Intervista e ambasadorit Delawie me Institutin Kosovar për Drejtësi për RTK

Intervista e ambasadorit Delawie me Institutin Kosovar për Drejtësi për RTK, 13 dhjetor 2016

IKD: Z. Ambasador, ju faleminderit që keni ndarë kohë për këtë intervistë.

Ambasadori Delawie: Më vjen shumë mirë që jam këtu.  Ju faleminderit shumë.

IKD: Z. Ambasador, javën e kaluar e patëm Javën kundër korrupsionit, të organizuar nga ambasada juaj.  Pamë mobilizimin e shoqërisë civile, ambasadave të shteteve mike, si dhe të partnerëve që e përkrahin Kosovën në fushën e sundimit të ligjit dhe të luftës kundër korrupsionit.  Po ashtu javën e kaluar pamë edhe një numër të aktiviteteve të organizuara.  Si i vlerësoni këto ngjarje? Çka pas kësaj?

Ambasadori Delawie: Java e kaluar ishte javë absolutisht fantastike.  Jemi shumë të kënaqur me rezultatet e Javës kundër korrupsionit.  Ambasada jonë ka sponzorizuar nja 25 ngjarje të ndryshme, si dhe natyrisht partnerët tanë prej OJQ-ve dhe të tjerët kanë organizuar disa dhjetëra ngjarje tjera.  Pra, jemi shumë të lumtur si kanë shkuar gjërat.  Jemi po ashtu shumë të lumtur që një koalicion i OJQ-ve disi u bashkua dhe doli me një strategji të përbashkët për të arritur përparim kundër korrupsionit.  Edhe kjo ishte shenjë shumë pozitive.

Tani duhet ta mbajmë atë nivel të energjisë.  Miku im, ambasadori Jan Braathu, shefi i OSBE-së, para ca ditëve tha se çdo ditë duhet të jetë dita kundër korrupsionit. Pra, kjo do të ishte ideale.  Pra, e patëm një javë të shkëlqyeshme, por nuk duhet të harrojmë se duhet të vazhdojmë, se duhet t’i kthejmë disa prej këtyre ideve dhe fjalëve të hatashme në vepra që do të përmirësonin gjendjen e korrupsionit në Kosovë.  Mund t’ju them se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për këtë çështje dhe presim me padurim për të parë përparim konkret në gjërat si transparenca fiskale – prokurimi elektronik është pjesë e rëndësishme e saj; llogaridhënia më e mirë për gjyqtarët dhe prokurorët, një strategji e përditësuar kundër korrupsionit, që përfshin synime dhe hapa të qartë që mund të maten dhe të përcillen.   Mendoj se kryesorja është që populli duhet ta kuptojë se ndryshimi për këtë çështje duhet të shtyhet dhe të nxitet nga vetë qytetarët e Kosovës.  Ndryshimi duhet të vijë nga brenda.  Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për t’ju mbështetur, por në të vërtetë ndryshimi duhet të vijë nga qytetarët e Kosovës.

IKD: Po i bëni pothuaj dy vjet si ambasador në Kosovë.  Një ndër tri prioritetet tuaja kur keni ardhur në Kosovë ka qenë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.  Cili është vlerësimi juaj rreth situatës dhe luftës kundër korrupsionit në Kosovë?  Politika po deklaron se korrupsioni është vetëm perceptim, e javën e kaluar pamë se prokuroria pohon se korrupsioni në Kosovë nuk është në shkallën që deklarohet nga mediumet dhe publiku.  Si e vlerësoni këtë?

