Fjala e ambasadorit Delawie gjatë hapjes së programit për kompensimin e viktimave të krimit, 22 maj 2017
Mirëmëngjesi. Ministre Hoxha, kryesues Idrizi, kryesues Isufaj, kryeprokuror i shtetit dhe mysafirë të nderuar. Shumë prej jush e dinë se përmirësimi i sundimit të ligjit është qëllimi parësor dhe më i rëndësishmi që ia kam vënë ambasadës sonë në Prishtinë. Shumicën e kohës flas për korrupsionin, por këtu ka edhe sfida të tjera të sundimit të ligjit. Prandaj, jam shumë i lumtur që jam këtu për ta shënuar fillimin e këtij programi të rëndësishëm.
Ky program paraqet një hap në sistemin në zhvillim e sipër të drejtësisë së Kosovës. Pas ditës së sotshme, viktimat më në fund do të mund të kërkojnë kompensim prej shtetit për lëndimet e tyre. Përderisa ky program ia mundëson Kosovës t’i përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare, ai është absolutisht thelbësor për t’iu ndihmuar viktimave për të rikthyer një pjesë të asaj që iu është marrë e t’i shmangen viktimizimit për herë të dytë.
Procesi për kompensimin e viktimave u vë në jetë në në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2013. Ligji për kompensimin e viktimave të krimit më në fund kaloi në vitin 2015, por miratimi i ligjit nuk mjaftoi. Në fakt, kishte mbetur ende edhe shumë punë për tu kryer. Duhej të themelohej Bordi për kompensim, të hartoheshin rregulloret komplekse, si dhe përfundimisht nevojiteshin para për këtë program.
Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës punuan së bashku për të siguruar që ligji do të ishte funksional e jo vetëm të shprehte qëllime të mira në një copë letre. Tash programi është i gatshëm për tu vënë në jetë. Por duhet të bëhet edhe një gjë. Është absolutisht e domosdoshme që programi për kompensimin e viktimave të krimit të përfshihet në buxhet për të siguruar që ai do të jetë funksional edhe në vitet e ardhshme. Shpresoj që kjo gjë të mos anashkalohet në të ardhmen.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara, përmes programit të OPDAT-it të Departamentit të Drejtësisë, ka punuar vazhdimisht me palën kosovare për krijimin dhe zhvillimn e programit për kompensimin e viktimave të krimit. Mbështetja jonë ka përfshirë kontributin në përpilimin e ligjit, hartimin e rregulloreve për udhëzime të Bordit, si dhe trajnime për ti përgatitur ata për punën që i pret. Po ashtu, kemi trajnuar gjyqtarë, prokurorë dhe mbrojtësit e viktimave rreth mënyrës se si funksionon ligji ashtu që kërkesat të parashtrohen dhe të përmbushen brenda afatit të duhur kohor. E do të vazhdojmë të punojmë me ta edhe në të ardhmen.
Kompensimi i viktimave dhe siguria e tyre janë të domosdoshme, por janë vetëm një pjesë e barazimit. Një pjesë tjetër e zhvillimit të sistemit të rreptë të drejtësisë penale është marrja e përfitimit nga duart e krimit e kjo nënkupton konfiskimin e aseteve. Kjo ndoshta është mënyra më efikase për luftimin e krimit të organizuar. Mjetet e konfiskuara mund të përdoren për të mirë: për kompensimin e viktimave, ndërtimin e strehimoreve për viktimat e dhunës në familje ose për përpilimin e programeve në shkolla për vetëdijesim ndaj viktimave. I nxis policët, prokurorët, gjyqtarët ta përdorin konfiskimin e aseteve si mjet për pengimin e krimit dhe për ndihmesën e viktimave të krimeve të dhunshme.
Ju nxis të gjithëve në sistemin e drejtësisë për ta kujtuar se puna juaj ka ndikim në njerëz të vërtetë, jo në numra apo emra në një copë letre, por në qytetarët e Kosovës. Viktimat që i shihni nuk kanë zgjedhur të jenë viktima. Programi për kompensimin e viktimave të krimit është pjesë e rëndësishme e të kuptuarit të vuajtjeve të tyre për t’iu dhënë atyre respektin dhe dinjitetin që e meritojnë.
Urime. Pres me padurim ta shoh këtë program në vepër. Ju faleminderit.