Fjala e Ambasadorit Delawie për IDAHOT 2018, 17 maj 2018
Më vjen shumë mirë që jam këtu në bulevardin “Nëna Terezë” në këtë mot kaq të mirë. Shpresoj që të gjithë të dalin në këtë ditë kaq të bukur dhe për ta parë ekspozitën që po shfaqet këtu.
Sot është Dita ndërkombëtare kundër homofobisë, transfobisë dhe bifobisë, që më mirë njihet me shkurtesën IDAHOT. Jam këtu për të treguar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të drejtat e njeriut të personave LGBTI në Kosovë, për të drejtën e tyre për të jetuar të lirë nga diskriminimi dhe frika. Më me rëndësi se prania ime këtu është prania e aktivistëve vendorë dhe kjo ekspozitë. Është jetike që qytetarët e Kosovës janë këtu për të folur në emër të tyre, duke treguar mbështetjen e tyre për komunitetin e margjinalizuar dhe për tu angazhuar me ata njerëz që ndoshta nuk dinë për vështirësitë me të cilat përballen personat LGBTI.
Këtë vit, Departamenti i Shtetit po e nënvizon se dhuna për shkak të orientimit seksual, identitetit gjinor, shprehjes gjinore apo veçorive të seksit përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut që i ndajmë të gjithë. Për këtë arsye kjo ekspozitë po mbahet tamam në kohë – na detyron të pranojmë se edhe nëse nuk shohim dhunë në rrugë, personat LGBTI po përballen me gjuhë të dhunshme ose të urrejtjes në internet ose prapa dyerve të mbyllura. Fuqimisht e mbështesim hetimin dhe ndjekjen penale të kryesve të këtij lloji të ngacmimit dhe dhunës siç shprehet në ligjet kundër diskriminimit në Kosovë.
Kosova ka përparuar shumë sa i përket kësaj çështjeje brenda një kohe të shkurtë dhe i përgëzoj të gjithë që kanë punuar me ngulm për t’i tejkaluar paragjykimet dhe për të ndryshuar mendimet. Mos hiqni dorë dhe ta dini që SHBA janë këtu për t’ju mbështetur në çdo hap gjatë tërë rrugëtimit.