Fjalimi i ambasadorit Delawie gjatë Ballos së Marinsave në shënim të përvjetorit të 242-të të Korpusit të Marinsave, 4 nëntor 2017
Mirëmbrëma dhe mirësevini në kremtimin e përvjetorit të 242-të të Korpusit të Marinsave të Shteteve të Bashkuara që shënohet nga Detashmenti i Marinsave të Ambasadës Amerikane.
Zyrtarë qeveritarë, deputetë, kolegë nga kori diplomatik, mysafirë të nderuar, është kënaqësi t’ju kemi këtu.
Mirëseardhje të veçantë i dëshirojmë Admiralit Tynch që na viziton nga Napoli, si dhe komandantit tonë të ri të Detashmentit te Marinsave, Rreshterit Matt Johnston. Rreshter, sonte është nata juaj dhe jemi shumë krenarë që po festojmë me ju dhe marinsat tuaj.
Ju komandoni një grup vërtet të jashtëzakonshëm. Përveç përmbushjes së misionit të tyre vital çdo ditë, ata gjejnë mënyra të reja për të dhënë nga vetja. Më herët këtë vit, ata vullnetarisht mbajtën kurse të arteve marciale për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe kaluan kohë me fëmijët në një kamp, duke ndërtuar lidhje me komunitetin dhe duke na e shfaqur të gjithëve kuptimin e shërbimit.
Marinsat janë përmendur në shumë mënyra gjatë gjithë historisë sonë … të paktët, krenarët, maja e majës; dhe ndoshta edhe disa gjëra të tjera që nuk mund të të përmenden në nje ballo me kravatë të zezë. Por asnjë parullë nuk mund ta përshkruajë trimërinë, nderin dhe traditën e kësaj force luftarake të jashtëzakonshme. Marinsat kanë qenë pjesë e triumfit dhe historisë ushtarake të Amerikës, nga sulmi i parë i desantit detar gjatë Revolucionit Amerikan, në betejat e mëdha dhe të tmerrshme në Paqësor gjatë Luftës së Dytë Botërore e deri në konfliktet e tanishme dhe në misionet humanitare në mbarë botën. Të parët në betejë, ata stërviten dhe dërgohen në horizonte të largëta të botës në mënyra që nuk kanë mundur të paramendoheshin në themelimin e tyre. Ata, në fakt, janë më të vjetër se vetë Shtetet e Bashkuara
Ndoshta nganjëherë ne, civilët ndjehemi të shkëputur nga shërbimi dhe sakrifica e forcave tona të armatosura. Por e di se mund të flas në emër të kolegëve të mi dhe të diplomatëve amerikanë kur them që kemi nderin të punojmë krah për krah jush, si një ekip në një mision. Ju ndihmoni të bëni atë që ne bëjmë të mundur dhe ne ju falënderojmë.
Marinsat janë të njohur, në mesin e shumë cilësive të tjera, për qëndrueshmërinë e tyre, inovacionin dhe aftësinë absolute për të bërë më shumë me më pak. E shoh mendjemprehtësinë e ngjashme ҫdo ditë këtu në Kosovë, ku kaq shumë qytetarë skalitin jetesën e tyre për t’i kontribuar rritjes së vendit të tyre dhe ndërtimin e një shoqërie për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kjo përfshirje nuk vjen lehtë, por ndonjëherë përparimi shoqëror vjen nga drejtime të papritura. Në shumë mënyra, për shembull, ishin forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara që udhëhoqën rrugën e integrimit racial, kur Presidenti Truman lëshoi një urdhër ekzekutiv në vitin 1948 duke vendosur hapat e parë drejt heqjes së pabarazisë në ushtri. Po atë vit, nëntogeri John Rudder ishte afrikano-amerikani i parë që u emërua oficer i rregullt në Trupat e Marinsave të SHBA-ve.
Po, kjo ishte domosdoshmëri morale, por edhe domosdoshmëri operacionale. E nuk ishte rastësi që përparimi më i madh drejt integrimit erdhi gjatë Luftës Koreane. Gjatë kësaj lufte, duke u përballur me viktima të shumta, kombinimi i njësive të ndara, thjeshtë u bë çështje e mbijetesës Një vendim i lindur nga nevoja na tregoi të gjithëve se forca vjen nga bashkimi.
U desh një dekadë tjetër para se të miratohej ligji historik i të drejtave qytetare të vitit 1964, por edhe kjo datë tregon vetëm një pjesë të tregimit. Ne kemi luftuar gjatë tërë rrugës tonë drejt barazisë më të madhe , dekadë pas dekade dhe ne ende përpëlitemi me këtë si një komb, ditë për ditë. Sot, ushtria jonë është forca më e përzier etnike dhe raciale mbase në mbarë botën dhe për këtë ne jemi një komb më i fortë.
