Intervista e ambasadorit Delawie për TV21 për Ditën e Pavarësisë, 14 shkurt 2018
RTV21: Z. ambasador, mirë se vini në studion tonë.
Ambasadori Delawie: Ju faleminderit. Është kënaqësi që jam këtu.
RTV21: Dhjetë vjet të pavarësisë; një dhjetëvjeçar i shtetësisë. Nëse shikoni prapa, a e konsideroni Kosovën tregim të suksesshëm?
Ambasadori Delawie: Absolutisht, po. Kosova ka konsoliduar një shtet demokratik. Ajo i ka zhvilluar institucionet; i ka zhvilluar ligjet sipas standardeve evropiane. E ka kushtetutën e stilit evropian. Ka pasur rritje ekonomike dhe emri i Kosovës është në skenën botërore përmes figurave kosovare si Dua Lipa e Majlinda Kelmendi e të ngjashme.
Natyrisht, tregimi s’ka përfunduar. Kosova ka ende edhe shumë rrugë për të bërë. Duhet të përshtatet me shtetet tjera evropiane; duhet të punojë në projektet e tjera të rëndësishme si përmirësimi i sundimit të ligjit, krijimi i mjedisit ekonomik më miqësor ndaj investimeve për të tërhequr investime nga burimet e jashtme dhe të brendshme për të ndihmuar në krijimin e vendeve të punës dhe për ta zbutur çështjen e papunësisë.
Në përmbledhje: po, definitivisht është tregim i suksesshëm, por ka ende rrugë për të bërë.
RTV21: Dhjetëvjeçari paraqet ngjarje kur njerëzit bëjnë rekapitullim dhe përmbledhje të suksesit. Cila do të ishte porosia juaj kyçe në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Kosovës?
Ambasadori Delawie: Së pari, përkushtimi i SHBA-së ndaj Kosovës si shtet i pavarur dhe për suksesin e saj në Evropë mbetet solid dhe i qëndrueshëm. Dje ia dorëzova një letër presidentit Thaçi nga presidenti Trump, në të cilën theksohen këto pika. Zyrtarë të lartë amerikanë, si ambasadorja jonë në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, flasin shpesh për këtë. Përkushtimi i SHBA-së mbetet i qëndrueshëm; kjo është pjesa e parë e porosisë.
Pjesa e dytë e porosisë është se qeveria duhet të përqendrohet në trajtimin e problemeve të vështira. Duhet ta bëjë këtë për të mirën e popullit të Kosovës dhe për të mirën e të ardhmes së Kosovës. Të themi kështu: në dhjetëvjeçarin e parë, Kosova e ka ndërtuar shtetin, gjë që është e arritur e madhe. Në dhjetëvjeçarin e dytë, Kosova duhet të përshtatet më mirë me Evropën, duhet të jetë e gatshme për t’iu bashkuar klubeve kryesore evropiane dhe duhet të punojë në çështjet e rëndësishme si sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
RTV21: Tashmë dy herë e përmendët sundimin e ligjit, që është çështje e përsëritur si kërkesë e qartë nga BE-ja dhe SHBA-ja për qeverinë. Gjithashtu, ka pasur shumë fjalë edhe për luftimin e korrupsionit. Do të thoshit se kemi dështuar në këtë aspekt apo po punojmë mirë? A ka ndonjë përparim që do ta nënvizonit duke pasur parasysh përvjetorin?
Ambasadori Delawie: Ka pasur përparim, por jo të plotë. Sundimi i ligjit është çështja më përcaktuese për të ardhmen e Kosovës. Nëse nuk e rregulloni këtë gjë, të tjerat nuk kanë rëndësi. Projektet e tjera të rëndësishme si papunësia dhe të ngjashmet nuk do trajtohen siç duhet. Qytetarët kosovarë presin të jetojnë në një vend si çdo vend tjetër evropian. Një vend ku suksesi varet nga karakteri juaj personal dhe çka i ofroni shoqërisë apo vendit të punës e jo nga kë e njeh apo cilës parti i takon. Të rinjtë kosovarë meritojnë ta trashëgojnë një vend të tillë dhe unë sigurisht iu bëj thirrje të gjithë udhëheqësve kosovarë, qofshin në qeveri, në shoqëri civile apo Kuvend, të përpiqen ta sigurojnë një të ardhme të tillë për ta.
