambasada gjithashtu do të jenë në terren. Do t’i kemi 30-40 ekipe në mbarë Kosovën. Do ta vëzhgojmë procesin e votimit në ditën e zgjedhjeve, do ta vëzhgojmë procesin e numërimit në mbrëmjen e ditës së zgjedhjeve dhe qëllimi ynë do të jetë të sigurojmë që punët shkojnë siç duhet dhe që nuk ka presion ndaj punonjësve të qendrave të votimit apo votuesve nga askush.
RTV KiM: A shihni gatishmëri nga Ramush Haradinaj për t’i përmbushur obligimet lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, dhe a janë ende demarkacioni dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit obligimet kryesore për liberalizimin e vizave?
Ambasadori Delawie: Më duhet t’ju dërgoj në Bashkimin Evropian për të biseduar për liberalizimin e vizave. Mund t’ju them që pothuaj ka dy vjet që qëndrimi ynë për Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit nuk ka ndryshuar.
Dua të them diç më tepër për korrupsionin sepse kjo është një çështje e rëndësishme për Kosovën dhe shumë vende të tjera në këtë pjesë të botës. Korrupsioni është një çështje që vërtet i bashkon të gjitha komunitetet e Kosovës. Të gjithë e shohin, të gjithë e urrejnë dhe të gjithë janë të frustruar me të. Kosova vërtet duhet të kacafytet me këtë problem në të gjitha komunitetet për të arritur progres për të ardhmen, për të arritur progres drejt Bashkimit Evropian, për të arritur progres drejt konsolidimit të demokracisë së vet dhe për ta arritur llojin e progresit që qytetarët e Kosovës vërtet e dëshirojnë, pavarësisht komunitetit që i takojnë. Mendojmë që pasi kjo çështje është shumë e rëndësishme, ne në ambasadën tonë kalojmë aq shumë kohë dhe shpenzojmë aq shumë para duke punuar në çështjet kundër korrupsionit, në çështjet e sundimit të ligjit. I trajnojmë njerëzit – i trajnojmë policët, prokurorët, gjykatësit – organizojmë programe publike, e dënojmë sjelljen e keqe. Këtë e bëjmë sepse është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Mendoj që i takon çdo qytetari të Kosovës, të cilitdo komunitet, që t’i mbajë përgjegjës zyrtarët e vet dhe të thotë shiko: nuk mund ta durojmë më këtë.
RTV KiM: Ç’mendoni për Asociacionin e komunave serbe? A shihni gatishmëri nga shqiptarët për këtë çështje, që është e rëndësishme për komunitetin serb?
Ambasadori Delawie: Vazhdoj ta shtroj çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo buron nga Marrëveshja e Ahtisarit, ka pothuaj 10 vjet. Është krejtësisht e arsyeshme, sa më tepër që dini për të, aq më tepër mendoni që është e arsyeshme. Kjo e normalizon kornizën për komunat me shumicë serbe, ua lehtëson që të punojnë bashkërisht në çështjet si kujdesi shëndetësor, arsimi, ku gjuha është element i rëndësishëm. Mendoj se kjo do të jetë mirë për serbët e Kosovës dhe mendoj se kjo do të jetë mirë edhe për komunitetet e tjera të Kosovës. Mendoj që ka qëndruar pezull mjaft gjatë. Ka pasur një marrëveshje, dhe natyrisht që e inkurajoj qeverinë dhe komunitetet që t’ia fillojnë punës në hapin e ardhshëm, e ai është hartimi i statutit për Asociacionin.
RTV KiM: Ju po e mbështetni transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese dhe pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve. Megjithatë, qëndrimi i serbëve për institucionet tani për tani mbetet i pandryshueshëm. Ata besojnë që Kosova nuk ka nevojë për ushtri pasi KFOR-i është këtu. A mendoni që qëndrimi i serbëve do të ndryshojë ose Ushtria e Kosovës mund të shpjerë në krizë të re politike?
Ambasadori Delawie: Keni të drejtë. Fuqimisht e mbështes zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Gjithashtu e mbështes atë përmes metodës së një amendamenti kushtetues për të siguruar mbështetje nga komunitetet. Mendoj që transformimi duhet të ndodhë gradualisht, duhet të jetë profesional, duhet të jetë plotësisht publik dhe transparent në mënyrë që të gjithë ta dinë se çfarë po ndodh. Dëshiroj të shoh që ky ndryshim arrihet përmes një amendamenti kushtetues dhe do t’i inkurajoja serbët e Kosovës që, përveç të gjithë popujve të Kosovës, të marrin pjesë në diskutim. Mendoj që politikanët e Kosovës duhet të dalin në terren gjithandej dhe të sqarojnë me çfarë ka të bëjë e gjithë kjo. Ka shumë keqinformime lidhur me atë se çfarë do të thotë transformimi në të vërtetë. Mendoj që dialogu politik në të cilin njerëzit që nuk janë të sigurt për këtë ide apo nuk e pëlqejnë këtë ide kanë mundësi t’ua adresojnë shqetësimet e tyre njerëzve të nivelit politik dhe t’i detyrojnë politikanët t’ua sqarojnë pse kjo është vërtet në interesin e tyre. Sepse mendoj që është në interesin e tyre. Mendoj që Kosova si shtet sovran dhe i pavarur e meriton një ushtri si çdo shtet tjetër sovran dhe i pavarur. Çështja është si arrini prej sot në nesër.
