Fjala e Zëvendës-shefit të Misionit, Nicholas J. Giacobbe, gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzimit të skanerit termal

Fjala e Zëvendës-shefit të Misionit, Nicholas J. Giacobbe, gjatë ceremonisë zyrtare të dorëzimit të skanerit termal, 26 gusht 2020

Mirëmëngjesi, ministër Zemaj, Koordinatore e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, përfaqësues i Aeroportit të Prishtinës, kolegë dhe pjesëmarrës të tjerë.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam nderin që po ia dorëzoj Qeverisë së Kosovës këta skanerë termalë, që do të vendosen në pikat e hyrjes së Kosovës, përfshirë edhe këtu ku jemi sot, në Aeroportin e Prishtinës. Këta skanerë do ta ndihmojnë Kosovën për të parandaluar përhapjen e mëtejme të COVID-19.

Të gjithë duhet të bashkohemi për ta luftuar këtë pandemi globale dhe miqësia e qëndrueshme e dy vendeve tona vërehet qartazi në këtë kohë krize.

Si pjesë e përpjekjeve tona, përmes USAID-it, kemi ofruar 1.6 milionë dollarë si ndihmë nga populli amerikan për të shtuar aftësinë e Kosovës për ta luftuar virusin. Donacioni i sotshëm i skanerëve për matjen e temperaturës është pjesë e asaj mbështetjeje.

Vendosja e këtyre skanerëve për t matjen e temperaturës në tetë pikat e hyrjes, përfshirë edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, do të mundësojë kontrollimin e përshtatshëm të udhëtarëve që vijnë në vend – duke kontribuar kështu në përpjekjet për parandalimin e ndaljes së përhapjes së mëtejme të sëmundjes brenda Kosovës.

Parandalimi mbetet ilaçi më i mirë në luftën tonë kundër pandemisë globale. E për këtë arsye mbështetja jonë për Kosovën përfshinë pako higjienike për shtëpitë e shëndetit dhe familjet në nevojë, si dhe pajise testuese për laboratorë.

Dje, ambasadori Kosnett dhe drejtoresha e USAID-it Lisa Magno dorëzuan 50 respiratorë. Pajisjet e tjera, si aparatet RT-PCR, do të arrijnë së shpejti për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve testuese të Kosovës për COVID-19.

Megjithatë, këto donacione materiale nuk e zëvendësojnë faktin që të gjithë duhet të bëjnë pjesën e tyre. Qeveria duhet të vazhdojë të marrë vendime të nevojshme, të vështira për ta menaxhuar më mirë COVID-19. Bashkëpunimi dhe përpjekjet e përbashkëta nga të institucionet e ndryshme kurrë nuk kanë qenë më thelbësore se tani. Çdo qytetar duhet të respektojë masat që do të parandalojnë përhapjen e sëmundjes. Këtu përfshihet bartja në mënyrë të duhur e maskës, distanca shoqërore dhe larja e shpeshtë e duarve.

Jemi së bashku në këtë. Duam që shkollat të hapen, bizneset të punojnë dhe lulëzojnë, si dhe më e rëndësishmja, që të jemi në gjendje t’i shohim familjet dhe miqtë pa frikë e shqetësim. Të gjitha këto janë të mundshme nëse të gjithë bëjmë pjesën tonë. Sepse me fjalët e presidentit amerikan, Lyndon B. Johnson: „E djeshmja nuk është e jona për ta shpëtuar, por e ardhmja është e jona për ta fituar apo humbur”.

Ju faleminderit.