Fjala hyrëse e ambasadorit Hovenier gjatë Samitit të Kosovës për paqe dhe demokraci

Fjala hyrëse e ambasadorit Hovenier gjatë Samitit të Kosovës për paqe dhe demokraci, 20 shtator 2023

Faleminderit, Milica, për prezantimin e përzemërt.

Jam i nderuar që jam këtu sot për të shprehur disa mendime paraprakisht për atë që kam besim se do të jetë një varg bisedash të thella, angazhuese dhe serioze.

Kur po e shikoja agjendën dhe po shqyrtoja grupet e larmishme të pjesëmarrësve, pashë një grup udhëheqësish të mendimit dhe ndikimit që po bëhen bashkë në këtë samit pa iluzione për urgjencën e situatës këtu në Kosovë.

Megjithatë, e di se duke mbajtur këtë Samit, ju, ashtu si unë, shikoni kah mundësia e realizimit të një vizioni afatgjatë dhe të qëndrueshëm për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor: vizion të stabilitetit, sigurisë, demokracisë dhe prosperitetit.

Duke mbajtur në mendje bisedat që do të keni sot, doja të bëja një hap prapa dhe të shkëmbeja disa mendime për gjendjen e rajonit dhe për qëllimet e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor më gjerësisht.

Gjithashtu, do të diskutoj për disa ide për rrugën përpara dhe si po punojnë SHBA-të me partnerët tanë për të arritur qëllimet tona të përbashkëta për Kosovën dhe për rajonin.

Gjatë mandatit tim si ambasador në Kosovë shpesh kam folur për vizionin tonë për Ballkanin Perëndimor si pjesë e një Evrope që është “e plotë, e lirë dhe në paqe”.

Si shumë kolegë të mi në administratën e Bajdenit, edhe unë kam punuar për çështjet e këtij rajoni disa herë gjatë karrierës sime.

Dhe kur po mendoja se çfarë të shkëmbeja me ju sot, nuk mund të mos reflektoja mbi përparimin që kam parë prej vitit 1995, kur fillova të punoja për herë të parë në këtë rajon kur u emërova në ambasadën tonë në Zagreb.

Ndërveprimet e mia me njerëzit gjatë këtyre viteve më kanë lënë përshtypje të thellë.

Bisedat që kam pasur dhe vazhdoj të kem çdo ditë e bëjnë të qartë se për ne është shumë e rëndësishme që të jemi të pranishëm, të dëgjojmë dhe bisedojmë me njerëzit që kërkojnë ndihmën tonë dhe të sigurohemi që vendimmarrësit në Uashington dhe aleatët dhe partnerët tanë janë të njoftuar me përvojat dhe perspektivat e tyre.

Unë kam parë drejtpërdrejt fuqinë e aleancave dhe partneriteteve transatlantike që ndërtuam kur mobilizuam forcat tona për t’i dhënë fund dhunës në Bosnje dhe në Kosovë.

Dhe herë pas here, aleancat transatlantike, angazhimi diplomatik, veprimet e NATO-s dhe veprimet e BE-së, kanë treguar rëndësinë thelbësore të diplomacisë dhe angazhimit të sigurisë në kërkim të paqes.

Në të gjithë rajonin, gjatë këtyre dekadave, gjërat kanë ndryshuar jashtëzakonisht – për të mirë.

Sigurisht që nuk mund të parashikonim saktësisht se si do të shkonin gjërat.

Por në përgjithësi, kemi parë rritje të paqes, përparimit dhe prosperitetit në të gjithë rajonin.

Për shembull: Kroacia tani është anëtare e BE-së dhe NATO-s, i është bashkuar zonës Shengen dhe më herët gjatë këtij viti ka pranuar euron si valutë.  Kjo do të ishte e paimagjinueshme në vitin 1995.

Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s.

Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë në proces zyrtar të anëtarësimit në BE.

Ndërsa sfida kryesore aktuale për arritjen e një Evrope “të tërë, të lirë dhe në paqe” është padyshim lufta brutale dhe e gjithanshme që Putin po bën ndaj Ukrainës, Ballkani Perëndimor mbetet element kritik i këtij vizioni.

Gjeografikisht ky rajon shumë qartë është pjesë – madje edhe qendrore – e Evropës, sot jam më i sigurt se kurrë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor mbetet në institucionet evropiane dhe transatlantike.

Siç e dimë të gjithë, ka sfida të mëdha.

Edhe pse sfidat e sigurisë dhe politike as për së afërmi nuk janë aq akute si gjatë kohës së Millosheviqit, Bosnja dhe Hercegovina përballet me sfida të thella dhe të mëdha.

Qeveritë e nivelit qendror dhe të entiteteve kanë lënguar për vite me radhë për shkak të mosfunksionimit dhe ndarjes, duke minuar vendin, aspiratat euroatlantike dhe të ardhmen e qytetarëve të tij.

Prijësit politikë etno-nacionalistë më shumë janë në kërkim të përfitimeve të ngushta personale dhe politike se sa që punojnë për të mirën e publikut.

Për shkak të kësaj, Shtetet e Bashkuara tani janë të angazhuara në një përpjekje intensive për të forcuar punën e bashkësisë ndërkombëtare për të mbështetur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

Por, Bosnja nuk është sfida e vetme në Ballkan.  Kosova dhe Serbia gjithashtu po kërkojnë të ardhme të qëndrueshme dhe të begatshme.

