Mirëmbrëma të gjithëve dhe mirë se vini në kremtimin e përvjetorit të 240-të të Korpusit të Marincave të Shteteve të Bashkuara të organizuar nga Njësiti i Sigurisë i Korpusit të Marincave në Ambasadën Amerikane.
Në veçanti iu dëshiroj mirëseardhje ministrit Abrashi, ministrit Çollaku, gjeneralit Rama dhe gjeneral-brigade Boyles.
Dëshiroj ta falënderoj Kapterin Guillermo dhe tërë ekipin tonë të marincave që na mundësuan të festojmë bashkë me ta.
Para se të kalojmë në pjesën tjetër të programit të sontëm, mendoj se është me rëndësi që për një çast të ndalemi dhe të mendojmë rreth sulmit të tmerrshëm terrorist të mbrëmshëm në Paris, në të cilin vdiqën më shumë se 125 veta. Presidenti Obama tha se ky sulm “nuk ishte vetëm mbi Parisin, nuk ishte sulm vetëm mbi popullin e Francës, por ishte sulm mbi tërë njerëzimin dhe mbi vlerat univerzale që i ndajmë”.
Franca ishte aleatja e parë e Shteteve të Bashkuara kur ishte shtet i ri. Pa mbështetjen franceze, vendi im me siguri se nuk do ta fitonte pavarësinë në vitin 1783. Gjatë Luftës sonë Revolucionare, mijëra trupa franceze luftuan krah për krah me forcat amerikane në tokë dhe mijëra detarë të tjerë francezë vunë jetën e tyre në rrezik, madje edhe humbën jetën në betejat detare në Atlantik.
Njëri prej francezëve më të njohur që luftoi për pavarësinë tonë ishte Gjenerali Marquis de Lafayette, mik dhe koleg i George Washington-it, Thomas Jefferson-it dhe shumë etërve të tjerë themelues të vendit tonë. Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij në pavarësinë tonë, në vitin 1784 sheshi përpara Shtëpisë së Bardhë u emërua për nder të de Lafayette dhe ky shesh ende e bart këtë emër.
Siç ndodh mes të gjithë miqve, marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Shteteve të Bashkuara kanë pasur ditët e mira dhe të këqija. Por, atëherë kur ka qenë me të vërtetë e rëndësishme, gjithmonë kemi qenë bashkë, ashtu siç ishim gjatë Revolucionit Amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndruar përkrah Francës gjatë Luftës së Parë Botërore. Ato kanë qëndruar përkrah Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato qëndrojnë përkrah Francës edhe sot në luftën kundër terrorit, si dhe qëndrojnë përkrah saj në promovimin e vazhdueshëm të vlerave që pasqyrohen në moton franceze të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë.
Ju lutem, ngrituni në këmbë gjatë intonimit të himnit kombëtar francez “La Marseillaise” për nder të viktimave të sulmit të tmerrshëm të mbrëmshëm.
Ju faleminderit! Ju lutem, uluni.
E kam ndjekur Ballon e Përvjetorit të Korpusit të Marincave çdo vit kur kam qenë jashtë vendit qysh prej se ia kam filluar shërbimit të jashtëm para 33 vjetëve. Mendoj se kam një afërsi të veçantë me marincat sepse jam rritur në afërsi të qendrës së rekrutimit të Korpusit të Marincave në San Diego të Kalifornisë. Disa prej jush ndoshta nuk e dini, por janë vetëm dy vende ku njerëzit mund t’i bashkohen korpusit të marincave dhe të fillojnë t’i mësojnë vlerat thelbësore të marincave: nderin, kurajën dhe përkushtimin, e ato janë San Diego dhe Parris Island, Karolinë e Jugut. Jam kurreshtar ta di se cilët prej marincave tanë e kanë kryer kursin në San Diego e cilët në Parris Island?
Megjithatë, krahasimi i qyteteve amerikane shpesh përfundon në grindje dhe unë jam mjaft i zgjuar sa të mos ia nisi përleshjes në të njëjtën sallë ku janë edhe një numër i marincave, prandaj do t’iu përmbahem fakteve të pamohueshme objektive: moti zakonisht është më i mirë në San Diego, por Karolina e Jugut me siguri fiton nëse garojmë për numrin e mushkonjave dhe pleshtave.
