Intervista e ambasadorit Delawie në RTK, 4 shtator 2015

RTK: Shikues të nderuar, mirëmbrëma. Në studio sonte kemi ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, z. Greg Delawie. Z. Ambasador, ju faleminderit.

Ambasadori: Ju faleminderit shumë, z. Kastrati. Më vjen jashtëzakonisht mirë që jam këtu.

RTK: A mund t’i thoni disa fjalë për veten tuaj?

Ambasadori: Jam diplomat i shërbimit të jashtëm të SHBA-së qe pothuaj 30 vjet. Së fundmi kam shërbyer në Uashington, ku kam punuar në çështjet e kontrollit të armëve, në veçanti të kontrollit të armëve në NATO, gjë që ishte shumë interesante sepse ishte hera e parë për mua që punoja në këtë fushë. Para kësaj, kam shërbyer si zëvendës i shefit të misionit në ambasadën tonë në Berlin, Gjermani, i cili mision është ndër misionet tona më të mëdha në botë. E para kësaj, kam shërbyer edhe si zëvendës i shefit të misionit në ambasadën tonë në Zagreb, Kroaci dhe ky ishte njoftimi im i parë me rajonin e Ballkanit dhe më vjen shumë mirë që jam kthyer sërish këtu. Por, gjëja më e rëndësishme ndoshta është se vij nga qyteti i San Diegos në Kaliforni, që është qyteti më i mirë amerikan dhe jam i martuar e i kam dy fëmijë, të cilët janë fëmijët më të mirë në botë.

RTK: Sapo keni ardhë në Kosovë në misionin tuaj të ri. Cilat janë përshtypjet tuaja të deritashme?

Ambasadori: Kam ardhë në Republikën e Kosovës qe pothuaj dy javë dhe këto javë kanë qenë shumë të zëna me punë. Jam takuar me shumë zyrtarë qeveritarë, me afaristë, përfaqësuesë të bashkësisë ndërkombëtare, përfaqësuesë të medieve, siç jeni edhe ju dhe kam folur me shumë zyrtarë të qeverisë. Javën e kaluar jam ngjitur deri te Kalaja e Prizrenit, i kam vizituar rrënojat romake të Ulpianës, kurse para dy-tri ditëve kam vizituar fshatin Pllanjan për përurimin e ndërtesës së shkollës fillore, meqenëse kemi ndihmuar (duke paguar) për renovimin e saj. Pra, kanë qenë dy javë shumë të zëna me punë, por të gjithë kanë treguar mikpritje tepër të ngrohtë dhe me të vërtetë jam i lumtur që jam këtu.

Por, mbetet ende edhe shumë punë për të bërë. Dëshiroj që në javën e ardhshme të angazhohem më shumë me të rinjtë dhe me shoqërinë civile dhe ashtu siç e kam thënë edhe gjatë prezentimit të kredencialeve para Presidentes Jahjaga, me të vërtetë dëshiroj të njoftohem me një spektër të gjerë të njerëzve në Kosovë për të parë se çka po ndodh tash këtu.

RTK: Cilat do të jenë tri prioritetet tuaja kryesore gjatë mandatit tuaj?

Ambasadori: Tri prioritetet e mia kryesore, gjë që e kam thënë edhe gjatë betimit tim, të cilin betim njerëzit mund ta gjejnë në uebfaqen zyrtare të ambasadës, ndërlidhen me promovimin e zhvillimit ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e sigurisë rajonale.

Zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sundimit të ligjit shkojnë krah për krah sepse njerëzit nuk t’i investojnë paratë e tyre nëse nuk kanë besim që aty funksionojnë sistemet që i mbrojnë investimet e tyre. Kjo është me rëndësi jo vetëm për ndërmarrjet e huaja që ka gjasa që dëshirojnë të vijnë në Kosovë dhe të investojnë këtu, por është e rëndësishme edhe për vetë qytetarët kosovarë, të cilët do të duan ta kenë besimin që mund t’i investojnë paratë e tyre në vend për të krijuar edhe këtu vende pune.

Sundimi i ligjit nënkupton zbatimi i të njëjtave standarde të cilat bashkësia ndërkombëtare ua kërkon të gjitha vendeve bashkëkohore; nënkupton që viktimat e padrejtësisë të përfitojnë nga drejtësia e paanshme për vuajtjet që iu janë shkaktuar atyre.

