Fjala e zonjës Colleen Hyland, E ngarkuar me punë në ambasadën amerikane gjatë tryezës së organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, 6 dhjetor 2016
Faleminderit Bekim, si dhe falënderoj Institutin e Kosovës për Drejtësi për organizimin e këtij diskutimi të rëndësishëm.
Kam kënaqësinë që jam këtu për të shprehur vazhdimin e përkrahjes së ambasadës amerikane për rolin tepër të rëndësishëm që sektori i drejtësisë e ka në luftën kundër korrupsionit në Kosovë.
Kur ambasadori Delawie mori pjesë në tryezën tuaj të rrumbullaktë në tetor, ai theksoi se përderisa lufta kundër korrupsionit kërkon qasje të tërë qeverisë – pa sektor efektiv dhe efiçent të drejtësisë, çdo qasje është e shkruar që do të dështojë.
Për këtë arsye, ambasada jonë, përmes programit OPDAT të Departamentit të Drejtësisë, si dhe përmes USAID-it, është kaq e përkushtuar për t’i përkrahur përpjekjet që përmirësojnë kornizën ligjore të Kosovës për efiçencë dhe efikasitet të sektorit të drejtësisë, si dhe përpjekjet që përmirësojnë kapacitetet brenda sektorit të drejtësisë.
Po ashtu, ne përkrahim dhe inkurajojmë punën e IKD-së në monitorimin e përpjekjeve kundër korrupsionit brenda sektorit të drejtësisë. Shoqëria civile luan rol shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit – veçanërisht duke dhënë informata të pavarura dhe rekomandime se çka duhet të përmirësohet.
Për fat të keq, siç e dimë të gjithë, anketat tregojnë se qytetarët kosovarë nuk besojnë në drejtësinë e gjyqësorit. Ende ka ankesa të rëndomta në shtyp dhe nëpër kafeteri se hetimet për korrupsion zgjasin shumë, kurse aktakuzat për korrupsion pothuajse kurrë nuk përfundojnë me dënime.
E vërtetë apo e rrejshme kjo gjë, këto perceptime tregojnë se duhet të punohet edhe më shumë për të ngritur besimin në sistemin e drejtësisë.
Një përpjekje që ambasada jonë e ka përkrahur është projektligji për forcimin e kapaciteteve të Zyrës për sjellje disiplinore. Ky projektligj paraqet një mënyrë shtesë për t’iu kërkuar llogari prokurorëve dhe gjyqtarëve për sjellje të pahijshme, që është veçanërisht e rëndësishme në rastet e korrupsionit.
Përderisa po flasim për rolin e rëndësishëm që aktakuzat dhe dënimet luajnë në përfrikësimin për korrupsion, ky projektligj do ndihmojë për të siguruar publikun se prokurorët dhe gjyqtarët e tyre iu përmbahen standardeve më të larta të mundshme etike dhe profesionale.
Gjatë Javës kundër korrupsionit do të diskutohen shumë aspekte të luftës kundër korrupsionit. Por, mendoj se sot të gjithë pajtohemi se asnjë prej këtyre përpjekjeve – prej transparencës më të madhe fiskale e deri te metodat e përmirësuara për raportimin e rasteve të korrupsionit – nuk mund të jenë të suksesshme pa sektor të drejtësisë profesional dhe efektiv.
Ju faleminderit.