Intervista e Ambasadorit Delawie për televizionin Klan Kosova

Intervista e Ambasadorit Delawie për televizionin Klan Kosova, 17 gusht 2017

Klan Kosova: Zonja dhe zotërinj, kanë kaluar rreth dy muaj që kur Kosova ka përfunduar zgjedhjet e fundit parlamentare. Që nga kjo periudhë, Kosova nuk ka arritur që të prodhojë institucionet që duhet të derivojnë nga zgjedhjet e 11 qershorit. Përgjatë kësaj periudhe kohore, gjithçka çfarë audienca kosovare ka dëgjuar është akuzat nga njëra dhe tjetra palë politike për një bllokadë institucionale. Problemi qëndron te numrat, por edhe te komunikimi politik

Zonja dhe zotërinj, jeni në vendin e duhur sepse sot do të zhvilloj një intervistë me zotin Greg Delawie, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të parë qëndrimin e SHBA-së, për të parë qëndrimin e Uashingtonit karshi situatës së fundit politike të krijuar në vend. Andaj gjatë kësaj periudhe kohore, përgjatë këtyre 20 minutave ose më shumë do të tentojmë të japim përgjigje ose të marrim qëndrimin e z. Delawie karshi gjithë situatës së fundit të krijuar në Kosovë.

Klan Kosova: Ambasador Delawie, mirë se erdhët në studion e Info Magazinës. Mirë se erdhët në Klan Kosova.

Ambasadori Delawie: Faleminderit, Kushtrim. Më vjen mirë që jam sërish këtu me ju.

Klan Kosova: Para se të nisim intervistën për të folur për situatën politike, jeta e njeriut është pa asnjë diskutim më e rëndësishmja. Një ditë më parë, opinioni publik kosovar u shokua nga zhvillimet që ndodhën: njëri paradite, e njëri në mbrëmje. Sulmi kundër Sokol Zogajt, ushtrues detyre i Shërbimit Korrektues të Kosovës, e pastaj edhe kundër gazetarit Parim Olluri, ka shqetësuar në masë të madhe opinionin publik kosovar si zhvillime të papritura nga një ditë më parë në dy sekuenca të ndara. Si i keni parë këto sulme?

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit që e ngritët këtë çështje sepse fuqimisht i dënoj sulmet kundër të dyve: redaktorit të Insajderit dhe drejtorit të Shërbimit Korrektues. Mendoj se është shumë me rëndësi që dhuna të mos bëhet pjesë e jetës politike të Kosovës. Kosova ka pasur mjaft dhunë. Njerëzit janë stërlodhur nga dhuna, bashkësia ndërkombëtare është stërlodhur nga dhuna dhe nuk është ajo që e meritojnë. Të gjithë qytetarët kosovarë meritojnë të jetojë të lirë nga dhuna, qofshin ata zyrtarë publikë, gazetarë apo në ndonjë profesion tjetër. Më duhet t’i shoh këto dy ngjarje si sulme ndaj sundimit të ligjit në njërën anë dhe kundër lirisë së shtypit në anën tjetër. Natyrisht, unë mbështes shumë fuqimisht sundimin e ligjit dhe lirinë e shtypit në Kosovë dhe nëpër botë. Edhe njëherë, i dënoj këto [sulme] fuqimisht.

Klan Kosova: Z. Ambasador, kur flasim për zhvillimet e fundit, si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend? U bënë dy muaj që nga zgjedhjet e 11 qershorit dhe Kosova ka ngecur sa i përket krijimit të institucioneve, Kuvendit dhe Qeverisë. Si i shihni gjitha këto zhvillime gjatë kësaj periudhe kohore?

Ambasadori Delawie: Mendoj se vonesa i kushton Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe ndërkombëtar. Më duhet t’ua përkujtoj deputetëve të Kuvendit, të gjithëve, se janë zgjedhur për të qenë shërbyes publikë. Ata punojnë për popullin. Mendoj se iu takon atyre që ta gjejnë mënyrën për të gjetur një lloj kompromisi për t’i krijuar institucionet e Kosovës. Nuk janë zgjedhur që të rrinë ulur në Prishtinë duke u fjalosur kot së koti apo edhe më keq, që të mos paraqiten fare në punë në Kuvend. Mendoj se është thelbësore që Kuvendi të konstituohet dhe pastaj që të formohet qeveria ashtu që këta zyrtarë të zgjedhur të ndihmojnë në fillimin e zgjidhjes së problemeve thelbësore me të cilat përballet Kosova sot.

