Hapja e Javës Globale të Ndërmarrësisë në Kosovë

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë hapjes së  Javës Globale të Ndërmarrësisë, 14 nëntor 2016

Mirëmëngjesi të gjithëve.  Zëvendës-kryeministër Kelmendi, Ministër Bajrami, Uranik, Arian, ju faleminderit shumë.

Është mrekulli që jam këtu për të ndihmuar në çeljen e Javës Globale të Ndërmarrësisë.  Kjo ngjarje po mbahet në një çast tepër të mirë për Kosovën sepse ende po festojmë rezultatet e Raportit të fundit të Bankës Botërore të indeksit të të bërit biznes.

Siç e dini, Kosova jo vetëm që renditet më lart, duke iu falënderuar punës së mundimshme të shumë njerëzve, por tash është në mesin e 15 vendeve më të mira në botë për ta filluar biznesin.  A mund të ketë lajm më të mirë se ky për ndërmarrësit e Kosovës?

Një prej gjërave të jashtëzakonshme të shërbimit në Kosovë është se çdo ditë mund të shoh inovacionet e ndërmarrësve kosovarë, si dhe vendosmërinë e shumë afaristëve – gra e burra – që po nxisin përpara zhvillimin ekonomik.  Janë gjithë ata shembuj, por shembulli që më vie në mend shpesh është i Gjirafës dhe themeluesit të saj, Mërgim Cahanit.  Para pak vitesh, vetëm me idenë për një makinë kërkimi në gjuhën shqipe, me etikë të paparë të punës dhe shumë pak mbështetje prej USAID-it, Mërgimi e ktheu idenë e tij në fuqi të njëmendtë të teknologjisë informative.

Ai jo vetëm që krijoi vende pune dhe tërhoqi 2 milionë dollarë në investime të jashtme, por na u drejtua me një propozim – dhe ne jemi pajtuar të bashkëpunojmë me të – për të gjetur mënyra që t’iu ndihmojë ndërmarrësve të tjerë të teknologjisë informative përmes mentorimit dhe investimeve.  Ai e di se sa vështirë është për t’ia nisur një pune si i ri.  Po ashtu, ai e di se duke ndihmuar për të ndërtuar një ekonomi rajonale të internetit, ai mund të vazhdojë ta rrisë ndërmarrjen e vet dhe të krijojë më shumë mundësi në Kosovë.

Me të vërtetë kënaqem kur e vizitoj Gjirafën sepse jam nga Kalifornia – shtëpisë së Luginës së Silikonit dhe të gjithë atyre zbulimeve që i përdorim pothuajse çdo ditë dhe ta vizitosh Gjirafën për mua është si të shkoj në shtëpi sepse aty kanë kontejner për bartjen e mallit, sallë të takimeve, si dhe lisharëse mbi atë kontejner. Kjo përfundimisht është fryma kaliforniane.

E ky është përkufizimi i njëmendtë i rrethit të virtytshëm dhe tregues i nxitjes dhe shkathtësisë që e shoh çdo ditë në Kosovë.

Natyrisht duhet më shumë se sa vetëm shkathtësi – nevojitet një lloj i posaçëm i kurajës për t’ia nisur biznesit.  Për të dalë para dhe për të thënë: E kam një ide.  Jam i gatshëm të rrezikoj çdo gjë për të bërë diçka.  E kur ta bësh këtë, diçka që fillon si vizion i një personi mund të bëhet më shumë – mund të bëhet puna e re e dikujt tjetër, mund të bëhet mundësi e re ose treg i ri për të investuar.  Për këtë arsye është me rëndësi për të vazhduar që të bëjmë krejt çka mundemi për ta ruajtur dhe promovuar sektorin privat.  Kjo do të thotë përparim i vazhdueshëm në reformën e sektorit të energjisë, zhvillimi i shkathtësive të të rinjve për punë, si dhe politika qeveritare miqësore për bizneset.

Gjithashtu, kjo nënkupton raportimin dhe luftimin e korrupsionit në çdo nivel të qeverisë, kudo që e vërejmë.  Do të thotë të vendosim që nuk do ta lejojmë që korrupsioni ta ndrydhë shpirtin ndërmarrës të Kosovës; nuk do ta lejojmë që ta pengojë rritjen ekonomike ose t’i zbehë ambiciet dhe aspiratat e qytetarëve anembanë Kosovës.

