Gjashtë muaj pas Javës kundër korrupsionit 2017

Fjala e ambasadorit Delawie gjatë konferencës për shtyp, Gjashtë muaj pas Javës kundër korrupsionit 2017, 22 qershor 2018

Dëshiroj ta falënderoj koalicionin prapa Javës kundër korrupsionit 2017, veçanërisht Institutit të Kosovës për Drejtësi, Grupit për studime juridiko-politike, Institutit GAP, Nismës për progres, Insitutit Columbus, Çohu dhe Institutit të Kosovës për hulumtime dhe zhvillim të politikave.

Dhjetorin e shkuar, ju punuat ngusht me ambasadën amerikane dhe me ambasadat e ambasadorët tjerë për të nënvizuar dhe debatuar për rastet më urgjente të korrupsionit në Kosovë. Korrupsioni i ka rrënjët e thella. Ne të gjithë e dimë se nuk mund të çrrënjoset brenda gjashtë muajve apo një viti, e lëre më brenda natës. Më e rëndësishmja është se shoqëria civile e kupton problemin dhe që qytetarët, qofshin individë apo përmes organizatave si këto tuajat, do të përfshihen në betejë dhe do të bëjnë ç’është e duhur dhe e drejtë për të ardhmen e këtij vendi. Me të vërtetë e çmoj faktin që po e bëni këtë rishikim gjashtëmujor sepse kjo është mënyra më e mirë për ta ndryshuar gjendjen. Përparimi është i pamundshëm pa këmbëngulësi.

Në videon që e pata regjistruar në fillim të Javës kundër korrupsionit të vitit të kaluar, e pata theksuar rëndësinë e miratimit të Ligjit të përditësuar për përgjegjësinë disiplinore, një hap rrënjësor drejt forcimit të kontrollit të dyanshëm në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe për të siguruar që personeli i sektorit të drejtësisë do t’i përmbahet standardeve më të larta të disiplinës dhe llogaridhënies. Më vjen mirë që ka pasur përparim dhe që jemi shumë afër që ky projektligj të kthehet në ligj.

Gjithashtu, më vjen mirë që Instituti GAP ka pasur sukses për ta kthyer prapa vendimin për faljen e borxhit publik, që e pat ngritur si çështje gjatë Javës kundër korrupsionit. Ky lloj i presionit dhe ndërgjegjësimit publik ka bërë të mundur që qeveria ta shfuqizojë vendimin e saj të mëhershëm për faljen e borxhit dhe detyrimeve që prodhuesit e ujit ia kishin borxh buxhetit të Kosovës prej vitit 2008.

Megjithatë, të gjitha gjërat që janë debatuar dhe theksuar në dhjetor nuk janë zgjidhur. Puna vazhdon. Ende mbesin shumë sfida. P.sh. korrupsioni në prokurim publik ka pasoja të mëdha. Pengon investimet, minon shërbimet komunale dhe në mënyrë sistematike rrëmih besimin e publikut. Në këtë çështje, puna juaj është jetike. Të gjitha elementet e shoqërisë civile duhet të jenë syçeltë në monitorimin e prokurimit publik dhe për mbështetjen e zgjidhjeve.

Në të njëjtën kohë, vullneti politik dhe mbështetja e qeverisë janë më se thelbësore për të arritur rezultate të njëmendta. Gjithnjë e më shumë po shqetësohem për ndikimin politik që po ushtrohet në gjykatat e të gjitha niveleve. Kosova ka të ardhme të sigurtë evropiane vetëm nëse gjykatat janë të pavarura, të pakorruptuara dhe që i përmbahen ligjit dhe Kushtetutës.

Shpresoj që ky koalicion do të vazhdojë ta ndriçojë këtë çështje dhe të këmbëngulë për përparim mbi sfidën më të rëndësishme me të cilën përballet vendi, gjë që e them shpesh, e që është sundimi i ligjit.

Pra, për këtë arsye jemi sot këtu. Ambasada ime ju ka mbështetur në të kaluarën dhe do të vazhdojë t’ju mbështesë në të ardhmen. Luftimi i korrupsionit ka qenë prioriteti kryesor prej ardhjes sime në Kosovë para tri viteve. Do të vazhdojmë t’ua vëmë në dispozicion burimet, eksperizën dhe mbështetjen morale miqve tanë, me të cilët i ndajmë të njëjtat mendime e të cilët e shohin luftën kundër korrupsionit në Kosovë si jetik për suksesin e ardhshëm të këtij vendi.

E keni mbështetjen time të palëkundur.

Jam i gatshëm t’iu përgjigjem disa pyetjeve.