Sa i përket krizës politike, nuk shoh krizë politike. Sapo njerëzit vërtet të kuptojnë se çfarë do të thotë kjo, do të thonë: oh, vërtet nuk është kërcënim për mua. Dhe kjo është ajo që vërtet besoj.
RTV KiM: Si e komentoni deklaratën e Presidentit Hashim Thaçi që Gjykata Speciale për krime të UÇK-së është formuar nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare? Sa është e rëndësishme për Kosovën të tregojë gatishmëri për të bashkëpunuar me këtë gjykatë?
Ambasadori Delawie: Zakonisht nuk i komentoj publikisht deklaratat e zyrtarëve publikë, por do të them që SHBA-ja e mbështet Gjykatën Speciale, emërtimi zyrtar është Dhomat e Specializuara, të zhvendosura në Holandë. Jemi plotësisht të përkushtuar ta shohim atë operacionale dhe duke kryer punën e vet. Është miratuar në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kornizën ligjore të Kosovës dhe natyrisht presim që të gjitha institucionet e Kosovës, të gjithë qytetarët e Kosovës të punojnë me mandatet e Gjykatës Speciale kur Gjykatës Speciale i duhet diç prej tyre.
RTV KiM: Çështja e Trepçës po aktualizohet sërish. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kërkoi nga ministrat përkatës që ta zbatojnë ligjin e miratuar më herët sa më shpejt që të jetë e mundur. Nga ana tjetër, serbët kërkojnë që kjo çështje të mos zgjidhet në mënyrë politike, por ekonomike. A mendoni që Trepça do të ndikojë prapë në marrëdhënien mes partnerëve të koalicionit në institucionet e sapoformuara, dhe si e shihni zgjidhjen e çështjes së Trepçës?
Ambasadori Delawie: Mendoj që çështja më e rëndësishme është që çdokush të pranojë që ditët e Trepçës si “Xhevahir i Jugosllavisë” kanë mbaruar. Pyetja është si mund të jetë Trepça ekonomikisht e qëndrueshme dhe si mund t’u shërbejë komuniteteve dhe punëtorëve që e rrethojnë. Natyrisht, mendoj që ekipi menaxhues i serbëve të Kosovës duhet të përfshihet. Shpresoj që të gjithë hisedarët, punëtorët, komunitetet në pjesët jugore dhe veriore të Trepçës do të përfshihen në dialogun për atë se saktësisht çfarë do të ndodhë me të, që do të punojnë në mënyrë konstruktive për ta vlerësuar atë nga pikëpamja afariste. Ju thatë pikëpamja ekonomike. Mendoj se duhet t’i qaseni si çështje afariste apo ekonomike duke pranuar natyrisht që ajo ka ndikim të madh social për shkak të të gjithë punëtorëve, por ajo duhet të arrijë sukses si biznes. E di që zgjidhja nuk do të jetë e lehtë, por duhet të jetë e drejtë dhe të konsiderohet si e drejtë, duhet t’i marrë parasysh interesat e pronarit, të punëtorëve që punojnë aty dhe të komuniteteve përreth. E di që ka drejtues të zotë në pjesën veriore dhe jugore të Trepçës që dëshirojnë të shohin zgjidhje dhe dëshirojnë ta shohin ndërmarrjen duke mbijetuar dhe prosperuar, dhe natyrisht shpresoj që kjo do të ndodhë.
RTV KiM: Këtë vit Kosova hoqi dorë nga kërkesa për anëtarësim në UNESCO. Më herët, kërkesa për anëtarësim në Interpol u tërhoq. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës thotë që ky vendim pragmatik u ndërmor në koordinim me SHBA-në. Cila është strategjia dhe sa ndikon fakti që SHBA-ja doli nga UNESCO-ja në aspiratat e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë?
Ambasadori Delawie: Natyrisht, e mbështesim vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në këto dy fusha. Fillimisht do të përgjigjem në pyetjen e fundit. Nuk mendoj që vendimi i SHBA-së për të dalë nga UNESCO-ja, i cili nuk do të hyjë në fuqi për një vit apo më shumë, do të ketë ndikim të madh në gjasat e Kosovës për t’u bërë anëtare e saj. Natyrisht, SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm dëshirën e Kosovës për t’u bërë anëtare e kësaj organizate. Kjo me siguri do të ndihmojë që të mbrohen kultura, trashëgimia, shkenca, etj., në Kosovë. Mendojmë që kjo është mirë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet e Kosovës.