Edhe pse përpëlitemi, kemi mësuar se larmia jonë është burim i rëndësishëm i forcës sonë. Larmia mund të jetë – duhet të jetë – burim i fuqisë së Kosovës, gjithashtu.
Kjo do të thotë p.sh. që Kosova duhet të punojë më shumë për t’iu mundësuar grave pjesëmarrje në jetën politike. U zhgënjeva kur pashë që vetëm dy gra u emëruan ministre në qeverinë e re; do t’i nxisja të gjitha partitë politike që të zotohen për ta korrigjuar këtë pabarazim. Shpesh them se nuk mund t’i fitosh shumë ndeshje futbolli nëse gjysma e lojtarëve është jashtë fushës; është edhe më vështirë nëse disa nga lojtarët më të mirë janë pikërisht ata që janë në bankinë.
Kjo, natyrisht, do të thotë që shqiptarët dhe serbët e Kosovës duhet të gjejnë më shumë mënyra për të punuar së bashku. Është arritur gjithë ai përparim që nga pavarësia, përfshirë këtu edhe të arriturën e shënuar të javës së kaluar: integrimi i gjyqësorit të Kosovës në veri, që do të mundësojnë qasje në drejtësi për të gjithë qytetarët. Një sukses tjetër gjatë kësaj vere ishte ceremonia e diplomimit të 58 serbëve të Kosovës në FSK. E shkuarja e Gjeneral Ramës në manastirin e Deçanit në uniformë me siguri do të kishte qenë e pamundur vetëm pak vite më parë.
Por ka ende punë për t’u bërë që Kosova të jetë një dhe çdo ditë që kaloj këtu shoh arsye shtesë për shpresë.
Para pak kohe pata rastin ta vizitoj një kompani të drejtuar nga një kosovare që përpunon dhe shet bimë medicinale. Ky është biznes i madh në të gjithë Kosovën dhe pronarja punëson një rrjet të madh kultivuesish dhe mbledhësish nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Këtu përfshihen shumë familje rurale në zonat e largëta, për të cilët kjo mund të jetë mënyra e vetme e të ardhurave.
Larmia nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e mundësive – ka të bëjë me ndërtimin e mundësive të reja të bashkëpunimit dhe lidhjeve në të gjithë vendin. Në Zveçan ekziston një kompani e zdrukthtarisë në pronësi të serbëve të Kosovës që filloi të punojë në vetëm katër komunat veriore, por tani po bën biznes në të gjithë Kosovën. Në shumë mënyra puna e tyre është personale – ata hyjnë në shtëpitë dhe zyrat e klientëve të tyre dhe duke pirë kafe kërkojnë t’ju besohet. Në rrugë e sipër , ata fitojnë mundësi për t’i shfaqur produktet e tyre në tregjet e reja dhe krijojnë lidhje të qëndrueshme me njerëzit dhe bizneset e komuniteteve të ndryshme.
Kjo është e rëndësishme sepse të gjithë qytetarët kanë interes të përbashkët dhe përgjegjësi të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën. Kjo është mënyra se si ngadalë e kthejmë dëshpërimind në fuqizim – dhe ndarjen në një qëllim të përbashkët.
Këtu ka pasur ditë sfiduese dhe do të ketë ditë të tilla edhe në të ardhmen, por më bien në mend kosovarët si Olivera Cvetanoviq dhe jam i frymëzuar. Olivera është serbe e Kosovës që iu bashkua Trupave Mbrojtëse të Kosovës vite më parë dhe tani është Rreshtere e Kompanisë Mjekësore në FSK në Komandën e Forcave Tokësore. Dymbëdhjetë vjet më parë ajo besoi në një Kosovë më të mirë kur shumë pak veta besonin në të. Jam i nderuar të mësoj historinë e saj. Rreshterja Cvetanoviç është këtu me ne sonte.
Diversiteti duhet të përqafohet. Miqtë tanë në Korpusin e Marinsave e dinë këtë dhe me të vërtetë ata vazhdojnë t’na udhëheqin në këtë rrugë. Në fakt, viteve të fundit, baza historike e stërvitjes së Korpusit të Marinës në ishullin Parris, “kampi i nisjes” për rekrutët e rinj, është udhëhequr nga gjeneral komandues afrikano-amerikanë dhe gra. Përparimi vazhdon: në SHBA dhe këtu në Kosovë. Ne punojmë nëpërmjet ndërlikueshmërisë dhe zhurmës ndërsa përpiqemi fort të dëgjojmë engjëjt tanë më të mirë.
Në netët e veçanta si kjo, festojmë për më të mirët mes nesh, individë që na tregojnë çdo ditë kuptimin e nderit, guximit dhe angazhimit.
Marinsa, kjo është nata juaj. Është ndeja juaj dhe jemi shumë të nderuar që po festojmë së bashku me ju. Gëzuar ditëlindjen dhe Semper Fi.