Ambasadori Delawie: Nuk ka vend ku nuk ka korrupsion, përfshirë edhe në Shtetet e Bashkuara.  Mendoj se është me rëndësi ta pranojmë se ky është problem edhe këtu.  Kemi pasur dhjetëra njerëz të arrestuar për shitjen e pronës publike para disa muajve.  Ky është një lloj i krimit të korrupsionit.  Ka anketa të besueshme me qytetarë të Kosovës që tregojnë se ata besojnë që korrupsioni është problem serioz.  E deri në një masë, perceptimi dhe realiteti mund të bashkohen dhe të bëhen të njëjtë veçanërisht nëse po mendoni për ekonominë.  P.sh. nëse je investitor, qoftë vendor apo i huaj dhe nëse mendoni se korrupsioni është problem, atëherë do të ngurroni të investoni.  Pra, perceptimi dhe realiteti duhet të trajtohen dhe mënyra më e mirë për ta tejkaluar perceptimin është ta adresosh realitetin.  E po ashtu, pa marrë parasysh sa shumë bën një vend kundër korrupsionit, gjithmonë do të duhet të punohet edhe më shumë.  Përderisa ka njerëz, do të jetë një përqindje e vogël e tyre e përfshirë në korrupsion.  Pra, gjithmonë duhet të punohet për këtë çështje, madje edhe në vendet që gjenden në maje të listës së organizatës Transparency International.

IKD: Edhe pse Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur sundimin e ligjit për luftimin e korrupsionit, ende ka mungesë të rezultateve.  Çka mendoni, kur do të ndryshojë kjo situatë dhe kush duhet t’i prijë këtij ndryshimi të situatës sa i përket luftimit të korrupsionit?

Ambasadori Delawie: Është me rëndësi të ndërtohet momentumi dhe që njerëzit të punojnë së bashku, si dhe që shoqëria civile të punojë së bashku me qeverinë – deri në një masë të caktuar – me njerëzit e rëndomtë që shqetësohen për këtë çështje.  Më duhet të mos pajtohem se nuk ka fare rezultate.  Kemi pasur disa rezultate.  Kemi pasur disa zyrtarë të lartë qeveritarë që kanë dhënë dorëheqje kur janë akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kemi pasur disa deputetë që kanë dhënë dorëheqje kur ndaj tyre është ngritur aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kemi pasur dhjetëra njerëz të akuzuar për rastin me stenta, kemi pasur dhjetëra njerëz të arrestuar dhe të akuzuar në rastin e shitjes së pronës publike… pra, është me rëndësi ta vlerësojmë kur ka progres…

IKD: Kur do t’i shohim aktgjykimet?

Ambasadori Delawie: E dini se së pari duhet t’i arrestoni njerëzit, të ngritni aktakuzë kundër tyre, pastaj duhet t’i ndiqni penalisht dhe t’i dënoni.  Duhet të fillohet diku.  E po ashtu, duhet t’i përcjellim të gjitha këto raste, shoqëria civile duhet të bëjë monitorim të rasteve të korrupsionit.  E di se IKD-ja dhe të tjerët po e bëjnë këtë gjë dhe kjo është shumë me rëndësi.  Edhe ne do ta luajmë pjesën tonë, absolutisht. Ne mbështesim gjërat si prokurimi elektronik, po mbajmë trajnime për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe po mbështesim kodin e sjelljes sa i përket çështjeve të etikës.  Pra, po përpiqemi të japim kontributin tonë më të mirë që mundemi, por ju pyetët se kur do të ndryshojë kjo gjë dhe mendoj se duhet të ndryshojë gradualisht – kam frikë se nuk do të ndryshojë sa çel e mbyll sytë – por, do të ndryshojë kur njerëzit të thonë: Mjaft!

IKD: Kohëve të fundit është publikuar edhe raporti i Komisionit Evropian për Kosovën.  Si i vlerësoni rekomandimet dhe të dhënat e atij raporti?

Ambasadori Delawie: Po mendoni, raporti për shtete i BE-së?  Pajtohem me pjesën më të madhe të tij.  Mendoj se ishte raport shumë i mirë.  Janë disa gjëra në të që mendoj se dolën në pah në fushën e sundimit të ligjit.  Një ndër gjërat që ata i rekomanduan ishte puna e shtuar nga Qeveria e Kosovës për ndalimin e përkohshëm të pasurisë dhe konfiskimin e aseteve të fituara paligjshëm.  Kjo është me rëndësi.  Ata po ashtu theksuan rëndësinë e reformës së Zyrës së Prokurorit Disiplinor, që i shqyrton rastet e supozuara të sjelljes së pahijshme të prokurorëve dhe gjyqtarëve.  Sigurisht që pajtohemi me këtë.  Megjithatë, mendoj se është me rëndësi të theksohet kur ndodhin gjëra pozitive.  Raporti po ashtu flet edhe për përmirësimet në trajtimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit.  Është shumë me rëndësi të shënohet puna e mirë e institucioneve të sundimit të ligjit të Kosovës.  Ky raport është hartuar para incidentit të ndeshjes së futbollit të Shqipërisë dhe sërish ishte shumë pozitiv.  Mendoj se incidenti, apo incidenti i mundshëm, i ndeshjes së futbollit të Shqipërisë me të vërtetë shprehu aftësitë e policisë së Kosovës dhe të institucioneve të sundimit të ligjit për të punuar mirë.

