Intervista e ambasadorit Delawie dhënë Radio Kosovës me rastin e 4 korrikut

Intervista e ambasadorit Delawie dhënë Radio Kosovës me rastin e 4 korrikut, 4 korrik 2017

Radio Kosova: Z. Ambasador, ju faleminderit shumë për intervistën dhe mundësinë për të folur me ne.  Urime përvjetori i 241-të i Deklaratës së Pavarësisë.  Si e festoni këtë datë të shënuar këtë vit?

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit shumë.  Kemi kënaqësinë që ju kemi këtu dhe që jemi me ju sot.  Siç e përmendët, 4 korriku tashmë shënohet si përvjetori i nënshkrimit të Deklaratës sonë të Pavarësisë, që ma merr mendja ishte “Brexit-i” i parë dhe fillimi i themelimit të vendit tonë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Kushtetuta, në bazë të së cilës veprojmë edhe sot, u nxorr njëmbëdhjetë vjet më vonë.

Kjo është festë, të cilën shumë amerikanë e shënojnë me familjet e tyre dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpesh ka kremtime; shpesh shënohet me fishekzjarre.  Kjo është festa e parapëlqyer për shumë amerikanë.  Jo vetëm për simbolikën e saj, por sepse është në fillim të verës në Shtetet e Bashkuara, gjatë periudhës së pushimeve të shkollës, prandaj njerëzit e kanë mjaft lehtë që të dalin dhe të kënaqen me miqtë e familjarët në mot të mirë në ShBA.

Radio Kosova: A ndryshon mënyra se si kremtohet 4 korriku në Shtetet e Bashkuara të Amerikës varësisht nga qeveria? Jo vetëm si feston populli ose zyrtarët, por edhe diplomatët?

Ambasadori Delawie: Mendoj se festa e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë, është festë që nxitet nga populli.  Nuk duket se ka shumë ndryshime si festohet kjo datë në SHBA vit pas vit.  Jashtë vendit, si diplomat amerikan i emëruar jashtë vendit, tradicionalisht organizojmë ndejën për nder të Ditës së Pavarësisë, ku ftojmë zyrtarë, figura nga fusha e kulturës, shumë njerëz nga Kosova me të cilët kemi punuar gjatë vitit paraprak.  Është festa e ditës sonë kombëtare.  E kemi mbajtur ndejën tonë para disa ditëve; ndryshoi nga mënyra se si e kemi bërë në të kaluarën, por arsyeja ishte vetëm se po përpiqemi t’i bëjmë gjërat pak më ndryshe nga viti në vit.

Radio Kosova: Z. Ambasador, a mësojnë fëmijët në shkollë për historinë e SHBA-së, për Kushtetutën, për atë se si ndodhën ngjarjet para 241 viteve? A flasin njerëzit për këtë në familjet e tyre?

Ambasadori Delawie: Po, mësojnë.  Fëmijët e mi kanë mësuar këtë nga përvoja e tyre në shkollat publike në SHBA.  Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndjejmë se është shumë me rëndësi të mësojmë për historinë tonë, si dhe natyrisht edhe për historinë botërore.  Por, fëmijët mësojnë gjatë periudhave të ndryshme të mësimit në shkollën fillore dhe të mesme për ngjarjet e revolucionit amerikan, për ndarjen nga Britania e Madhe dhe për zhvillimin e qeverisë amerikane prej vitit 1776 e deri më sot.

Radio Kosova: A mund të shërbejë Kushtetuta e SHBA-së si shembull për pjesën tjetër të botës?  Kam qenë atje dhe e di se SHBA-ja është shtet i hapur, p.sh. në Nju Jork ka shumë të huaj dhe atje kam dëgjuar të fliten edhe gjuhë të tjera përveç anglishtes.  Pra, a mund të shërbejë Kushtetuta e SHBA-së si shembull edhe për vendet e tjera?

Ambasadori Delawie: Qartazi mendoj se Kushtetuta e SHBA-së ka shërbyer si shembull për shumë vende të tjera gjatë viteve.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës natyrisht janë demokracia më e vjetër e vazhdueshme në botë.  Tani ka shumë shtete që kanë sisteme demokratike dhe shumica e sistemeve dallojnë paksa nga ai i SHBA-së, p.sh. është sistemi i parlamenteve në vend të sistemit tonë të Kongresit.  Por, mendoj se temat kryesore të Kushtetutës së SHBA-së jetojnë në vendet e tjera demokratike në botë dhe natyrisht, unë mendoj se ato janë shumë pozitive.

Radio Kosova: Për ta përmbyllur këtë intervistë, Z. Ambasador: cilat janë sfidat që i keni tash e tutje, jo vetëm sfidat e brendshme të SHBA-së, por edhe me vendet e tjera?

Ambasadori Delawie: Mendoj se është me rëndësi ta shihni porosinë që e dhashë të premten, më 30 qershor, gjatë kremtes sonë të 4 korrikut, që është në uebfaqen e ambasadës sonë.  Aty fola për sfidat me të cilat përballet Kosova dhe natyrisht kjo gjë është më së shumti në mendjen time sepse puna ime është që të punoj në marrëdhëniet SHBA-Kosovë.  Kam përshtypjen se shumë njerëz këtu ndjehen se kanë ngecur e që nuk po bëjnë mjaft përparim.  Sigurisht që edhe në Shtetet e Bashkuara kemi pasur kohë të tilla.  Ka pasur kohë kur ka pasur ngërçe dhe ato kohë janë tejkaluar kur udhëheqësit janë bërë bashkë për të mirën e kombit, jo për të mirën e tyre, dhe kanë gjetur zgjidhje e kompromis për çështjet e rëndësishme.

Mendoj, siç e përmenda edhe të premten në mbrëmje, se jemi në një pikë kthimi.  Apo, më mirë ta themi se Kosova është në pikë kthimi dhe populli i Kosovës dëshiron përparim e jo ngecje.  Natyrisht, SHBA-ja dëshiron që Kosova të vazhdojë të ketë sukses; ne vazhdojmë ta përkrahim një Kosovë sovrane, demokratike, shumetnike në paqe me fqinjtë e vet dhe plotësisht të integruar në komunitetin global.  Presim me padurim të punojmë me gjeneratën e ardhshme të udhëheqësve kosovarë që i ndajnë këto qëllime.

Radio Kosova:  Z. Ambasador, ju faleminderit shumë për intervistën.

Ambasadori Delawie: Ju faleminderit shumë.