Përderisa marincat anekënd botës me krenari e kremtojnë ditëlindjen e tyre, me ceremoni zyrtare, të mëdha e të vogla, festive dhe në terren, diplomatët amerikanë janë thellësisht të nderuar që janë pjesë e këtij kremtimi në secilën ambasadë dhe konsullatë tonën dhe nëpër bazat ushtarake jashtë vendit.
Por, ashtu siç është e vërtetë edhe për shumë gjëra të tjera, Balloja e përvjetorit në Kosovë ndryshon paksa.
Hidhni një sy rreth e rrotull sallës. Nuk e di për ju, por në shumicën e Ballove të Marincave në të cilat kam qenë unë, njësiti i marincave ndoshta ka qenë në numër më të vogël se diplomatët, por askund tjetër nuk ka qenë në numër më të vogël se ushtarakët e degëve të tjera të forcave ushtarake amerikane, e të mos flasim për numrin e përfaqësuesve të forcave ushtarake të vendeve tjera.
Por, njëjtë si në ato kremtime, ndjesia edhe këtu është e njëjtë. Ne jemi një ekip. Një ekip me një mision. Ta mbështesim të ardhmen e Kosovës. Nuk është misioni më i lehtë. Nganjëherë duket sikur po arrijmë më shumë progres në këtë mision se sa në tjerët.
Si ne, edhe ju mund të jeni të frustruar me hedhjen e vezëve dhe të gazit lotsjellës në Kuvend. Por, nëse shihni prapa te pavarësia e Kosovës ose madje vetëm në pesë vitet e fundit, përparimi që vendi ka arritur dhe roli ynë në atë përparim është i pamohueshëm. Vetëm në ambasadën tonë, ne kemi lëvizur gjatë kësaj kohe prej misionit në një post që është konsideruar si jo aq i sigurtë në post të mbushur përplot me fëmijë të hareshëm. Kjo është e arritur e madhe në kaq pak vite. Ju të githë e keni ndihmuar Kosovën për ta arritur këtë. Dhe ju lus ta vazhdoni ta bëni këtë sepse ende mbetet edhe shumë punë.
E dimë se për këtë duhet ndihma e të gjithëve. Duhet ndihma e popullit të Kosovës. Duhet ndihma e çdo diplomati të caktuar në këtë vend. Duhet ndihma e çdo pjesëtari të çdo shërbimi ushtarak në KFOR. Duhet ndihma e secilit pjesëtar të forcave tokësore, detare, ajrore dhe e secilit marinc.
I krijuar në një ditë të ftohtë nëntori të vitit 1775 në një tavernë në Filadelfi me urdhër të Kongresit të dytë Kontinental, Korpusi i Marincave i Shteteve të Bashkuara ndihmoi ta fitonim lirinë në luftën e parë të Amerikës. Prej atëherë, ata kanë punuar palodhshëm për ta mbrojtur atë. Njësiti më i vogël ushtarak në mesin e forcave tona ushtarake, marincat kanë shërbyer në çdo konflikt amerikan. Ata njëmend mbesin të paktë dhe krenarë.
Por, për pothuajse 70 vjet, marincat kanë bërë më shumë se vetëm të luftojnë në luftërat tona. Prej themelimit të programit të njësitit të marincave për siguri, Departamenti i Shtetit dhe Marincat kanë lidhur njërin prej partneriteteve më të fuqishme në historinë e marrëdhënieve civile-ushtarake të ShBA-së. Marincat që i mbrojnë ambasadat dhe misionet tona diplomatike përreth globit janë simbol i vlerave amerikane të integritetit, kurajës, besimit dhe përkushtimit ndaj çdo personi që hyn në mision. Ata jo vetëm që e kanë rrezikuar jetën e tyre, por edhe e kanë sakrifikuar atë në mbrojtje të misioneve tona anembanë botës. Ata kanë jetësuar vlerat e Korpusit të Nderit, Kurajës dhe Përkushtimit dhe ata përzgjedhen posaçërisht për këtë detyrë. Këta burra dhe gra me të cilët po festojmë sonte janë të një kalibri special.