IKD: Ndikimi politik në sistemin e drejtësisë theksohet në pothuajse çdo raport vendor apo ndërkombëtar.  Si po ndikon politika në gjyqësor?  Po ashtu, kemi parë që politika nuk po ofron as buxhet dhe burime të mjaftueshme për gjyqësorin.

Ambasadori Delawie:  Janë dy lloje të rrjedhave kryesore për të cilat mendoj se duhet të flasim.  Njëri është ndikimi i dukshëm në gjyqësor dhe tjetri është ndikimi i padukshëm.  Ndikimi i dukshëm në gjyqësor është kur anëtarët e qeverisë apo zyrtarët e tjerë thonë se një gjykatë apo gjyqtar duhet të marrë këtë apo atë vendim ose nuk duhet ta marrë këtë apo atë vendim.  Ndikimi i dukshëm të paktën shihet dhe mund të reagosh ndaj tij.  Ndikimi i padukshëm është më tinëzak sepse nuk është e thënë që e shihni atë.  E këtu njerëzit përdorin mjetet personale ose financiare ose ndonjë mjet tjetër për të ndikuar në rezultatet e ndonjë rasti.  Të dyja mënyrat e ndikimit janë shumë të këqija, natyrisht.  Gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga politikanët.  Kjo është ndër parimet themelore të demokracisë.  Por, po ashtu duhet ta pranojmë se edhe gjyqësori dhe prokurorët duhet të veprojnë në pajtim me ligjin.  E kjo na kthen tek ajo që po flisja pak më parë: rëndësia e reformës së Zyrës së Prokurorit Disiplinor.  Sepse rastet e sjelljes së pahijshme duhet të shqyrtohen edhe nëse kryhen nga ndonjë gjyqtar apo prokuror.

IKD: Ambasador, cila do të ishte porosia juaj e fundit për politikanët sa i përket pavarësisë së gjyqësorit – për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe për atë Prokurorial të Kosovës?

Ambasadori Delawie: Mendoj se kryesorja është që të pranojmë se nuk ka shkop magjik për ta zgjidhur problemin e korrupsionit në Kosovë ose në çfarëdo vendi tjetër.  Po ta kisha një shkop të tillë, besomëni që do ta përdorja.  Çka duhet të ndodhë është se duhet t’i shtyjmë gjërat në gjashtë apo dhjetë drejtime në të njëjtën kohë duke i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion dhe duhet që të gjithë të punojmë për këto gjëra.  Ne natyrisht që po e luajmë rolin tonë në këtë, siç edhe e shpjegova.  Ju po e kryeni pjesën tuaj përmes monitorimit dhe aktiviteteve tjera.  Shoqëria civile duhet të vazhdojë ta luajë rolin e vet dhe qytetarët duhet të vazhdojnë të kërkojnë përmirësime lidhur me korrupsionin.  Mendoj se javën e kaluar njëmend e ngritëm vëllimin me 25 ngjarjet tona, pastaj me ngjarjet që i organizuan të tjerët dhe mendoj se ato ishin të hatashme.  Përderisa po i afrohemi vitit të ri dhe festave, ka rrezik që njerëzit ta harrojnë këtë energji.  Por ju lutem, mos e harroni këtë energji.  Duhet të vazhdojmë të punojmë në këtë çështje.  Është me rëndësi për të ardhmen e Kosovës për të parë përmirësime në këtë sektor.  Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për sundimin e ligjit dhe kundër korrupsionit dhe jam i bindur se ka shumë hapësirë për ndryshime pozitive.  Nuk po heq dorë nga Kosova dhe shpresoj që as qytetarët e Kosovës nuk heqin dorë nga Kosova.