Kurse, siguria rajonale ngërthen disa gjëra. Më e rëndësishmja është vazhdimi i dialogut me shtetet rajonale, me shtetet fqinje, së voni dialogu me Serbinë. Natyrisht, nuk dëshiroj ta humbas rastin për t’i përgëzuar qeveritë e Kosovës dhe të Serbisë për arritjen e marrëveshjeve javën e kaluar. Mendoj se këto marrëveshje do të nxisin begatinë ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës, do të promovojnë demokracinë në rajon dhe me të vërtetë paraqesin përfitim për të gjitha vendet.

Po ashtu, nuk dëshiroj ta harroj të përmend që është e rëndësishme, madje shumë e rëndësishme pjesëmarrja e Kosovës në koalicionin kundër ISIS-it, si dhe programet për zhvillimin e një sektori bashkëkohor të sigurisë që pasqyron ndjeshmërinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

RTK: Gjykata Speciale definitivisht është ngjarja e vitit. Si e vlerësoni këtë proces?

Ambasadori: E di që disa njerëz e kanë pasur vështirë ta kapërdijnë Gjykatën Speciale. Qeveria ime fuqimisht e mbështet Gjykatën Speciale sepse ne e shohim të ardhmen e Kosovës si vend plotësisht i integruar në të gjitha institucionet europiane. Për këtë arsye, është me rëndësi që të ketë drejtësi për të gjitha viktimat. Mendoj se votimi për Gjykatën Speciale, pa marrë parasysh sa ishte i vështirë, pasqyron një pjekuri të konsiderueshme politike. Çdo qeveri mund të miratojë ligje të cilat përkahen nga të gjithë, por nevojitet një qeveri e pjekur për të miratuar ligje me të cilat nuk janë të lumtur të gjithë, të cilat madje janë edhe të papëlqyeshme, por megjithatë janë absolutisht të domosdoshëm.

RTK: A mendoni se klasa jonë politike është e gatshme për t’i shtyrë proceset përpara në Kosovë?

Ambasadori: Më duhet të them se do ishte paksa e pamenduar nga ana ime të jap përgjigje të mirë në këtë pyetje për një klasë të gjerë të njerëzve njerëz; jam këtu vetëm qe dy javë. Po ashtu, më kujtohet se gjatë javës së parë të shkollës së diplomacisë para 30 vjetëve na kanë mësuar që kurrë të mos iu përgjigjemi pyetjeve hipotetike. Megjithatë, mund ta them këtë: Mendoj se Kosova ka arritur përparim të jashtëzakonshëm gjatë disa viteve të shkuara. Këtu ka themel të fortë demokratik. Veç kujtohuni që para përmbylljes së fazës së pavarësisë së mbikëqyrur, shumica e vendimeve të rëndësishme qeveritare për Kosovën janë marrë nga ndërkombëtarët. Sot, këto vendime merren nga përfaqësuesit tuaj të zgjedhur. Pra, kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Por, e di se shumë njerëz dëshirojnë të ketë përparim më të shpejtë sepse nuk kanë durim. Edhe unë vetë jam i tillë. Fundja, pa pasur njerëz padurim nuk do të arrihej asgjë e rëndësishme. Por, mendoj se është me rëndësi të pranohet se vendimet rreth Gjykatës Speciale, rreth dialogut me Serbinë apo edhe për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi – të gjitha këto vendime kanë pasqyruar jo vetëm pjekuri politike, por kanë qenë të domosdoshme për të lehtësuar rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve në institucionet europiane.

RTK: Nëse bën një përgjigje të shkurtë rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Para ca ditëve u nënshkruan marrëveshjet. Si e shihni këtë proces sepse në Kosovë ka mendime të ndryshme rreth këtyre marrëveshjeve?

Ambasadori: Njëri prej shtyllave kryesore të demokracisë është se ka shumë mendime të ndryshme dhe ne që jemi në qeveri duhet t’iu kushtojmë vëmendje të gjithë atyre mendimeve dhe pastaj të marrim vetë vendimet tona se çka është më e rëndësishmja që ne duhet ta bëjmë për vendin tonë.

Siç e thashë më herët, e uroj Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Serbisë për përmbylljen e katër marrëveshjeve në Bruksel para disa ditëve. Unë i shoh këto marrëveshje si fitore për të dy palët. Ato do ta përmirësojnë jetën e të gjithëve në Kosovë, do ta forcojnë stabilitetin rajonal, do ta promovojnë rritjen ekonomike dhe çka është më e rëndësishmja për mua, do ta çojnë Kosovën më afër integrimit në institucionet europiane, gjë që është edhe dëshira jonë për përparimin e vendit.

RTK: Pyetja e fundit, z. Ambasador. Cili është niveli i interesit të SHBA-së në Kosovë duke marrë parasysh zhvillimet botërore?

Ambasadori: Mendoj se interesimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është shumë i lartë. Ma merr mendja se na keni dëgjuar shpesh duke thënë që politika jonë për Europën është të promovojnë një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe. Tregimi i Kosovës është një pjesë tepër e rëndësishme e tregimit të përgjithshëm të Evropës dhe ne jemi të përkushtuar ndaj suksesit të Kosovës.

Por, që t’i përgjigjem pikërisht pyetjes tuaj: nivelin e interesimit amerikan ndaj Kosovës më së miri e pasqyrojnë javët e fundit kur kemi pasur tri delegacione kongresionale të anëtarëve të kongresit tonë gjatë gjashtë javëve të kaluara. Pastaj, Victoria Nuland, ndihmëssekretarja e shtetit për çështje evropiane, po ashtu ka qenë këtu, kurse udhëheqësit kosovarë janë ftuar në disa takime, nikoqir i të cilave është Presidenti Obama dhe që mbahen në fund të këtij muaji në Nju Jork.

Duke kaluar në fushat e tjera: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të pranishme në KFOR, si dhe kemi Korpusin e Paqes këtu. Njëra prej ngjarjeve më të këndshme që e kam pasur në ditën time të dytë këtu ka qenë betimi i një grupi të vullnetarëve të Korpusit të Paqes. Siç e dini, ky është program i filluar nga Presidenti Kenedi para më shumë se 50 viteve. I kemi më shumë se 35 vullnetarë të rinjë të Korpusit të Paqes, të cilët do të japin mësim të gjuhës angleze nëpër shkollat e Kosovës në disa rajone me etni të ndryshme.

Jemi këtu edhe me Agjencinë tonë ndërkombëtare për zhvillim (USAID), e cila ka punuar ngusht me Qeverinë e Kosovës qysh prej ditëve më të hershme. Në fakt, dje pata një vizitë të këndshme në USAID dhe i pyeta të gjithë, më shumë se 30 veta, “qe sa kohë punoni me ne?” dhe të gjithë përgjigjeshin: 15 vjet, 16 vjet, por ata ende janë po aq të përkushtuar si në fillim.

Por, edhe një gjë dhe kërkoj falje se e zgjata përgjigjen: mendoj se treguesi më i mirë i përkushtimit tonë në Kosovë është ndërtimi i ndërtesës së re të ambasadës sonë këtu në Prishtinë. Mezi s’po pres ta shoh vendpunishten, sepse do ta vizitoj menjëherë pas kësaj interviste. Babai im ka qenë arkitekt dhe ka kohë që nuk kam qenë në ndonjë vendpunishte dhe kjo gjë do të jetë shumë e këndshme për mua.

Por, t’i përgjigjem në mënyrë më praktike dhe më të saktë pyetjes suaj: ne interesohemi për Kosovën, po e ndërtojmë një ndërtesë të madhe këtu. Kemi qenë me Kosovën prej fillimit, jemi me Kosovën sot dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë me Kosovën edhe në të ardhmen dhe aspiratat tona për të, siç e thashë edhe në fillim, janë që Kosova të jetë plotësisht e integruar në të gjitha institucionet kyçe europiane.

RTK: Z. Ambasador, ju falemiderit shumë për kohën tuaj.

Ambasadori: Z. Kastrati, ishte kënaqesi. Ju faleminderit.

RTK: Shpresoj që do ta bëjmë sërish edhe ndonjë intervistë tjetër meqenëse kjo ishte intervista e parë dhe pak e shkurtë, por ndoshta do të vini sërish në këtë studio në të ardhmen.