Fjala e Zëvendës-shefit të misionit gjatë ceremonisë së çeljes të konferencës për të drejtat e viktimave të krimit

Fjala e Zëvendës-shefit të misionit gjatë ceremonisë së çeljes të konferencës për të drejtat e viktimave të krimit, 21 tetor 2019

Deri para tre dhjetëvjeçarëve, viktimat e krimit kryesisht liheshin anash. Ose edhe më keq, në kërkim të drejtësisë, viktimat përballeshin me një proces të ngarkuar që i linte pa dinjitet dhe i degradoi ata në rolin e dëshmitarit. Me çdo hap të procesit gjyqësor, viktimat e krimit vazhdimisht përkujtonin përjetimin e tyre; duke rikujtuar vazhdimisht e pandalur traumën e tyre. Shpesh, familje të tëra dhe madje edhe bashkësi të tëra shkatërroheshin – fizikisht, financiarisht dhe emocionalisht. Krimi nuk i prekte vetëm viktimat, por edhe më të dashurit e tyre.

Duhet guxim dhe vendosmëri për të raportuar krimin pas përjetimit të përvojës traumatike. Procedurat e ndërlikuara gjyqësore mund të jenë barrë për viktimat dhe kjo vetëm se e shton traumën. Duhet të kuptojmë se duhet forcë për të raportuar një rast të krimit dhe duhet ta pranojmë se nganjëherë kjo nuk mjafton. Sistemi gjyqësor gjithashtu duhet të mundësojë që kur viktimat e krimit e raportojnë ndonjë rast, ato viktima e marrin edhe mbrojtjen e duhur.

Vitin e kaluar, një burrë e qëlloi ish-gruan e tij dhe vajzën e tij nëntëvjeçare në Gjakovë pak orë pasi gruaja i kishte kontaktuar organet e zbatimit të ligjit për ti raportuar kërcënimet e ish-bashkëshortit. Kosova duhet të lëshojë dhe ti zbatojë në mënyrë të njëtrajtshme urdhrat për mbrojtje në rastet e dhunës në familje siç ishte ky.

Më 17 korrik, një nëntëvjeçar u vra në Fushë Kosovë pasi ishte dhunuar seksualisht vazhdimisht. Sulmet ishin raportuar te organet e zbatimit të ligjit, por kryesi i supozuar i veprës prapëseprapë ishte lënë i lirë në rrugë për ta viktimizuar djalin prapë. Kosova duhet të vëjë në funksion protokoll më të mirë për rastet e dhunës seksuale për të treguar se jemi seriozë përkitazi me mbrojtjen e fëmijëve dhe qytetarëve të cenueshëm e jo për ti lënë të vetëm që të bien viktimë prapë.

Muajin e kaluar, Gjykata Themelore në Prizren ia ndau 95000 euro nga buxheti i Kosovës një familjeje për shkak të mospërfilljes së supozimeve të dhunës në familje që përfundoi me vrasjen e një gruaje. Kjo gjë tregon se Kosova duhet të nxjerrë një ligj për përgjegjësinë e shtetit me të cilin qeveria jep llogari për dështimet për mbrojtjen e komunitetit.

Për fat të mirë, Kosova po përparon në parandalimin e këtyre krimeve mizore dhe po përqafon qasjen që vë në qendër të vëmendjes viktimën gjatë hetimit dhe gjatë ndjekjes penale të rasteve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës me krenari e kanë mbështetur Kosovën me fonde dhe ndihmë teknike në nismat e saj për të siguruar që viktimat mbrohen ashtu siç e meritojnë. Ja disa shembuj:

  • Në themelimin e Zyrës për mbrojtje dhe ndihmë viktimave pranë Zyrës së Prokurorit për të mundësuar mbështetje efektive për viktimat në gjykatë.
  • Në miratimin e Kodit të rishikuar Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale në pritje, që krijojnë kornizën ligjore për të mundësuar drejtësi për viktimat e të gjitha krimeve, përfshirë edhe dënime më të rrepta për ata që i viktimizojnë pjesëtarët e grupeve më të dobëta të shoqërisë.
  • Në nxjerrjen e ligjit me të cilin themelohet Fondi për kompensimin e viktimave që iu ofron ndihmë financiare viktimave, si dhe
  • Në sigurimin e dhomave të veçanta për intervistë për viktima dhe fëmijë në zyret e prokurorive ashtu që fëmijët dhe viktimat e dhunës seksuale të mund të intervistohen në një lokacion të rehatshëm.

Me këta hapa rrënjësorë, si dhe hapat e përmendur më herët nga partnerët tjerë, brenda vetëm dhjetë viteve Kosova është bërë prijëse në rajon në avancimin e të drejtave të viktimave. Duke marrë parasysh përparimin që Kosova e ka arritur gjatë këtyre dhjetë viteve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë që përderisa Kosova vazhdon të punojë në parandalimin e krimit, gjithashtu do ti mbrojë dhe do ti mbështesë edhe më shumë viktimat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me juve për ta bërë këtë.

Përderisa jam para jush për të shënuar dhjetëvjetorin e Konferencës për të drejtat e viktimave të krimit në Kosovë, dëshiroj ta falënderoj kryeprokurorin e shtetit Lumezi për ftesën për të ndihmuar për ta shënuar këtë datë. Ishte nder që jam këtu përkrah kolegëve nga ambasada zvicerane, ambasada britanike, Kombet e Bashkuara, përderisa i kuptojmë sfidat me të cilat përballen viktimat e krimit dhe për ti nderuar të gjithë ata që janë përkushtuar për ti ndihmuar viktimat.

Përderisa shohim kah e ardhmja, e sfidoj Kosovën dhe të gjitha vendet, përfshirë edhe vendin tim, që jo vetëm të rregullojnë ligjërisht çështjet e të drejtave dhe shërbimeve për viktimat, por edhe për të siguruar që mbështetja jonë iu ofrohet viktimave në mënyrë të njëtrajtshme dhe me dhembshuri kur duhet.

Ju faleminderit!