Jam shumë i lumtur dhe krenar që jam me ju për këtë rast kaq të rëndësishëm. Faleminderit, Lumir.
Nuk më vjen në mend ndonjë çështje më jetike se sa t’ua mundësosh grave dhe vajzave që të kenë qasje në të njëjtat të drejta, mundësi dhe mbrojtje si meshkujve. Ato i kanë të njëjtat mundësi për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në rritjen e vendit të tyre.
Ish-presidentja Jahjaga njëherë ka thënë: “Duke investuar në gra, nuk po investoni vetëm në një person. Po investoni në të, po investoni në familje dhe po investoni në fëmijën, i cili është e ardhmja e vendit tonë. Pra, po investoni në të ardhmen e vendit tonë”.
E dimë se kjo është e vërtetë dhe frymëzohem nga gjithë këta persona që po punojnë me mund për ta përmbushur këtë synim.
Shumë prej jush keni kaluar vite të tëra duke avokuar për të drejtat e grave në Kosovë, duke nxitur përfaqësim më të mirë në qeveri, qasje më të mirë në shëndetësi dhe edukim, si dhe në mikrofinanca për fuqizimin e ndërmarrëseve dhe për të drejta të barabarta në pronë.
Të gjithë ju keni ngritur zërin dhe keni mundësuar ndryshimin. Ajo që e bën Forumin ekonomik të grave kaq të veçantë dhe kaq të domosdoshëm është se sa fuqishëm do t’i rrisë zërat tuaj. Do t’i bashkojë zërat dhe do ta përcjellë porosinë tuaj me qëllim, unitet dhe qartësi, ashtu që të mos mund t’ju anashkalojnë.
E ne jemi tifozët tuaj sepse sinqerisht ende duhet të punohet shumë për këtë ].
Natyrisht, ju jeni të vetëdijshme për këto sfida më mirë se unë. Shkalla e pjesëmarrjes së grave në ekonomi ende është shumë e ultë, e po ashtu edhe mundësitë që gratë të kenë pronë ose të trashëgojnë pasuri në emrin e tyre janë shumë të vogla.
Grave duhet t’iu mundësohet qasje më e mirë në kredi për fillimin e bizneseve të vogla, kurse vajzat duhet ta dijnë se asnjë profesion s’është i pakapshëm për to, asnjë ëndërr s’është e paarritshme: qoftë që të bëhen prijëset e ardhshme në teknologji informative ose inxhinieri apo ta fitojnë medalje të artë në Olimpiadë.
Mungesa e përparimit në këto fusha jo vetëm që i dëmton gratë dhe vajzat e Kosovës, por po ashtu gërryen zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të Kosovës. Për këtë arsye, kjo çështje është edhe më e madhe se të drejtat dhe përfshirja e grave – në thelb, ka të bëjë me mënyrën se si Kosova zgjedh ta rrisë ekonominë e saj, të përparojë dhe t’ia bartë atë gjeneratës së ardhshme.
Dëshmitë nëpër botë tregojnë qartazi se pjesëmarrja më e madhe e grave në ekonominë e një vendi sjell përparim dhe stabilitet më të madh.
E kuptoj se njëra ndër përpjekjet e para tuajat do të jetë përpilimi i një agjende gjithëpërfshirëse për zhvillimin ekonomik të grave, të cilin do ta paraqitni në Këshillin kombëtar për zhvillimin ekonomik.
Ju përgëzoj për atë nismë dhe Shtetet e Bashkuara do ta forcojnë partneritetin e tyre për këto çështje. Në fakt, jam shumë krenar që të gjitha udhëzimet për zhvillim të USAID-it sigurojnë që të gjitha veprimtaritë për rritje ekonomike të përfshijnë “pjesëmarrje të spikatur të grave”.
Kam pasur rastin t’i takoj shumë pronare biznesesh dhe ndërmarrëse në Kosovë, shumë prej të cilave kanë përfituar nga programet e qeverisë amerikane. Ato po krijojnë vende pune dhe mundësojnë rritje. E ato mund të bëjnë edhe më shumë.
Misioni i FEG-ut është jetik sepse Kosova thjesht nuk mund t’ia lejojë vetes për ta zbehur përfshirjen e grave në zhvillimin ekonomik.
Teuta Sahatqija, ish-kryesuesja e grupit parlamentar të grave në Kuvendin e Kosovës e tash Konsulle e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, në mënyrë elokuente ka thënë: “Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e fuqishme nëse 50% e popullatës lihet anash. Është si të kesh dy duar, por të punosh vetëm me një”.
E natyrisht që ajo ka të drejtë. Kosova do ta ketë shumë më të vështirë që t’i arrijë të gjitha objektivat e saj – përfshirë edhe ambiciet e saj për integrim euroatlantik – pa përfshirjen e potencialit të plotë të të gjithë qytetarisë së saj.
Ju faleminderit të gjithëve për partneritetin tuaj dhe që çdo ditë punoni me mund në emër të grave dhe vajzave të Kosovës dhe për interesat më të mirë të vendit tuaj. Do ta përcjellim në mënyrë të thuktë përparimin e Forumit.
Ju faleminderit!