Fjala e zëvendësshefes Hyland në fillimin e Konferencës për Fondacionin e Mijëvjeçarit Kosovë

Fjala e zëvendësshefes Hyland në fillimin e Konferencës për Fondacionin e Mijëvjeçarit Kosovë, 20 nëntor 2017

Mirëmëngjesi të gjithëve, Kryeministër Haradinaj, kongresist Engel, përfaqësues i lartë i MCC-së Nash, Petrit. Jam e lumtur që jam këtu për ta kremtuar kalimin e rëndësishëm në Fondacionin e Mijëvjeçarit Kosovë, dhe të ndihmoj ta fillojmë këtë kaptinë të fundit në partneritetin e veçantë mes dy vendeve tona.

Kongresist Engel, jemi të nderuar të ju mirëpresim këtu këtë mëngjes dhe duket që është vërtet me vend që njëri prej miqve dhe mbështetësve më të mëdhenj të Kosovës duhet të jetë këtu për të ndihmuar shënimin e këtij rasti. Nevojitet vetëm një udhëtim i shpejtë poshtë rrugës në Pejë, të emëruar për ju, për të fituar ndjenjën e vendit unik që mbani në zemrën e Kosovës.

Dhe, natyrisht, e mirëpresim ekipin e Fondacionit të Mijëvjeçarit, që u bashkohet përpjekjeve tona si anëtari më i ri i pranisë sonë të fortë amerikane këtu në Kosovë.

Sot është kulmi i punës së madhe dhe këmbënguljes së shumë njerëzve që besojnë në të ardhmen e Kosovës dhe në fuqinë e MCC-së për t’i ndihmuar Kosovës që t’i arrijë qëllimet e veta. Ky proces ka përfshirë një sasi të jashtëzakonshme studimi dhe përpikërie dhe, ajo që është e pabesueshme është se sa shpejt Petriti dhe ekipi i MCC-së Kosovë, duke punuar në koordinim të ngushtë me ekipin në Uashington dhe njerëzit tanë këtu në USAID, ishin në gjendje ta realizonin këtë për popullin e Kosovës. Dua ta falënderoj edhe ekipin e UNDP-së, i cili e filloi këtë proces duke mbledhur të dhëna treguese, pa të cilat asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur.

E di që të gjithë ndjejmë optimizëm, krenari dhe vendosmëri gjersa kalojmë tani në zbatimin e Programit të Pragut prej 49 milionë dollarësh, me dijeninë se përmasa e vërtetë e përpjekjeve tona kolektive do të jetë në ndikimin që ndihet në jetën e njerëzve anembanë Kosovës.

Kryeministër Haradinaj, e dimë që qeveria juaj ka përgjegjësi të madhe për zbatimin e programit me efikasitet dhe përgjegjësi për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe presim partneritet me ju.

Presim që Fondacioni të mos humbasë kohë për t’ia filluar punës. Jemi të bindur që mund të ndikojë në përparimin dhe partneritetet tona në sektorin energjetik dhe në qeverisjen transparente për të ndihmuar që bashkëpunimi ynë të çohet në nivelin e ardhshëm. Jemi duke llogaritur në të, jemi duke llogaritur në të gjithë të përfshirët, sepse ka pak çështje që janë më jetike për të ardhmen e Kosovës. Njëra e nxit ekonominë e vendit dhe tjetra i jep fuqi popullit. Kosovës i nevojiten të dyja për të lulëzuar dhe për t’i arritur ambiciet e veta të shumta.

Në sektorin e energjisë, jemi të ngazëllyer që Programi i Pragut do të përqendrohet pjesërisht në efikasitetin e energjisë në nivel të amvisërive, duke ua ofruar familjeve mundësinë për ta rregulluar dhe për të marrë vendime lidhur me përdorimin e energjisë, dhe duke ndihmuar në uljen e konsumit, kostos dhe mbeturinave. Nxitjet e reja për investim në burime të energjisë së ripërtërishme dhe krijimi i hapësirës për prodhuesit e pavarur të energjisë në Kosovë gjithashtu do të jenë të rëndësishme.

Në anën e qeverisjes, jemi të kënaqur të shohim një përqendrim në rritjen e qasjes së publikut në informatat dhe vendimmarrjen e qeverisë, për çdo gjë, prej vendimeve të gjykatave dhe vendimeve gjyqësore deri tek cilësia e ajrit. Së bashku, këto dhe projekte të tjera jo vetëm që do të çojnë në përmirësime në transparencën gjyqësore dhe madje edhe në shëndetin publik, por do të inkurajojnë partneritete më të mëdha midis qeverisë dhe shoqërisë civile për ta trajtuar një gamë të gjerë të çështjeve në emër të qytetarëve të Kosovës.

Çdokush këtu ka një pjesë për të luajtur në atë që vjen më pas dhe posaçërisht kur këto projekte të hartohen dhe të jenë në zhvillim e sipër, kjo do të thotë të vazhdosh t’i artikulosh qartë objektivat e Pragut. Qytetarët e Kosovës dëshirojnë dhe duhet ta kuptojnë Pragun e MCC-së dhe komunikimi është i rëndësishëm për të siguruar që ata ta mund të luajnë rol aktiv për ta mbajtur programin përgjegjës për përparim.

Kongresist Engel dhe z. Nash, pres të dëgjoj mendimet tuaja këtë mëngjes lidhur me partneritetin SHBA-Kosovë dhe rolin unik që programi i Pragut të MCC-së do të luajë tani në zhvillimin e Kosovës. Jemi shumë krenarë që e festojmë këtë arritje të jashtëzakonshme dhe këtë moment të rëndësishëm në partneritetin tonë dhe jemi gati të punojmë në gjithçka që vjen më pas.