Fjala e Ambasadorit Greg Delawie në Forumin për Tregti dhe Investim Mbretëri e Bashkuar/SHBA –Kosovë, 3 nëntor 2016
Mirëmbrëma. Është kënaqësi të jem këtu me ju sot dhe t’ua ofroj investitorëve potencialë perspektivën e SHBA-së për klimën dhe mundësitë për investim në Kosovë. Kjo sallë e bukur konferencash tregon shenja historie dhe fuqie dhe është rikujtues që Britania e Madhe ekziston me shekuj. Sot do të flasim kryesisht për një vend që ka vetëm disa vjet që është i pavarur.
Që nga shpallja e pavarësisë së vet në vitin 2008, Kosova ka bërë përparim të madh në themelimin dhe zhvillimin e politikave dhe të legjislacionit të tregut të lirë dhe në përmirësimin e klimës së biznesit. Këta hapa janë njohur në raportin e sapo publikuar të Bankës Botërore “Të Bërit Biznes 2017”, i cili vë në pah se Kosova është ngritur për katër vende këtë vit, prej 64 në 60. Kosova mori lëvdata për këto përmirësime në disa kategori: themelimi i biznesit, pagimi i tatimeve dhe tregtia përtej kufijve.
Pres që sot të dëgjoni nga shumë njerëz për potencialin e Kosovës. Si vend në zhvillim, Kosova ofron një sërë mundësish për investim në sektorët e minierave, energjisë dhe bujqësisë, ndër të tjerë. Infrastruktura, turizmi, prodhimi i mobileve, veshjet, kujdesi shëndetësor, telekomunikimi dhe ekskluziviteti janë gjithashtu mundësi investimi. Në të vërtetë, në gusht, Kosova hapi me sukses të madh restorantin e parë amerikan për ushqim të shpejtë “Kentucky Fried Chicken”, me të drejtë ekskluzive të ushqimit, që është restoranti i dytë në zinxhirin e restoranteve më të mëdha në botë, dhe ne shohim shumë potencial për rritje në këtë fushë.
Me terminalin e ri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe përmes partneritetit si ai që Kosova gëzon me konsorciumin turko-amerikan Bechtel-Enka, vendi është duke e përmirësuar infrastrukturën e vet për ta rritur ndërlidhjen me rajonin dhe për të siguruar rrugë të reja për ta lehtësuar tregtinë, ekonominë, udhëtimin dhe turizmin. Kosova është vetëm disa orë larg ekonomisë 17 trilionë dollarëshe të BE-së, me mundësi të mëdha për të prodhuar mallra në Kosovë dhe për t’i eksportuar ato në tregun evropian.
Qeveria gjithashtu është duke punuar me një kompani tjetër të amerikane për ndërtimin e një termocentrali të ri, Kosova C, që do t’i ofrojë Kosovës furnizim të sigurt e të qëndrueshëm me rrymë duke përkrahur kështu rritjen ekonomike. Sapo të përfundojë, ai gjithashtu do t’i eliminojë ankesat më të shpeshta që i dëgjoj nga bizneset, e ajo është pasiguria e furnizimit me energji elektrike.
Kosova është vend fizikisht i mahnitshëm me mundësi të mëdha për turizëm. Udhëtimi në këmbë, kalërimi, peshkimi dhe skijimi janë të gjitha fusha të mundshme në të cilat mund të investohet dhe, për të lulëzuar vërtet, sektori i turizmit do të shërbehej më së miri me investim në disa prej mundësive me shkallë më të madhe që pritet të ndodhë së shpejti.
Është me rëndësi të theksohet se një prej pasurive kryesore të Kosovës është popullata e saj e re – më të rinjtë në Evropë, në të vërtetë, rreth 50% e popullatës është nën moshën 25-vjeçare. Këta të rinj janë të orientuar kah vendet perëndimore, shumë prej tyre flasin anglisht dhe kanë jetuar, punuar apo studiuar jashtë. Ata janë mësuar me stilet e jetesës dhe produktet evropiane.
Me një kornizë ligjore në zhvillim e sipër, paga konkurruese, besnikëri të fortë ndaj brendeve amerikane dhe evropiane, dhe dëshirën për ta joshur investimin e huaj të drejtpërdrejtë, tani është kohë e mirë për sektorin privat, posaçërisht për investitorët e huaj, që t’i shfrytëzojnë mundësitë që Kosova ka për të ofruar.
