Intervista e Ambasadorit Delawie me Portalin e lajmeve Insajderi, 15 mars, 2017
Insajderi: A ka pasur bashkërenditje fillestare mes autoriteteve të Kosovës, përkatësisht Zyrës së Presidentit, me Ambasadën së SHBA-ve në Prishtinë, lidhur me hapat e ardhshëm për krijimin e Ushtrisë së Kosovës?
Ambasadori Delawie: Më lejoni të filloj me ca hapa të mëparshëm nëse është në rregull me ju. Para së gjithash, mendoj se është e saktë nëse them se ne, Ambasada amerikane dhe Amerika në përgjithësi, mburremi shumë me punën që e kemi bërë me Forcat e Sigurisë së Kosovës në 9 vitet e kaluara, pra që nga pavarësia e Kosovës. Ne kemi punuar ngushtë dhe shumë intensivisht me Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe me pjesët tjera të Qeverisë së Kosovës në këtë projekt. Vitin e kaluar kemi pasur 200 mundësi për trajnime të cilat i kemi zhvilluar me Forcat e Sigurisë së Kosovës. Kemi pasur 7 stërvitje të mëdha që i mbajtëm së bashku. Përmes Departamentit tonë të Mbrojtjes ne kemi punuar me Forcat e Sigurisë së Kosovës për të zhvilluar një plan kalimtar prej Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës. Një pjesë e Departamentit të Mbrojtjes që quhet DIRI [Iniciativa Mbrojtëse e Reformës Institucionale] ka punuar në këtë. Pra, krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është edhe qëllim yni, poashtu. Nuk është vetëm qëllim i Kosovës.
Tani, qëndrimi ynë është se ky transformim duhet të ndodhë përmes një amandamenti kushtetues. Ky ka qenë qëndrimi ynë për një kohë të gjatë. Nëse shikoni ueb faqen tonë do të shihni dëshminë time para Senatit të SHBA-ve në vitin 2015 ku unë e thashë pikërisht këtë. Kjo është e rëndësishme sepse na ndihmon që të sigurohemi se të gjitha bashkësitë janë të përfshira në procesin shumë të rëndësishëm të vendimmarrjes. Pra, ne kemi punuar në këtë me vite. Dhe, ne punojmë shumë ngushtë në partneritet lidhur me këto çështje. Kjo është arsyeja pse disi u befasuam dhe u zhgënjyem kur ky projektlig u paraqit javën e kaluar sikur të kishte rënë nga qielli. Kjo nuk është ajo se si ne e parashikuam se do të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që ne kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt. Ne pa dyshim respektojmë të drejtën e Kosovës si shtet sovran që të marrë vendimet e veta rreth çështjeve të sovranitetit, mirëpo nuk mendojmë që tani është koha për këtë, apo që kjo është mënyra për t’i bërë këto hapa të rëndësishëm.
E kuptoj se rruga përmes amandamentit kushtetues nuk është e lehtë. Do të ketë shumë punë. Por, ky është qëndrimi që ne vazhdojmë ta mbështesim. Shpresoj se Qeveria e Kosovës, zyrtarët e Kosovës, the Kuvendi i Kosovës do të ndalen për një çast dhe do të rishikojnë atë që janë duke bërë, dhe do të mendojnë për pasojat e mundshme për marrëdhënien tonë me Forcat e Sigurisë së Kosovës lidhur për të cilat tërhoqëm vërejtjen në deklaratën tonë javën e kaluar. Mendoj poashtu se është e rëndësishme që të mendohet për deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg, i cili tha javën e kaluar se “nëse mandati i Forcave të Sigurisë së Kosovës evoluon tani në mënyrën se si është propozuar atëherë NATO-ja do të duhet të rishqyrtojë nivelin e saj të përkushtimit, sidomos lidhur me ndërtimin e kapaciteteve”. Kjo është disi kthjelluese për mua. Sepse, unë besoj se siguria e Kosovës me të vertëtë qëndron në cilësinë e partneriteteve të saja me partnerët e saj – me Shtetet e Bashkuara, me shtetet e NATO-s, dhe me shtetet tjera. Prandaj, unë vetëm do të isha shumë i kujdesshëm. Shpresoj se Qeveria e Kosovës do të ndalet dhe do të fillojë një përpjekje për të siguruar mbështetje të gjerë të bashkësive të Kosovës për këtë hap, dhe do të punojë ashtu siç ne gjithmonë e kemi diskutuar. Dhe sigurisht, Shtetet e Bashkuara me kënaqësi do të punojnë me njerëzit e Kosovës në atë çështje.
Insajderi: Ambasada ka thënë se miratimi i ligjit të propozuar tani do t’i detyronte SHBA-të që të rivlerësojnë bashkëpunimin e ndërsjellë me Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe ndihmën për të. Çka do të thotë kjo për një Ushtri të Kosovës në një periudhë afatgjate?
Ambasadori Delawie: E dini si, shpresoj se kurrë nuk do ta marr vesh këtë.