Intervista e ambasadorit Delawie për Rubikon, 5 dhjetor 2017
KTV: Mirë se vini në Rubikon, z. Ambasador.
Ambasadori Delawie: Faleminderit, Adriatik. Më vjen mirë që jam këtu.
KTV: Jemi në Javën kundër korrupsionit në Kosovë. Ambasada po e sponzorizon fushatën kundër korrupsionit. Cilat janë çështjet kryesore në këtë fushë ku është e përfshirë ambasada e SHBA-së?
Ambasadori Delawie: Ngjarjet, pak a shumë, filluan dje. Ambasada e SHBA-së bashkë me shtetet e Quint-it, përfaqësuesen speciale të BE-së dhe disa OJQ e patëm ceremoninë e hapjes në mëngjes dhe ishte shumë mirë. Është një javë e mbushur me programe. Shumica prej tyre udhëheqen nga OJQ-të dhe ato po i trajtojnë një varg të çështjeve të korrupsionit. Mendoj se kjo është shumë me rëndësi sepse mendoj se korrupsioni është sfida më e madhe e Ksovoës. Presim që të shohim më shumë përparim në fushën kundër korrupsionit nga sektori i gjyqësorit, ai qeveritar, kuvendi dhe për të punuar në disa gjëra të rëndësishme.
Të jemi edhe më konkretë: janë disa gjëra që i mirëpresim e që mendoj se janë të arsyeshme për tu përmbushur në afat relativisht të shkurtë. E para ka të bëjë me një ligj të ri për Zyrën e Prokurorit Disiplinor për gjyqtarët dhe prokurorët. Kemi punuar në këtë çështje bashkë me Qeverinë e Kosovës qe një vit e ca dhe ligji është pothuajse gati. Duhet të dalë në Kuvend mjaft shpejt dhe shpresoj që deputetët do ta votojnë miratimin e tij.
Tjetër: është rishikimi i sektorit të drejtësisë që po e kryejmë bashkë me Ministrinë e Drejtësisë për t’i shqyrtuar sfidat që kanë dalë në ligjet dhe rregulloret e Kosovës gjatë pothuajse dhjetë viteve prej pavarësisë dhe për të dalë me zgjidhje të arsyeshme që do të mund të shtyheshin apo të dërgohen në Kuvend për tu shqyrtuar.
Shpresojmë që prokurimi elektronik, prokurimi transparent do të vihet në zbatim në tërë vendin dhe në të gjitha komunat gjatë një apo dy muajve të ardhshëm. Kjo është shumë me rëndësi sepse 40% e buxhetit të qeverisë ndërlidhet me prokurim dhe meqenëse mundësimi i transparencës e vështirëson korrupsionin në fushën e prokurimit, atëherë me këtë keni bërë shumë për të siguruar që paratë e tatimpaguesve kosovarë shpenzohen për qëllimin më të mirë të mundshëm.
Punësimi në bazë të meritave për pozitat qeveritare – duke mënjanuar nepotizmin apo miqësinë – është diçka tjetër tepër me rëndësi të cilës, mendoj, se duhet t’i zotohet çdo kush në qeveri.
Pra, këto nuk janë gjëra që kërkojnë shkop magjik, por janë gjëra të cilat njerëzit mund t’i arrijnë në kohë relativisht të shkurtë: këtë muaj për Ligjin për Prokurorin Disiplinor, nja dy muaj për prokurimin publik dhe do të ndihmonin shumë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës duke iu dhënë më shumë besim në qeverinë e tyre, si dhe për ti avancuar qëllimet e Kosovës për integrim në institucionet evroatlantike.
KTV: E a po shihni gatishmëri në mesin e përfaqësuesve të institucioneve dhe të shoqërisë për tu marrë me çështjet kundër korrupsionit, për ta luftuar korrupsionin sepse siç themi nganjëherë: mund t’i kemi ligjet, por na duhet zbatimi i tyre.
