Fjala e ZSHM-së me rastin e hapjes së Kampit Teknologjik në Kosovë: Luftimi i korrupsionit në Ballkan

Fjala e ZSHM-së me rastin e hapjes së Kampit Teknologjik në Kosovë: Luftimi i korrupsionit në Ballkan, 8 dhjetor, 2017


Mirëmëngjesi të gjithëve.

Jam e lumtur që jam këtu sot për ta nisur Kampin Teknologjik në Kosovë: Luftimi i korrupsionit në Ballkan.

Siç e dini, po i afrohemi fundit të Javës kundër Korrupsionit në Kosovë dhe nesër është Dita Ndërkombëtare kundër Korrupsionit.

Prandaj, kjo ndodhi mbahet në kohë të duhur për ta theksuar rolin e rëndësishëm që teknologjia luan në luftën kundër korrupsionit. Luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i sundimit të ligjit në Kosovë janë prioritetet më të larta të Ambasadës së SHBA-së.

Këtë vit, Ambasada dhe USAID-i kanë mbështetur mbi 30 ndodhi për Javën kundër Korrupsionit. OJQ-të – përfshirë disa që përfaqësohen këtu – organizuan debate publike dhe tryeza të rrumbullakëta për të hedhur dritë mbi korrupsionin dhe për ta ndërtuar momentin për ndryshim

Kampi Teknologjik në Kosovë është mënyra e përkryer për ta vazhduar ndërtimin e këtij momenti. Ky program do t’ju ofrojë mjete të reja për ta përmirësuar llogaridhënien dhe për ta rritur transparencën. Pa marrë parasysh a i lidh përpjekjet online me avokimin e botës reale, duke përdorur vizualizimin e të dhënave për ta bërë informimin më të arritshëm, apo për të mësuar si të përdoren mjetet e burimeve të hapura për ta përmirësuar raportimin hulumtues, teknologjia ka potencial të veçantë për ta avancuar luftën kundër korrupsionit.

Të gjithë ju jeni duke bërë punë të rëndësishme për ta rritur transparencën. Ju në sektorin privat jeni drejtpërdrejt përgjegjës për të siguruar që Qeveria e Kosovës është kujdestar përgjegjës i fondeve publike.

Ju e keni aftësinë – dhe përgjegjësinë – për ta ndezur alarmin kur shihni korrupsion, shkelje, nepotizëm ose mungesë të thjeshtë të transparencës. Ju jeni gjithashtu në kontroll kur është fjala për sigurimin e zbatimit të ligjeve dhe të procedurave që rrisin transparencën.

Për përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të OJQ-ve këtu, ju mund të ushtroni trysni mbi qeverinë. Organizatat e shoqërisë civile, si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe GAP, janë duke bërë punë të mrekullueshme jo vetëm për ta tërhequr vëmendjen për korrupsionin, por edhe për ta ndihmuar dialogun dhe debatin që do të shpjerë në zgjidhje të vërteta.

Grupet e shoqërisë civile kanë mbajtur debate publike këtë javë në çështje që sillen prej monopoleve në procesin e certifikimit të automjeteve deri te shitja e punimeve akademike.

Përmes ndodhive si këto, ju i mbani përgjegjës zyrtarët publikë në një sërë çështjesh që janë duke e frenuar zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Kosovës.

Dhe për gazetarët që janë këtu sot, puna juaj është vendimtare për zbulimin e korrupsionit dhe ndikimet e tij në qytetarët e Kosovës. Ju mund të hidhni dritë në çështje që përndryshe kalojnë pa u vërejtur dhe t’i ndihmoni shoqërisë civile të kërkojë llogaridhënie.

E dimë që puna juaj nuk është e lehtë. Por gazetaria e paepur, e sinqertë dhe hulumtuese është vendimtare në luftën kundër korrupsionit. Të gjithë ju jeni këtu sot sepse angazhoheni për ta përmirësuar transparencën në Ballkan.

Ju e dini që korrupsioni po i frenon vendet tuaja, qoftë nga liberalizimi i vizave ose nga rritja më e madhe ekonomike. Por, edhe më me rëndësi, ju e dini që ju si individë e keni fuqinë për të bërë ndryshime. Ju inkurajoj të dilni nga zona juaj e rehatisë dhe të zhyteni në disa nga teknologjitë e reja. Do ta keni mundësinë të fitoni shkathtësi të reja dhe gjithashtu të mendoni si mund t’i përdorni këto shkathtësi për ta zgjidhur një problem konkret në vendin ose komunitetin tuaj.

Korrupsioni nuk është problem unik për Kosovën. Është çështje në tërë Ballkanin dhe diç me të cilin ballafaqohemi edhe ne në Shtetet e Bashkuara. Kjo është arsyeja pse kemi pjesëmarrës nga rajoni përreth dhe trajnerë që nga Prishtina e deri në Shtetet e Bashkuara. Duke punuar së bashku, e dimë që do të dilni me zgjidhje edhe më të mira se që mund t’i bëni vetëm. E di që trajnerët mezi presin t’i ndajnë me ju njohuritë e tyre dhe t’ju ndihmojnë të gjeni mënyra për ta vënë teknologjinë në punë në luftën tonë të përbashkët kundër korrupsionit.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që ia kushtuan dy ditë mësimdhënies dhe mentorimit këtë fundjavë. Gjithashtu dua ta falënderoj ekipin e IIP-së nga Uashingtoni, Phil dhe Jessica, dhe FLOSSK-un për bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer në këtë program.

Së fundi, dua t’ju falënderoj të gjithë juve për çdo gjë që jeni duke bërë për ta luftuar korrupsionin këtu në Kosovë dhe në Ballkan. Ata që e kanë fuqinë për të bërë ndryshime janë individët e përkushtuar, si ju.

Ju dëshiroj të gjitha të mirat për një Kamp Teknologjik të suksesshëm.