E kam thënë edhe më parë se ndërmarrësit më të suksesshëm bëjnë më shumë se veç të ëndërrojnë dhe të krijojnë, ata zgjedhin probleme dhe janë pragmatikë.  Na nevojiten dhe ua kemi borxh që t’ua sigurojmë mjetet më të mira për sukses dhe të krijojmë mjedisin më të mirë për t’i ushqyer idetë e tyre.

Jemi krenarë që jemi me ju në këtë dhe që jemi të përqendruar në veprimtaritë dhe asistencën që përkrahin ndërmarrësinë dhe novacionin, përfshirë edhe mbështetjen teknike për ndërmarrjet e reja, sepse e dimë se kjo është mënyra më e mirë për të arritur rritje të qëndrueshme ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Nevojitet po ashtu partneritet i njëmendtë ndërmjet sektorit privat dhe qeverisë që kjo të funksionojë.  Për këtë arsye jam kaq i kënaqur me përpjekjet e para të Fondit kosovar për garanci kreditore.  Për një kohë të shkurtë, ky fond ua ka mundësuar bankave t’i japin 42 hua, shuma e përgjithshme e të cilave është pothuaj 3 milionë dollarë.  Këto hua fillestare do të mundësojnë krijimin e 100 vendeve të reja të punës.  E gjatë pesë viteve të ardhshme, presim që huatë e ngjashme ta arrijnë shifrën prej 400 milionë dollarëve dhe të krijojnë 20.000 vende të reja të punës në tërë Kosovën.

Fondi është thelbësor për tejkalimin e njërës prej pengesave kryesore me të cilën përballen ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë – qasje të pamjaftueshme në kredi.

Nuk ka nevojë t’ju them unë se çfarë ndryshimi bën qasje në kapital për bizneset e vogla, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë, të cilët janë më se të gatshëm për ta zënë vendin e tyre në ekonominë kosovare.  Por, shumë shpesh ata s’kanë mundësi për kredi që iu nevojitet për t’ia nisur punës.

Natyrisht që nuk është vetëm Fondi.  Prej pavarësisë, Kosova ka arritur përparim të rëndësishëm në themelimin dhe zhvillimin e politikave dhe legjislacionit për treg të lirë, si dhe në përmirësimin e klimës afariste.  Qeveria e Kosovës ka zbatuar edhe pakon e re fiskale për nxitjen e zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të jashtme dhe rritjen e të hyrave.

Prandaj, po shikoj përreth dhe përkundër problemeve dhe sfidave, jam i entuziazmuar për gjasat e ndërmarrësve kosovarë.  Duhet të jemi sepse ata do t’ua ndryshojnë jetën shumë familjeve, komuniteteve dhe qyteteve nëpër tërë Kosovën.

Presidenti Obama ka thënë më herët sivjet: „Kur njerëzit i fillojnë bizneset e tyre, kjo iu ndihmon individëve dhe familjeve për të pasur sukses.  Mund të bëjë që komuniteti i tërë të jetë më i begatshëm dhe më i sigurtë.  Ofron shteg pozitiv të rinjve që kërkojnë rastin e tyre për të arritur diçka, si dhe mund t’i fuqizojë njerëzit që më herët kanë mbetur jashtë rrethit ekzistues social… Si dhe mund të krijojë një kulturë ku inovacioni dhe kreativiteti vlerësohen – ku nuk i shohim gjërat siç kanë qenë gjithmonë, por si mund të jenë? Pse jo? Të krijojmë diçka të re”.

Ndërmarrësia është në shumë mënyra shprehje e optimizmit dhe ju nxit të vazhdoni të kontribuoni në krijimin e kësaj kulture të krijimit të ndërmarrjeve të reja, ta pyesim veten: çka mund të bëj?  Çfarë vendi duam të ndërtojmë?  I përgëzoj të gjithë ata guximi, gjindshmëria dhe imagjanata e të cilëve kanë krijuar dhe ndërtuar bizneset e tyre prej zeros.  Ata janë pjesë e diçkaje më të madhe se vetë dhe prej kësaj po përfitojnë edhe bashkë-qytetarët e tyre.

Dëshiroj të them se historia bëhet nga ata me zgjidhje pozitive.  Pra, vazhdoni të punoni, të përparoni dhe ne do t’i mbështesim përpjekjet tuaja për çdo ditë.

Ju faleminderit shumë.