Vizioni i SHBA-së për Kosovën mbetet vizioni në të cilin Kosova është plotësisht e integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Ne duam ta shohim Kosovën të zërë vendin e saj të merituar si një vend i vogël kah i mesmi i Ballkanit Perëndimor – i njohur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar si plotësisht i pavarur dhe sovran.

Dhe, meqë ra fjala, ndajmë të njëjtin vizion për Serbinë – ta shohim atë të kualifikohet dhe të integrohet plotësisht në institucionet dhe strukturat evropiane.

Ndonëse mund të mos jetë e interesuar për anëtarësim në NATO, Serbia ka shprehur interes konkret për anëtarësim në BE dhe ka bërë përparim drejt arritjes së këtij qëllimi.

Ne duam ta mbështesim në këtë rrugë, pasi besojmë se reformat e nevojshme për anëtarësim në BE janë dukshëm në interes të popullit serb dhe popujve të rajonit.

Nuk është sekret se ne e shohim dialogun e lehtësuar nga BE-ja si mënyrën më të mirë – të vetme – për të arritur integrim të plotë evropian dhe paqe e prosperitet të qëndrueshëm në rajon.

Siç e bën të qartë deklarata e 19 shtatorit e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, “rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe përmes normalizimit të marrëdhënieve të tyre”.

Mosarritja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet pengesë e madhe për avancimin e rajonit në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Dhe sigurisht, qëllimi ynë përfundimtar mbetet njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – si kusht për paqe të qëndrueshme.

Ne po mbështesim çdo vend këtu në Ballkanin Perëndimor që të transformohet, të bëhet një kontribuues në sigurinë e rajonit e të mos jenë burim problemesh dhe jo-stabilitetit.

Ne besojmë se paqja dhe prosperiteti janë të rrënjosura në progresin që po bën Kosova drejt anëtarësimit të NATO-s dhe BE-së, në përpjekjet kombëtare që do të çojnë në një rajon më të qëndrueshëm, më të begatë dhe më paqësor për të gjithë qytetarët.

Dhe kur flasim për këtë të ardhme, unë gjithashtu dua të fokusohem në mbështetjen tonë gjithëpërfshirëse për diversitetin dhe multietnicitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ne e shohim multietnicitetin, bashkëpunimin rajonal, stabilitetin politik dhe një mjedis të sigurt si krijimin e kushteve dhe rritjen e prosperitetit në rajon.

Demokracitë janë më të forta kur e përdorin diversitetin e tyre si forcë.

Me keqardhje them se ky është një mësim që ende po e mësojmë edhe ne në Shtetet e Bashkuara.

Shumë shpesh, historia jonë ka parë që komunitetet e shumicës diskriminojnë njerëz që nuk u ngjajnë atyre ose përjashtojnë zërat që nuk tingëllojnë si ata.

Por, gjithashtu, kemi parë përparimin e fuqishëm që mund të arrijmë kur prekim diversitetin tonë.

Ngritja e diversitetit dhe prioritizimi i përfshirjes na shtyn përpara me zgjidhje novative për problemet dhe perspektiva të reja që na ndihmojnë të kuptojmë njëri-tjetrin më mirë dhe të krijojmë mundësi të reja.

Kur mendojmë përsëri për premtimin e deklaratës gati 250-vjeçare të Amerikës se të gjithë kanë të drejtën e jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë, gjejmë sukseset dhe arritjet tona më të mëdha – nga një trashëgimi e pasur kulturore, tek një ekonomi e begatshme, e një komb të fortë dhe të sigurt.

E këtë e shohim anembanë botës:

Vendet janë të begatshme kur sipërmarrësit mund të përqendrohen në përmirësimin e bizneseve të tyre e të mos shqetësohen për paqëndrueshmërinë politike dhe të sigurisë.

Ato janë të begatshme kur qytetarët ndjejnë se janë të përfshirë dhe duan të investojnë në shtëpinë e tyre.

Ato janë të begatshme kur institucionet e tyre demokratike iu ofrojnë të gjithë qytetarëve të tyre – dhe njerëzit ndihen të fuqizuar për t’i kërkuar llogari atyre institucioneve.

Dhe ju – të gjithë ju në këtë sallë – po e bëni pikërisht këtë – për Kosovën dhe për rajonin.

Ju përfaqësoni dhe mishëroni idealet që sapo i përshkrova.

Ju jeni këtu sepse jeni të hapur ndaj ideve që mund të jenë të ndryshme nga idetë tuaja – dhe besoni në fuqinë e dialogut konstruktiv për të sjellë ndryshime pozitive.

Dua të përfundoj duke iu shprehur mirënjohje të veçantë organizatorëve të këtij samiti: Jovanës, Mentorit dhe Bardhit.

Faleminderit që morët nismën për të krijuar hapësirën e dialogut dhe që na ftoni të gjithëve të jemi pjesë e bisedës.

Dua t’ju drejtohem të gjithëve: Shpresoj që bisedat tuaja të ofrojnë mundësi për të menduar për disa nga sfidat më të vështira me të cilat përballemi.

E di që ekipi im do të mbetet i angazhuar gjatë samitit.

Ne e vlerësojmë iniciativën tuaj dhe pres me padurim përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të promovuar dialogun dhe të menduarit largpamës.

Ju faleminderit.