Intervista e ambasadorit Delawie për Kossev

Intervista e ambasadorit Delawie për Kossev, 5 mars 2018


 

Kossev: Kjo ka qenë vizita juaj e parë pas vrasjes së liderit politik serb, z. Oliver Ivanoviq. Ambasada reagoi menjëherë pas kësaj ngjarjeje tragjike – ju e dënuat ashpër këtë rast. Dhe, po e kaloni ditën – tërë ditën e lume këtu, në Mitrovicën e Veriut. Me kë jeni takuar dhe si është situata?

Ambasadori Delawie: Së pari, ju falënderoj shumë që më keni ftuar këtu sot, me të vërtetë e çmoj këtë. Kemi qenë rreth e rrotull – në disa vende në qytet dhe i kam edhe dy vende për t’i vizituar. Mendoj që filluam me gjykatën, gjykatën e re, për t’u takuar me kryetarin e gjykatës Kabashiq, i cili po bën një punë të mrekullueshme duke u përpjekur t’i bashkojë pjesët e sundimit të ligjit përsëri për veriun dhe e respektoj atë dhe të gjithë kolegët e tij në gjykatë për rifillimin e punës së gjykatës dhe të prokurorisë në veri. Mendoj që është një përpjekje e mrekullueshme. Mbase është më vështirë se që është pritur. Por, ajo që janë duke bërë vërtet më ka lënë përshtypje.

Së dyti, unë eca afër vendit të ndërtimit të urës. Duket sikur gjërat po lëvizin përsëri, gjë që është e mrekullueshme. Shpresoj që projekti të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Duket sikur nuk ka shumë punë për të bërë dhe, natyrisht, mendoj që të gjithë do të ishim më të lumtur sikur njerëzit të mund të ecin dhe kalojnë nëpër urë, siç ishte menduar përherë.

U takova me kryetarin Rakiq. Pata një bisedë të mirë me të rreth përparësive të tij për qytetin dhe rolin e tij si lider i Listës Serbe. Bisedova me disa anëtarë të shoqërisë civile. Tani po flas me ju këtu dhe më pas do ta vizitojmë një projekt të USAID-it, e pak më vonë edhe një furrë buke. Pra, kam një ditë të ngjeshur, por është ditë e mirë.

Kossev: A mendoni që kjo është një ditë e mirë në të vërtetë – a është situata premtuese, pas vrasjes ose a e shihni dallimin?

Ambasadori Delawie: Mendoj se jeta po vazhdon, gjë që është mirë. Mendoj që është bërë e qartë që vrasja e tmerrshme, tragjike e z. Ivanoviq nuk ishte domosdo incident ndëretnik. Nuk e dimë kush, natyrisht, nuk kemi ende fakte për vrasjen. Por mendoj se fakti që njerëzit nuk po i fajësojnë komunitetet e tjera për këtë është shumë pozitive. Dhe unë do të doja ta interpretoja këtë si pjesë të përmirësimit gradual në marrëdhëniet ndërkomunale midis serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës.

Kossev: Z. Delawie, Oliver Ivanoviqi u ishte ekspozuar sulmeve më brutale verbale gjatë kësaj kohe të shkurtër të veprimtarisë së tij politike, pas lirimit nga gjykata. Prona e tij private gjithashtu ishte shkatërruar gjatë zgjedhjeve lokale, sikur edhe e kandidatëve të tjerë të opozitës serbe. Ndonëse vendet e mëdha patën një qasje të fortë vokale gjatë votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që nga qershori i kaluar, ky nuk ishte rasti për zgjedhjet lokale të Kosovës. Mbeti kryesisht i heshtur, pse ndodhi kështu?