Ambasadori Delawie: Po dëgjojmë gjëra pozitive. Disa prej këtyre çështjeve nuk do t’i shtyja përpara nëse qeveria – për çfarëdo arsye – do të rezistonte. Prokurimi elektronik po shkon shumë mirë. Është i ndërlikuar; me siguri është më i ndërlikuar se që kemi pritur në fillim të zbatimit të tij, por mund të kryhet. Ligji për Prokurorin Disiplinor: kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm me institucionet kosovare për të. Pra, përfundimisht po ndjej bashkëpunim, po ndjej gatishmëri në mesin e shumë njerëzve me të cilët kam punë unë. Kurse sa i përket shoqërisë si tërësi, mendoj se e dimë se anketat e opinionit publik tregojnë se qytetarët në Kosovë mendojnë se korrupsioni dhe sundimi i ligjit janë problemet më të rëndësishme për vendin tuaj.
KTV: Nganjëherë i dëgjojmë politikanët duke thënë se ajo çka thonë njerëzit kur flasin për korrupsionin më shumë ka të bëjë me perceptimin, e nuk flasin në bazë të rasteve faktike. Sepse nganjëherë e përmendin se nëse e pyet një individ: A e din ndonjë rast specifik të korrupsionit, atëherë rreth 20 % do të përgjigjen “Po”, por nëse i pyet: A është shoqëria apo institucionet e Kosovës të korruptuara?, rreth 70-80% do të përgjigjen “Po”. Si ti ndërlidhim këto dyja?
Ambasadori Delawie: Korrupsioni është një prej atyre çështjeve ku puna e shkëlqyeshme e dhjetë njerëzve të ndershëm mund të dëmtohet nga një person. Pra, meqenëse është çështje kaq emocionale për njerëzit sepse i shohin paratë e tyre si tatimpaguesë duke u zhdukur në duar të mashtruesve… pra, është çështje shumë emocionale dhe disi varemi që të gjithë ti bëjnë punët siç duhet. Për fat të keq, meqenëse janë të përfshirë njerëzit, jo gjithmonë të gjithë bëjnë çdo gjë në mënyrë të duhur. Sigurisht ekziston çështja e njëmendtë, si dhe sigurisht që është edhe çështja e perceptimit. Nuk mund të kundërshtoj analizën tuaj se çështja e perceptimit është më e madhe se realiteti, por definitivisht ekziston edhe çështja reale. E shohim këtë në anketat e opinionit publik ku në pyetjen: A ju është dashur të paguani ryshfet gjatë vitit të kaluar?, ku një përqindje – nuk e di a është 20 % që e përmendët – por, një përqindje e njerëzve përgjigjen po. Pra, kjo është reale.
KTV: Cilat janë pritjet tuaja pas kësaj jave kur po shohim takime, biseda rreth korrupsionit, konferenca në kapacitet të plotë? A do të jenë njerëzit më të vetëdijshëm për problemin dhe të punojmë më shumë kundër tij?
Ambasadori Delawie: Në thelb, kjo është çka presim. Të ngrejmë vetëdijesimin dhe të nxitim zgjidhje. Diplomatët këtë gjë e bëjnë. Kjo është çka duhet të bëj unë. Nuk kam shkop magjik, prandaj edhe përqendrohem në çështjet që nuk kërkojnë një të tillë. Ne ngrejmë vetëdijesimin, përpiqemi të ndërtojmë mbështetje nga njerëzit, politikanët, burokratët për zgjidhje të arsyeshme që i kemi gjetur.
KTV: Në Kosovë nganjëherë ka shqetësime për administratën e re në Uashington. Si do të duket përfshirja e SHBA-së në rajon dhe veçanërisht në kontekst me Kosovën? A ka ndryshuar diçka së fundmi?
Ambasadori Delawie: Qartazi, prej janarit kemi administratë të re në Shtetet e Bashkuara. Por, sa i përket përkrahjes për Kosovën apo përfshirjes së SHBA-së në Ballkan, Shtetet e Bashkuara mbesin po aq të përkushtuara siç kanë qenë me dekada.
Më lejoni ti kufizoj komentet e mia për Kosovën, për çka mund të flas më drejtpërdrejt. Ka pasur përkrahje të jashtëzakonshme në qeverinë amerikane, përfshirë edhe nga ekipi i ri, për Kosovën. Së voni e kishim këtu zëvendës-ndihmësen e Sekretarit të Mbrojtjes, zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shtetit Hoyt Yee ishte këtu para disa javëve. Para një muaji e ca këtu ishte ambasadorja amerikane në NATO, Kay Bailey Hutchinson. Presidenti Thaçi është takuar me nënpresidentin Pence para dy muaj e ca. Kemi pasur anëtarë të Kongresit dhe Senatit që e kanë vizituar Kosovën gjatë muajve të fundit. Qartazi, ka pasur shumë interesim për Kosovën, ka përfshirje të madhe të SHBA-së për Kosovën dhe pres që kjo të vazhdojë.