RTV21: Tema kryesore e javës së kaluar ishte dokumenti i bërë publik nga BE-ja për strategjinë për Ballkanin Perëndimor, përmbajtja e të cilës është kritikuar nga qeveria kosovare. Qeveria ndjen se Kosova nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Cili është mendimi juaj për këtë dokument?
Ambasadori Delawie: Unë shoh shumë gjëra pozitive në të për Kosovën. Gjëja pozitive e parë dhe më e rëndësishme për Kosovën është se në të thuhet qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që qartazi përfshijnë edhe Kosovën, do të mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Kjo është gjë e madhe pozitive. Gjithashtu, aty thuhet se suksesi i kësaj ndërmarrjeje varet nga udhëheqësit e vendeve. Theksohet se asnjëri vend nuk është i gatshëm për ta bërë këtë sot, por nëse i kryejnë punët e tyre, atëherë do të jenë të gatshme ta bëjnë këtë në të ardhmen.
Prijësit duhet t’i marrin përgjegjësitë për t’i mundësuar ndryshimet që BE-ja i pret. Më duhet të them se në atë dokument – sa i përket kërkesave për Kosovën – nuk ka asgjë më shumë se çështje që Kosova duhet t’i përmbushë për qytetarët e vet, ndaras nga anëtarësimi në BE. Çdo gjë që sygjerojnë për Kosovën, Kosova edhe ashtu do të duhej ta bëjë për të ardhmen e saj, për të mirën e qytetarëve të saj.
Në të po ashtu thuhet se suksesi në dialogun Kosovë-Serbi është element thelbësor për të dy vendet për të përparuar në ambiciet e tyre evropiane. Mendoj se kjo është me rëndësi. Në një intervistë javën e shkuar, Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së, Apostolova ka thënë se ka një urgjencë për zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo ka thënë, mendoj mjaft qartë, se vendet nuk mund të negociojnë për këtë përgjithmonë dhe të nënshkruajnë një ditë para anëtarësimit në BE.
RTV21: Në fakt, i njëjti dokument e cek vitin 2025 si cak për anëtarësimin eventual të Serbisë në BE. Viti 2025 është data edhe për Malin e Zi. Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë këtë afat kohor. A do të thotë që dialogu duhet të përfundojë së shpejti, madje ndoshta edhe brenda vitit të ardhshëm. A do të ishte kjo një e arritur apo zgjidhje përfundimtare për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo a do të ishte kjo vetëm edhe një hap tjetër në proces dhe që ky do të ishte proces i vazhdueshëm drejt anëtarësimit në BE?
Ambasadori Delawie: Duhet të pyetni BE-në për afatet kohore; nuk është klubi im. Por, sërish e them se e kam lexuar atë dokument me vëmendje dhe mendoj se aty ka elemente të rëndësishme që janë pozitive për Kosovën. Në dokumentin e BE-së qartazi theksohet se BE-ja nuk do të importojë probleme dypalëshe ndërmjet shteteve anëtare. Në të thuhet se Kosova dhe Serbia duhet të kenë një ujdi detyruese dhe që duhet ta arrijnë atë urgjentisht. Sa i përket afateve kohore, nuk është çështje për mua. Por, si mik i njëmendtë i Kosovës, nuk dua ta shoh Kosovën duke mbetur prapa. Kosova duhet të punojë në këtë projekt – në marrëdhëniet me Serbinë. Duhet ta bëjë për interesin e vet, por po ashtu duhet ta bëjë edhe për përmbushjen e ambicieve drejt BE-së.