Puna që ne e bëjmë si diplomatë na dërgon nëpër vende gjithnjë e më të rrezikshme, siç ne të gjithë e dimë shumë mirë. Por, mund t’ju them se gjendemi në shumë më shumë vende dhe relativisht me më shumë siguri duke iu falënderuar shërbimit të pothuajse 2500 burrave dhe grave trime që shërbejnë në 150 misionet tona jashtë vendit. Mund t’ju them se personalisht ndjehem shumë qetë, siç ndjehet edhe stafi dhe familjet tona në ambasadë, kur i shoh marincat tanë në detyrë. Këtu në Kosovë, çdo ditë, çdo orë, pa asnjë dështim, marincat në ambasadën në Prishtinë e përmbushin besimin që e kemi në ta dhe përgjegjësitë e rënda që i bartin mbi vete.
Prandaj, është nder personal dhe privilegj që kam mundësinë që ta festoj këtë ditë me ta.
Edhe Sekretari Kerry ndjehet i privilegjuar për këtë marrëdhënie speciale që ne, diplomatët e kemi farkuar me Korpusin e Marincave. Ju lutem, më lejoni që t’ua përcjell urimin e tij për ditëlindjen tuaj:
Në emër të Departamentit të Shtetit dhe të të gjithë të punësuarve që shërbejnë jashtë vendit dhe në shtëpi, ia uroj ditëlindjen e 240-të Korpusit të Marincave të Shteteve të Bashkuara.
Departamenti dhe Korpusi kanë një marrëdhënie speciale, historike. Marincat amerikanë i kanë ruajtur ambasadat dhe konsullatat tona prej vitit 1948, por përpjekjet tona të përbashkëta për promovimin e paqes dhe sigurisë nëpër botë shkojnë shumë më larg se kaq. Përkushtimi juaj ndaj detyrës dhe përmbushjes së misionit na jep besim që ta kryejmë detyrën tonë, duke e ditur se ju na ruani me vigjilencë. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për krejt çka bëni dhe për gatishmërinë tuaj për ta bërë edhe sakrificën e fundit, nëse është e domosdoshme për ta mbrojtur kombin tonë të madh. Marincat përfaqësojnë më të mirën e gjithë asaj për të cilën Amerika mbështet dhe Amerika ju falenderon – jo vetëm në ditëlindjen tuaj, por çdo ditë.
Gjatë këtij viti kam pasur nderin ta rihap ambasadën tonë në Havanë të Kubës. Derisa po i shikoja marincat që e kishin ulur flamurin në vitin 1961 duke ua dorëzuar atë marincave që tash shërbejnë në Havanë për ta ngritur atë flamur sërish te ambasada jonë, e pashë në vepër jetësimin e motos: “një herë marinc, gjithmonë marinc” dhe të vlerave që barten nëpër gjenerata.
Nga ambasadat dhe konsullatat tona deri në vijën e frontit të zonave tona të luftës, kuraja dhe trimëria që kërkohet për të shërbyer dhe luftuar për lirinë mishërohen në premtimin e çdo marinci për të mbështetur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara me besim dhe besnikëri të plotë. Është pikërisht ky premtim që na bashkon në një lidhje unike të kombit tonë të madh.
Ne vazhdojmë të përballemi me shumë sfida derisa punojmë bashkë për ta mbrojtur popullin tonë jashtë dhe brenda vendit, por e dimë se marincat janë gjithmonë aty për t’u siguruar që Amerika do të arrijë sukses. Për gjithçka që bëni, ne ju falenderojmë.
Urime ditëlindjen, marinca dhe Semper Fidelis!
Sinqerisht,
John F. Kerry
Me këtë, zonja dhe zotërinj, ju lus që bashkë me mua ta ngrini një dolli për të gjithë ata që e vënë jetën e tyre në rrezik që ne të mund ta gëzojmë lirinë dhe demokracinë:
Nderim për të gjithë burrat dhe gratë luftëtare,
E veçanërisht sonte, Korpusit të Marincave të Shteteve të Bashkuara, ambasadorëve tanë në të kaltër: urime ditëlindjen! Semper Fidelis!