Fjala e Zëvendësshefit të Misionit Nicholas J. Giacobbe në Ditën e Kujtimit të Holokaustit, 27 janar 2020
Sot është një ditë solemne dhe shumë e rëndësishme – 75 vjetori i çlirimit të Aushvicit. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me hebrenjtë në përkujtim të gjashtë milionë hebrenjve të pafajshëm, të vrarë në Holokaust, bashkë me shumë viktima të tjera, përfshirë komunitetin rom, LGBTI dhe komunitetin me aftësi të kufizuara.
Tmerri dhe përmasa e Holokaustit janë unike në kujtesën e gjallë, duke ia imponuar një detyrë njerëzimit që të mos e harrojë kurrë dhe të mos lejojë kurrë që ajo të përsëritet. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj imperativit moral pas Holokaustit – “Kurrë më”. Ne, bashkë me aleatët tanë, kemi punuar që nga Lufta e Dytë Botërore për të siguruar që populli hebre mund të jetojë në paqe e siguri, dhe për t’i zvogëluar mundësitë që gjenocidi të përdoret si armë kundër njerëzimit.
Megjithatë, për fat të keq, mizoritë vazhdojnë ta pllakosin botën tonë. Siç tha i madhi Elie Wiesel, “Ju duhet t’i paralajmëroni njerëzit që këto gjëra mund të ndodhin, që e keqja mund të lëshohet. Urrejtja e racës, dhuna, adhurimet – ende lulëzojnë.”
Askush që jeton në Kosovë nuk mund të dyshojë në fjalët e tij. Keni parë se si udhëheqësit e paskrupullt mund ta nxisin urrejtjen etnike ose fetare në flakë të pakontrolluara, duke shkatërruar jetët.
Në të njëjtën mënyrë, udhëheqësit mund të ndihmojnë në ndërtimin e mirëkuptimit, paqes dhe, përfundimisht, të pajtimit. Jam i lumtur që sot shoh këtu përfaqësues nga komunitetet sociale, politike, etnike dhe fetare të Kosovës, duke qëndruar në solidaritet me popullin hebre dhe duke shënuar këtë ditë të kujtimit, një ditë të pajtimit.
Udhëheqësit kanë autoritet të veçantë moral midis njerëzve të vet dhe mund t’i arrijnë zemrat dhe mendjet e tyre në një mënyrë që askush tjetër nuk mundet. Ju inkurajoj të vazhdoni ta ndërtoni besimin dhe bashkëpunimin midis bashkësive të ndryshme të Kosovës. Uniteti juaj mund të ndihmojë në adresimin e problemeve me të cilat përballet Kosova, si pajtimi, korrupsioni dhe padrejtësia.
Holokausti ishte rrënjosur në fanatizëm dhe etnonacionalizëm militant. Më së miri i nderojmë viktimat e Holokaustit duke u përpjekur për një shoqëri të drejtë, një shoqëri në të cilën të gjithë anëtarët respektohen dhe vlerësohen, një shoqëri në të cilën tmerret e tilla mbahen mend dhe nuk lejohen të ndodhin më kurrë.