RTK 2: Mirëmbrëma të nderuar shikues. Sonte me ne është Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, z. Greg Delawie. Z. Delawie, mirëserdhët në RTK2.
Ambasadori Delawie: Ju faleminderit. Më vjen mirë që jam këtu.
RTK 2: Ka një vit e gjysmë që jeni Ambasador i SHBA-së në Kosovë. E njihni situatën në Kosovë. Nëse mund të jepni një përmbledhje të shkurtër dhe një vlerësim, cila është gjëja më pozitive dhe më negative që ka ndodhur në Kosovë gjatë kësaj kohe?
Ambasadori Delawie: Më lejoni të mendoj për gjënë më pozitive dhe më negative në përgjithësi, nëse mundem. Do të thosha që gjëja më pozitive që kam përjetuar në Kosovë gjatë këtyre 1.5 vjetëve janë rinia e Kosovës, e të gjitha komuniteteve etnike. Jam plotësisht i sigurt që e ardhmja e Kosovës është e sigurt për shkak të talentit dhe energjisë së rinisë së Kosovës. Në anën negative, më duhet të them që dhuna politike është definitivisht numër një. Kjo nuk është mënyrë për të arritur progres në asnjë vend në botë. Natyrisht nuk është mënyrë për të arritur progres as në Evropë. E di që e ka penguar shumë Kosovën, të gjithë në Kosovë, politikisht dhe ekonomikisht. Dhe ju pyetët për një, e unë do t’jua jap dy. Çështja tjetër, negative për mua, është se shoh shumë njerëz këtu që i vënë interesat e tyre partiake, personale dhe familjare para interesave kombëtare dhe besoj që zyrtarët e qeverisë, qofshin ata të zgjedhur apo të emëruar, duhet vërtet ta kenë për obligim t’i vendosin njerëzit e vendit të vet në radhë të parë, dhe dëshiroj që më shumë njerëz ta bëjnë atë.
RTK 2: Procesi i liberalizimit të vizave gjithashtu ka stagnuar. Marrëveshja e demarkacionit mes Malit të Zi dhe Kosovës ende është pezull sepse nuk ka vota të mjaftueshme në Parlament për ta miratuar marrëveshjen dhe qytetarët janë bërë disi peng të atij procesi. Si mund ta tejkalojmë këtë situatë?
Ambasadori Delawie: Peng është fjalë e drejtë. Para së gjithash, marrëveshja me Malin e Zi ishte plotësisht në rregull. Ajo në parim ratifikonte kufijtë që kanë ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi kur Kosova ishte krahinë në vitin 1974. Kjo është edhe në Kushtetutën e Kosovës. Kjo është edhe në Planin e Ahtisaarit. Pra, vija që Komisioni ka vizatuar është plotësisht në rregull. Mendoj që Parlamenti duhet të votojë për të. Mendoj që anëtarët e Parlamentit duhet ta mbështesin atë. E di që kanë më pak interesa personale në këtë çështje sesa shumica e qytetarëve të Kosovës, sepse shumica e kundërshtarëve kanë viza Schengen ose pasaporta të huaja, shumë prej tyre, për të udhëtuar në Evropë. Por më lejoni të kthehem tek ajo që thashë pak më parë. Mendoj që zyrtarët duhet t’i vejnë interesat e qytetarëve të vet në radhë të parë dhe mendoj që Parlamenti duhet ta votojë këtë dhe të gjithë anëtarët e Parlamentit, të cilësdo parti qofshin, duhet ta mbështesin këtë marrëveshje.
RTK 2: Zyrtarët e qeverisë nganjëherë theksojnë se demarkacioni është kushti i vetëm për liberalizimin e vizave dhe disi harrojnë se ekziston edhe një kusht tjetër: lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Çfarë ka bërë Ambasada e SHBA-së deri më tani për ta ulur shkallën e korrupsionit në Kosovë dhe cilat janë rezultatet?
Ambasadori Delawie: Natyrisht, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është çështje e rëndësishme, mendoj se vetëm ajo që pamë këtë javë, pra arrestimi i 59 policëve për korrupsion, është shenjë shumë pozitive. Natyrisht, ata janë të pafajshëm derisa të mos shpallen fajtorë. Por është punë shumë e vështirë për secilën forcë policore t’i mbajë përgjegjës pjesëtarët e vet. Jam shumë i impresionuar me IPK-në dhe Policinë e Kosovës; ata qenë në gjendje ta ndërtonin këtë rast dhe të arrestonin shumë policë të mundshëm problematikë. Çfarë ka bërë Ambasada e SHBA-së, ne bëjmë shumë. Çështjet e korrupsionit dhe të sundimit të ligjit janë prioriteti ynë i parë. E mbështesim trajnimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Natyrisht, e kemi mbështetur edhe Policinë e Kosovës për më shumë se një dekadë. Po përpiqemi t’ua vështirësojmë zyrtarëve të jenë të korruptuar duke mbështetur gjërat si prokurimin elektronik dhe jemi duke i kushtuar vëmendje të madhe kësaj çështjeje. E patëm “Javën ndërkombëtare kundër korrupsionit”, mendoj para dy javësh – vetëm ekipi im në Ambasadë mori pjesë në 25 aktivitete të ndryshme gjatë asaj jave dhe OJQ-të, shoqëria civile, ambasada të tjera dhe njerëz të tjerë morën pjesë në dhjetëra aktivitete të tjera. Pra, jemi duke i kushtuar vëmendje të madhe kësaj çështjeje. Po bëjmë ç’është e mundur të kontribuojmë që gjërat të përmirësohen. Natyrisht, korrupsion ka në çdo vend të botës, edhe në vendin tim. Po ta kisha shkopin magjik për ta rregulluar këtë çështje do ta rregulloja, por, realisht, duhet të punohet në shumë fusha të ndryshme në të njëjtën kohë për ta trajtuar problemin e korrupsionit dhe po përpiqemi t’u ndihmojmë qytetarëve të Kosovës ta bëjnë këtë.
RTK 2: Ky ka qenë vit vërtet i stuhishëm politik, nëse mund të themi. Opozita, nga njëra anë, është fuqishëm kundër këtyre dy marrëveshjeve – demarkacionit dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lista Serbe e ngriu pjesëmarrjen në institucione dhe ekziston një lloj çrregullimi midis dy partive udhëheqëse. A mund të sjellin zgjedhjet e hershme parlamentare ndonjë risi në skenën politike të Kosovës?
Ambasadori Delawie: Si diplomat i huaj, nuk është detyrë e imja të flas për vendimet që duhet të merren nga njerëzit e zgjedhur në mënyrë demokratike. Do të them se mendoj që është me rëndësi për njerëzit në kuvend të kthehen për të punuar. Shumë kohë është humbur në gjëra që janë të interesit të vogël për shumë njerëz në Kosovë. Udhëtoj shumë nëpër Kosovë. Bisedoj me kryetarë të komunave, afaristë, qytetarë dhe gjërat në të cilat Parlamenti është fokusuar gjatë vitit të fundit nuk janë në krye të listës së prioriteteve për shumë qytetarë të Kosovës. Shqetësimet kryesore për qytetarë këtu janë disi shqetësimet kryesore të çdo vendi në botë – çështjet ekonomike, papunësia, shkollimi i fëmijëve. Mendoj se ka shumë punë për t’u bërë në trajtimin e atyre çështjeve, dhe shpresoj se kuvendi dhe zyrtarët e tjerë në Qeverinë e Kosovës do të fillojnë të punojnë në këto çështje që do të bëjnë ndryshim, ndryshim të vërtetë në jetët e njerëzve.
RTK 2: Po për Listën Serbe? Zyrtarët serbë thanë se partnerët e tyre të koalicionit nuk u kanë lënë zgjidhje tjetër përveç ta ngrijnë pjesëmarrjen e tyre në institucione sepse nuk po u japin shumë besim, nuk po diskutojnë me ta për çështje që janë shumë të rëndësishme për serbët. Pika që mbushi kupën është Ligji mbi Trepçën. Cila është porosia juaj për këtë çështje?
Ambasadori Delawie: Mendoj që e ardhmja e Kosovës varet nga të gjitha komunitetet, ato duhet të punojnë së bashku për të bërë progres në interes të të gjithë qytetarëve. Vërtet shpresoj që Lista Serbe dhe politikanët serbë të Kosovës do të kthehen e të punojnë në qeveri, do të kthehen e të punojnë në kuvend. Kjo është mënyra në të cilën kryhen punët për komunitetin tuaj dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. E përmendët “Trepçën” – ajo është një problem shumë, shumë i vështirë. Të gjithë duhet të punojnë shumë në atë drejtim. Një kompani ndërkombëtare është duke bërë një studim për të dhe të gjithë shpresojnë që studimi do të ofrojë qartësi dhe disa ide mbi punën e rëndësishme që duhet të bëhet për “Trepçën” në të ardhmen. Por nëse nuk jeni i kyçur në lojë, nuk mund të shënoni asnjë gol. Prandaj, mendoj se është shumë me rëndësi që Lista Serbe dhe politikanët serbë të Kosovës të kthehen e të punojnë në qeveri dhe, natyrisht, u bëj thirrje politikanëve dhe deputetëve shqiptarë të Kosovës të angazhohen në dialog të vazhdueshëm. Për fat të keq, shoh njerëzit duke folur shumë për njëri-tjetrin në vend se të flasin me njëri-tjetrin. Mendoj se kur pajtoheni apo nuk pajtoheni për një çështje të rëndësishme, për politikanët është shumë me rëndësi të flasin me njëri-tjetrin. Prandaj, i inkurajoj të dy komunitetet të rikyçen në dialog, dialog “d” të vogël, me njëri-tjetrin, sigurohuni që e shprehni interesin tuaj dhe të komunitetit tuaj ose të qytetarëve që i përfaqësoni. Por, të përpiqemi të punojmë për ndryshim pozitiv për Kosovën.
RTK 2: A mund të shpjerë ky dialog drejt themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës? Kemi dëgjuar që deputetët e Listës Serbe janë të vendosur të mos votojnë për amendamentet kushtetuese ose ndryshimin e neneve, pra, a mund të shpjerë kjo më vonë drejt themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, ndoshta?
Ambasadori Delawie: Natyrisht, Shtetet e Bashkuara e mbështesin transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. I dhashë komentet e mia për këtë dje në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Kosovës. Mendoj që është me rëndësi që ky transformim të ndodhë në një mënyrë që është kushtetuese, që i përfshin interesat e të gjitha komuniteteve të Kosovës. Pra, kjo është një çështje tjetër. Mendoj që dialogu i përmirësuar mes komuniteteve është shumë i rëndësishëm. Natyrisht mendoj që Forcat e Armatosura të Kosovës, pasi të themelohen, mund të jenë faktor stabiliteti për qytetarët e Kosovës. Por është me rëndësi që të gjithë të marrin pjesë në atë diskutim si të kalojmë prej të sotmes në të nesërmen.
RTK 2: Revitalizimi i ashtuquajtur i urës së lumit Ibër ka hyrë, nëse mund të themi, në një fazë të papritur. Atje ka një lloj muri. Kryetari i Mitrovicës veriore tha se këto janë shkallë. A kemi nevojë për shkallë apo mure në Mitrovicë?
Ambasadori Delawie: E dini, mendoj – disi dëshiroj që njerëzit të shpenzojnë më tepër energji duke u përpjekur të ndërtojnë ura mes njëri-tjetrit dhe duke u përpjekur të ndërtojnë marrëdhënie me njëri-tjetrin sesa që disa njerëz duken të shpenzojnë kohë duke ndarë njëri-tjetrin. Jam i bindur që e ardhmja e Kosovës varet nga të gjithë duke punuar së bashku. Integrimi i të gjitha komuniteteve që pranojnë se Kosova është shoqëri shumetnike dhe gjithmonë do të jetë, ku komunitetet pakicë ndjehen në shtëpi. Nuk mendoj që ai mur ka dhënë kontribut pozitiv në bashkimin e njerëzve. Mendoj se ai duhet të trajtohet sipas ligjeve të Kosovës dhe shpresoj që të gjitha palët që po i diskutojnë çështjet lidhur me urën në Mitrovicë do ta gjejnë mënyrën për të punuar së bashku për ta përmirësuar situatën për të gjithë anëtarët e Mitrovicës – të gjithë qytetarët e Mitrovicës.
RTK 2: A jeni të kënaqur me zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit? Ende kemi shumë marrëveshje që presin të zbatohen. Jemi vërtet larg nga zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të gjitha afatet për finalizimin e statutit kanë skaduar. Kush është përgjegjës për këtë?