Klan Kosova: Z. Delawie, në një moment, qytetarët e Kosovës në Kuvend të Kosovës kanë parë se asnjëra nga palët nuk i ka numrat e nevojshëm. Pra, gjithçka ka qenë e barabartë, 60 me 60, sa i takon zgjedhjes së kryekuvendarit, pa pasur shumicën e nevojshme që e kërkon Kushtetuta e vendit. Cila është rrugëdalja nga kjo situatë, kur gjithçka duket të jetë e barabartë?

Ambasadori Delawie: Nuk më takon mua si i huaj që ta udhëzoj Kosovën se çka duhet të bëjë apo që të marrë vendim që do të duhej të merrej nga vetë qytetarët e Kosovës. Janë bërë nëntë vjet prej kur Republika e Kosovës shpalli pavarësinë. Rrotat ndihmëse të biçikletës janë hequr. Iu takon vetë politikanëve kosovarë që të bëjnë kompromisin e domosdoshëm për ta formuar qeverinë, që ta bëjnë kompromisin e duhur për ta konstituuar Kuvendin dhe për të filluar që t’i marrin vendimet e rëndësishme të cilat do të kenë ndikim të njëmendtë në jetën e qytetarëve kosovarë. Nuk më takon mua ta bëj këtë. Iu takon politikanëve kosovarë që vetë t’i marrin vendimet e rëndësishme dhe për ta marrë përgjegjësinë për vendimet që i marrin.

Klan Kosova: Megjithatë qëndrimi i SHBA-së është i rëndësishëm për Kosovën duke e ditur se kemi marrëdhënie shumë të ngushta dhe që SHBA-ja vazhdimisht ka mbështetur Kosovën. Kur jemi te situata politike, z. ambasador, më duhet t’ju pyes se kush e ka me të drejtë nga këto dy qëndrime që janë totalisht të polarizuara? Ata që thonë se janë fitues të zgjedhjeve apo pala tjetër që po thirret në një shumicë shqiptare në Kuvendin e Kosovës?

Ambasadori Delawie: Nuk më takon mua për të ndarë fajin për pamundësinë për t’i shtyrë gjërat përpara deri tash. Qytetarët kosovarë po dëmtohen nga ky vendqëndrim. Siç e thashë, ata po dëmtohen ekonomikisht, politikisht dhe ndërkombëtarisht. Iu takon deputetëve të Kuvendit, 120 deputetëve të Kuvendit, ta gjejnë mënyrën si të ecin përpara, si dhe iu takon deputetëve të Kuvendit për ta pranuar se është obligim i tyre për t’i vënë interesat e vendit në vend të parë dhe për të marrë vendime në të mirë të të ardhmes së vendit të tyre.

Klan Kosova: Por, nëse situata politike vazhdon të jetë e këtillë siç është tash, për arsye se pak kush e ka pritur një gjë të tillë, a mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë ndërmjetësues për të gjetur një zgjidhje të ndërmjetme sepse edhe ju po e përmendni kompromisin si një zgjidhje të mundshme në një situatë të tillë politike. Ose të një kompomisi tjetër siç pat ndodhur në vitin 2011 kur patëm Presidenten Jahjaga si produkt të kompromisit të atëhershëm.

Ambasadori Delawie: Nuk do të marr vendim që do të duhej ta merrnin qytetarët kosovarë. Rrotat ndihmëse të biçikletës janë hequr. Matematika është e pakundërshtueshme. Në thelb, i keni tri grupe që secili i ka rreth 1/3 e deputetëve. Qartazi, diçka duhet të ndodhë. Duhet të bëhet ndonjë kompromis nga një ose më shumë veta. Por, unë nuk do t’iu them atyre njerëzve çka të bëjnë. Ata duhet ta gjejnë vetë mënyrën për ta bërë këtë. Duhet t’i vënë interesat e vendit në vend të parë dhe të ecin tutje për t’i zgjidhur problemet e shumta me të cilat përballen qytetarët e Kosovës sot.

Klan Kosova: Z. Ambasador, a jeni i gatshëm të paktën t’i takoni ata? Të konsultoheni me ta apo a keni pasur komunikim me palët gjatë kësaj kohe?

