Intervista e ambasadori Hovenier për Isak Vorgucic

Intervista e ambasadori Hovenier për Isak Vorgucic, 6 shkurt 2024

Radio KIM: Z. ambasador, java e kaluar u shënua me disa ngjarje që patën ndikim negativ në komunitetin serb në Kosovë. Serbët e konsiderojnë këtë sjellje të autoriteteve të Kosovës si presion dhe synim për të dëbuar pjesën e mbetur të popullatës serbe. Çka mendoni për veprimet më të fundit të Qeverisë së Kosovës? Çfarë porosie po iu dërgohet serbëve në Kosovë?

Ambasadori Hovenier: Gjatë javës së shkuar, shumë herë kam folur publikisht për rregulloren e ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për operacione me para të gatshme. Gjithashtu kemi pasur biseda të shumta me Qeverinë e Kosovës në të gjitha nivelet, përfshirë bisedat telefonike ndërmjet ndihmës-sekretarit të Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Xhim O’Brajan dhe kryeministrit Kurti. Ne vazhdojmë t’i kërkojmë Kosovës të shtyjë zbatimin e Rregullores së BQK-së derisa të mos jenë nxjerrë procedura të përshtatshme në përputhje me standardet evropiane dhe derisa të mos jenë qartësuar mënyrat që individët t’i marrin përfitimet dhe pagesat e tyre, si dhe derisa popullata të jetë njoftuar mjaftueshëm si do të vazhdojë pagesa e përfitimeve të tyre. E respektojmë të drejtën e Bankës Qendrore dhe të qeverisë për të rregulluar sektorin financiar, por kjo është çështje shumë e ndjeshme që ka ndikim të drejtpërdrejt në mënyrën se si qytetarët kosovarë marrin mbështetjen financiare nga Serbia. Prandaj, dëshirojmë të shohim që qeveria dhe Banka Qendrore të shfaqin ndjeshmëri të madhe dhe të jenë të kujdesshme se si do të vazhdojë kjo gjë, duke marrë parasysh ndikimin që ky ndryshim do të ketë në disa prej qytetarëve më të cenueshëm të Kosovës.

Radio KIM: Në deklaratën tuaj gjatë fundjavës, ju shprehët shqetësimin për disa lëvizje të qeverisë së Kosovës, të vetëdijshëm se këto lëvizje do të kenë ndikim negativ në serbët e Kosovës. A brengoseni për mundësinë e përshkallëzimit të situatës dhe a mundet prania më e madhe e KFOR-it, kryesisht në veri, të kontribuojë për të parandaluar përshkallëzimin?

Ambasadori Hovenier: Siç thashë në deklaratën time të fundjavës, jemi shumë të shqetësuar për këto veprime që kanë ndikim të drejtpërdrejt dhe negativ në serbët kosovarë, por edhe në komunitetet tjera të pakicave. Sekuestrimi i dinarëve më 3 shkurt të paraparë për pagesën e përfitimeve sociale nga Serbia është një shembull i atyre veprimeve. Në mënyrë specifike për këto pagesa, presim që autoritetet kosovare të sigurojnë që përfituesit e këtyre pagesave t’i marrin ato pa vonesë. E dini, jam prind dhe i kam rritur katër fëmijë. Nëse qeveria ime do të fillonte të bënte gjëra që do ta bënin më të vështirë për fëmijët e mi të shkonin në shkollë dhe të arsimoheshin ose që të më vështirësonte qasjen te një pediatër, do të isha mjaft i pakënaqur. Dhe do të ndjeja se qeveria ime jo domosdoshmërish po i kushtonte vëmendje gjërave që drejtpërdrejt më prekin mua dhe familjen time. Pra, po flas vetëm si qenie njerëzore. Shumica prej nesh dëshirojmë që familjet tona të jetojnë në kushte të dinjitetit dhe sigurisë, të kenë arsim të mirë, të kenë kujdes të mirë shëndetësor, të kenë parashikueshmëri. Dua që gjyshi im të marrë pensionin çdo muaj. Dhe jam më pak i shqetësuar në cilën llogari bankare e merr atë, por më shumë se a ka para për të blerë bukë. Dëshiroj të theksoj se në një kuptim më të gjerë, mendojmë se është e rëndësishme të fokusohemi në veprimet që përmirësojnë qetësinë dhe paqen dhe që na nxisin të përqendrohemi për të shtyrë përpara zbatimin e plotë dhe të tërësishëm të Marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit të saj. Kjo do të forcojë stabilitetin rajonal dhe të shtyjë përpara trajektoren evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Për këtë arsye, e çmojmë praninë e madhe të KFOR-it në veri të Kosovës sepse një Kosovë në paqe, të sigurt e shohim si çelës për arritjen e përparimit politik.

