RTK 2: Ju faleminderit shumë që keni gjetur kohë për këtë intervistë. E dimë që jeni të zënë dhe që keni shumë angazhime.
Ambasadorja Jacobson: Është kënaqësi për mua që jam këtu për t’ju përgëzuar në përvjetorin e dytë të RTK 2.
RTK 2: Po bëhen dy vjet që kur RTK 2 ka filluar transmetimin e programit. Në ndërkohë, a i ka arsyetuar pritjet tuaja?
Ambasadorja Jacobson: E mbaj mend kur është hapur kanali i dytë dhe më duhet t’ju përgëzoj për shtimin e vazhdueshëm të programit që keni arritur ta prodhoni këtu. E di që RTK 2 ka prodhuar pothuajse 4000 video-inçizime, ka pasur mbi 1200 mysafirë dhe më duhet t’ju uroj edhe për larminë e mysafirëve tuaj, jo vetëm sa i përket përkatësisë së tyre etnike, por edhe kush janë ata. Keni pasur mysafirë prej presidentëve e zyrtarëve qeveritarë e deri te artistët e sportistët. Mendoj se kjo është shumë me interes për njerëzit dhe është e rëndësishme për Kosovën që të ketë transmetues publik në gjuhën serbe. Është me rëndësi jo vetëm për ata qytetarë që e flasin këtë gjuhë që të kenë mundësi për t’u njoftuar në gjuhën e tyre ambtare, por po ashtu është edhe shenjë e përkushtimit të qeverisë prë t’i adresuar nevojat e të gjitha komuniteteve të këtushme.
RTK 2: Sa është i rëndësishëm RTK 2 për komunitetin serb në Kosovë duke marrë parasysh se para themelimit të këtij kanali nuk ka pasur transmetues publik në gjuhën serbe, por ka pasur vetëm stacione lokale private televizive dhe radiofonike në gjuhën serbe?
Ambasadorja Jacobson: Mendoj se në demokraci është e rëndësishme që qytetarët të kenë qasje në burime të ndryshme të informimit ashtu që të mund t’i dëgjojnë mendimet e ndryshme dhe ta formojnë vetë mendimin e tyre rreth çështjeve me rëndësi për ta. Pra, nevojitet një kombinim i transmetuesve publikë dhe privatë. Po ashtu, tani njerëzit informohen në mënyrë të ndryshme. Disa i lexojnë gazetat, të tjerët e shikojnë televizorin… gjithnjë e më shumë njerëzit informohen nga interneti dhe këtu dëshiroj t’ju uroj edhe për vënien e lajmeve në uebfaqen tuaj, që është burim i mirë i informatave për shumë njerëz.
RTK 2: Anketat tona në vend kanë treguar se RTK 2 shikohet edhe nga komunitetet e tjera. Në këtë kontekst, a mundet RTK 2 të shërbejë si mjet për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve?
Ambasadorja Jacobson: Mendoj se është me rëndësi për të gjitha mjetet e informimit që t’i ngrejnë ato çështje e tema, të cilat janë me interes për qytetarët e rëndomtë. E në këtë vazhdë, meqenëse RTK 2 po ngre çështje që kanë të bëjnë me shumë komunitete të ndryshme, ashtu që ato komunitete kanë mundësi t’i diskutojnë bashkërisht ato, atëherë po, mendoj se kjo ndihmon.
RTK 2: Kanali i dytë i RTK-së i ka të punësuar 90 veta, 80 prej të cilëve janë të komunitetit serb. Thuhet që përbëjmë komunitetin më të madh serb në Prishtinë. A mundet RTK 2 të nxisë kthimin në Kosovë të serbëve të zhvendosur?
Ambasadorja Jacobson: Kur flasim për kthimin e njerëzve në Kosovë, ata përballen me të njëjtën sfidë si të gjithë të tjerët në Kosovë: zhvillimi ekonomik dhe punësimi. Prandaj, na nevojiten më shumë vende pune ashtu që të rinjtë ta ndjejnë se edhe këtu kanë mundësi për ta ndërtuar të ardhmen e tyre. E di se këtu i keni të punësuar rreth 80 serbë të Kosovës, por do të dëshiroja të shoh përqindje më të madhe të serbëve dhe pakicave të tjera të punësuar në institucionet qeveritare dhe agjencitë e pavarura. Qeveria duhet t’i ketë10% të pakicave të punësuar në strukturat e vet, por as që i afrohet përmbushjes së këtij synimi. Prandaj na nevojiten më shumë zëra nga rradhët e pakicave në qeveri, në institucionet qeveritare ashtu që të mund t’i marrin vendimet më të mira të mundshme dhe ta japin kontributin më të madh në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.
RTK 2: Ju faleminderit shumë.
Ambasadorja Jacobson: Ju faleminderit juve.