IKD: Ambasador, Instituti i Kosovës për Drejtësi monitoron rastet e korrupsionit në pothuajse të gjitha gjykatat themelore anembanë Kosovës.  Bazuar në aktakuzat që IKD-ja i monitoron, duket se Qeveria e Kosovës është mjaft shumë e korruptuar.  Si e vlerësoni këtë fakt?

Ambasadori Delawie: Më duhet të them se fare nuk do të shkoja aq larg.  Mendoj se ka shumë zyrtarë të qeverisë së Kosovës që po mundohen ta kryejnë më të mirën për zbatimin e ligjit siç parashihet dhe veprojnë në mënyrë të ndershme.  Mendoj se është shumë e qartë se Policia e Kosovës është agjencia më e respektueshme e zbatimit të ligjit në Ballkan.  Mendoj se është e qartë që Dogana e Kosovës, që mbledh shumicën dërmuese të të hyrave që shfrytëzohen nga Qeveria e Kosovës, ka vënë në funksion një varg procedurash të ndryshme nën ish-drejtorin e përgjithshëm që demonstrojnë që nuk ka korrupsion të dukshëm.  E kjo është agjencia që grumbullon mbi një miliardë euro në vit për t’i shpenzuar Qeveria e Kosovës.  Është me rëndësi t’i vlerësojmë gjërat që po ndodhin.  Pra, jo, jo gjithçka është e korruptuar.  Por, ka edhe probleme serioze.  Absolutisht.  Më vjen mirë që IKD-ja po i monitoron pothuajse të gjitha gjykatat nëpër Kosovë dhe po nxjerr rekomandime të qarta.  Sigurisht, i bëj thirrje qeverisë dhe të tjerëve t’i marrin seriozisht rekomandimet që i japin IKD-ja dhe organizatat e tjera joqeveritare.  Është me rëndësi të vazhdohet dialogu, të vazhdohet të punohet me shoqërinë civile dhe qeverinë për tu përpjekur që të arrihet përmirësim në këto çështje.

IKD: Nuk ka pasur mungesë të politikave në sistemin gjyqësor, atë prokurorial për luftimin e krimit dhe të korrupsionit.  Megjithatë, ato politika nuk janë zbatuar në praktikë nga gjyqtarët dhe prokurorët.  E kemi parë se KGJK-ja dhe KPK-ja, për fat të keq, vazhdimisht disi e shkelin ligjin gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.  Në ndërkohë, e kemi parë se një anëtari të KPK-së i ka skaduar mandati.  Cila është porosia për qytetarët prej këtyre dy institucioneve shumë të rëndësishme?

Ambasadori Delawie: Nuk mund të komentoj nëse dikush në veçanti po e shkel ligjin.  Ky nuk është roli im.  Por, sigurisht, mendoj se KPK-ja dhe KGJK-ja luajnë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në promovimin e sundimit të ligjit në Kosovë.  Ato duhet të demonstrojnë sjelljen më të mirë të mundshme.  Ato duhet t’i shqyrtojnë çështjet e sjelljeve të pahijshme.  Ato duhet t’i marrin vendimet e tyre në mënyrë të drejtë, transparente dhe relativisht të parashikueshme dhe duhet ta kuptojnë shembullin që ato e japin për pjesën tjetër të sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë dhe të sillen ashtu siç duhet.

IKD: Si mund të përmirësohet në praktikë transparenca dhe llogaridhënia e të dy Këshillave?  E kemi parë se Ministria e Drejtësisë është në proces të ndryshimit të ligjit për procedurat disiplinore.  A mendoni se kjo mund ta rritë transparencën dhe llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve të të dy Këshillave?