KTV: Asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket politikës së SHBA-së ndaj Kosovës…
Ambasadori Delawie: Nuk më vie në mend asgjë e caktuar që ka ndryshuar. Politika jonë, mbështetja jonë për Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi ka mbetur relativisht e qëndrueshme me dekada dhe nuk shoh asnjë ndryshim.
KTV: Spekulimet në medie, thashethëmat për ndarjen e Kosovës sërish jan në tavolinë. Çka mund të thoni për këtë?
Ambasadori Delawie: Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndarja e vendeve apo rindarja e vendeve përgjatë vijave etnike mbetet plotësisht ‘jashtë tavolinës’. Ne… – nuk mendoj që njerëzit i kuptojnë gjithë ato vështirësi që do të dilnin nga ndarjet e popullatave përgjatë vijave etnike. Një autor i famshëm amerikan, H.L. Mencken, njëherë ka thënë: “për çdo problem të ndërlikuar ekziston një zgjidhje e thjeshtë, e qartë dhe e gabuar”. Mendoj se kjo zbatohet në këtë rast. Të kërkosh një zgjidhje të lehtë për t’i hequr një vendi një copë dhe për t’ia dhënë një tjetri në të vërtetë vetëm se do t’i ndërlikonte gjërat dhe do t’i bënte ato më të rrezikshme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta mbështesin integritetin territorial të Kosovës përgjatë kufijve të saj ekzistues, kufij që i ka prej shpalljes së pavarësisë më 2008-tën dhe sigurisht që nuk pres që kjo të ndryshojë.
KTV: Dialogu me Serbinë ka arritur në një fazë kur nuk kemi shumë qartësi se si do të duket. Cili është mendimi juaj për dialogun deri tash dhe cili është vizioni juaj se si duhet të vazhdojë ai?
Ambasadori Delawie: SHBA-ja sigurisht që e mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse mendojmë se është thelbësor për përparimin e të dy vendeve drejt përmbushjeve të aspiratave të tyre evropiane. Do të ishte e pamenduar të mohoja se këtu ekziston një lodhje nga dialogu, por kjo vetëm se e bën më të rëndësishme për ta rigjallëruar punën në dialog. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në dialog prej fillimit. Natyrisht, dialogu udhëhiqet – lehtësohet nga BE-ja, por me mbështetjen fuqishme të SHBA-së. Ne vazhdojmë ta mbështesim atë dhe mendojmë se është me rëndësi të pranohet se dialogu ka sjellë gjëra reale për njerëzit në Kosovë. Shembulli më i fundit është integrimi i sektorit të drejtësisë në veri që filloi para një muaji e ca që u solli sundim të ligjit të Kosovës një popullate që nuk e kishin pasur atë qe sa kohë. Pra, ky është element praktik i dialogut me përmirësimin e jetës së qytetarëve kosovarë. Mund të flasim edhe për gjërat e tjera, si menaxhimi i integruar i kufirit përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, kodi telefonik që është në fazë e sipër për tu vënë në zbatim gjatë muajve të ardhshëm, integrimi i policisë së Kosovës… të gjitha këto gjëra kanë ndodhur si rezultat i dialogut dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun sa më mirë që mundemi në muajt dhe në vitet që do të vijnë.
KTV: Nganjëherë kemi përshtypjen se të gjitha këto marrëveshje që janë arritur nuk po zbatohen dhe njerëzit po e humbin durimin. Për shembull, e përmendët menaxhimin e kufirit apo integrimin e policisë. I kemi pasur marrëveshjet në letër, por nuk e kemi parë zbatimin e plotë të tyre.
Ambasadori Delawie: Më duhet të mos pajtohem me juve paksa. Policia e Kosovës është e integruar. Në veri të Kosovës, policia e Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe ata punojnë për shtabin e përgjithshëm të policisë që është në Prishtinë. Sa i përket menaxhimit të kufirit: tarifat doganore për mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë mbledhen dhe sipas marrëveshjes në dialog, paratë e mbledhura nga tarifat doganore përdoren për mbështetjen e projekteve, shumica në veri. Është një komision që merret me këto gjëra. Natyrisht, ka shumë gjëra që ende janë pezull, por dialogu i ka sjellë Kosovës përfitime të rëndësishme dhe shpresoj që do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë.
