Heqja e pengesës për mundësi të barabarta

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë së nismës së projektit “Heqja e pengesës për mundësi të barabarta”, 8 mars 2017

Ju faleminderit, Shkëndije.  Ju faleminderit edhe për udhëheqjen tuaj dhe punën e mundimshme për ta nisur këtë projekt.  Dëshiroj t’i falënderoj edhe stafin dhe anëtarët e organizatës KUSA (Ish-pjesëmarrësve kosovarë në programet në Shtetet e Bashkuara) për bashkërenditjen e këtij projekti.

Presidente Jahjaga, mysafirë të nderuar.  Kam kënaqësinë që jam sot bashkë me disa prej prijëseve afariste më të talentuara të Kosovës – veçanërisht në Ditën ndërkombëtare të gruas.

Siç e dini, ambasada jonë ka shumë projekte për promovimin e të drejtave të grave në Kosovë.  Ne i mbështesim shumë projekte që kanë të bëjnë me të drejtat pronësore të grave, si dhe ndërmarrësinë dhe bizneset e vogla të grave.  Angazhohemi rregullisht me qeverinë, shoqërinë civile, sektorin e biznesit dhe hisedarët e tjerë përkatës për të krijuar ndryshim pozitiv.

Ka gjasa që tashmë e keni dëgjuar këtë analogji: nuk do t’i fitoni shumë ndeshje futbolli nëse gjysma e lojtarëve rrinë në bankë.  Përparimi i Kosovës varet nga përfshirja e plotë e grave të talentuara në qeveri dhe në sektorin privat.

Për këtë arsye i mbështes fuqimisht qëllimet e këtij projekti.  Ta themi shkurt: përfaqësimi i grave në pozita udhëheqëse të qeverisjes e korporatave, si në institucionet publike, po ashtu edhe në ato private në Kosovë nuk është në nivelin që do të duhej të ishte – veçanërisht në bordet e këtyre institucioneve.

Kjo është shqetësuese sepse i dimë shkathtësitë dhe aftësitë intelektuale dhe profesionale të grave në Kosovë – dhe e dimë se do të jeni aset për këto institucione.

Për këtë arsye e mbështesim këtë projekt, si dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim nismat si kjo.  Zhvillimi profesional ia hap rrugën barazisë më të madhe gjinore.  Barazia më e madhe gjinore mbështet fuqizimin ekonomik e fuqizimi ekonomik do të sjellë të ardhme më të ndritur për Kosovën.

Jam i bindur se përmes këtij projekti, të gjithë do t’i përfitoni shkathtësitë dhe përvojën e domosdoshme për të qenë anëtarë të suksesshëm të bordeve dhe shpresoj se me kohë shumë prej jush do ta fitoni atë mundësi.  Kur ta arrini këtë, e di se do t’i shfrytëzoni njohuritë dhe përvojën tuaj për të marrë vendime të informuara mirë dhe të rëndësishme që do ta formësojnë të ardhmen e institucioneve të Kosovës dhe do të sjellin ndryshime pozitive.

Në fakt, tema globale e Departamentit të Shtetit për Ditën ndërkombëtare të gruas sot është: “Të guximshme për ndryshim”.

Në këtë frymë, do të shtoj se jo vetëm që shohim drejt jush për tu ngritur me guxim si prijëse, por po ashtu shikojmë drejt jush që të gjeni mënyrat tuaja për ta shpaguar të mirën, të frymëzoni brezin e ardhshëm të udhëheqëseve dhe të siguroni që edhe ato do t’i kenë të njëjtat mundësi të barabarta që ju i meritoni.  Së bashku, guximshëm mund ta ndryshoni të ardhmen e Kosovës.

Ju priftë e mbara të gjithave.