Intervista e Ambasadorit Delawie për RTK2, 9 qershor, 2017
RTK 2: Z. Ambasador, cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm për procesin zgjedhor dhe, në veçanti, çfarë duhet të bëhet në mënyrë që veçanërisht serbët të kenë zgjedhje të lira në ditën e zgjedhjeve dhe duke pasur parasysh deklaratën që ambasadorët e Kuintit e lëshuan disa ditë më parë?
Ambasadori Delawie: Ju faleminderit shumë, është mirë që ju kemi këtu. Para së gjithash, mendoj, në përgjithësi në tërë vendin, gjërat janë duke shkuar shumë mirë. Jam shumë i lumtur që shoqëria civile dhe mediet, si ju, po u japin votuesve shumë informacione lidhur me qëndrimet e kandidatëve, ku mund të votojnë dhe gjëra të tilla. Pra, ndjehem shumë mirë për këtë. Natyrisht, niveli i dhunës ka qenë shumë i ulët, gjë që është mirë. Shpresoj që kjo të vazhdojë gjatë tërë ditës së zgjedhjeve dhe më pas. Pra, në përgjithësi, gjërat janë duke shkuar shumë mirë, megjithëse, siç e thatë edhe ju, unë kam qenë i shqetësuar për raporte të ndërhyrjes dhe kërcënimeve, veçanërisht në komunitetin e serbëve dhe goranëve të Kosovës. Mendoj që është shumë me rëndësi që çdokush të jetë në gjendje të votojë si të dëshirojë, për cilindo kandidat që dëshiron të votojë, pa asnjë lloj frikësimi apo ndërhyrjeje nga ndonjë parti tjetër. Pra, gjëja më e rëndësishme për mua është që këto zgjedhje duhet ta shprehin vullnetin e votuesve në tërësi. Por çdokush duhet të jetë në gjendje të votojë për cilindo kandidat që dëshiron, pa ndikimin e askujt në atë vendim.
RTK 2: Cili duhet të jetë roli i serbëve të Kosovës në institucionet e ardhshme?
Ambasadori Delawie: Nuk dua të pandeh si do të mund të përfundojnë negociatat e ardhshme për koalicione, por e di që do të kenë rol të rëndësishëm. Çështjet e mia kryesore janë gjërat si zhvillimi ekonomik dhe anti-korrupsioni, që janë të rëndësishme, mendoj, për të gjithë votuesit e Kosovës, pavarësisht komunitetit që i përkasin. E di sidomos që komuniteti serb i Kosovës është shumë i interesuar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kaloj shumë kohë në këtë çështje, mendoj se është shumë me rëndësi të themelohet. Ky është zotimi që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë vite më parë, ky ishte zotim në Planin e Ahtisarit nga viti 2008. Pra, kjo është diçka që duhet të bëhet. Është diçka që do ta përmirësojë jetën e qytetarëve serbë të Kosovës, por edhe të qytetarëve të tjerë. E di që kryetaret e tjera joshumicë janë të interesuara për shkollim më cilësor në gjuhën e tyre në shkollat e Kosovës. Ata janë të interesuara në gjërat si zbatimi i rreptë i kuotës së punësimit prej dhjetë për qind në shërbimin civil dhe gjëra të tilla. Këto janë të gjitha gjëra që qeveria e ardhshme, kushdo që të jetë në të, do të duhet të punojë për të mirën e komuniteteve pakicë dhe të komuniteteve shumicë.
RTK 2: Z. Ambasador, cila është porosia juaj për votuesit këtë fundjavë?
Ambasadori Delawie: Gjëja më e rëndësishme është të dilni dhe të votoni. Dilni dhe votoni, shprehni dëshirat tuaja për kandidatët që ju dëshironi t’i shihni duke i prirë Kosovës në të ardhmen. Shpresoj që njerëzit do të zgjedhin me mençuri, do t’i zgjedhin kandidatët që do ta përfaqësojnë vizionin e tyre për Kosovën e të ardhmes, për një Kosovë që po shkon drejt rrugës evropiane, drejt integrimit të plotë në institucionet evropiane. Mund t’ju them se ne do të jemi jashtë, në terren. Ambasada ime do t’i ketë 40 ekipe të cilat do t’i vëzhgojnë zgjedhjet të dielën. Ne do ta vëzhgojmë edhe procesin e votimin edhe procesin e numërimit, pra, do të bëjmë ç’mundemi, së bashku me partnerët e tjerë vendas e ndërkombëtarë, për të siguruar që vullneti i votuesve shprehet në mënyrë të drejtë dhe që nuk ka mashtrime apo probleme të tjera zgjedhore. Por, votoni. Kjo është porosia kryesore. Ju lutem, dilni dhe votoni. Të gjithë ndjehemi më mirë nëse ka pjesëmarrje të madhe të votuesve të dielën.
RTK 2: Ju faleminderit shumë.
Ambasadori Delawie: Me nder qofshi. Ju faleminderit.