Intervista e ambasadorit Delawie për KTV, maj 9, 2017
KTV: Ka pasur shumë zhvillime gjatë dy ditëve të fundit. Cili ishte roli i ambasadës, veçanërisht në bisedimet që janë mbajtur brenda Kuvendit?
Ambasadori Delawie: Jam takuar me një numër të deputetëve nga disa parti të ndryshme për të promovuar kalimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. E kam bërë të qartë se Departamenti i Shtetit i ka shqyrtuar me kujdes dokumentet që ndërlidhen me këtë marrëveshje dhe ka përkufizuar se ajo pasqyron saktësisht kufirin e shënuar në planin e Ahtisaarit dhe në Kushtetutën e Kosovës. Kjo ishte e para.
Kam kërkuar nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës ta dërgojnë projekt-marrëveshjen në Kuvend menjëherë dhe po iu kërkoj deputetëve që të votojnë për këtë çështje menjëherë.
E theksova se kjo çështje në të vërtetë e ka tronditur Kosovën gjatë viteve të fundit dhe që ka ardhur koha që të vihet në votim dhe të kalohet ashtu që deputetët dhe zyrtarët e qeverisë e Kosovës të fillojnë të merren me problemet e tjera me të cilat përballet vendi.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje tani, mendoj, është hapi më i rëndësishëm që Kosova mund ta ndërmarrë për ta avancuar rrugëtimin e saj drejt qendrës së Evropës.
E kam thënë në të kaluarën se ambiciet e mia janë që Kosova ta gjejë vendin e saj në komunitetin e kombeve evropiane si çdo shtet tjetër në kontinent. E di nga bisedat e mia me mijëra njerëz se këtë gjë e dëshiron shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, veçanërisht të rinjtë që e përbëjnë gjysmën e popullatës, pra nën moshën 25 vjeçare.
E di se rruga prej të sotshmes deri te e ardhmja në zemër të Evropës do të kërkojë disa vendime të vështira. Por, më duhet të them se marrëveshja për shënimin e kufirit nuk është njëra ndër to. Është e drejtpërdrejtë dhe është e saktë.
Iu bëj thirrje të gjithë atyre që e kundërshtojnë marrëveshjen për kufi – të çfarëdo partie politike qofshin ata – të reflektojnë rreth kësaj çështje dhe të shqyrtojnë se a e shohin edha ata vendin e tyre duke qenë në zemër të Evropës.
Mendoj se në fund të fundit, marrëveshja për shënimin e kufirit është në duart e qeverisë dhe të deputetëve. Dhe do të jetë veprimi – apo mosveprimi – i tyre që do të diktojë rezultatin e marrëveshjes dhe rolin e kësaj marrëveshjeje në të ardhmen e Kosovës në Evropë.
Ju faleminderit shumë.