Radio KIM: A pritni përmbyllje të suksesshme dhe të plotë të procesit të përfundimit të mandatit të katër kryetarëve shqiptarëve të komunave me shumicë serbe në veri? Në situatën e tanishme, a ka mundësi për zgjedhje të drejta dhe demokratike për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok?

Ambasadori Hovenier: Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë nga bashkësia ndërkombëtare po e përcjellin situatën për së afërmi. Na vjen mirë që qeveria kosovare nxori një udhëzim administrativ.  Mendojmë se është e rëndësishme që qytetarët të kenë mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të shkarkuar zyrtarët e zgjedhur nëse ata zgjedhin ta bëjnë këtë. Dhe në lidhje me katër kryetarët e komunave në veri, le të jemi të sinqertë, qeveria e Shteteve të Bashkuara absolutisht e ka pranuar rezultatin e atyre zgjedhjeve si ligjore, në përputhje me ligjin e Kosovës. Por, nuk mendoj se cilido prej nesh mund të jetë i kënaqur me një zyrtar të zgjedhur me jo më shumë se 4 për qind të votuesve të regjistruar që votuan në ditën e zgjedhjeve. Ky nuk është mandat për ndryshime të thella politike apo edhe të jetë në gjendje të pohojë se përfaqësoni plotësisht zonën elektorale që ju zgjodhi. Prandaj, shpresojmë që Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimin e marrë ndaj nesh dhe Bashkimit Evropian për të lehtësuar këtë proces. Sa e kam kuptuar, qytetarët në veri po iu përmbahen hapave të paraparë në Udhëzimin Administrativ. Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon se një numër i mjaftueshëm i votuesve me të drejtë vote kanë nënshkruar peticionet për largimin e kryetarëve të komunave, ne presim që të gjithë zyrtarët kosovarë, në të gjitha nivelet, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të kaluar shpejt në hapin tjetër – që është caktimi dhe mbajtja e zgjedhjeve – dhe lehtësimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi pa asnjë vonesë. Dhe nuk do të jemi shumë të durueshëm me rrethanat që do të sillnin vonesa. Realiteti është se hapi tjetër duhet të ndodhë brenda afatit kohor të pritshëm, që mendoj se është 45 ditë dhe ne do të presim nga të gjitha autoritetet e Kosovës, përfshirë partitë opozitare që përfaqësohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, apo qeveria, presidenca dhe institucionet e tjera shtetërore, që të bëjnë gjithçka për të çuar përpara këtë proces. Pastaj, shpresojmë të shohim zgjedhje të drejta dhe demokratike, ku të gjithë të prekurit marrin pjesë.

Radio KIM: Lista serbe, si dhe përfaqësues të autoriteteve në Serbi, paralajmërojnë për eksod të mundshëm të serbëve. Si të parandalojmë serbët që të mos e lënë Kosovës pas vargut të veprimeve të fundit të institucioneve të Kosovës? Është fakt se ata tashmë po largohen…

Ambasadori Hovenier: Vizioni ynë për Kosovën gjithmonë ka qenë një shoqëri shumetnike ku të gjithë qytetarët gëzojnë të drejta dhe mbrojtje të barabartë pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo veçoritë e tjera dalluese. Ambasada amerikane iu jep përparësi programeve dhe përpjekjeve që çojnë përpara këtë vizion. Ndër qëllimet parësore të ambasadës sonë është nxitja e përparimit ekonomik të Kosovës, ashtu që qytetarët e të gjitha sferave dhe etnive të kenë mundësi ekonomike për të përmirësuar jetesën e tyre këtu. Pritjet tona janë që Qeveria e Kosovës të bëjë të pamundurën që të gjithë qytetarët e saj, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, të mund të jetojnë në kushte dinjiteti dhe sigurie. Për këtë arsye i kemi kërkuar qeverisë shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore, meqenëse mënyra se si zbatohet i prek drejtpërdrejt qytetarët e cenueshëm. Njerëzit, e në këtë rast të caktuar, komuniteti etnik serb, shqetësohen se mund të mos kenë qasje në përfitimet e tyre sociale apo në institucione në të cilat janë mbështetur me dekada për t’ju ofruar shërbime bazë, duke përfshirë kujdesin shëndetësor dhe në arsim.