Ambasadori Delawie: Mendoj se ndryshimi i ligjit për prokurorin disiplinor është jashtëzakonisht i rëndësishëm.  Sa e di, Ministria e Drejtësisë do t’i shpalosë disa ndryshime për atë ligj këtë javë.  Natyrisht që e mbështesim këtë hap; duhet të ketë ndryshime pozitive aty.  Mendoj se është me rëndësi që të dy Këshillat të veprojnë në mënyrë plotësisht transparente dhe me veprat e tyre t’iu demonstrojnë qytetarëve të Kosovës se po punojnë në emër të tyre.

IKD: Ta ndryshojmë pak bisedën.  Javën e kaluar, Kosova dhe Serbia më në fund përmbyllën marrëveshjen [për drejtësi] për integrimin e veriut në sistemin kosovar.  Cili është mendimi juaj për këtë marrëveshje?  Në të kaluarën e kemi parë se shumë prej marrëveshjeve nuk janë zbatuar në praktikë.

Ambasadori Delawie: Jam shumë optimist për këtë marrëveshje.  Ka marrë shumë kohë që të vijmë në këtë pikë dhe në ndërkohë janë ndërmarrë hapa të përkohshëm që është dashur të ekzekutohen, e të cilët janë ekzekutuar.  Duke filluar, më duket, prej 10 janarit do të hapet një kapitull i ri për integrimin e serbëve të Kosovës në pamjen e plotë të drejtësisë në Kosovë.  E shoh këtë si diçka shumë pozitive, si nga aspekti i ofrimit në nivel të vazhdueshëm të mbështetjes në sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, që qartazi është i dëshirueshëmn, por po ashtu është edhe element kyç në shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e saj, që unë e konsideroj si shumë të rëndësishëm.

IKD: Gjykata Speciale tashmë pritet që do t’i ngritë aktakuzat e para.  Ka pasur shumë komente që kjo do të shkaktojë prishje në politikën e Kosovës.  Si e shihni punën e Gjykatës dhe efektin e saj në Kosovë?

Ambasadori Delawie: Mendoj se Gjykata dhe çka do të dalë nga ajo do të jenë hapa shumë të rëndësishëm për Kosovën në shtegtimin e saj drejt integrimit të plotë në strukturat evropiane, që e kam thënë shumë herë është qëllimi im për Kosovën.  Kam besim të plotë në aftësinë e gjykatës për të ndarë drejtësi për krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në mënyrë të drejtë dhe të përgjegjshme.  E kam takuar kryeprokurorin, që rastis të jetë qytetar amerikan dhe ai duket se është person shumë profesional dhe serioz.  Ai e ka shpjeguar shumë mirë në një varg të deklaratave publike cilat janë synimet dhe objektivat e tij.

IKD: Demarkacioni me Malin e Zi është një ndër kriteret për liberalizimin e vizave ndërmjet Kosovës dhe BE-së.  Kemi një status quo në këtë proces.  Çka duhet të bëjnë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës për ta vazhduar këtë proces?

Ambasadori Delawie: Mendoj se është shumë me rëndësi ta kuptojmë se skica e marrëveshjes me Malin e Zi në themel kodifikon kuririn që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi prej vitit 1974.  Është vija kufitare, të cilës i referohet Kushtetuta e Kosovës, pra është marrëveshja e drejtë.  E kuptoj se ka njerëz që nuk pajtohen me mua, por kjo është marrëveshja e drejtë.  Siç e thatë edhe ju, BE-ja e ka bërë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje kusht për liberalizimin e vizave.  Sigurisht që unë e mbështes aftësinë e Kosovës për integrim në institucionet evropiane dhe për ta pasur mundësinë për të udhëtuar nëse BE-je e lejon këtë gjë, por natyrisht ky nuk është vendim imi.  Por, mendoj se Kuvendi do të duhej ta miratojë këtë marrëveshje, do të duhej ta ratifikojë atë.  Natyrisht që do t’i nxisja qytetarët e Kosovës të bisedojnë me deputetët e tyre dhe t’ua shpjegojnë se sa e rëndësishme është për ta që t’i plotësojnë kushtet e BE-së.

IKD: Ambasador, faleminderit shumë për kohën tuaj.  Shpresojmë se qytetarët dhe politikanët kosovarë ta pranojnë porosinë tuaj.

Ambasadori Delawie: Jeni më se të mirëseardhur.  Ju faleminderit shumë.