Intervista e ambasadorit Delawie për TV Herz, 20 korrik 2017
TV Herz: Shkëlqësia Juaj, ju faleminderit që ndatë kohë për këtë intervistë. Sot vizituat një projekt të Shtërpce, që mbështetet nga qeveria amerikane përmes USAID-it. A jeni të kënaqur me zbatimin e tij dhe me atë që patë?
Ambasadori Delawie: Së pari, ju faleminderit shumë që ndatë kohë për të folur me mua sot. Është kënaqësi që jam në këtë vend vërtetë të bukur. Më pëlqen Shtërpca, prandaj jam i lumtur që jam këtu. Deri në këtë çast, sot kam pasur një takim shumë të mirë me disa OJQ, një që merret me çështjet e grave dhe një të orientuar drejt çështjeve të të rinjve. Më erdhi shumë mirë kur pashë njerëz entuziastë, të cilët ishin të interesuar për t’i zgjidhur problemet reale; kjo ishte e shkëlqyeshme. Pak më vonë do të shkoj ta vizitoj një fermere që merret me kultivimin e bimëve medicinale për shitje. Më la aq shumë përshtypje sepse gjatë rrugës për në Shtërpce pashë gjithë ato mjedra, e nga biseda me njerëz e kam kuptuar se qytetarët e Shtërpces po gjejnë vende të shumta pune dhe po bëjnë shumë para duke kultivuar dhe shitur mjedrat. Jam shumë i lumtur me atë që e kam parë deri tash, prandaj është privilegj që jam këtu.
TV Herz: Sa para i ka investuar qeveria amerikane në Kosovë prej vitit 1999 e deri më tash dhe sa prej tyre janë investuar për komunitetin serb?
Ambasadori Delawie: Prej vitit 1999 i kemi investuar rreth 1.8 miliardë dollarë në Kosovë. Nuk mbajmë shënime të investimeve sipas grupeve etnike, prandaj nuk mund ta bëj një ndarje të tillë, por jemi të përkushtuar që të bëjmë më të mirën për të ndihmuar në përmirësimin e faktorëve për të gjithë qytetarët kosovarë, pa marrë parasysh etninë e tyre, qofshin ata shqiptarë, serbë ose pakica jo-serbe. Kemi projekte që punojnë me të gjitha këto grupe në qytete dhe komuna të ndryshme anembanë Kosovës.
TV Herz: Kohëve të fundit keni thënë se Kosova është në pikë kthimi të madhe dhe që pritet ndryshim pozitiv ose ngecje edhe më e madhe. Cila është më e mundshme? Apo më saktësisht, në çfarë drejtimi do të shkojë Kosova më tej dhe nga çka do të varet kjo gjë?
Ambasadori Delawie: Kosova është në pikë kthimi për shkak të të gjitha ndryshimeve që po ndodhin në botë, ndryshimeve në Evropë; njerëzit shpërqendrohen nga gjërat e ndryshme. Bota nuk do të qëndrojë duke soditur dhe të presë që Kosova të gjejë rrugëzgjedhje. Bota po lëviz dhe Kosova duhet të lëvizë, gjithashtu. Ajo është në pikë kthimi sepse mendoj se tash e ka rastin, që ndoshta nuk do ta ketë në të ardhmen, për të marrë vendime që do ta vënë fuqishëm në rrugën evropiane ashtu që të bëhet vend evropian si çdo vend tjetër dhe që qytetarët kosovarë, prej cilido grup që të jenë, t’i gëzojnë të mirat e jetesës në një shtet evropian.
Ekziston rreziku që Kosova të mos i marrë këto vendime të drejta dhe për këtë arsye e kam theksuar çështjen e pikës së kthimit. Është shumë me rëndësi që të gjithë qytetarët e Kosovës dhe politikanët, të cilët janë zgjedhur muajin e kaluar, t’i marrin vendimet e duhura në mënyrë që Kosova të përparojë, në mënyrë që qytetarët e saj t’i gëzojnë të drejtat e plota që ua jep demokracia, si dhe kushtetuta e tyre. Qytetarët mund ta shfrytëzojnë rritjen ekonomike për përmirësimin e jetesës së tyre.
TV Herz: Përmendët politikën. Cilat duhet të jenë tri prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme të Kosovës dhe pse?
Ambasadori Delawie: Prioritetet e mia kryesore, në të cilat kemi punuar prej që kam ardhur këtu, janë: sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe siguria rajonale. Sundimi i ligjit, mendoj se është e qartë se ka sfida serioze. Është sfida e korrupsionit; pastaj sfida e lëndëve të grumbulluara në gjykata. Të gjitha këto gjëra ua vështirësojnë punën qytetarëve të Kosovës për t’i arritur qëllimet e tyre. Zhvillimi ekonomik: shkalla e papunësisë në Kosovë është rreth 30 për qind, e në mesin e të rinjve është rreth 60 për qind. Këto janë shifra shumë, shumë të mëdha dhe më se shkurajuese për shumë njerëz. Kosova natyrisht ka shumë qytetarë të talentuar që duan të punojnë, që duan ta japin kontributin e tyre. Duhet të ndihmojmë në përmirësimin e mundësive ekonomike për të gjithë. Siguria rajonale: ka shumë çështje të rëndësishme që lidhen me këtë çështje. Kosova duhet të punojë më mirë në ndërtimin e marrëdhënieve më të mira dhe më të forta me fqinjtë e saj; duhet të merret me çështjen e kufirit me Malin e Zi, i duhet t’i përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë, duhet t’i zbatojë premtimet tashmë të dhëna, siç është për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
TV Herz: Si i vlerësoni marrëdhëniet e deritashme të institucioneve të Prishtinës ndaj serbëve në Kosovë?