Radio KIM: A mundet ShBA-ja, si mike tradicionale e Kosovës, të ndikojë te kryeministri Albin Kurti për të ndryshuar qasjen e tij ndaj komunitetit serb, e cila nuk duket të jetë dashamirëse? Kosova është ende nën masat e BE-së për shkak të këmbënguljes për lëvizje të njëanshme që kontribuuan në përshkallëzimin e situatës në fund të pranverës së vitit të kaluar.

Ambasadori Hovenier: Me vite të tëra, zyrtarët amerikanë kanë punuar me zyrtarët kosovarë për çështjet e ndjeshme dhe të rëndësishme të të drejtave dhe gjendjes së pakicave në Kosovë, përfshirë të komunitetit serb të Kosovës. Ne e konsiderojmë këtë si çështje thelbësore. Mënyra se si autoritetet kosovare përgjigjen ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e partneritetit tonë. E çmojmë partneritetin dhe miqësinë e gjatë me Kosovën. Dëshirojmë ta vazhdojmë atë partneritet, madje edhe ta thellojmë. Por, ky partneritet varet nga homologët tanë kosovarë. Partneriteti i mirë nënkupton t’i dëgjosh miqtë dhe të marrësh parasysh pikëpamjet e tyre. Nënkupton që nganjëherë duhet të bëhen sakrifica apo kompromise. Cilësia e partneritetit tonë përfundimisht do të vuajë nëse shohim se kërkesat dhe rekomandimet tona nuk vlerësohen apo refuzohen. Kam qenë mjaft i qartë rreth qëndrimit të Shteteve të Bashkuara për këtë. Unë – dhe ekipi im – vazhdimisht e inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që në mënyrë aktive të shtrijë dorën dhe t’i dëgjojë komunitetin e saj etnik serb, përfshirë edhe në ato vende në Kosovë ku individët janë larguar nga institucionet kosovare, në përpjekje për t’i trajtuar shqetësimet e identifikuara nga ta.

Radio KIM: Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se organet e përkohshme janë institucione ilegale, paralele. Por, këto institucione kanë funksionuar në Kosovë qe 25 vjet pas luftës dhe kjo nuk e ka brengosur askënd deri tash. Këto institucione, duke përfshirë të arsimit dhe shëndetësisë, punësojnë numrin më të madh të serbëve në Kosovë. Çka mund t’ju ofrojë qeveria e Kosovës serbëve që do ta humbin vendin e punës për shkak të mbylljes së mundshme të autoriteteve të përkohshme?

Ambasadori Hovenier: Më lejoni t’i referohem deklaratës sime të së shtunës: ne jemi tepër të shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim të drejtpërdrejt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore derisa të ketë procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane, duke përfshirë planet se si Serbia mund të vazhdojë të ofrojë mbështetje – siç ka të drejtë të bëjë sipas planit të Ahtisaarit – për shërbime shëndetësore dhe arsimore për komunitetin serb të Kosovës. Sigurisht që mund të them se po e vëzhgojmë këtë situatë me shumë vëmendje dhe po bëjmë maksimumin që këto shqetësime t’ua vëmë në pah homologëve tanë në Qeverinë e Kosovës. Prandaj, më lejoni të theksoj se pikërisht një situatë e tillë na shtyn të mendon përse është urgjente që Qeveria e Kosovës të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjithmonë e kemi konsideruar Asociacionin si mekanizmin përmes të cilit Serbia mund të vazhdojë të ofrojë këtë mbështetje në mënyrë që është në përputhje me kërkesat e Kosovës dhe të jetë transparente për Qeverinë e Kosovës.