Ambasadori Delawie: Jam takuar me politikanët e të gjitha grupeve. Kjo është pjesë e punës sime si diplomat. Do të vazhdoj ta bëj të njëjtën gjë. Por, çdo personi që e kam takuar në thelb ia them të njëjtën gjë që po ta them ty: nuk do t’ju them se me kë të bëni marrëveshje, por do t’ju nxis që të bëni ujdi. Bota nuk do të qëndrojë në një vend duke e pritur Kosovën që ta gjejë veten. Bota po ec dhe Kosova duhet të ecë po ashtu. Për ta bërë këtë, politikanët duhet ta gjejnë ndonjë lloj marrëveshjeje.

Klan Kosova: Kur jemi te zhvillimet e fundit, ka pasur paralajmërime madje edhe nga z. Pacolli qoftë për një qeveri gjithëpërfshirëse. Duket sikur një lëvizje e vogël për të gjetur një zgjidhje, për t’i bërë bashkë këto tri grupe që i përmendët edhe ju e që janë si të ndara me qëndrimet e tyre politike. A janë këto shenja pozitive se mund të gjendet një lloj zgjidhje e ndërmjetme?

Ambasadori Delawie: Nuk mendoj se jam në pozitë më të mirë për ta interpretuar këtë se ju apo kolegët tuaj në medie. Në fakt, mendoj se jam në pozitë më të keqe! Por sigurisht, më vjen mirë që po shoh se ka diskutime, që njerëzit po flasin për zgjidhje të mundshme. A do ta sjellë kjo gjë zgjidhjen? Shpresoj që po. Por, nuk më takon mua që ta vlerësoj nëse kjo apo ajo bisedë po na çon në një rrugëzgjidhje apo tjetër.

Klan Kosova: Qytetarët e Kosovës kanë parë në Kuvendin e Kosovës një fjalor të rënduar, ku në qendër të vëmendjes të partive politike ka qenë roli i Listës serbe. Shpeshherë janë dëgjuar akuza të ashpra nga subjektet politike shqiptare për rolin e tyre si përfaqësues të Beogradit në Kosovë. Si e shihni këtë debat në Kuvendin e Kosovës? Shumë veta e kanë përmendur se ka pasur edhe nuanca nacionaliste në këtë debat.

Ambasadori Delawie: Pritjet e mia për kuvendarët e Listës serbe në thelb janë të njëjta me atë çka pres nga të gjithë deputetët e Kuvendit. Pres që ata të punojnë në emër të votuesve të Kosovës që i kanë zgjedhur. Kam kaluar shumë kohë me komunitetet pakicë, përfshirë edhe me serbët e Kosovës dhe e di shumë prej brengave të tyre në esencë janë të njëjta me brengat e komunitetit shqiptar të Kosovës: papunësia, sundimi i ligjit, mundësia për të udhëtuar lirshëm nëpër Evropë – këto janë interesat e përbashkët që i bashkojnë të gjithë qytetarët kosovarë. Kur Kuvendi të konstituohet, sigurisht që pres nga deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës që të shkojnë çdo ditë në Kuvend për të punuar në disa prej çështjeve që i bashkojnë të gjitha komunitetet e Kosovës dhe që të përpiqen për çuar vendin përpara.

Klan Kosova: Ju i inkurajoni përfaqësuesit e Listës serbe që të punojnë për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës apo jo?

Ambasadori Delawie: Sigurisht që i nxis të gjithë deputetët e Kuvendit, pa marrë paraysh prej cilit grup etnik vijnë, që absolutisht të punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Sepse ka shumë më shumë gjëra që i bashkojnë qytetarët e Kosovës se sa që i ndajnë.

Klan Kosova: Kur jemi te debati politik dhe situata politike që erdhi nga zgjedhjet e 11 qershorit, dua t’ju pyes edhe për rolin e liderëve politikë, të nominuarve për postin e kryeministrit. Cili është opinioni juaj për Ramush Haradinajn, kandidat për kryeministër i koalicionit PAN dhe çfarë mendoni për Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje?

Ambasadori Delawie: Mendimi im është se jam i huaj dhe diplomat dhe nuk është e hijshme që të komentoj për politikanët e Kosovës. Jam takuar me përfaqësuesit e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Ekipi im dhe unë do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë. Kjo është puna jonë si diplomatë, për ta ditur se kush ka ndikim në çdo vend. Po e bëjmë këtë gjë edhe këtu dhe do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë. Do të vazhdojmë të sigurohemi që njerëzit ta dinë cilat janë prioritetet e SHBA-së për Kosovën dhe për marrëdhënien tonë, pa marrë parasysh cilës parti i takojnë dhe pa marrë parasysh a pajtohen me ne apo jo.

Klan Kosova: E kuptoj qëndrimin tuaj si diplomat, por kur jemi te raporti me Lëvizjen Vetëvendosje, a ka ndryshuar diçka lidhur me komunikimin ndërmjet ambasadës së SHBA-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje?

Ambasadori Delawie: Ambasada ime ka qenë në kontakt me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend prej se kam ardhur këtu. Personalisht jam takuar me përfaqësuesit e të gjitha partive politike që janë zgjedhur në Kuvendin e ri. Do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë. Nuk do të jap vlerësim për ju se çka mendoj për një parti të caktuar politike karshi ndonjë partie tjetër të caktuar politike.

Klan Kosova: E kuptoni insistimin tim, besoj. Është detyrë e një gazetari. E kuptoj që dëshironi ta mbani qëndrimin tuaj si ambasador për të gjitha subjektet politike dhe që dëshironi të vendosni një standard për të gjithë, pavarësisht se cilit tabor i takojnë. Por, z. Delawie, dua ta marr qëndrimin e Uashingtonit zyrtar, të SHBA-ve, se cilat janë parametrat sipas të cilëve qytetari i Kosovës do të ishte më së miri i përfaqësuar në institucione në mënyrën më të mirë. Çka do të duhej të ishte në fokus të ekzekutivit të ri në vend? Demarkacioni, asociacioni, sigurimet shëndetësore, investimet e huaja, arsimi, ekonomia? Cila do të duhej të jetë qeveria e re e Kosovës të cilën e meritojnë qytetarët?

Ambasadori Delawie: I kam disa reagime për këtë pyetje. Së pari, mendoj se prioriteti im më i madh për Kosovën ka të bëjë me reformën e sundimit të ligjit. Mendoj se mungesa e përparimit në sundimin e ligjit po e mban Kosovën prapa. Po e mban Kosovën prapa politikisht, po e mban Kosovën prapa në rrugën e saj drejt Evropës dhe po mban Kosovën prapa ekonomikisht. Sigurisht, reforma e sundimit të ligjit ëshët çështja ime më e rëndësishme për Kosovën.

Por, edhe çështjet tjera që i përmendët ju janë të rëndësishme. Personalisht, isha i zhgënjyer që edukimi nuk ishte temë e zgjedhjeve të fundit. Mendoj se është aq me rëndësi që e ardhmja e Kosovës, fëmijët e saj, të edukohen siç duhet. Kufiri me Malin e Zi natyrisht është çëshjte me rëndësi, siç është edhe dialogu me Serbinë. Të gjitha këto çështje janë tepër të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe kërkojnë që deputetët e Kosovës të shkojnë të punë për të punuar për to.

Sa i përket çfarë njerëzish – që e përmendët edhe ju, mendoj se kjo është pyetje shumë e mirë sepse jo vetëm që po flasim për politikanët që zgjedhen, por po flasim edhe për politikanët që emërohen në pozitat e larta si ministra apo sekretarë të përgjithshëm apo të ngjashme. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë zyrtarët publikë të Kosovës, qofshin të zgjedhur apo të emëruar, t’i vënë interesat e tërë shtetit në vend të parë. Duhet që ata të jenë njerëz të ndershëm dhe që të kenë ekspertizë në fushën në të cilën punojnë. Në këtë mënyrë ata mund ta bëjnë punën më të mirë të mundshme për të arritur përparim në emër të qytetarëve të Kosovës.

Klan Kosova: Një segment tjetër ka të bëjë me zhvillimin ekonomik. Ju e keni përmendur vazhdimisht dhe duket sikur zhvillimi ekonomik ka mbetur temë terciare – as sekondare – në komunikimin politik në vend. Kanë munguar investime të huaja; problemi i punësimit, problemi i prodhimit vendor, varshmëria nga prodhimet që vijnë nga vendet me të cilat Kosova nuk ka raport të mira. Cili është mendimi juaj rreth zhvillimit ekonomik dhe çka duhet të jetë në fokus të qeverisë së ardhshme, kushdo që ta bëjë atë?

Ambasadori Delawie: Shkalla e rritjes prej 3.5 %, që pak a shumë Kosova me siguri do ta ketë këtë vit, do të ishte e shkëlqyeshme në vendin tim apo në ndonjë vend të zhvilluar ekonomikisht të Evropës perëndimore. Por, kjo nuk mjafton për ta përthithur tërë fuqinë e re punëtore që çdo vit del nga shkollat e mesme e fakultetet e që hyn në tregun e punës së Kosovës. Shkalla e rritjes ekonomike duhet të rritet për të ndihmuar me problemin e papunësisë, që jam i sigurtë e dini se është rreth 30% gjithsej dhe rreth 60% te të rinjtë. Këto janë shifra shumë shkurajuese për çdo person që hyn në tregun e punës.

Më duhet t’i kthehem temës sime kryesore: sundimit të ligjit. Mënyra se si krijohen vende të reja të punës është përmes bizneseve që investojnë para në krijimin e vendeve të reja të punës, biznese të reja, zgjerimi i bizneseve e ngjashëm. Mënyra si i mundësoni këto investime është duke u siguruar se keni sundim të mirë të ligjit dhe investitorët ndjejnë se nuk kanë nevojë ta paguajnë dikë për të marrë leje për ndërtim apo çkado tjetër. Ose që mund të shkojnë në gjykatë dhe t’i zgjidhin kontestet që mund t’i kenë me bizneset e tjera në afat të arsyeshëm të kohës. Problemet në fushën e sundimit të ligjit po e mbajnë Kosovën prapa ekonomikisht.

Sigurisht, po ashtu duhet ta trajtoni edhe çështjen e edukimit sepse duhet t’i stërvitni të rinjtë për të punuar në vendet e punës që ekzistojnë. Në Kosovë e kemi këtë gjendje të çoroditur kur kemi gjithë ata të papunë, por në anën tjetër është një numër i vendeve të punës të paplotësuara. Kjo ndodh për shkak të kësaj shpërputhjeje ndërmjet shkathtësive që janë në tregun e punës dhe kërkesave të komunitetit afarist. Kjo sërish na kthen te përmirësimi i sistemit të arsimit – jo vetëm të shkrim-leximit e matematikës, por të ndihmohen të rinjtë për tu përgatitur për ato profesione që janë në dispozicion, vende pune që kërkojnë shkathtësi profesionale, si të teknologjisë informative e të ngjashme. Kosova ka shumë përparësi: këta të rinj zakonisht i flasin nga disa gjuhë të huaja dhe do të mund të ishin aset i madh në tregun e punës. Por, duhet të siguroheni që të rinjtë i kanë shkathtësitë që i kërkojnë punëdhënësit. Si dhe duhet t’iu ndihmoni punëdhënësve duke ofruar kornizë të rregulluar, ku mund t’i gjejnë gjërat që iu duhen nga qeveria, si ajo lokale, po ashtu edhe nga ajo qendrore, si dhe që ta dinë si t’i zgjidhin gjërat e papritura që mund t’ju shkaktojnë probleme kur nisin biznesin e tyre.

Klan Kosova: Dua të ndërlidhem te sundimi i ligjit sepse ju e theksoni se ka rol të jashtëzakonshëm edhe sa i përket zhvillimit të gjithëmbarshëm të shoqërisë. Ka deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe zyrtarë të tjerë që kanë problem me ligjin ose kanë aktakuza të ngritura ose kanë probleme në një ose në një formë tjetër me gjykatat. Cili është opinioni juaj për këta zyrtarë që kanë problem me ligjin e që shërbejnë në institucione, qoftë në nivelin qendror si në Kuvend e Qeveri apo në nivelin lokal?

Ambasadori Delawie: Nuk do të flas për ndonjë individ të caktuar, por sigurisht që do t’ju them se ndarja e barabartë e drejtësisë para ligjit është shtyllë themelore e demokracisë dhe këtë gjë Kosova dëshpërimisht duhet ta përmirësojë. Të gjithë e dimë se shumë politikanë nga parti të ndryshme politike nuk ndëshkohen. Kjo është shumë shkurajuese për qytetarët e Kosovës; është shkurajuese për vendet e tjera që duan që Kosova të përparojë. Mendoj se kjo pandëshkueshmëria e politikanëve dëshpërimisht duhet të marrë fund. Kosova duhet të jetë në përputhje me vlerat e klubeve që dëshiron t’i bashkohet. Qeveri të shumta kosovare kanë thënë se Kosova duhet të jetë në Bashkimin Evropian, Kosova duhet të jetë në NATO dhe natyrisht unë i mbështes këto aspirata. Por, nuk mund të arrini atje nëse nuk jetoni në përputhje me vlerat e atyre vendeve. Pandëshkueshmëria e politikanëve është problem kyç që duhet të zgjidhet. Ka shumë vende ku mund të kërkohet zgjidhja e kësaj çështjeje, por natyrisht prokurorët, gjyqtarët, ata duhet t’i zbatojnë ndaj politikanëve të njëjtat standarde që do t’i zbatonin ndaj një personi të rëndomtë nga rruga. Të gjithë duhet të përballen me të njëjtin lloj të drejtësisë.

