Ju faleminderit, zoti kryesues. Zoti President, ambasadore Apostolova, ministra, kolegë dhe profesionistë të fushës. Kam nderin që jam bashkë me ju në Ditën evropiane kundër trafikimit për hapjen e Fushatës kombëtare të Kosovës të vetëdijesimit kundër trafikimit.
Në verë, pas publikimit të raportit vjetor të Trafikimit me qenie njerëzore, Sekretari Kerry vuri në pah se janë 20 milionë viktima të trafikimit në mbarë botën. Këto viktima janë njerëz të zakonshëm, të cilët grabiten nga familjet e tyre dhe privohen nga ëndërrat nga rrjetet e paskrupullta transnacionale të krimit. Trafikimi nxit krimin e organizuar, jostabilitetin, kurse në vendet si Iraku dhe Siria, financon terrorizmin. Viktimat kryesisht janë gra e shpesh edhe fëmijë, të cilët eksploatohen dhe tregtohen si mall.
Kosova po bën përpjekje domethënëse për luftimin e këtij krimi, por vendi duhet të punojë ende me mund për t’i plotësuar standardet ndërkombëtare për eliminimin e trafikimit. Një prej veprimeve kyçe lidhet me mbështetjen e viktimave. Në këtë vazhdë, Ligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me qenie njerëzore, i nxjerrë në vitin 2015, paraqet hap të rëndësishëm. Megjithatë, ky ligj duhet të zbatohet me përpikëri, duke përfshirë edhe themelimin e fondit për kompensimin e viktimave. E përgëzojmë Ministrinë e Drejtësisë për përpjeket e saj për hartimin e rregullores dhe caktimin e komisionit për shqyrtimin e kërkesave të viktimave. Shpresojmë ta shohim këtë zyrë duke funksionuar shumë shpejt. Kompensimi i viktimave nga të ardhurat e fituara përmes trafikimit është përfrikësues i fuqishëm dhe gjëja e duhur për ta bërë.
Po ashtu besojmë se është e rëndësishme për të pasur një sistem të fortë të mirëqenies sociale në përkrahje të trajtimit dhe rehabilitimit të viktimave. E përgëzoj Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për punën me komunat dhe rrjetin e strehimoreve të Kosovës për përmirësimin e masave për ndihmë viktimave. Ky rrjet duhet të ketë burime të qëndrueshme dhe staf të përgatitur mirë. Shpresojmë që qeveria së shpejti do të punojë për themelimin e strehimores në komunat në veri të vendit dhe mirëpresim bashkëpunimin me ju në këtë përpjekje. Po ashtu, shpresojmë që mund të bëhet më shumë në identifikimin e fëmijëve që detyrohen të lypin lëmoshë dhe për t’i kthyer në shkollë.
Ambasada jonë është krenare se po e kryen pjesën e saj të punës meqenëse do t’i dërgojmë pesë përfaqësues – nga Policia e Kosovës, nga stafi i strehimoreve, përfaqësues të qeverisë dhe mbrojtës të viktimave – në një program gjatë muajit të ardhshëm në Feniks të Arizonës përmes programit ‘Bota e hapur’. Këta profesionistë do të mësojnë drejtpërdrejt rreth partneritetit tonë publik-privat për luftimin e trafikimit, dhe rreth mënyrës se si viktimat mund ta rikthejnë dinjitetin. Përveç kësaj, më vjen mirë që një degë e ekipit tonë të ICITAP-it punon drejtpërdrejt me Ministrinë e Punëve të Brendshme në mbështetje të lidershipit të Ministrit të Brendshëm dhe Koordinatorit nacional Radojeviq. Shpresojmë që ministritë e tjera mund të jenë po aq energjetike në trajtimin e këtij problemi që kërkon qasje të tërë qeverisë.
Institucionet kosovare vazhdojnë të marrin hapa pozitivë në ndalimin dhe ndëshkimin e trafikuesve, përfshirë edhe përmes përpjekjeve të suksesshme të njësitit policor kundër trafikimit me qenie njerëzore. Hetimet e rrepta natyrisht duhet të sjellin ndjekjen penale dhe ndëshkimin e trafikuesve, përfshirë edhe të zyrtarëve bashkëpunëtorë në krim. Na ka inkurajuar dënimi i kohëve të fundit i ish-kreut të zyrës për komunitete të Rahovecit. Shpresojmë që të gjitha institucionet kosovare do të marrin qëndrimin për tolerancë zero ndaj zyrtarëve që ndihmojnë në trafikim. Fatkeqësisht, vitin e kaluar qeveria ka identifikuar më pak viktima dhe ka ndjekur penalisht më pak të dyshuar. Shkalla e dënimeve ka qenë më e ulta në pesë vitet e fundit, kurse raporti ynë kundër trafikimit ka vënë në pah se gjykatësit kanë dhënë dënime më të lehta për trafikuesit e dënuar.
Për t’i adresuar këto çështje, ne i mbështesim përpjekjet që po shqyrtohen nga Këshilli koordinues nacional kundër trafikimit me qenie njerëzore për racionalizimin e qasjes së gjyqësorit për luftimin e trafikimit. Ekspertiza e prokurorisë dhe e gjyqësorit është e domosdoshme për tu përballur me këtë çështje të ndërlikuar. Do të ishte mirë që këto reforma të përputhen me prioritizimin e çështjeve të trafikimit, si dhe me trajnim të avancuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë.
Ju dëshirojmë suksese të mëtejmë në luftimin e luftimin e trafikimit me qenie njerëzore. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin partneret tuaja të përkushtuara në këtë betejë. Ju faleminderit.