Ambasadori Delawie: Mendoj që më duhet të mos pajtohem me ju në këtë çështje. Kemi lëshuar një deklaratë të vendeve të Kuintit në shtator lidhur me frikësimin që çoi deri në zgjedhjet lokale. I kam dhënë një intervistë Radios KiM, mendoj që ishte në tetor, me ç’rast e dënova ndërhyrjen dhe kërcënimin në zgjedhje. Mendoj që kemi qenë mjaft të zëshëm për ndërhyrje në atë që duhet të jetë proces krejtësisht demokratik, zgjedhja e zyrtarëve lokalë. Natyrisht, Misioni Vëzhgues i BE-së, që ishte këtu gjatë zgjedhjeve lokale, foli për këtë problem, për ndërhyrje në zgjedhje. Mendova që ata lëshuan një deklaratë shumë të mirë pas kësaj. Më duhet të them që kemi dëgjuar tregime për lloje të ndryshme të frikësimit, kërcënimit ekonomik dhe të tjera. Isha i zhgënjyer që nuk pati më tepër kandidatë në zgjedhje. Mendoj që 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit vërtet nuk do të duhej të shihnim zgjedhje me një kandidat të vetëm në një vend demokratik.

Ka gjëra që në të cilat duhet të punohet këtu. Nëse nuk kam folur mjaft për frikësimin, atëherë do të flas më tepër për këtë, sepse nëse nuk keni njerëz që mendojnë se mund të kandidojnë për post, pavarësisht pikëpamjeve të tyre politike, pa marrë parasysh me kë kanë lidhje ose me kë janë të lidhur, atëherë duhet ta vësh në pikëpyetje demokracinë. A dëshironi që të gjithë të jenë në gjendje të konkurrojnë për postin e zgjedhur, pa marrë parasysh a është në nivelin lokal, nga niveli qendror, që dëshiron të kandidojë? Dhe pastaj t’i lëmë votuesit të vendosin. Nuk u takon qeverive të vendosin kush duhet të jetë në gjendje të kandidojë për post, votuesit duhet të vendosin për personat që dëshirojnë t’i përfaqësojë ata.

Kossev: U referohesha më tepër vendeve të Kuintit, e jo Misionit Monitorues të BE-së nga Brukseli, por po e kuptoj. Ishte një temë tjetër që tërhoqi shumë më tepër vëmendje, ishte që vetëm pas vrasjes, informacioni që u lëshua nga Departamenti i Shtetit më 12 janar, vetëm 4 ditë para vrasjes, dhe më pas edhe një informacion tjetër nga Gjermania në lidhje me udhëzimet për udhëtim për qytetarët amerikanë duke rekomanduar, siç ishte specifikuar, vëmendje të shtuar për ata që udhëtojnë në Kosovë, përfshirë veriun e Kosovës. Këtij informacioni iu kushtua vëmendja qendrore nga mediat e Beogradit dhe pas vrasjes kishte jo vetëm shumë spekulime, por kishte edhe një pyetje shumë të qartë të ngritur në publik. A kishte ndonjë bazë për këtë? A ishte në dijeni Departamenti i Shtetit, nëse jo për vrasjen në fjalë, për ndonjë kërcënim të mundshëm?

Ambasadori Delawie: Fatkeqësisht, ka pasur shumë keqinformime për këtë. Nëse e shikoni uebsajtin e Departamentit të Shtetit, do të shihni se këshillat për udhëtim për çdo vend në botë janë ndryshuar po atë ditë. Nuk ishte vetëm Kosova, ishte çdo vend në botë, dhe ishte vetëm një rifreskim kompjuterik i uebsajtit. Kjo është pika e parë. Pika e dytë, i kemi rishikuar këshillat për udhëtim për vitin e kaluar në parim për Kosovën, përfshirë veriun, dhe të gjitha janë në parim të njëjta. Ka disa fjalë të ndryshme aty-këtu, por në parim, ato ishin të njëjta para dhe pas asaj date, pra datës 12. Fatkeqësisht, ajo që në thelb ishte rifreskim i brendshëm kompjuterik i uebsajtit të Departamentit të Shtetit u keqinterpretua si sinjal që ne kishim informacione, ose të paktën shqetësime të përtëritura për sigurinë këtu.

Tani, natyrisht që jemi të shqetësuar për sigurinë në veri dhe mendoj që shumë qytetarë të veriut janë po ashtu të shqetësuar për këtë. Por, sa i përket asaj dite apo ndonjë informacioni specifik, kjo ishte thjesht një gjë kompjuterike. Ne nuk kishim informacione të reja. Nëse shikoni, do të shihni që nuk ka të dhëna të reja para dhe pas datës 12.

