Intervista e ambasadorit Delawie për KTV

Intervista e ambasadorit Delawie për KTV, 11 gusht 2017

KTV: Zoti ambasador, cili është mendimi juaj për situatën e fundit në Kosovë? Për moskrijimin e Parlamentit dhe mosvotimin e Kryetarit të Kuvendit?

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit, më vjen shumë mirë që po ju shoh sot.

Mendoj se çka duhet të shohim është zgjidhje kosovare.  Matematika është e pacenueshme.  I keni tri grupe, e secila prej tyre i ka përafërisht rreth 1/3 të deputetëve.  Është e qartë se duhet të ketë ndonjë kompromis dhe që duhet të ketë kompromis të nxjerrë nga vetë kosovarët, jo kompromis që krijohet nga të huajt.  Mendoj se është me të vërtetë me rëndësi që të gjithë politikanët kosovarë të gjejnë mënyrën që t’i vënë në vend të parë interesat e vendit të tyre, jo të familjeve të tyre apo të partive të tyre politike, por interesat e vendit.  Është me të vërtetë e rëndësishme që Kosova ta ketë Kuvendin; që Kosova ta ketë qeverinë.  Bota thjesht nuk do të presë që Kosova ta gjejë veten.  Bota po ec përpara dhe Kosova duhet të ecë, gjithashtu.  Ky vendqëndrim duhet të përfundojë.  Dhe do t’i nxisja të gjithë politikanët këtu që ta gjejnë mënyrën për t’i shtyrë përpara interesat e Kosovës; për t’i shtyrë përpara interesat e qytetarëve të Kosovës.

KTV: Duke marrë parasysh që koalicioni që ka fituar zgjedhjet, në këtë rast PAN-i, nuk është duke e pasur shumicën parlamentare, si mendoni se duhet të veprojnë?

Ambasadori Delawie: Nuk do t’ju jap këshilla individuale asnjërës parti politike apo koalicioni.  Këshilla ime iu drejtohet të gjithë politikanëve të Kosovës dhe është që të gjejnë mënyrë për t’i vënë në vend të parë interesat e vendit të tyre ashtu që Kosova të mund të vazhdojë të përparojë në rrugën e saj drejt institucioneve evropiane dhe normalizimit të marrëdhënieve të saj me botën.

KTV: Kohëve të fundit, është një deklaratë e Presidentit të Serbisë Vuçiq, i cili e ka shkruar një editorial, në bazë të të cilit ka treguar dhe ka thënë se Serbia dhe të gjitha vendet e tjera duhet ta pranojnë realitetin e ri në Kosovë.  Çka mendoni se do të thotë kjo për Kosovën dhe Serbinë, për marrëdhëniet e tyre?

Ambasadori Delawie: Nuk e di se çka ka saktë në mendje Presidenti Vuçiq, por sigurisht jam i lumtur që po e dëgjoj duke folur për kompromis dhe pranim të realitetit.  Sigurisht që për Kosovën dhe Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është thelbësor që ato të dyja të përparojnë drejt institucioneve evropiane, për të cilat flasin të dy vendet.  Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka sjellë përfitime të vërteta pozitive për Kosovën, si p.sh. mbledhja e taksës doganore në kufirin verior, integrimi i policisë, gjërat e tilla.  Por, nuk mund të mohoni se kohëve të fundit dialogu ka ngecur.  Mendoj se është shumë me rëndësi, të paktën për interesat e Kosovës, që dialogu të rimarrë energji dhe që të dy vendet të punojnë drejt normalizimit, të cilit i janë përkushtuar.

KTV:  Ju faleminderit.

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit.