Intervista e ambasadorit Delawie për RTK-në

Intervista e ambasadorit Delawie për RTK-në, 11 maj 2017

RTK: Z. ambassador, dje deputetët e Kosovës e votuan mocionin e mosbesimit për qeverinë e Kosovës. Pastaj, presidenti miratoi shpërndarjen e Kuvendit. Si e shihni këtë zhvillim?

Ambasadori Delawie: Së pari, është për të ardhur keq që partitë politike nuk arritën t’i zgjidhnin dallimet e tyre politike për të vazhduar të punojnë për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Është për të ardhur keq që po hyjmë në një periudhë, ku do të ketë një palëvizshmëri zgjedhore për një periudhë kohore derisa të mbahen zgjedhjet, të formohet qeveria dhe gjërat e tilla – kur jo shumëçka do të kryhet. Mendoj se është me rëndësi ta kuptojmë se bota nuk do të qëndrojë në një vend derisa Kosova ta gjejë vetveten. Prandaj, unë shpresoj që të gjithë të lëvizin nëpër këtë proces sa më shpejt që është e mundur ashtu që zyrtarët e ri të zgjedhen dhe të emërohen për të filluar të punojnë së bashku për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

RTK: Para disa javëve e intervistova Ndihmës-sekretarin e Shtetit Yee dhe ai pat thënë se nuk është ide e mirë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme në Kosovë sepse kjo do t’i vononte proceset e rëndësishme në vend. Edhe ju e keni përmendur këtë gjatë takimeve tuaja me udhëheqësit kosovarë. Çka do të ndodhë tash, cila është faza e ardhshme në skenën politike kosovare?

Ambasadori Delawie: Mendoj se ju e dini, siç e di edhe unë, çka kërkon Kushtetuta, çka do të ndodhë në periudhën e zgjedhjeve. Mendoj se është shumë me rëndësi që partitë politike, të cilat me siguri tashmë kanë filluar t’i përpilojnë listat e kandidatëve për zgjedhje, të shikojnë çfarë njerëzish po i vënë në ato lista. A pasqyrojnë ata njerëz larminë gjinore, etnike dhe të moshës së qytetarëve të Kosovës? A janë ata njerëz që janë njollosur nga korrupsioni apo jo? A janë ata njerëz që do të përpiqen të gjejnë mënyrën që Kosova ta arrijë të ardhmen e saj si pjesë e Evropës? A janë ata njërëz që do të punojnë për prioritetin e parë për të mirën e Kosovës? Jo, të vëllaut të tyre apo të ish-ortakut afarist apo të anëtarit të partisë së tyre apo diçka të tillë. Si dhe, a janë këta njerëz që do ta frymëzojnë rininë e Kosovës? Pikë së pari, [për t’i frymëzuar të rinjtë] për të dalur për të votuar sepse është shumë me rëndësi, e pastaj edhe për të ndihmuar për t’i udhëhequr drejt të ardhmes. Mendoj se shumë njerëz harrojnë se gjysma e popullatës së Kosovës është nën moshën 25 vjeçare dhe mendoj se duhet të shohim më shumë thirrje për atë grupmoshë kyçe.

RTK: Sipas jush, çka do të ndodhë me proceset e rëndësishme si demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]?

Ambasadori Delawie: Ka pasur përfundimisht disa mundësi të humbura dhe më vjen keq për to. Sigurisht që Marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi është njëra ndër to. Çështja do të vazhdojë të jetë e pranishme; nuk do të ikë tutje. Më duhet të them sërish se Marrëveshja për shënimin e kufirit e arritur me Malin e Zi ishte marrëveshje e drejtë; pasqyron kufirin aktual ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Isha i zhgënjyer që qeveria nuk e dërgoi marrëveshjen në Kuvend. Isha sigurisht i zhgënjyer kur dëgjoja aq shumë trillime për këtë. I zhgënjyer të shoh aq shumë njerëz duke sakrifikuar të ardhmen e të rinjve kosovarë për përfitime politike. Ka edhe çështje të tjera, sigurisht. Kosova duhet të përparojë më shumë sa i përket liberalizimit të vizave. BE-ja e ka hartuar listën. Qeveria e ardhshme e Kosovës do të duhet të vazhdojë ta ekzekutojë atë listë. Marrëdhëniet me fqinjët janë shumë të rëndësishme. Kosova nuk do të bëjë përparim të njëmendtë drejt të ardhmes së saj si shtet normal evropian pa pasur marrëdhënie më të mira me fqinjtë e saj. S’është gjë e lehtë, e di, por është absolutisht thelbësore dhe duhet të bëhet. Dhe natyrisht, çështja ime hobi: sundimi i ligjit – na duhet më shumë përparim në sundimin e ligjit. Kosovës i duhet zhvillim ekonomik për ta trajtuar çështjen më të vështirë eknomike, që është papunësia rreth 30 % apo ashtu disi. Për të pasur zhvillim më të mirë ekonomik, ju duhet më shumë sundim i ligjit, sepse investitorët e jashtëm dhe të brendshëm ka më pak gjasa që do të investojnë këtu nëse nuk ka përmirësim të sundimit të ligjit.