Klan Kosova: Dëshiroj të flas shumë shkurtimisht për një çështje që e çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme. Edhe ju folët më herët për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e përmendët edhe asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ka qenë temë edhe krijimi i ushtrisë. A janë këto çështjet primare me të cilat do të duhej të merrej qeveria e re e Kosovës?

Ambasadori Delawie: Çështjet që janë të rëndësishme për mua janë çështjet që e pengojnë përparimin e Kosovës drejt Brukselit, drejt Evropës, për të ecur përpara. Sigurisht, udhëtimi pa viza për qytetarët e Kosovës duket se varet nga marrëveshja për kufirin me Malin e Zi. Do të thoja se marrëveshja për kufirin është saktësisht e drejtë. E kemi shqyrtuar me kujdes dhe e dimë se ajo përfaqëson kufirin që ka ekzistuar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi prej vitit 1971. Dialogu me Serbinë është çështje me rëndësi për të dy vendet. Duhet të arrihet përparim edhe në të. Sundimi i ligjit, për të cilin me siguri tashmë fola tepër, por ka edhe çështje të tjera që janë të rëndësishme për Kosovën, por që s’janë çështje të miat.

Ne nuk punojmë në çështjet e arsimit aq shumë këtu tashmë, jo sepse kjo nuk është çështje me rëndësi, por thjesht sepse duhet të përqendrohemi në ato gjëra në të cilat mund të bëjmë ndryshim ose në të cilat mund të nxisim ndryshimin. Por, sigurisht, unë jam prind, i kam dy fëmijë. Po të isha prind kosovar, për mua njëra ndër tri çështjet kryesore do të ishte arsimi. Rezultatet e testit PISA të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD) që u publikuan vjeshtën e kaluar tregojnë se Kosova doli e 70-ta nga 73 vende në botë dhe ky është lajm i keq. Nuk do t’ju them politikanëve kosovarë krejt çka duhet të jetë me rëndësi për ta, sepse natyrisht ata vetë duhet t’i marrin vendimet e tyre për këto gjëra, por ka shumë çështje të rëndësishme dhe për këtë arsye është me rëndësi që Kuvendi të formohet sa më shpejt ashtu që njerëzit të fillojnë të punojnë për këto çështje. Asnjë çështje nuk është e lehtë, por puna nuk do të kryhet nëse nuk ia nisni fare.

Klan Kosova: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që nga fillimi e deri më tani edhe pse nuk kanë pasur rol të drejtpërdrejtë. Marrë parasysh bllokadën politike, sa ka gjasë të rrezikohet dialogu me Serbinë dhe si mendoni ju se do të duhej të vazhdojë ky dialog? A ka një afat të fundit kohor kur dialogu duhet të përfundojë dhe cili është qëndrimi i SHBA-së se me çfarë epilogu do të duhej të përfundojë ky dialog?

Ambasadori Delawie: Keni plotësisht të drejtë: e mbështesim dialogun sepse ka sjellë shumë përfitime pozitive për Kosovën. Mendoj në gjërat si integrimi i Policisë së Kosovës, shtrirja e sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e saj, qytetet me shumicë nga pakicat tash shikojnë drejt Prishtinës për çështjet e buxhetit dhe resurseve dhe për çështjet tjera që ofrohen nga qeveria qendrore; zgjedhjet e qershorit u mbajtën në tërë vendin përgjithësisht në mënyrë mjaft të drejtë. Të gjitha këto kanë rrjedhur nga dialogu. Mbledhja e taksës doganore në kufirin në veri, p.sh. Dialogu ka sjellë përfitime reale për Kosovën dhe ka ndihmuar në rritjen e sovranitetit të Kosovës.