Kossev: U bënë pothuaj dy muaj të hetimit në vazhdim e sipër lidhur me vrasjen. Nëse analizoni si, nga këndvështrimi publik, si informacioni ka shkuar deri më tani në publik, ai ka shkuar para-prapa, akuza ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përkundër disa deklaratave shumë të fuqishme dhe vokale nga liderët politikë në të dy anët. A është kjo befasi për ju, që në të vërtetë nuk ka asnjë rezultat të qartë dhe të prekshëm të paraqitur deri më tani në publik? A jeni i shqetësuar për sundimin e ligjit në përgjithësi në Kosovë dhe në veri të Kosovës? Dhe kur them sundim i ligjit, mendoj edhe për policinë.

Ambasadori Delawie: Më duhet të them që televizioni amerikan ndoshta na e ka dhënë të gjithëve idenë që ju mund ta zgjidhni cilindo krim brenda një ore. Për fat të keq, nuk ndodh kështu në botën reale. Më bën përshtypje që policia po merret seriozisht me këtë rast. Hetimet udhëhiqen nga një prokuror serb i Kosovës dhe një prokuror shqiptar i Kosovës, që është gjë e mirë që kemi dikë nga secili komunitet këtu. Do të dëshiroja që ata të kishin përgjigje në këtë çështje, por në botën reale, sidomos për një vrasje, nganjëherë nevojitet kohë për t’i kuptuar gjërat. Unë nuk kam asnjë indikacion që njerëzit janë duke u dembelosur ose ngadalësuar. Mendoj që është një rast i vështirë, ekzistojnë lloje të ndryshme të provave që duhet t’i vlerësojnë dhe shpresoj që do të arrijnë në rezultatin e duhur.

Natyrisht, ka pasur njëfarë bashkëpunimi mes departamenteve policore të Serbisë dhe të Kosovës. Ndoshta u desh pak kohë për të filluar, por duket të ketë pak lëvizje, gjë që është pozitive sepse është e mundur që ka prova në të dy vendet që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit. Po bëjmë ç’po mundemi për ta mbështetur policinë, prokurorët me trajnime dhe gjëra të tilla. Po të mund ta zgjidhja këtë krim, do ta bëja, do t’i tregoja policisë. Për fat të keq, nuk kam asnjë provë.

Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes suaj, a jam i shqetësuar për sundimin e ligjit? Natyrisht që jam. Sundimi i ligjit është tema numër një për Ambasadën time në Kosovë. Flas për këtë pothuaj çdo ditë. Nëse nuk keni sundim të ligjit, ekonomia, pajtimi dhe gjëra të tilla bëhen shumë, shumë të vështira. Duhet të keni sundim të ligjit. Ekziston një mënyrë për të shkuar në Kosovë, ekziston një mënyrë për të shkuar në veri. Isha shumë i kënaqur ta shihja Ministrin e Jashtëm gjerman Gabriel këtu, dy javë më parë, duke folur për sfidat e sundimit të ligjit. Mendoj që sa më shumë që flitet për të, aq më mirë është, sepse qytetarët, në fund të fundit, janë ata të cilët përmes presionit mbi politikanë, do të shpijnë në përmirësime në sundim të ligjit. Ne mund të ofrojmë shumë trajnime, dhe e bëjmë këtë. Shpenzojmë miliona dollarë në vit për ta trajnuar policinë dhe prokurorët, dhe në gjëra të tilla. Por, ajo që vërtet nevojitet është që qytetarët të thonë: “jam lodhur nga kjo, nuk dua që fëmijët e mi të jenë rreth shitësve të drogës, ose nuk dua që gjëra të këqija të ndodhin”. Ata mund të ushtrojnë trysni në politikanë dhe polici për të bërë punë më të mirë, dhe duhet. Është e drejtë e tyre.

Kossev: Cila do të ishte përgjigjja juaj që një pjesë e madhe e qytetarëve mendojnë që nuk është aq vështirë për një rast hetimi në lidhje me atë që Oliver Ivanoviq paralajmëroi disa muaj para vrasjes në një vend shumë të vogël ku të gjithë dinë gjithçka?