RTK: A ka gjasa që do të përballemi me situatë të ngjashme edhe me qeverinë e re, po mendoj sa i përket proceseve të rëndësishme si demarkacioni dhe asociacion?

Ambasadori Delawie: Shikoni, qeverisja nuk është e lehtë. Jam zyrtar qeveritar më shumë se 30 vjet. Duhet të merrni vendime të vështira. Duhet të ecni përpara. Pa marrë parasysh çka bëni, dikush do të mbesë i zhgënjyer. E di këtë. Prandaj, iu takon vetë njerëzve që po shqyrtojnë mundësinë për të kandiduar për Kuvend ose në zgjedhjet që po vijnë që ta marrin atë vendim: mirë, a jam i gatshëm të marr vendime të vështira? A jam i gatshëm të ec përpara dhe a jam i gatshëm të punoj për popullin e Kosovës? Dhe duhet ta dini kur t’i hyni kësaj rruge se pa marrë parasysh çfarë vendimi merrni, dikush nuk do të jetë i lumtur me atë vendim. Por, përderisa ju jeni i bindur se po punoni për të mirën e vendit tuaj, shpresoj se ju do të jeni në rregull me atë vendim.

RTK: Ka pasur shqetësime se mund të ketë gjasa që zgjedhjet të manipulohen. A do të përfshihen mekanizmat ndërkombëtarë në këto zgjedhje që kjo gjë të mos ndodhë?

Ambasadori Delawie: Mund t’ju them se tashmë i kam anuluar pushimet për të gjithë kolegët e mi për dy datat e mundshme të zgjedhjeve në qershor. Do të jemi aty. Do t’i vëzhgojmë. Shpresojmë moti të jetë si sot, por do të jemi aty sido që të jetë. Do të punojmë ngushtë me kolegët dhe partnerët tanë nga bashkësia ndërkombëtare. E di se shumë organizata të huaja, ndërkombëtare janë të interesuara për këtë gjë dhe do të jenë aty në numër të madh. Është shumë me rëndësi që Kosova të ketë zgjedhje të besueshme. Natyrisht, kjo është me rëndësi për qytetarët e Kosovës, por edhe për partnerët e Kosovës në Evropë. Njerëzit duan ta dinë se rezultati i zgjedhjeve pasqyron vullnetin e qytetarëve. Kjo është me rëndësi jetike. Mendoj, po ashtu është me rëndësi që Kosova të mund të japë shembull pozitiv se si mund dhe duhet të mbahen zgjedhje në një rajon ku kjo gjë nuk ndodh gjithmonë.

RTK: Cila është porosia juaj në prag të fushatës zgjedhore?

Ambasadori Delawie: Dëshiroj që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në to. E kuptoj se ekziston problemi i lodhjes me zgjedhje, por janë të pakta vendimet e rëndësishme që qytetarët e Kosovës do t’i marrin gjatë këtij viti që janë më të rëndësishme se sa vendimi se si do të votojnë. Ata duhet të dalin [në zgjedhje]. Duhet të votojnë. Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në zgjedhje do të jetë thelbësore. Do ta bëjë qeverinë e ardhshme më të fortë. Do ta bëjë qeverinë e ardhshme më të aftë për të negociuar me partnerët evropianë. Do t’i japë qeverisë së ardhshme më shumë mundësi për t’i kryer punët, si sundimi i ligjit. Pra, kjo është porosia ime më kryesore.

Diçka tjetër që dua të them: është shumë me rëndësi që të gjithë zyrtarët qeveritarë, qofshin shërbyesë civilë si unë, apo të emëruar politikë që mbesin në detyrë, të ri-zotohen për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve të Kosovës. Çdo grupi, çdo qytetari, në mënyrë të barabartë. Jepjuani atyre përkushtimin tuaj të plotë si shërbyes publik.

Dhe në fund, Shtetet e Bashkuara të Amerikës natyrisht vazhdojnë t’i qëndrojnë në krah Kosovës. Do të punojmë me shumë mund, siç kemi bërë deri tash, për t’i mbështetur përpjekjet e Kosovës për përmirësimin e sundimit të ligjit, për zhvillim ekonomik dhe siguri rajonale. Sigurisht që e mbështesim Kosovën në rrugëtimin e saj për tu bërë shtet i zakonshëm evropian si çdo shtet tjetër.

RTK: Ju faleminderit, z. Ambasador.

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit.