Fjala e Zëvendës-shefit të Misionit, Nicholas J. Giacobbe gjatë konferencës vjetore të prokurorëve

Fjala e Zëvendës-shefit të Misionit, Nicholas J. Giacobbe gjatë konferencës vjetore të prokurorëve, 17 janar 2020

(E Parapëgaditur)

Mirëmëngjesi  Është nder që jam këtu për të shënuar konferencën vjetore bashkë me kaq shumë kolegë ndërkombëtarë.

Jam krenar që ambasada amerikane ka ndihmuar në sponsorizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme prej fillimit. Jemi të lumtur që vit pas viti Këshilli Prokurorial gradualisht e ka marrë përsipër organizimin e tërë ngjarjes duke treguar përkushtimin e tij për të. Rendi i ditës i hartuar për sot dëshmon me sa seriozitet e merrni pozitën tuaj si prokurorë.

Pjesëmarrja në konferencë e ndërkombëtarëve dhe e personave të lartë zyrtarë është dëshmi e përshtatshme se sa të rëndësishëm janë prokurorët – dhe ata që mbështesin ndjekjen e shkeljeve penale – për sundimin e ligjit. Konferencat vjetore si kjo paraqesin forum të rëndësishëm për të shkëmbyer ide, për ti kremtuar rezultatet, për të caktuar prioritetet dhe për të diskutuar sfidat dhe strategjitë.

Vitin e shkuar ambasada amerikane ka qenë e lumtur me përmirësimet e bëra në qasjen dhe me suksesin e prokurorëve të specializuar në trajtimin e rasteve të dhunës në familje në Kosovë.

Keni bërë hapa të mëdhenj duke përmbushur qasjen me viktimën në qendër dhe në angazhimin e mbrojtësve të viktimave dhe ofruesve të shërbimeve për të mbështetur viktimat dhe për t’ju mundësuar trajtim atyre.

Po ashtu, dëshiroj ti përgëzoj mbrojtësit e viktimave për përpjekjet dhe përkushtimin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të viktimave. Ju jeni thelbësorë për të siguruar që viktimat kanë mundësi që t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe e keni marrë këtë rol përzemër.

Legjislacioni më se bashkëkohor i Kosovës mundëson mbrojtje të fuqishme të viktimave dhe shpresoj që do të vazhdoni ti shfrytëzoni këto ligje plotësisht gjatë adresimit të nevojave të viktimave.

Kohëve të fundit pata rastin të merrja pjesë në hapjen e sallës së saporenovuar për intervistim të viktimave që tregon përkushtimin institucional për nevojat e viktimave. Përvoja ka treguar se arrihen rezultate më të mira përmes qasjes me viktimën në qendër të vëmendjes dhe me njësitet e specializuara të prokurorisë që iu nevojiten viktimave.

Por, përderisa në këtë konferencë i kremtojmë të arriturat tuaja, njëkohësisht ju nxis të shfrytëzoni këtë takim vjetor si mjet për të përqafuar ndryshimin e domosdoshëm. Frymëzohuni nga sukseset tuaja të kohëve të fundit sepse ato mund t’ju ndihmojnë për të nisur ndryshimet e vështira dhe më se të domosdoshme. Prandaj, ju nxis që seriozisht ta shqyrtoni mundësinë për shtrirjen e specializimit të prokurorëve – siç keni bërë në rastet e dhunës në familje – edhe në fushat e tjera. Më lejoni t’jua kujtoj se ky nuk është rekomandim i ri. E kemi bërë këtë me vite.

Në fakt, shumë rekomandime vazhdojnë të përsëriten pa ndonjë përparim të dukshëm. Diskutimet e përsëritura rreth mungesës së rezultateve në luftën kundër korrupsionit duken që gjithashtu janë temë e vazhdueshme kur mblidhemi në këto konferenca.

Më lejoni t’jua përkujtoj se edhe më parë, paraardhësja ime Colleen Hyland dhe ambasadorët tanë ju kanë bërë thirrje të vazhdueshme për ta marrë luftën kundër korrupsionit më me seriozitet.

Në vitin 2017, zëvendës-shefja e misionit Hyland ju nxiti t’ju tregoni kosovarëve se po punoni me ngulm në luftimin e korrupsionit dhe ndryshimin e perceptimit të tyre. Por, që nga ajo kohë, vetëm disa raste janë ndjekur penalisht me sukses. E në 2019-n duket që nuk është ngritur asnjë rast i korrupsionit të nivelit të lartë.

Në 2018-tën, ambasadori amerikan Greg Delawie i tha një audience – pothuajse identike si kjo – se: “Populli i Kosovës nuk beson që institucionet e saj të sundimit të ligjit e marrin seriozisht nevojën për ta luftuar korrupsionin”.

Ai ju bëri thirrje që ta ndryshoni këtë.  u nxiti që të ndërmerrni veprim kundër korrupsionit dhe ju përkujtoi se “tërë populli i Kosovës i ka sytë kah ju”.

Nuk besoj që fakti që jam para jush dhe që po i bëj këto thirrje do të jetë shtytësi që sjell ndryshimin që nevojitet. Megjithatë, jam i bindur se ju keni aftësi për të bërë ndryshim. Por, duhet që përnjëmend të dëshironi ta bëni këtë dhe të dëshmoni guxim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për ta ndihmuar Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit. Dy nga prioritetet kryesore të ambasadës amerikane mbesin të ndihmojmë Kosovën për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe t’i ndihmojmë prokurorët për tu përmirësuar në punën tuaj sfiduese.

Megjithatë, mund t’ju ndihmojmë për ti arritur këto qëllime vetëm nëse përkushtimi juaj është më i madh se yni. Kosova është vendi juaj. Do të vijë dita kur burimet ndërkombëtare që tash për tash i keni në dispozicion do të shterren. Ju nxis ta shfrytëzoni mundësinë para se të bëhet tepër vonë.

Arsyeja pse ua përkujtoj këto gjëra të vështira është se e dimë se mund të arrini aq shumë – madje edhe në luftën kundër korrupsionit – por duhet ta dëshironi këtë. Vetëm shikoni të arriturat tuaja mbresëlënëse në trajtimin e rasteve të terrorizmit.

Përkundër sfidave të mëdha me të cilat përcillen këto hetime, bashkëpunimi juaj i ngushtë me policinë mundësoi gjithë ato ndjekje penale të suksesshme për veprat e ndërlidhura me terrorizëm. Kjo dëshmon sa është e rëndësishme për të punuar së bashku si një ekip i ndjekjes penale – policia dhe prokuroria krah për krah. Suksesi i bashkëpunimit të ngushtë i ndjekjes penale të rasteve të terrorizmit nënvizon sa është e rëndësishme që hetuesit dhe prokurorët të punojnë së bashku edhe në rastet e llojeve tjera.

Duke ecur përpara, shpresoj që do t’ju shohim duke punuar së bashku me kolegët tuaj në polici për çdo ditë duke i ndërtuar rastet. Por, trajtimi i suksesshëm i rasteve të krimit të terrorizmit nga prokuroria dhe policia kosovare gjithashtu tregon se Kosova mund të shkëlqejë kur ka vullnet politik.

Prandaj, përqafone këtë sfidë të njëjtë në fushat e tjera, edhe kur kjo nënkupton të punoni në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike ose pa përpjekje për të ushtruar ndikim.

Si prokurorë, ju jeni strumbullari i sundimit të ligjit. Kjo është barrë dhe privilegj. Kërkon profesionalizëm dhe etikë. Nënkupton që nganjëherë duhet të merrni vendime që nuk janë të popullarizuara, por janë të drejta. Kërkon që ti shqyrtoni rastet me vëmendje dhe në mënyrë të thuktë para se të vijoni me to. Gjithashtu kërkon nga ju që për çdo ditë të përpiqeni ti trajtoni të gjithë në mënyrë të barabartë, pa marrë parasysh statusin social, pushtetin politik, përkatësinë etnike apo nga vijnë.

Dhe duhet t’ju bëni ballë përpjekjeve nga politikanët apo kriminelët për të ndikuar mbi ju nga jashtë. Nuk është e lehtë. Si prokurorë, ju keni detyrë shumë të vështirë, por përpjekjet tuaja përbëjnë ndikim të njëmendtë. Me çdo dënim që e siguroni, ju e bëni komunitetin dhe vendin tuaj më të sigurtë.

Ju nxis ta merrni këtë lutje përzemër.

Ju lutem, mbajeni në mend se ambasada amerikane do të vazhdojë të qëndrojë krah jush në çdo hap gjatë këtyre përpjekjeve.

Shpresoj që të keni konferencë produktive – e ç’është edhe më e rëndësishme – punë produktive tash e tutje.

Ju faleminderit.