Ambasadori Delawie: Mendoj se gjatë viteve të fundit ka pasur përparim të jashtëzakonshëm. Shoh integrim që njerëzit me siguri nuk e kanë pritur pesë vjet më parë që tash po ndodh në mënyrë të rëndomtë. Komunat me shumicë serbe po punojnë me qeverinë qendrore në çështjet si buxheti. Është shumë me rëndësi që çdo komunë t’iu përmbahet rregullave për buxhetin për të marrë fonde për infrastrukturë dhe për gjërat e tjera. Mendoj se kemi parë që Policia e Kosovës është shumë më shumë e intergruar se sa që do të priste dikush. Shohim se Forca e Sigurisë së Kosovës është shumë më shumë e integruar, si dhe ka më shumë serbë të Kosovës dhe pakica të tjera që po i bashkohen FSK-së. Natyrisht, duhet të arrihet edhe më shumë përparim dhe shpresoj se politikanët e zgjedhur muajin e kaluar do t’i përkushtohen punës për të mirën e zgjedhësve të tyre për ta mundësuar këtë përparim.
TV Herz: Shihet qartë që serbët nga Kosova po kthehen më shumë kah Beogradi, gjë që u shpreh edhe me rezultatet e zgjedhjeve të fundit, ku lista e përkrahur nga Beogradi fitoi në mesin e serbëve. Çka mendoni pse po ndodh kjo?
Ambasadori Delawie: Nuk dëshiroj të analizoj se pse njerëzit votuan në një mënyrë apo një tjetër. Por, dëshiroj të them se të gjithë ata që janë zgjedhur në qershor, qofshin ata serbë të Kosovës, shqiptarë të Kosovës apo pjesëtarë të pakicave tjera, të gjithë ata, besoj se duhet të përqendrohen për t’iu shërbyer zgjedhësve të tyre: njerëzve që jetojnë këtu, njerëzve që kanë votuar për ta, njerëzve me të cilët do të jetojnë në mesin e tyre. Me të vërtetë mendoj se është e rëndësishme që politikanët të shkëputen nga mentaliteti që shihet në shumë vende ku ata punojnë për vetvete. Nuk duhet të punojnë për vetvete apo për vëllanë e tyre, për partinë e tyre politike apo për ndonjë faktor tjetër – duhet të punojnë për qytetarët e shtetit të Kosovës.
TV Herz: Cila do të ishte këshilla juaj për serbët sa i përket qeverisë së ardhshme? Çka duhet të kërkojnë në këmbim të përkrahjes për qeverinë e ardhshme?
Ambasadori Delawie: Janë dy palë çështjesh këtu. Janë çështjet që janë të rëndësishme për të gjithë që jetojnë në Kosovë, siç është rritja ekonomike dhe korrupsioni. Si e bëni më të mundshme që të tjerët të duan t’i investojnë paratë e tyre këtu? Qofshin ata të huaj apo vendorë. Duhet të përmirësohet klima për investime sepse kjo është mënyra e vetme për të krijuar më shumë vende pune për të gjithë ata të rinj që e kryejnë shkollën e mesme çdo vit.
Korrupsioni: Korrupsioni i prekë të gjithë. Nuk është vetëm korrupsioni i madh, por edhe korrupsioni i vogël. Është shumë shkurajues për njerëzit. Është shkurajuese kur rastet në gjyq nuk zgjidhen në mënyrë të drejtë. Është shkurajuese kur ndoshta iu duhet të paguani para shtesë për termin te mjeku për të cilin s’do të duhej të paguanit. Këto janë çështje shumë shkurajuese për të gjithë, të cilave duhet t’iu vijë fundi.
E dyta ka të bëjë me çështjet që lidhen posaçërisht me popullatën serbe të Kosovës. Gjërat si themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do t’ua lehtësojë komunave me shumicë serbe bashkërenditjen e çështjeve si arsimi, kujdesi shëndetësor, gjërat e tilla.
TV Herz: Në fund, sipas jush kush duhet ta formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe a është dikush që ndoshta nuk është i pranueshëm për ju?
Ambasadori Delawie: Njerëzit që do të duhej ta formojnë qeverinë e ardhshme janë ata që votuesit i kanë zgjedhur. Këtë vendim duhet ta marrin ata persona që janë zgjedhur nga votuesit, jo unë, jo Quint-i, jo ndonjë i huaj. Qytetarët e Kosovës votuan për deputetët. Komisioni Zgjedhor i ka certifikuar rezultatet, kështu që e dimë se kush do të jenë ata deputetë, e ata duhet të punojnë për ta identifikuar një qeveri, e cila mund t’i arrijë 61 vota në Kuvend. Nuk më takon mua që të them se kush do të duhej të jetë në atë qeveri; nuk i takon asnjë të huaji të thotë se kush do të duhej të jetë në atë qeveri. Iu takon qytetarëve të Kosovës që ta thonë këtë përmes përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.
Pjesa e dytë e pyetjes suaj: Ne do të punojmë me çfarëdo qeverie që del në pajtim me rregullat dhe ligjet e Kushtetutës së Kosovës, në pajtim me ligjet e Kosovës. Me çdo qeveri që është e gatshme për tu përpjekur për të arritur përparim në çështjet me të cilat përballet Kosova sot. Këto janë çështjet që i përmenda më herët: sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe siguria rajonale. Me padurim presim që të punojmë me politikanët, me qeverinë, e cila do të punojë për t’i zgjidhur problemet me të cilat përballen qytetarët e Kosovës sot.
TV Herz: Kjo ishte pyetja e fundit e intervistës sonë. Shkëlqësia Juaj, ju faleminderit që ishit mysafir i TV Herz-it.
Ambasadori Delawie: Ishte kënaqësi që pata rastin të flisja me juve. Ju faleminderit shumë.