Radio KIM: Duket se Kosova nganjëherë i respekton ligjet e veta në mënyrë shumë selektive, veçanërisht nëse merret parasysh edhe rasti i Manastirit të Deçanit, por edhe situata e kohëve të fundit me një sërë kishash ortodokse në Kosovë, të cilat janë të ngarkuara me të kaluarën, që ta themi me mirësjellje, nuk është e përshtatshme?

Ambasadori Hovenier: Ne kemi qenë shumë të qartë dhe këmbëngulës për rastin e tokës së Manastirit të Deçanit: ky rast ka të bëjë me sundimin e ligjit, jo me etninë, politikën apo fenë. Vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 dhe ta regjistrojnë tokën. Respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është çështje „zgjidh e merr” dhe sigurisht nuk është çështje e negociatave, politikës apo ujdive. Vonesat e vazhdueshme për respektimin e ligjit vënë në dyshim përkushtimin e Kosovës për barazi në drejtësi, llogaridhënie, transparencë dhe respektimin të të drejtave pronësore. E sa i përket lokaliteteve të tjera të trashëgimisë fetare, ne gjithmonë avokojmë dhe vazhdimisht bëjmë thirrje për mbrojtjen e atyre lokaliteteve. Autoritetet kosovare janë përgjegjëse për mbrojtjen e tyre, pa marrë parasysh cilës etni i takojnë ato. Diskutoj shpesh me zyrtarët e Kisha ortodokse serbe dhe të qeveria e Kosovës për këto çështje të rëndësishme.

Radio KIM: Si mund të presim që serbët ta pranojnë Kosovën si shtet të tyre nëse ata që janë në krye të këtyre institucioneve sillen kështu ndaj qytetarëve të tyre? Ju vetë flisni shpesh që serbët në Kosovë kanë të drejtë të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet. A po largohemi në mënyrë të pakthyeshme nga kjo?

Ambasadori Hovenier: Siç e theksuat, njëmend besoj që të gjithë qytetarët në Kosovë duhet të kenë mundësi të jetojnë jetën në kushte të dinjitetit dhe sigurisë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Dhe unë besoj se çdo qytetar ka të drejtën e kthimit në shtëpinë e tij dhe duhet të jetë në gjendje ta bëjë këtë, pa pasur asnjë kërcënim apo frikësim për përpjekjen për ta ushtruar këtë të drejtë.  Ne gjithashtu kemi avokuar që serbët e Kosovës që u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022 të kthehen aty ku është e mundur. Unë gjithashtu inkurajoj serbët e Kosovës që të përfitojnë nga mundësitë që u ofron Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, duke përfshirë pjesëmarrjen në proceset politike siç janë zgjedhjet dhe përfaqësimi aktiv në organet e zgjedhura. Një pjesë themelore e demokracisë është pjesëmarrja e qytetarëve. Ajo funksionon vetëm kur ju merrni pjesë. Pra, shpresoj që në muajt në vijim të shohim zgjedhje të reja për kryetar komune në veri që do të nxjerrin liderë politikë që gëzojnë mandat të gjerë nga votuesit e tyre. Dhe shpresoj se do të shohim pjesëmarrje më të madhe politike dhe sociale në të gjitha nivelet e shoqërisë, për të nxjerrë në pah fushat ku sistemi nuk po funksionon dhe për të adresuar këto sfida me të cilat po përballen komunitetet.

Radio KIM: Z. Ambasador, disa analistë kosovarë mendojnë se kjo (mbyllja e organeve të përkohshme të qeverisë së Republikës së Serbisë) është mënyra për të themeluar një Bashkësi/Asociacion të Komunave me shumicë serbe. A mund të jetë kjo mënyra? Ku jemi për momentin kur është fjala për themelimin e Asociacionit?

