KosSev: Sapo keni ardhur në Kosovë. Cilat janë përshtypjet tuaja të deritashme?
Ambasadori: Ju faleminderit për këtë pyetje. Përshtypjet e mia për Kosovën deri tash janë shumë pozitive. Sot janë bërë pikërisht katër javë prej se kam ardhur këtu. Kam udhëtuar mjaft shumë; jam takuar me shumë njerëz dhe këtu e shoh një vend i cili ka arritur shumë që prej luftës. Po ashtu, e shoh që njerëzit i kanë paksa gjërat me padurim: duan që gjërat të bëhen më shpejt dhe dëshirojnë të shohim më shumë përparim. Ata dëshirojnë ta shohin Kosovën plotësisht të integruar në institucionet evropiane. Unë i mbështes këto synime dhe nuk shoh asgjë të keqe në këtë nxitim të njerëzve. Pa këtë lloj padurimi ndër popullatë, me siguri ne që jemi në qeveri nuk do të punonim kaq shumë. Pra, këto janë përshtypjet e mia: përshtypje shumë pozitive.
KosSev: A keni qenë në Kosovë më parë?
Ambasadori: Nuk kam qenë asnjëherë më parë në Kosovë deri para sot katër javëve.
KosSev: A keni vizituar vende me shumicë serbe dhe cilat janë përshtypjet tuaja nga ato vende?
Ambasadori: Kjo është hera e parë që po vi në veri të Kosovës dhe jam takuar me kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në Kosovë, kurse javën e kaluar isha në Graçanicë, ku u takova me kryetarin e komunës Kostiq dhe me peshkopin Teodosije. Pra, i bie që kjo është dita e dytë duke vizituar komuna me shumicë serbe.
KosSev: Çka keni bërë së pari pas arritjes suaj këtu?
Ambasadori: Dita e parë e punës ka qenë shumë e ngarkuar. Gjëja e parë që kam bërë ishte të bisedoja me stafin tim në ambasadë. Si ambasador, unë i kam shumë detyra, por detyra e parë dhe më e rëndësishmja është ta menaxhoj ambasadën amerikane dhe disa qindra njerëz që punojnë aty: shumë prej tyre janë amerikanë, por shumica e stafit tonë janë qytetarë kosovarë. Pra, mbajtëm një mbledhje të hapur – apo kuvend, siç e quajmë në Shtetet e Bashkuara – ku u takova me stafin e ambasadës në Prishtinë dhe pastaj kam shkuar te Presidentja Jahjaga, të cilës ia kam dorëzuar letrën nga Presidenti Obama, me të cilën ai më rekomandonte si ambasadorin e tij në Kosovë dhe pastaj e patëm një ceremoni të këndshme në zyrën e Presidentes, e cila më pëlqeu shumë. Pastaj, kemi shkuar te kryeministri Mustafa për tu takuar me të dhe me ekipin e tij kryesor për të biseduar rreth prioriteteve të mia në Kosovë dhe rreth çështjeve që janë të rëndësishme për të. E pas kësaj kemi shkuar në qendër të Prishtinës në Panairin e Mjedrave. Ky projekt mbështetet nga USAID-i dhe përmes tij ndihmohen bujqit për kultivimin e mjedrave, të cilat janë prodhim me vlerë të lartë ushqyese. Pra, ecëm nëpër sheshin “Nëna Tereze” në Prishtinë dhe aty ishin gjithë ato tezga të vogla me mjedra të freskëta apo me prodhime të mjedrës, si xhem apo lëng mjedre, si dhe bisedova me bujqit për kultivimin e mjedrës. Kjo gjë ishte shumë e këndshme dhe natyrisht, pata rastin të haja shumë mjedra, që ishte diçka e mirë.
KosSev: Cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm rreth gjendjes së tanishme politike dhe të sigurisë në Kosovë?
Ambasadori: Paj, të shohim. T’ia fillojmë nga politika, mendoj se vendimet e kohëve të fundit të qeverisë dhe të kuvendit për disa çështje të vështira, si Gjykata Speciale dhe marrëveshjet nga dialogu me Serbinë, tregojnë pjekuri të konsiderueshme politike. Këto çështje fare nuk ishin të pëlqyeshme, por prapëseprapë qeveria dhe kuvendi ia dolën që të merren vesh dhe të votojnë për Gjykatën Speciale. Pra, mendoj se kjo ishte shumë e rëndësishme. Çdo qeveri mund të miratojë ligje të cilat përkahen nga të gjithë, por mendoj se nevojitet një qeveri e pjekur për të miratuar ligje, të cilat jo gjithmonë përkrahen nga populli, por të cilat janë të domosdoshme për të ardhmen e vendit. Pikëpamja ime është se Kosova ka të ardhme në të gjitha institucionet në Evropë, si në institucionet e sigurisë, në ato të demokracisë dhe të ekonomisë dhe marrja e disa prej këtyre hapave të vështirë, marrëveshjet nga dialogu, Gjykata Speciale, ishin të domosdoshëm për pajtimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për integrimin e plotë të Kosovës në institucionet evropiane. Pra, mendoj se marrëveshjet nga dialogu, të përmbyllura muajin e kaluar paraqesin sukses të plot për të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë.
Në rrafshin e sigurisë, përshtypjet e mia të deritanishme janë se Policia e Kosovës po kryen një punë të mirë anekënd Kosovës dhe që respekti që e ka fituar nga të gjitha komunitetet nëpër tërë vendin demonstron që ajo ka aftësi të mira, të cilat po rriten edhe më tej. Çështjet tjera të rëndësishme të sigurisë kanë të bëjnë me tranzicionin shkallë-shkallë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës, e ky tranzicion duhet të bëhet duke marrë parasysh ndjeshmërinë e historisë së Kosovës dhe të komuniteteve që jetojnë këtu. Po ashtu, një çështje tjetër e rëndësishme në aspektin e sigurisë është puna e Kosovës si pjesë e koalicionit kundër ISIS-it dhe e kam parë që qeveria dje ka miratuar politikën e re mbi luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, gjë që është shumë e rëndësishme.
KosSev: Në fund, cila është porosia juaj për shqiptarët dhe serbët e Kosovës?
Ambasadori: Llojshmëria dhe respekti për të tjerët në thelb paraqesin themelin e demokracisë shumetnike. Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është që të nxisë vazhdimin e zhvillimit të një demokracie shumetnike në Kosovë. Marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës janë çelësi i paqes së qëndrueshme dhe i zhvillimit në rajon, si dhe janë thelbësore për të ardhmen e vendit. E për këtë, ju të gjithë, të gjithë qytetarët e këtushëm bartin përgjegjësi personale dhe kombëtare, ma merr mendja mua, për të punuar së bashku për të ndërtuar komunitete më të fuqishme që i vlerësojnë të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh dallimet e tyre në prejardhje, besime, mendime. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të ardhmen e Kosovës si anëtare e plotë e komunitetit evropian të kombeve. Ne besojmë se ky është qëllim i përbashkët edhe i shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me të gjitha komunitetet e Kosovës për ta arritur këtë synim.
KosSev: Ju faleminderit shumë. Ishte kënaqësi që ju takova.
Ambasadori: Ju faleminderit.