KTV: Çka mendoni për kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialog?
Ambasadori Delawie: Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur dialogun prej fillimit, do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë tash dhe në të ardhmen.
KTV: A do të ketë të dërguar të posaçëm apo diçka të tillë, të dërguar të posaçëm nga SHBA-ja në dialog?
Ambasadori Delawie: Nuk kam asgjë për të lajmëruar. Tash për tash po përpiqemi të punojmë me ekipin e BE-së, ekipin e Federica Mogherinit, për të parë se si mund të kontribuojmë sa më mirë për suksesin e dialogut që lehtësohet nga BE-ja. Do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë dhe do të ndryshojmë [mënyrën] sipas nevojës, sipas rrethanave.
KTV: Pra, përgjigja për kryeministrin nga SHBA-ja është: Do të vazhdojmë të jemi të përfshirë siç kemi qenë deri sot?
Ambasadori Delawie: Përgjigja është se do të vazhdojmë të jemi të përfshirë dhe se e mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
KTV: Pauzë të shkurtë për disa reklama. Kthehemi shpejt.
KTV: Z. Ambasador, këtë javë qeveria e Kosovës e dërgoi në Kuvendin e Kosovës ligjin për shënimin e kufirit me Malin e Zi. I dimë përçarjet në debatin për këtë çështje. Çka pritni sa i përket demarkacionit të kufirit.
Ambasadori Delawie: Shtetet e pjekura duhet të merren me çështje të ndërlikuara dhe të merren me to siç duhet. Kosova po i afrohet përvjetorit të dhjetë – që është pas pak muajsh – dhe mendoj se kjo veçanërisht vlen për Kosovën. Pra, e kuptoj se kjo është çështje e ndërlikuar, por mendoj se është me rëndësi ta theksoj se qëndrimi i qeverisë amerikane për këtë marrëveshje nuk ka ndryshuar. Ne kemi thënë në vitin 2015 se marrëveshja për shënimin e kufirit e asaj kohe ka caktuar vijën ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi që ka qenë aty prej vitit 1974, se sipas ekspertëve të Departamentit të Shtetit e kanë bërë këtë në mënyrë korrekte dhe ne e kemi mbështetur atë marrëveshje. Pra, mendoj se është me rëndësi të kuptohet kjo. Arsyeja pse viti 1974 është i rëndësishëm është sepse kjo ishte koha kur kushtetuta e Kosovës thoshte se territori i Kosovës përbëhet nga territori i komunave të Kosovës. E natyrisht, komunat bazohen në regjistrat kadastralë të komunave. Tani, mendoj se ky grupi i ri në thelb e ka miratuar këtë ide, edhe pse ndoshta paqëllimshëm.
KTV: … komisioni i Bulliqit…
Ambasadori Delawie: Po. Në thelb ata thanë: “shihni, nëse i shikoni regjistrat kadastralë, na e merr mendja që ndoshta vini në të njëjtën përgjigje si komisioni i mëparshëm”, por qartazi atyre nuk iu pëlqeu kjo përgjigje. Prandaj, përdorën gjithë ato gjepura dhe shprehje latine në përpjekje për të fshehur…
KTV:… po i quani gjepura…
Ambasadori Delawie: Gjepura… nuk i di si ta përkthej këtë, më falni.
KTV: Do ta përkthejmë fjalën. Po e kuptojmë.