Absolutisht, mendoj se duhet të vazhdojë. Ka gjëra që po dalin në pah që do të përmirësojnë jetën e njerëzve në të dy anët e kufirit Kosovë-Serib që do të mund të diskutoheshin. Vërtetë, që të dy vendet të ecin përpara në realizimin e aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, atëherë vazhdimi i dialogut do të jetë thelbësor. Përfundimi: normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne sigurisht e mbështesim këtë gjë. Do të vazhdojmë ta mbështesim BE-në përderisa përpiqet të arrijë përparim për këto çështje.

Klan Kosova: Një ditë më parë në Nju Jork pati shqetësime ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë pikërisht për epilogun e dialogut. Shqetësime se nuk ka pasur rezultate në periudhën 4-5 vjeçare – të paktën sipas z. Daçiq. Edhe në Kosovë kemi dëgjuar shpeshherë shqetësime se ky dialogu nuk ka prodhur normalizim të vërtetë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. A mendoni se dialogu duhet të ridizajnohet apo se SHBA-ja do të duhej të ketë rol më të madh në këtë dialog, siç e kanë kërkuar shpesh shumë politikanë nga Kosova?

Ambasadori Delawie: Dialogu iu takon Kosovës dhe Serbisë. BE-ja e lehtëson atë. SHBA-ja e mbështet atë. Saktësisht si do të formatizohet ai, iu takon Kosovës dhe Serbisë që ta mendojnë këtë. Sigurisht që Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të përfshira duke ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve; duke ndihmuar në lehtësimin e marrëveshjeve. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë. Por nuk mund të marr qëndrim si duhet të duket dialogu i ardhshëm. Nuk më takon mua ta bëj këtë, por sigurisht që e mbështes dialogun.

Klan Kosova: Si e shihni integrimin e komunitetit serb në Kosovë? Jo vetëm në institucione, por për integrimin e gjithëmbarshëm në shoqëri. Komunikimi ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Ambasadori Delawie: Integrimi po përparon, po përmirësohet. A është i përsosur? Natyrisht që jo. Por, përfundimisht mendoj se marrëdhëniet janë më të mira se që ishin para disa viteve dhe janë në një gjendje periodike të përmirësimit. Trendi është pozitiv. Njerëzit shkojnë mirë me njëri-tjetrin.

Para disa javëve, OSBE-ja pati një projekt në bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë të emëruar “Karvani i dialogut” apo ashtu disi. Sollën disa deputetë të Kuvendit të Serbisë për të folur me qytetarët këtu. Çdokush mund të afrohej dhe të bisedonte me ta, gjë që e bëra edhe unë. Bashkë me këta deputetë të Kuvendit të Serbisë ishin edhe disa të rinj nga Serbia. Po flisja me ta dhe disa prej tyre më thanë se njerëzit kishin pasur shqetësime dhe iu kishin thënë që nuk do të duhej të vinin në Prishtinë dhe të dëgjoheshin duke folur në gjuhën serbe sepse mund t’iu ndodhte diçka e keqe. Ata erdhën këtu dhe e panë se Prishtina është si çdo qytet tjetër. Njerëzit janë miqësore dhe nëse nuk e kishin gjuhën – serbe apo shqipe – të përbashkët, atëherë me siguri mund të flisnin anglisht me njëri-tjetrin. Mendoj se ky është simbol i përparimit të arritur në Kosovë gjatë disa viteve të fundit. Nuk ka problem për pjesëtarët e komuniteteve shumicë apo pakicë të flasin me njëri-tjetrin – nëse e flasin gjuhën – dhe që njerëzit nga komunitetet pakicë të vijnë në Prishtinë e të flasin në gjuhën e tyre amtare pa i shqetësuar askush.

Vazhdimisht shoh që njerëzit punojnë së bashku. Para nja një muaji isha në Shtërpce, ku e vizitova një projekt të USAID-it, në të cilin shumica e punëtorëve janë gra që rrisin bimë për prodhime mjekësore dhe kozmetike. Ato i rrisin këto lule të llojeve të ndryshme, i mbledhin e i thajnë në rafte për tharje dhe pastaj i shesin, shumicën në Gjermani. E kanë një biznes të vogël që lulëzon. Është biznes shumetnik. Është një shoqatë e grave, disa janë serbe të Kosovës, disa shqiptare të Kosovës e disa janë boshnjake të Kosovës dhe ato të gjitha punojnë bashkë për tu siguruar se i përmbushin standardet e cilësisë, si dhe që mund të takohen me blerësit nga jashtë. Punojnë bashkë dhe shembuj të tillë shoh anembanë Kosovës. Marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve po përmirësohen, ato duhet të vazhdojnë të përmirësohen, por jam optimist se gjërat po shkojnë në drejtim të duhur.

Klan Kosova: Krahas këtyre nismave të mira që po i përmendi për komunikimin ndërmjet komuniteteve, ka pasur edhe deklarata si p.sh. një nismë e Presidentit Vuçiq për dialog të brendshëm rreth realitetit të ri në Kosovë. Si e shihni këtë nismë të Vuçiqit, por edhe si i shihni edhe paralajmërimet e politikanëve tjerë që ende flasin për ndarje territoresh, për ndarje të Kosovës ndërmjet Serbisë e Shqipërisë si ide që janë përmendur në 20-vjeçarin e fundit në Kosovë?

Ambasadori Delawie: Nuk e di saktësisht çka ka pasur në mendje Presidenti Vuçiq. Sigurisht jam optimist që po i dëgjoj njerëzit duke bërë përparim, për bërjen e kompromisit, për marrjen e vendimeve të vështira. Kjo gjë definitivisht është pozitive.

Sa i përket dialogut të brendshëm, a do të sjellë diçka të mirë? Nuk e di, por jam i gatshëm të pres dhe të shoh. E di se kjo gjendje e status quo-së po i mban të dy vendet prapa. Të dy vendet kanë aspirata për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe qartazi përparimi në marrëdhëniet dypalëshe do të jetë faktor kyç përderisa vazhdon ky proces.

Klan Kosova: Por, natyrisht nuk i mbështesni idetë për ndarjen e territorit të Kosovës ndërmjet Serbisë e Shqipërisë apo jo? Me siguri i keni parë deklaratat e tilla gjithandej në mediume, si dhe qëndrime të politikanëve qoftë të njërës apo të palës tjetër.

Ambasadori Delawie: Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Kosovën në vitin 2008 sipas kufijve ekzistues; kufijve që janë në flamurin e Kosovës. Kështu e njohim Kosovën sot. Nuk dëshiroj që ta ngulfas diskutimin para se t’ia fillojë dhe nuk do ta bëj një gjë të tillë, prandaj në këtë çast nuk do të komentoj për propozime specifike. Natyrisht, jam i lumtur nëse politikanët në të dy vendet mund të fillojnë të flasin për zgjidhje të mundshme. Por, SHBA-ja e ka njohur Kosovën në kufijtë që ekzistojnë edhe sot dhe që kanë ekzistuar qysh prej 2008-ës, e të cilët janë edhe në planin e Ahtisaarit e ne e respektojmë planin e Ahtisaarit shumë.

Klan Kosova: T’i kthehemi aktualitetit politik në vend: a janë zgjedhjet e reja solucion i mundshëm i bllokadës politike kur palët janë me numra të barabartë? Ka mbetur pak kohë para zgjedhjeve lokale, por a janë zgjedhjet e reja zgjidhje për këtë situatë politike në vend? Cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i takon kësaj çështjeje?

Ambasadori Delawie: Do të brengosesha se zgjedhjet shtesë do ta shtynin Kosovën edhe më prapa. Pa Kuvend të konstituuar, pa qeveri të konstituuar, kush do të merret me ato reforma të sundimit të ligjit? Kush do të merret me reformën e sistemit arsimor? Kush do të ndihmojë në krijimin e asaj ekonomie që do të sjellë punësimin e më shumë qytetarëve të Kosovës? Gjithë këto gjëra janë disi në pritje.

E di se parti të ndryshme politike kanë pikëpamje të ndryshme në këto çështje të politikave që i përmenda, por shpresoj që të gjithë të mund të pajtohen se përparimi është më i mirë se sa vendqëndrimi. Shpresoj që të gjithë ta kuptojnë se Kosova njëmend nuk ka kohë për të pritur. Duhet të ketë institucione qeverisëse, duhet t’i ketë ato sa më shpejt që është e mundur dhe shpresoj që politikanët do të vijnë te një lloj marrëveshjeje për konstituimin e këtyre institucioneve ashtu që të bëjnë progres në çështjet që janë të rëndësishme për qytetarët kosovarë.

Klan Kosova: Ambasador Greg Delawie, faleminderit shumë që ishit sot në Info Magazinë. Faleminderit shumë që iu përgjigjët pyetjeve të mia për situatën politike në Kosovë dhe jo vetëm për to.

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit shumë për ftesën, Kushtrim. Ju jam mirënjohës për kohën tuaj.