Ambasadori Delawie: Nëse njerëzit vërtet kanë prova apo fakte, duhet t’i tregojnë policisë. E di që njerëzit mendojnë se rasti është dashur të zgjidhej deri më tani, dhe, natyrisht, në një botë ideale do të zgjidhej. Por, në të vërtetë, nganjëherë nevojitet më tepër kohë për t’i zgjidhur rastet e ndërlikuara.

Kossev: Demarkacioni. Keni postuar dhe keni thënë që miratimi është më afër se kurrë, duke pritur që demarkacioni të miratohej këtë javë. Megjithatë, javën e kaluar keni postuar përsëri për pritjet shumë optimiste dhe gjithashtu ia rikujtuat publikut tekstin që keni postuar në gusht të 2015-ës kur gjithashtu kishit një porosi shumë optimiste. Kemi hyrë në vitin e katërt që kur e keni thënë këtë. Sa jeni i sigurt që Marrëveshja për Demarkacionin do të miratohet këtë javë dhe, për t’u miratuar, a pritni që ajo të votohet nga Lista Serbe apo Vetëvendosja?

Ambasadori Delawie: Jam fajtor që jam optimist. Nuk duhet të hyni në diplomaci nëse nuk jeni optimist. Mendoj që është fakt se kurrë nuk kemi qenë më afër se sot për një votim pozitiv në Kuvend, 80 ose më shumë vota në favor të kësaj Marrëveshjeje për Demarkacionin. Do të jem optimist dhe do të them se në të vërtetë mund të votohet pozitivisht këtë javë dhe kjo do të ishte e mrekullueshme. Natyrisht, është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës që kjo marrëveshje të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Pa marrë parasysh a jeni serb i Kosovës, shqiptar i Kosovës, goran, rom apo çfarëdo qoftë – miratimi i kësaj marrëveshjeje është në interes të çdo komuniteti këtu. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Mogherini, tha para nja dy vjetësh, kur ishte këtu, që votimi për kufirin do ta “zhbllokonte” liberalizimin e vizave për Kosovën. Mendoj që kjo çështje me të vërtetë ka thithur shumë oksigjenin politik në Kosovë gjatë dy vjetëve të fundit dhe e ka penguar realizimin e gjërave të tjera të rëndësishme, sepse të gjithë janë të preokupuar me këtë çështje. Kuvendi mund të votojë për të, ta miratojë atë dhe më pas kjo do t’u ofronte deputetëve mundësi për të vazhduar me gjëra të tjera të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, si sundimi i ligjit, arsimi, kujdesi shëndetësor, që janë shumë të rëndësishme.

Do ta doja sikur të miratohej nga të gjithë deputetët e të gjitha partive. Sikur të gjithë të votonin për të.

Kossev: A do të ndodhë kjo?

Ambasadori Delawie: Sfera juaj e kristaltë mund të jetë më e mirë se imja, shpresoj. Kjo është e tëra që mund të them.

Kossev: Një pjesë e madhe e qytetarëve serbë janë të shqetësuar për këtë Marrëveshje për Demarkacionin. Ka disa zëra, zëra politikë dhe të ekspertëve brenda publikut serb, që thonë se ky nuk do të ishte kufi ligjor ndërkombëtar mes Kosovës dhe Malit të Zi, siç është midis Malit të Zi dhe Serbisë. A shihni ndonjë ndryshim në mes të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, në kuptim të asaj që ky nuk është kufi i njohur ndërkombëtarisht si i vendeve brenda ish-Jugosllavisë dhe kufiri midis atyre vendeve, ish-republikave, ishte certifikuar nga OKB-ja?

Ambasadori Delawie: Qëndrimi i Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për këtë çështje është i qartë. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Ne e njohëm atë sovranitet dhe pavarësi në vitin 2008, dhe mendojmë që Kosova duhet të jetë në gjendje të angazhohet në marrëveshje ndërkombëtare me partnerë të huaj në të njëjtën bazë si çdo shtet tjetër sovran dhe i pavarur. Natyrisht, unë e shikoj marrëveshjen për kufi midis Kosovës dhe Malit të Zi si marrëveshje sovrane mes këtyre dy shteteve dhe të dy shtetet, sipas mendimit tim, janë plotësisht të zota, të afta dhe ligjërisht të justifikuara në përcaktimin e atij kufiri.

Kossev: A do të ketë nevojë për njohje shtesë nga OKB-ja?

Ambasadori Delawie: Nuk jam jurist. Besoj që, nëse këto dy shtete merren vesh, ai do të bëhet i vlefshëm për ato shtete dhe ato janë vendet që kanë rëndësi.

Kossev: Aktualisht po zhvillohen dy rrëfime të thjeshtësuara, në Kosovë dhe Serbi. Një, për Beogradin, ata thonë që nëse marrëveshja e normalizimit është në rregull, Serbia do të pranohet në BE. Në Prishtinë, nëse miratohet marrëveshja për demarkacionin, Kosova do ta fitojë liberalizimin e vizave. Edhe lidershipi politik edhe mediat disi i ulën kriteret për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. A kanë të drejtë? A janë këto dy kriteret e vetme për ta pasur Serbinë në Evropë apo për ta pasur liberalizimin e vizave në Prishtinë?

Ambasadori Delawie: Nëse doni mendim të BE-së, duhet ta pyetni një zyrtar të BE-së, e ai nuk jam unë. Por mund t’ju them që krimi dhe korrupsioni në Kosovë janë çështjet përcaktuese për këtë vend. Kosova duhet të punojë në këtë drejtim, duhet të punojë më shumë. Ne po përpiqemi të ndihmojmë dhe kemi parë përparim. Renditja e Kosovës për korrupsionin në raportin e Transparency International është përmirësuar për disa pikë nga viti i kaluar. Kjo është pozitive. Renditja për korrupsionin në raportin e Bankës Botërore është përmirësuar për dy pikë nga viti i kaluar. Por duhet të punohet më shumë, duhet të ketë më tepër seriozitet, duhet të ketë më tepër angazhim nga institucionet për zbatimin e ligjit dhe nga politikanët në mënyrë që punët të ecin përpara. Kjo është thjesht jetike. Kjo është ajo që qytetarët e Kosovës duan nga të gjitha komunitetet. Nëse shikoni ndonjë sondazh të opinionit publik, 70% e njerëzve thonë se problemi më i madh në Kosovë është korrupsioni. Mendoj që kjo është çështje e madhe që duhet të trajtohet. Natyrisht, Kosova nuk është vetëm në këtë, ka edhe vende të tjera që e kanë këtë sfidë. Por Kosova duhet të punojë më shumë në këtë çështje dhe secili në sektorin e sundimit të ligjit duhet të punojë. Qytetarët e Kosovës duhet të vazhdojnë ta shprehin mendimin e tyre, sepse mendoj që po shohim, gjithnjë e më shumë në Kosovë dhe në vende të tjera, çfarë dëshirojnë qytetarët, ata gjithashtu e marrin atë. Ata nuk e marrin aq shpejt sa duan, por do ta marrin.

Kossev: Dhe pyetja e fundit – cila është porosia juaj për qytetarët në Mitrovicë, në veri të Kosovës?

Ambasadori Delawie: Dua të them sa e rëndësishme është për vendin tim, Ambasadën time, që serbët e Kosovës të ndihen si në shtëpi në Kosovë. Ne shpenzojmë shumë kohë dhe përpjekje për ta përmirësuar jetën e njerëzve të rëndomtë dhe i dimë sfidat e tyre. Do të vazhdojmë të punojmë në sfida të tilla si zbatimi i ligjit për gjuhët, integrimi i gjyqësorit, mbështetja e sektorit të sundimit të ligjit, njohja e diplomave, kështu që është më lehtë të punësohesh në shërbimin publik në tërë vendin dhe, natyrisht, çështja e punësimit të pakicave. Duam të sigurojmë që serbët e Kosovës mund ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë, duke i njohur sfidat. Do të bëjmë çmos për t’u ndihmuar t’i kapërcejnë këto sfida, do t’i ndihmojnë tërë vendit që t’i kapërcejë këto sfida, në mënyrë që të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë këtu të mund të ndihen në shtëpi.

Kossev: Ju faleminderit për intervistën për Kossevin.