RTV21: Ka shumë fjalë për përfshirjen e SHBA-së në procesin e dialogut. A është kjo gjë vetëm dëshirë? A ka pasur ndonjë kërkesë apo kontakt zyrtar? A është diçka që SHBA-ja po e merr parasysh?
Ambasadori Delawie: SHBA-ja do të jetë e përfshirë në mënyrë aktive në dialog. BE-ja është në krye të negociatave, por ne do ta mbështesim atë fuqimisht. Në fakt, gjatë viteve ne kemi kontribuar në disa prej elementeve të suksesshme që kanë dalë nga dialogu, si menaxhimi i kufirit dhe të hyrave doganore në veri, integrimi i gjyqësorit në veri, gjërat e ngjashme. Besoj që kemi luajtur rol të rëndësishëm në të. Flasim për çështjet e dialogut me qeverinë e Kosovës këtu, me qeverinë serbe në Beograd dhe me udhëheqjen e BE-së në Bruksel. Do të vazhdojmë të përfshihemi në të sepse mendojmë se mund të japim kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e të dy vendeve për t’i arritur synimet e tyre për integrim në institucionet evropiane.
RTV21: Ta sqarojmë edhe më mirë këtë, ju nuk shihni ndryshim të formatit të dialogut si diçka e mundshme apo e realizueshme vitin e ardhshëm?
Ambasadori Delawie: Mendoj se caktimi i formatit i takon BE-së, si lehtësuesi kryesor i procesit. Çfarëdo formati, ne do të ndihmojmë duke e mbështetur atë. Do të marrim pjesë, do t’i nxisim kompromiset prej të cilave përfitojnë të dy vendet dhe do të përpiqemi të arrijmë përparim.
RTV21: Dëshiroj t’i kthehem korrupsionit dhe sundimit të ligjit sepse kanë të bëjnë me një çështje pezull, si liberalizimi i vizave. Janë dy kushte që Kosova duhet t’i përmbushë për këtë, të paktën këtë e kemi dëgjuar nga Brukseli. E para ka të bëjë me arritjen e rezultateve të prekshme në luftimin e korrupsioni, gjë që deri tash s’ka ndodhur dhe po ashtu nuk ka numra konkretë në të. Si dhe shënimi i kufirit me Malin e Zi. A do të thoshit se kjo disi i ka ndërlikuar marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në?
Ambasadori Delawie: Do të dëshiroja të them jo, por përgjigja e vetëkuptueshme është po. Natyrisht që lëvizja e ngadalshme për çështjen e kufirit, lëvizja më pak e shpejtë se që do të duhej në çështjen e rezultateve në [luftimin e] korrupsionit i ndërlikon marrëdhëniet mes Kosovës dhe partnerëve të saj më të mirë. Këto janë çështje që duhet të kryhen. E kam thënë edhe më parë: këto janë çështje që duhet të kryhen për vetë interesin e Kosovës, për tu siguruar që të rinjtë e saj kanë të ardhme të vërtetë si evropianë në Kosovë.
Çështja e kufirit thjesht është zvarritur shumë. Është marrëveshje e drejtpërdrejtë. Vija është e duhura. Është ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi; duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës. Kjo çështje e vogël ka thithur aq shumë energji në hapësirën politike kosovare që do të mund të ishte përdorur në çështjet njëmend të rëndësishme si arsimi, kujdesi shëndetësor. Në vlerësimin e fundit ndërkombëtar, sistemi arsimor i Kosovës doli i 70-ti nga 73 vende anembanë botës. Po të isha prind në Kosovë, do të thoja se politikanët duhet të punojnë për këtë çështje. Kosova është shtet evropian, duhet të ketë sistem arsimor të stilit evropian.
Rezultati në luftën kundër krimit dhe korrupsionit –janë çështje specifike të cilat BE-ja i mat dhe jam më pak i familjarizuar me këtë gjë. Por, siç e kam thënë më herët, trajtimi i çështjes së korrupsionit është element përcaktues për të ardhmen e Kosovës. Kosova duhet ta trajtojë këtë çështje për interesat e saj, po ashtu duhet ta bëjë edhe për BE. Duhet të punojë më shumë në këto çështje.
RTV21: Sot Kosovën e viziton kryeministri i Malit të Zi dhe ka ende përpjekje për përmbylljen e kësaj çështjeje të zvarritur ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, por nëse nuk arrihet sukses atëherë do të zvarritet edhe më shumë. A mendoni se do të ndodhë kjo gjë dhe a do t’i ndërlikojë kjo gjë edhe më shumë çështjet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së?
Ambasadori Delawie: Shpresoj që vizita e kryeministrit malazez të shkojë mirë. Nuk e di çka do të dalë nga kjo vizitë sa i përket kufirit. E di se Kosova duhet të merret me këtë çështje dhe sa më shumë që pret, aq më keq bëhet për Kosovën. Jo vetëm sa i përket rrugëtimit evropian apo liberalizimit të vizave, por përparimit që i nevojitet të gjithëve.
RTV21: Një ngjarje tjetër që shumë njerëz e interpretuan si thikë në shpinë për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ju, personalisht keni përmendur pasoja indivdiuale për deputetët që e mbështesin këtë nismë. Për çfarë pasojash individuale po flasim?
Ambasadori Delawie: Kjo është pyetje hipotetike dhe gjëja e parë që ju mësojnë në shkollën e diplomacisë është të mos iu përgjigjesh pyetjeve hipotetike. Gjykata Speciale është shumë e rëndësishme për Kosovën. Nuk ka të bëjë me luftën e Kosovës për çlirim; nuk ka të bëjë nëse UÇK-ja ka qenë e mirë apo e keqe. Ka të bëjë me ndjekjen penale të krimeve që individët i kanë kryer kundër individëve të tjerë, të të gjitha etnive. Është shumë e rëndësishme – Kosova është zotuar për këtë – për të sjellë drejtësi për viktimat e asaj periudhe dhe Shtetet e Bashkuara ndjejnë shumë fuqimisht se Gjykata Speciale duhet të ketë mundësinë ta përfundojë punën e saj.
RTV21: Çështja ende është në qeveri. E kanë afatin kohor kur duhet ta çojnë në Kuvend. A është ende çështje aktive? A është diçka që po e përcillni?
Ambasadori Delawie: Po e përcjell me shumë vëmendje. Vazhdoj t’i nxis të gjithë udhëheqësit qeveritarë që të mos ecin përpara me këtë ligj. Shpresoj të ikë tutje. Nuk më takon mua të vendos saktësisht se si ndalet kjo nismë, por mendoj se politikanët e Kosovës duhet të përqendrohen në çështjet që vërtetë janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
RTV21: Mund të thuhet se situata politike në Kosovë është e mjegulltë. Por, edhe mjedisin e përgjitshëm e patëm të mjegulltë. Ajri i ndotur është bërë çështje dhe shumica e debatit është ndezur nga ambasada amerikane sepse ju e matni cilësinë e ajrit. A mund të bëjë SHBA-ja edhe diç tjetër – përveç matjeve dhe njoftimit se në çfarë kushtesh të këqija jetojmë?
Ambasadori Delawie: Më vjen shumë mirë që qytetarëve të Kosovës mund t’iu ofrojmë të dhëna të vërteta në bazë të të cilave mund të veprojnë. E kontrolloj cilësinë e ajrit çdo ditë; të gjithë në ambasadë e bëjnë këtë çdo ditë. Matësi nuk jep vetëm lajme të këqija, ju jep lajme që mund t’i përdorni. Nëse ajri është i keq, atëherë ndoshta duhet që fëmijët të luajnë brenda, e jo jashtë. Ju jep mundësi.
Mendoj se aktivizmi shoqëror që u ngrit rreth lajmit për ndotjen e ajrit ka qenë shumë pozitiv për Kosovën. Unë jam nga Kalifornia jugore. Nëse e vizitoni Kaliforninë jugore sot, atje mund të thithësh ajër të pastër dhe të jesh i kënaqur, por nuk ishte kështu kur isha duke u rritur. Ndryshimin e bëri aktivizmi shoqëror. Njerëzit e shihnin atë shtresën e portokalltë të mjegullës mbi Los Anxheles dhe thonin: “Nuk dua të jetoj këtu dhe nuk dua që fëmijët e mi të rriten këtu”. Aktivizmi shoqëror është shumë i rëndësishëm për t’ju ndihmuar udhëheqësve që të përqendrohen në çështjet e rëndësishme për Kosovën.
Sa i përket ndihmës. Po bëjmë diçka përveç që japim lajme të këqija. Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit dhe USAID-i po punojnë në projekte të energjisë së ripërtërishme, si dhe në zgjerimin e sistemit të ngrohjes qendore në Prishtinë dhe më duket edhe në një qytet tjetër. Po mundohemi të ndihmojmë në zhvillimin e mjedisit ligjor që lehtëson përdorimin e paneleve diellore e të ngjashme. Po ndihmojmë në mbështetjen e termocentralit të ri, Kosova e Re, që do të jetë termocentral bashkëkohor, e stilit evropian që do t’i përmbushë të gjitha kërkesat për emetimin e gazrave. Shpresojmë që Kosova A, që është burimi më i madh i ndotjes në Kosovë, do të çkyqet kur Kosova e Re të fillojë punën dhe kjo do të ndihmonte shumë në zvogëlimin e ndotjes. Por, ka edhe gjëra të tjera që mund të bëhen. Duhet të ketë shkencë të vërtetë në këtë sepse kjo është pyetje shkencore. Ne kemi aparatin që e mat ndotjen, por nuk kemi shkencëtarë të mjedisit për të punuar në këtë çështje, por Kosova ka dhe mund të marrë ndihmë prej partnerëve.
RTV21: Aktivizmi shoqëror që e përmendët. A do të thoshit se qeveria po e merr këtë çështje më seriozisht apo ende ka vetëm deklarata e thënie publike?
Ambasadori Delawie: Mendoj se aktivizmi shoqëror duhet të vazhdojë. Më erdhi mirë që e pashë Kuvendin duke debatuar pothuajse një ditë të tërë për këtë çështje dhe që doli me një plan. Ky nuk është problem që do të zgjidhet brenda natës. Por, si problemet e tjera të Kosovës, nëse nuk ia nisni, nuk do ta kryeni kurrë. Ky problem ka shumë faqe. Ngrohja në shtëpi është problem – njerëzit djegin thëngjill dhe dru në shtëpi – nuk është vetëm termocentrali në Obiliq. Nuk ka të bëjë vetëm me makinat në qytet. Kur keni problem shumëfaqësh, ju duhet zgjidhje shumëfaqëshe. Mendoj se është shumë me rëndësi për shoqërinë civile, aktivistët që të ndihmojnë që të sigurohen që prijësit të mos e harrojnë këtë çështje.
Përfundimisht në demokraci, e Kosova njëmend është demokraci dhjetë vjet pas pavarësisë dhe është diçka pozitive që do ta theksoj: politikanët do të reagojnë ndaj kërkesave të qytetarëve. Qytetarët duhet ta bëjnë të qartë çka duan.
RTV21: I mbushëm vjet, do të shohim se si do të përparojnë dhe zhvillohen gjërat në ndërkohë. Ju faleminderit shumë për kohën dhe intervistën.
Ambasadori Delawie: Ju faleminderit juve. Ishte kënaqësi.