Ambasadori Delawie: Më lejoni të them që gjithashtu mendoj se është me rëndësi të bëhet progres në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por do të thosha që shumë është arritur. Këtë javë pamë që autoritetet e regjistrimit civil në katër qytetet veriore janë duke u lëshuar qytetarëve certifikata të lindjes, kurorëzimit, etj. Pra, kjo është pozitive. Integrimi gjyqësor duhet të fillojë më 10 janar. Edhe kjo është shumë pozitive. Javën e kaluar u zgjidh çështja e kodit telefonik. Tani Kosova ka kodin +383. Dhe, natyrisht, Policia e Kosovës tani i ka integruar njerëzit e MUP-it [MPB-së] në Policinë e Kosovës. Pra, është duke u bërë progres. Nuk mendoj që është e drejtë të thuhet se nuk ka progres. Natyrisht, ka mundur të lëvizë edhe më shpejt. Do të dëshiroja të ishte ashtu. E mbështesim, natyrisht, zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në gusht të 2015-ës dhe mendojmë se është e mundur që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet në një mënyrë që është në përputhje me aktvendimin e pothuaj para një viti të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Dhe i inkurajoj njerëzit t’i rreken punës në këtë.
RTK 2: Në Ministrinë për Komunitete dhe Kthime nuk janë të kënaqur me numrin e personave të kthyer në Kosovë gjatë këtij viti. Çështja e sigurisë është njëri prej problemeve. Pastaj stabiliteti ekonomik është gjithashtu njëri prej problemeve. Çfarë duhet të bëhet për të arritur rezultate më të mira në procesin e kthimit?
Ambasadori Delawie: Kjo është njëra prej atyre çështjeve me shumë aspekte që mendoj se duhet të trajtohet në një sërë mënyrash. Natyrisht, besoj, edhe qeveria ime gjithashtu beson, që njerëzit duhet të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë që i kanë pasur. Pa marrë para sysh komunitetin në të cilin janë dhe komunitetin në të cilin shkojnë. Mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të luajë rol të rëndësishëm për të siguruar që kushtet e duhura janë në vend në komunitetet në të cilat njerëzit kthehen. Gjithashtu mendoj që qytetarët e komuniteteve, të cilët tashmë janë atje, duhet t’i mirëpresin të kthyerit. E pranoj që kjo është e vështirë në disa raste. Por fuqimisht besoj që e ardhmja e Kosovës është si një shoqëri shumetnike dhe është me rëndësi që njerëzit të jenë në gjendje të shkojnë në vendet që ndjejnë se janë shtëpitë e tyre.
RTK 2: Holanda e ka ratifikuar marrëveshjen për Dhomat e Specializuara të Kosovës si pjesë të Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e mundshme të luftës të kryera nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aktakuzat e para do të ngrihen nga mesi i vitit të ardhshëm. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?
Ambasadori Delawie: Shikoni, ne e mbështesim Gjykatën Speciale, siç e kemi mbështetur për disa kohë. Saktësisht çfarë do të thotë, vetëm duhet të presim dhe të shohim. Mendoj se është një hap i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt Evropës. Është me rëndësi të zgjidhen çështjet e pazgjidhura nga koha e luftës. Kjo është tani çështje ligjore, e jo çështje politike, mendoj. E kam takuar kryeprokurorin, i cili rastisi të jetë shtetas amerikan. Ai duket të jetë person shumë serioz me shumë përvojë në fushën e ndjekjes penale të krimeve të luftës dhe jam i sigurt se ai do ta bëjë punën e vet në një mënyrë që është njëqind për qind në përputhje me ligjin dhe ka të bëjë me krimet specifike të kryera nga individë specifikë. Kjo nuk është përpjekje për ta njollosur luftën çlirimtare apo ndonjë çështje tjetër politike. Kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe jam i bindur që gjykata do ta trajtojë këtë në mënyrë të duhur.
RTK 2: Presidenti i ri i zgjedhur i SHBA-së. Ka analiza, pritje ose mendime që Presidenti i ri i zgjedhur, Donald Trump, do ta ndryshojë politikën e jashtme ndaj BE-së, ndoshta, ose rajonit të Ballkanit. A ka indikacione që kjo do të ndodhë?
Ambasadori Delawie: Nuk kam asgjë të veçantë për të thënë për politikën e jashtme të administratës së re, e cila ende nuk është në detyrë. Natyrisht, do të them që politika ndaj Ballkanit në SHBA gjatë 20 vjetëve të fundit apo më shumë ka mbetur shumë konsistente pa marrë parasysh a ka qenë një demokrat apo republikan në Shtëpinë e Bardhë. Dhe unë nuk shoh asnjë shenjë që kjo do të ndryshojë në të ardhmen e afërt.
RTK 2: Z. Ambasador, ju faleminderit për intervistën.
Ambasadori Delawie: Me nder qofshi. Ju faleminderit që më ftuat.