Gjithashtu e mbështesim dëshirën e Kosovës për t’iu bashkuar Interpolit, që është një organizatë shumë e rëndësishme për zbatimin e ligjit dhe është shumë e rëndësishme në ditët e terrorizmit dhe të lëvizjeve të njerëzve nëpër kufijtë e të gjitha shteteve të Ballkanit. Mendoj që është shumë me rëndësi që Kosova të jetë pjesë e Interpolit për të fituar qasje në informacione të pasaportave të njerëzve vërtetë të këqij.
Sa i përket procesit aktual të hyrjes në këto organizata, kemi bërë numërim shumë të kujdesshëm të votave në Departamentin e Shtetit në Uashington dhe nuk kemi parë që votat ishin atje. Hyrja në këto dy organizata kërkon super-shumicën e votave dhe nuk pamë që ato vota do të ishin atje këtë vit. Kjo kishte të bënte shumë me vendimet politike që nuk kishin të bënin asgjë me Kosovën. Ky vit thjesht nuk ishte viti për anëtarësim në këto dy organizata. Vazhdojmë ta mbështesim fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe UNESCO, si dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare të cilave Kosova dëshiron t’u bashkohet.
RTV KiM: Si e shihni të ardhmen e kësaj qeverie të drejtuar nga Ramush Haradinaj? Llogaritet që nuk do të zgjasë shumë duke pasur parasysh koalicionin dhe rastin e Rikallos?
Ambasadori Delawie: Më lejoni ta ndaj këtë në dy pjesë. Nuk do të jap asnjë parashikim sa i përket të ardhmes së qeverisë. Nuk është punë e imja. Puna ime është t’i ndihmoj Kosovës të ketë qeveri efikase që u shërben nevojave të popullit të Kosovës. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Bota nuk po pret që Kosova të fillojë të sistemohet. Bota po ndryshon dhe Kosova duhet të ndryshojë me të. Kosova duhet të ndërmarrë hapa të rëndësishëm lidhur me sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë rajonale. Do të ndihmojmë, siç kemi bërë me vite të tëra, për t’i mbështetur përpjekjet e qeverisë së Kosovës dhe qytetarët e Kosovës në këto fusha gjersa të zgjasë qeveria. E bëjmë këtë për shkak se aspirata jonë fundamentale për Kosovën është që ajo të jetë në gjendje t’u bashkohet strukturave euro-atlantike, të bëhet shtet evropian si çdo shtet tjetër. Kjo është e rëndësishme për çdo qytetar të këtij vendi, pa marrë parasysh a është diçka fundamentale, apo diçka e drejtpërdrejtë si liberalizimi i vizave, ose diçka që i josh investitorët nga vendet e tjera të Evropës për të ardhur dhe ndërtuar kompani këtu në mënyrë që të mund të punësojnë qytetarë të Kosovës në kompanitë e tyre. Do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik. Prandaj, do të vazhdojmë të punojmë me qeverinë, pa marrë parasysh a zgjat një vit apo katër vjet, sepse duhet të punojmë me qeveri. Kjo është çfarë ne bëjmë.
Lidhur me pyetjen për ministrin Rikallo, mendoj që një aspekt fundamental i sistemit demokratik të Kosovës është i pafajshëm derisa të provohet fajësia. Shumica e demokracive perëndimore e kanë këtë parim. Çdo konkluzion duhet të presë derisa autoritetet përkatëse ta shqyrtojnë çështjen dhe, me sa di unë, kjo çështje është ende në shqyrtim e sipër. Ajo që di është se akuzat e motivuara politikisht nuk i ndihmojnë Kosovës. Njerëzit do t’i kujtojnë akuzat e motivuara politikisht ndoshta më shumë kundër akuzuesve sesa kundër të akuzuarve, natyrisht. Një koment tjetër që dua ta bëj është se shikova në TV gjersa ministri Rikallo dhe Kryeministri Haradinaj ishin në Kuvend para nja dy javësh në një seancë shumë të vështirë që duhet të ketë qenë shumë e vështirë për të dytë që të uleshin dhe t’i dëgjonin akuzat. Më la përshtypje respekti që ministri Rikallo tregoi ndaj institucioneve të Kosovës, Kuvendit të Kosovës, duke qenë aty kur e gjithë kjo po ndodhte. Më la përshtypje respekti që Kryeministri Haradinaj tregoi për ministrin Rikallo duke qenë aty me të. Nuk duhet të supozojmë që kjo situatë është treguese e të gjitha situatave, por mendoj që ka diçka pozitive që mund të dalë nga kjo.
RTV KiM: Z. Ambasador, ju faleminderit për kohën tuaj.
Ambasadori Delawie: Me nder qofsh Aleksandra. Faleminderit.