Fjala e zonjës Hyland, me rastin e fillimit të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit

Fjala e zonjës Colleen Hyland, E ngarkuar me punë në ambasadën amerikane, me rastin e fillimit të rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, 9 mars 2018

President Thaçi, kryeministër Haradinaj, kryetar i Kuvendit Veseli, ministër Tahiri, prijës së institucioneve të sundimit të ligjit, anëtarë të shoqërisë civile, kolegë nga kori diplomatik, mysafirë të nderuar, ju faleminderit për mundësinë për të folur sot para jush përderisa e fillojmë këtë projekt ambicioz. Para jush është një mundësi e shkëlqyeshme për të shtyrë përpara këtë ndërmarrje për rishikim të fokusuar në vendimmarrje për tërë sektorin e sundimit të ligjit. Prodhimi i fundit i këtij procesi, që do të jetë strategjia për sektorin, do të shërbejë si udhërrëfyes për përmirësimin e performancës së gjyqësorit të Kosovës, diçka që qytetarët e Kosovës e duan dhe e meritojnë.

Ministër Tahiri, e di se ju dhe ekipi juaj keni punuar drejt kësaj ngjarjeje prej se e keni marrë detyrën. Ju nxis ta pranoni gjithë atë punë të madhe të bërë deri tash– si nga pararendësit tuaj si ministër i drejtësisë, si dhe të të gjithë shërbyesve civilë në ministrinë tuaj – për ta zhvilluar këtë projekt deri në këtë pikë. Jam e mahnitur me përgatitjet e bëra nga ekipi juaj i ri për hartimin e konceptit për ta çuar përpara projektin, themelimin e grupeve teknike punuese, si dhe takimet e dy javëve të shkuara për ta nisur punën.

Jemi të lumtur që po e shohim ministrinë duke e marrë rolin e lehtësueses për një proces përfshirës që i përfshin të gjitha institucionet, veçanërisht Këshillin gjyqësor dhe atë prokurorial, gjykatat dhe kryeprokurorin e shtetit. Është me rëndësi që të gjitha institucionet – përfshirë edhe kjo ministri – të marrin pjesë në caktimin e çështjeve që do të shqyrtohen në grupet punuese dhe të gjithë aktorët të marrin pjesë në rafinimin e punës para tyre. Gjyqësori është i pavarur dhe duhet të respektohet, por në të njëjtën kohë duam të shohim, KGJK-në, KPK-në dhe gjykatat duke luajtur rol prijës në këtë proces.

Të gjithë mund të krenoheni me shumëçka: me integrimin e gjyqësorit të vitit të shkuar, reformat e vazhdueshme legjislative që janë në Kuvend tash, si dhe ristrukturimin e kohëve të fundit të gjykatave. Shpresojmë se ky rishikim të mos përqendrohet në ribërjen e kësaj pune të shkëlqyeshme. Ky rishikim mund t’i theksojë reformat në vijim e sipër dhe t’i përfundojë ato. Ju nxis ta shfrytëzoni këtë proces për të ecur përpara në ato çështje që ende kërkojnë vëmendje, ndër të cilat janë:

  • Mjete më të qarta për adresimin e korrupsionit, përfshirë vendime për politikat se cilat agjenci kanë autoritet dhe a duhet të specializohen gjykatat dhe prokurorët, dhe
  • Praktika të standardizuara për të siguruar integritet të aktorëve në gjyqësor (qoftë kontrollimi i thuktë ose verifikimi i së kaluarës apo ndonjë proces i përzier).

Një pjesë e madhe e analizës që ju nevojitet për këtë gjë tashmë është kryer nga ekspertët ndërkombëtarë dhe vendorë gjatë dhjetë viteve të shkuara. Ju nxis ta përdorni atë analizë për zhvillimin e vendimeve të politikave, të gjeni zgjidhje që funksionojnë më së miri për Kosovën, në përputhje me agjendën tuaj për integrim evropian, si dhe t’i realizoni ato përmes veprimeve të domosdoshme nga të gjitha institucionet përkatëse.

Përderisa kjo është ndërmarrje e Kosovës dhe e udhëhequr nga institucionet kosovare, bashkësia ndërkombëtare është këtu për t’ju ndihmuar. Jemi të përkushtuar për suksesin tuaj dhe kemi kontribuar me burime dhe ekspertizë në këtë ndërmarrje. Ju nxis ta shfrytëzoni këtë dhe t’na drejtoheni kur t’ju nevojitet ndihmë e këshilla, por me të vërtetë presim që ju vetë ta kryeni krejt punën dhe e di se jeni të gatshëm ta bëni këtë.

Urime për fillimin e kësaj ndërmarrjeje. Ekipi im dhe unë jemi të përkushtuar t’ju ndihmojmë për ta arritur një strategji të sektorit të sundimit të ligjit që e forcon gjyqësorin e Kosovës për të mirën e popullit të saj.

Ju faleminderit dhe fat të mbarë!