Megjithatë, klima e Kosovës për biznes dhe investim përballet me disa sfida. Dhe Ambasada ime është e përgatitur dhe e gatshme t’u ndihmojë kompanive amerikane t’i kalojnë këto sfida. Përkundër përparimit të arritur viteve të fundit, kapaciteti i kufizuar teknik dhe burokratik në nivele të qeverisë qendrore dhe lokale mbetet sfidë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ka edhe sfida të mëdha politike dhe, nganjëherë, mënyra jodemokratike të shprehjes që përdoren nga disa qytetarë të Kosovës, përfshirë disa në Parlament. Këto çështje janë mbuluar gjerësisht nga mediet ndërkombëtare gjatë vjeshtës dhe dimrit të kaluar dhe kanë nxitur imazh negativ për Kosovën, që nuk është aspak e drejtë. Ndërsa pamjet e gazit lotsjellës në Kuvend dhe protestat jashtë ishin dramatike, është e vërtetë që jeta — dhe biznesi — vazhduan si zakonisht në pjesën tjetër të Prishtinës dhe Kosovës.
Si në vendet e tjera në zhvillim, korrupsioni mbetet sfidë e madhe, dhe diç që unë dhe qeveria ime e kemi bërë fokus të lartë të përpjekjeve tona diplomatike dhe të programeve tona të ndihmës. Qeveria është në dijeni për nevojën për më tepër përparim dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.
Në mënyrë që Kosova ta arrijë potencialin e vet të plotë, SHBA-ja nuk i nxit vetëm udhëheqësit e Kosovës për të ndërmarrë hapa të fortë kundër korrupsionit – edhe pse sigurisht bëjmë thirrje për këtë. Gjithashtu investojmë shumë para dhe përpjekje për t’i ndihmuar Kosovës që t’i përmirësojë kapacitetet e veta për ta luftuar atë. Gjatë vitit të ardhshëm, qeveria ime do t’i shpenzojë gjithsej 12 milionë dollarë në ndihma për zhvillim dhe ekspertizë të përqendruar në sundim të ligjit.
Por njëri prej hapave më të rëndësishëm në sundimin e ligjit që ka ndërmarrë Kosova kohët e fundit nuk kishte të bënte asgjë me SHBA-në. Pikërisht javën e kaluar Qeveria e Kosovës filloi zbatimin e një marrëveshjeje me Ambasadën Britanike, sipas të cilës, rekrutimi për vende të larta pune në shërbimin civil do të trajtohet nga një kompani britanike e rekrutimit. Ky proces do të sigurojë që vendet e punës plotësohen me njerëz që demonstrojnë kualifikime profesionale e jo lidhje politike. Ky është vërtet një veprim i guximshëm për një shtet të ri në të cilin lidhjet partiake dhe familjare janë të rëndësishme dhe duhet të jetë ndryshues i lojës në sigurimin e një klime të qëndrueshme, të parashikueshme qeverisëse, e cila do t’u ndihmojë bizneseve të lulëzojnë.
Kosova ka ecur përpara dhe ka bërë përparim të madh gjatë tetë vjetëve që nga shpallja e pavarësisë; ka pasur shumë ndryshime. Por një gjë nuk ka ndryshuar; mbështetja e vendit tim për suksesin e Kosovës. SHBA-ja është e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në përpjekjet e veta për ta krijuar një klimë investimi që do t’i joshë investitorët e besueshëm e të përkushtuar. Dëshirojmë të shohim më tepër investime, më tepër vende pune dhe rritje ekonomike në Kosovë. Ju mund të luani rol të rëndësishëm në këto përpjekje. Prandaj, ju inkurajoj ta shfrytëzoni këtë mundësi për të folur me përfaqësues të qeverisë suaj për çështjet që janë të rëndësishme për interesat e biznesit tuaj. Ndani me ta këto ide. Ua bëni pyetjet tuaja. Dhe shpresojmë t’ju shohim juve dhe bizneset tuaja në Kosovë në të ardhmen e afërt.
Ju faleminderit.