Ambasadori Delawie: … gjepura dhe shprehje latine për ta fshehur atë përfundim. Shikoni, e kuptoj që njerëzit kanë opinione të forta për këtë çështje. E kuptoj se nganjëherë të gjithë do të donim që historia të kishte qenë pak më ndryshe, por mendoj se është me rëndësi të përballemi me shumicën e çështjeve në mënyrë realiste. E realiteti këtu është se kjo është çështje shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës. Unë dëshiroj që Kosova të ketë mundësi ta fitojë liberalizimin e vizave. BE-ja e ka bërë të qartë se çka duhet të bëhet për këtë çështje. Kjo marrëveshje për kufirin është njëra ndër çështjet më të rëndësishme, dhe mendoj se është e qartë që përgjigja për Kosovën, për Kuvendin e Kosovës – tash që kjo çështje është në Kuvend – është se duhet të kalohet marrëveshja për shënimin e kufirit ashtu siç është. Nuk mendoj se njerëzit duhet të bazohen në lajme të rrejshme apo sqarime imagjinare të realiteteve alternative për tu marrë me çështjet e rëndësishme që ndikojnë në të ardhmen e dy milionë kosovarëve dhe mundësitë e tyre për të udhëtuar më lirshëm nëpër Evropë. Veçanërisht kur përgjigja e drejtë është para jush dhe ka qenë aty gjithë kohën.
KTV: Pra, kush po i bën këto lajme të rrejshme për këtë çështje?
Ambasadori Delawie: Fola për gjepura dhe shprehjet latine. Mendoj se është me rëndësi të pranohet se Marrëveshja për shënimin e kufirit, ujdia e vitit 2015, është e drejta. Ajo përfaqëson kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi që ka qenë aty prej vitit 1974 dhe duhet të zyrtarizohet në ligj nga Kuvendi i Kosovës.
KTV: Edhe njëherë, z. ambasador, që të jemi sa më të saktë. A po kërkon SHBA-ja apo ambasada juaj ratifikimin e shënimit të kufirit të nënshkruar në vitin 2015 apo a mbështetni ndonjë marrëveshje të re me Malin e Zi? Sepse po dëgjojmë gjëra të ndryshme nga zyrtarë të ndryshëm të qeverisë apo përfaqësues të ndryshëm të partive politike.
Ambasadori Delawie: Ne, qeveria amerikane, unë, por edhe qeveria ime, e mbështesim marrëveshjen e 2015-tës siç është hartuar dhe miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi. Kjo është vija e saktë. Është ajo që edhe Kuvendi i Kosovës do të duhej ta ratifikojë. Është vija që ka ekzistuar ndërmjet dy vendeve prej kur kanë qenë krahina apo republika autonome dhe është vija që është në flamurin e Kosovës. Është vija e drejtë.
KTV: Dhe ju prisni që deputetët në Kuvendin e Kosovës të votojnë për të?
Ambasadori Delawie: Sigurisht që shpresoj që deputetët të votojnë për të. Është diç që është në interes të qytetarëve të Kosovës, që Kuvendi i Kosovës ta bëjë gjënë e duhur dhe shpresoj që deputetët do t’i lënë anash pikëpamjet e tyre politike dhe të votojnë për të mirën e popullit të Kosovës.
KTV: Çka do të ndodhë nëse nuk votojnë për këtë demarkim?
Ambasadori Delawie: Gjëja e parë që ju mësojnë në shkollën e diplomacisë është të mos i përgjigjemi pyetjeve hipotetike, prandaj do ta kaloj këtë. Do të punoj për ta pasur përgjigjen e drejtë.
KTV: Pra, jeni pozitiv që çështja e shënimit të kufirit do të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Ambasadori Delawie: Do të punoj me shumë mund për të ndihmuar për ti bindur deputetët që do të duhej ta miratojnë këtë marëveshje ekzistuese.
KTV: E çka për kryeministrin Haradinaj, i cili ende po thotë se nuk është i bindur që Kosova nuk po humb terren, nuk po humb tokë?
Ambasadori Delawie: Shtetet e Bashkuara janë të bindura se marrëveshja e 2015-ës është marrëveshja e drejtë.
KTV: Dhe Kosova nuk po humb tokë?
Ambasadori Delawie: Kosova nuk po humb tokë.
KTV: Si e vlerësoni punën e qeverisë së re? Kanë kaluar pothuajse 100 vite të qeverisë Haradinaj…
Ambasadori Delawie: Ditë.
KTV: Ditë. Kërkoj falje.
Ambasadori Delawie: Shikoni, nuk jam këtu për të notuar qeveritë, por sigurisht që po shihet një ndjenjë e energjisë, gjë që është pozitive. Duket që anëtarët e koalicionit qeveritar po punojnë mjaft mirë së bashku; kjo është pozitive. Kuvendi ka filluar t’i miratojë disa ligje, veçanërisht ligjin për liritë fetare, të cilin e mbështesim fort; po punojnë në buxhetin; po fillojnë të punojnë në gjërat e rëndësishme… pra, këto janë elementë pozitivë. Më vjen mirë që qeveria dhe institucionet e qeverisë, përfshirë edhe presidencën, janë nëpër terren duke shpjeguar propozimin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe po përpiqen t’ua shpjegojnë këtë njerëzve. Mendoj se qytetarët e Kosovës duhet të kenë më shumë informata për këtë. Pra, këto janë çështje me rëndësi dhe mendoj se është me rëndësi për qeverinë që të vazhdojë të punojë në të gjitha këto gjëra. Mendoj se është me rëndësi që qeveria të vazhdojë të punojë në agjendën për reformën evropiane, e cila është shumë e rëndësishme për BE-në, rrjedhimisht edhe për të ardhmen e Kosovës. Mendoj se është me rëndësi që Kosova të mund të demonstrojë, që qeveria të mund t’ia demonstrojë Brukselit se mund të kryejë gjëra që janë pozitive për qytetarët e Kosovës dhe janë në përputhje me idetë dhe rregullat evropiane. Pra, të gjitha këto elemente janë pozitive ose do të duhej të vazhdohej puna për to.
KTV: Çka mendoni për madhësinë e qeverisë? Ka shumë kritika sepse janë 21 ministri, si dhe mbi 60 zëvendësministra në qeveri.
Ambasadori Delawie: Nuk më takon mua t’i them Kosovës se si ta udhëheqë qeverinë e saj. Janë dy milionë zyrtarë qeveritarë në SHBA. Natyrisht, e kemi vendin shumë më të madh, por kjo nuk është puna ime.
KTV: Si i shihni rezultatet e zgjedhjeve lokale? Gjithçka që ngjau gjatë fushatës zgjedhore, në ditën e zgjedhjeve dhe gjithçka që pasoi.
Ambasadori Delawie: T’ia fillojmë me ditën e zgjedhjeve sepse mendoj se dita e zgjedhjeve ka shkuar shumë mirë. Të dy ditët e zgjedhjeve… në fakt, të gjitha ditët e zgjedhjeve në 2017-tën. Ky ishte viti më i mirë zgjedhor që Kosova ka pasur ndonjëherë. Mendoj se kur gjithçka nuk shkon saktësisht siç duhet, mendoj se është me rëndësi ta mbajmë mend se ka pasur rritje të madhe në Kosovë, përfshirë edhe në demokracinë e Kosovës dhe shumë vende do t’ia kishin zili Kosovës për mënyrën se si i organizoi zgjedhjet gjatë 2017-tës. Pra, ditët e zgjedhjeve ishin në përgjithësi shumë të mira. Ka pasur disa probleme, shumica e të cilave u vërejtën dhe u trajtuan nga institucionet kosovare dhe kjo është diçka e mirë. E kam thënë edhe më parë, në komunitetet pakicë, isha i zhgënjyer sespe nuk pati më shumë demokraci, nuk pati më shumë kandidatë në disa prej komunave të pakicave. Është vështirë të kesh zgjedhje demokratike me vetëm një kandidat. Është vështirë të kesh zgjedhje demokratike kur të huajt përzihen në fushatë. Pra, kjo ishte sfidë. Duhet të punojmë në këtë gjë. Por, në përgjithësi, ndjehem mjaft pozitiv për zgjedhjet lokale. Tash, natyrisht i ftoj të gjithë zyrtarët e Kosovës, sidomos zyrtarët e qeverive komunale dhe të asaj qendrore, tash që periudha e zgjedhjeve pothuajse përfundoi – përveç Istogut – mendoj se është me rëndësi që njerëzit të shtrëngohen dhe të thonë: “Si do t’iu ndihmoj qytetarëve të mi, të gjithë qytetarëve të Kosovës, për të cilët jam përgjegjës dhe të bëj gjëra që kanë rëndësi për ta”? Sepse tash që politika e zgjedhje përfundoi, është koha që të gjithë këta njerëz që janë përzgjedhur nga votuesit të fillojnë të punojnë për votuesit dhe shpresoj që do ta bëjnë këtë gjë.
KTV: Ambasador Delawie, ju faleminderit për intervistën.
Ambasadori Delawie: Me nder qofshi, Adriatik.
KTV: Kënaqësia ime, ju faleminderit.