Ambasadori Hovenier: Nuk do të komentoj për mendimet e analistëve, por tashmë e kemi mënyrën për të ecur përpara: marrëveshjet që Kosova dhe Serbia i kanë arritur në Bruksel dhe në Ohër vitin e kaluar. Tashmë e kemi një marrëveshje të mirë dhe aneksin e zbatimit dhe tani presim nga Kosova dhe Serbia të ecin përpara për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre.  Për Kosovën, kjo do të thotë se po kërkojmë përparim të menjëhershëm për Asociacionin. Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në bashkërenditje me partnerët tanë të BE-së, për të mbështetur Serbinë dhe Kosovën që zbatimi i marrëveshjeve të funksionojë në përpjekje për arritjen e një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Asociacioni nuk është obligimi i vetëm ekzistues që qeveria e Kosovës e ka marrë tashmë. Besojmë se një Asociacion do ta ndihmojë Kosovën që t’i trajtojë shqetësimet e komunitetit etnik serb më me sukses. Asociacioni duhet të themelohet në mënyrë të tillë që e respekton Kushtetutën e Kosovës dhe nuk ndikon në mënyrë negative në rendin kushtetues apo funksionimin e qeverisë. Përkitazi me institucionet e mbështetura nga Serbia, do të thosha se kjo ka qenë në rend të ditës të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për shumë vite. Është çështje e rëndësishme. Çështjet lidhur me funksionin e tyre dhe integrimin në sistemin kosovar janë të ndjeshme dhe kërkojnë trajtim të kujdesshëm. Kjo është arsyeja përse këto çështje duhet të ngrihen dhe adresohen në dialog e jo përmes veprimit të njëanshëm.

Radio KIM: Sa do ta ngadalësojë ky vit zgjedhor anembanë botës (zgjedhjet për rreth dy miliardë njerëz në mbi 60 vende) arritjen e zgjidhjes së dëshiruar shumë sa i përket marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ambasadori Hovenier: Nuk do të dëshiroja të nënvlerësoj rëndësinë e një procesi të tillë si zgjedhjet në cilido vend dhe ju keni të drejtë që vini në pah rëndësinë e zgjedhjeve që do të mbahen në shumë vende këtë vit, përfshirë në BE dhe SHBA, por unë do të thosha se ka ende kohë, dhe kështu, është edhe një arsye më shumë për të ecur me urgjencë për marrëveshjet që tashmë janë arritur.

Radio KIM: Në fund, më lejoni t’ju përkujtoj pikëpamjet e përsëritura së fundmi të Sekretarit Blinken mbi rreziqet që sjell dezinformimi për sigurinë kombëtare. ShBA-ja po punon për një kornizë diplomatike për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformimin. Nga ana tjetër, në Kosovë kemi një projektligj të ri nga Komisioni i Pavarur për Media, sipas të cilit ky institucion do të ishte përgjegjës për video-materialet e publikuara nga portalet online dhe do të mund të caktonte dënime shumë të larta për ata që e shkelin atë. Si mund të gjejmë një mënyrë të përshtatshme që bën me sukses ndarjen e kontrollit sistematik të medias dhe përmbajtjes nga postimi i papërgjegjshëm i informacionit të pa-verifikuar?

Ambasadori Hovenier: Keni të drejtë, ne i shohim rreziqet e manipulimit të informacionit dhe dezinformimit si një kërcënim, dhe ky është një prioritet kyç për Qeverinë e SHBA. Dua të pranoj se media juaj ka qenë një partner kyç në këtë luftë këtu në Kosovë, së bashku me koalicionin tuaj të pavarur mediatik. Për projektligjin e ri që ju referoni, e kuptoj që nuk ka arritur ende në Kuvend, por shpresoj që assesi nuk do të dëmtojë lirinë e medias dhe atë të shprehjes.  Por, në këtë epokë kur mediat sociale e kanë bërë të mundur përhapjen e shpejtë të keqinformimit dhe dezinformimit, është e rëndësishme të shikohet nga afër se si duhet të rregullohet hapësira e informacionit digjital. Ju mund ta dini se unë kam qenë subjekt i këtyre „deepfakes” – regjistrime të falsifikuara të dikujt që po shtiret për mua, duke bërë një bisedë telefonike që nuk e kam pasur kurrë. Këto gjëra janë të rrezikshme dhe duhet të jemi të kujdesshëm se si i marrim lajmet tona dhe çfarë besojmë. Këshilla ime më e mirë për këdo që është lexues lajmesh është që ata të gjejnë disa burime të besueshme informacioni dhe t’i kontrollojnë ato rregullisht. Dhe përfundimisht unë NUK mbështetem në mediat sociale ose grupet në WhatsApp për tu njoftuar me të lajmet më të reja – i lexoj në faqet e internetit të lajmeve të verifikuara që e di se janë të besueshme.