Fjalimi i ambasadorit Delawie gjatë ceremonisë për shënimin e pastrimit të terrenit nga minat në Krushec të Pejës, 9 nëntor 2017
Ju faleminderit shumë. Më vjen shumë mirë që jam sot këtu. Kur jetoja në Kroaci, para dhjetë a më shumë viteve, kam marrë pjesë nëshumë ceremoni të pastrimit të terrenit nga minat. Kjo është hera e parë që marr pjesë në ceremoni të tillë këtu në Kosovë dhe kam kënaqësinë që po marr pjesë në këtë ngjarje kaq pozitive.
Më duhet ta them se një ndër privilegjet më të mëdha si ambasador është se nganjëherë marr pjesë në ngjarje transformuese që përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e të tjerëve. Kjo qartazi është një ndër ato ngjarje. Halo Trust i ka përfunduar operacionet e pastrimit në këtë zonë dhe më vjen shumë mirë që jam këtu përderisa po ia dorëzojmë zyrtarisht këtë tokë banorëve të zonës dhe mendoj se kjo shënon kontribut të vërtetë dhe afatgjatë në përditshmërinë e njerëzve.
Nuk kam nevojë t’ia përkujton askujt këtu ndikimin shkatërrues të minave tokësore, municionit thërmues dhe mjeteve të tjera të pashpërthyera, të cilat mund të kenë ndikim lemeritës në individët.
Por, problemi me këto mjete tejkalon lëndimet trupore që ato mund t’i shkaktojnë. Ato duhet të përmenden edhe për shkatërrimin afatgjatë shoqëror dhe ekonomik që lënë pas vetes. Mund të bëjnë që sipërfaqe të mëdha të tokës të mbesin plotësisht të pashfrytëzueshme dhe t’i parandalojnë komunitetet e tëra nga shfrytëzimi i të mirave thelbësore.
Kështu njerëzit e jetojnë jetën në frikë, frikësohen të ecin në tokën e tyre.
Për këtë arsye jam shumë i lumtur që jam pjesë e ceremonisë së sotshme ku po e kthejmë së prapthi këtë trend dhe po ia kthejmë këtë tokë deri tash të pashfrytëzueshme komunitetit.
Kjo ditë pozitive, natyrisht nuk do të kishte qenë e mundur pa punën e mirë të organizatës Halo Trust. Pastrimi i terrenit nga mjetet e pashpërthyera është punë e rrezikshme dhe dëshiroj të shpreh mirënjohjen për trimërinë dhe përkushtimin e ekipeve të terrenit që e kanë përmbushur këtë punë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë jashtëzakonisht krenarë për bashkëpunimin me Halo Trust-in dhe për mbështetjen që ia kanë dhënë këtyre përpjekjeve me një grant prej 400.000 dollarëve. Për ne është me rëndësi që të ndihmojmë; për të qenë pjesë e kësaj përpjekjeje. E dimë se rreziku është i madh sa i përket mjeteve të pashpërthyera.
Një ish-sekretar i shtetit njëherë ka thënë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pasur cakun që ta dërgojnë një njeri për të ecur në mënyrë të sigurtë në hënë. Dhe e kemi bërë këtë. Një njeri eci në mënyrë të sigurtë në hënë. Tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përgjegjësi për tu siguruar që të gjithë njerëzit, kudo, të mund të ecin të sigurtë këtu në tokë.”
Për ta shtyrë përpara këtë përpjekje, SHBA-ja është mbështetësi financiar më i madh në botë i shkatërrimit të armëve konvencionale, që përfshijnë përpjekjet për pastrimin e mjeteve të pashpërthyera dhe minave tokësore. Prej vitit 1993, kemi kontribuar me mbi 2.8 miliardë dollarë për këtë çështje në më shumë se 100 vende të botës.
Në njërën nga pozitat e mia të mëhershme në Departamentin e Shtetit, kam qenë përgjegjës për zyrën që mbështeste veprimin kundër minave dhe pastrimin e terrenit nga minat. Gjithmonë ishte kënaqësi e madhe kur shkoja në punë kur duhej të merresha me çështjen e pastrimit të terrenit nga minat.
Ky është problem global. Ka ndikim në vendet anembanë botës. Është problem që shpesh kërkon zgjidhje nga vetë vendi dhe sigurisht që kështu ka ndodhur edhe këtu. Kjo është një arsye shtesë që jemi krenarë për partneritetin tonë me Halo Trust në Kosovë, me zyrtarët qeveritarë këtu, me Qendrën Kosovare për veprim ndaj minave dhe me të gjithë hisedarët e jashtëzakonshëm që kanë vepruar në këtë vend. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku për tu siguruar që të gjithë kosovarët kanë mundësi për të ecur të sigurtë dhe pa frikë në rrethinën e tyre.
Ju faleminderit.