Fjala e Zëvendës-shefit të misionit gjatë çeljes së edicionit të katërtë të Festivalit të Gjelbër

Fjala e Zëvendës-shefit të misionit gjatë çeljes së edicionit të katërtë të Festivalit të Gjelbër, 30 tetor 2019

Një herë moti në një bregore mbi Prishtinën, toka ishte mbuluar përplot me mbeturina prej ndërtimeve. Dizajnerë, arkitektë, inxhinierë dhe punëtorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova punuan së bashku për ta kthyer këtë lokacion me mbeturina të ndërtimit në ndërtesën e re e të bukur të ambasadës amerikane këtu në Prishtinë.

Ambasada jonë e re është simbol i mrekullueshëm i partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet popullit të Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, jam krenar që mund të them se kjo ndërtesë paraqet manifestim të qartë për një Kosovë më të gjelbër. Gjatë dizajnit dhe ndërtimit të saj, ne bëmë zgjidhje të mençura për mjedisin që ngërthejnë efikasitetin, qëndrueshmërinë dhe rimëkëmbjen.

Më lejoni t’ju tregoj pak rreth asaj se çka bëmë. Sistemi i hijes së jashtme përfshin fletëza në kënd që në mënyrë specifike përllogaritin lëvizjen e diellit nëpër qiell. Pullazet e gjelbra jo vetëm që ofrojnë pamje të bukur nga dritarja e zyrës, por ato mbledhin dhe riciklojnë 90 për qind të reshjeve të shiut. Kursejmë energjinë edhe përmes ndriçimit LED, akumulimit të energjisë gjatë ditës, rikthimit të energjisë dhe gjenerimit të ujit të nxehtë përmes ngrohjes solare. Të gjitha këto, të kombinuara me sistemin hibrid gjeotermal, zvogëlojnë konsumin e energjisë në kompleksin e ambasadës për më shumë se 45 për qind.

Meqenëse Prishtina ende nuk ka impiant për trajtimin e ujërave të zeza dhe ne nuk dëshirojmë të shkaktojmë dëmtime ekologjike në lumejt jashtë qytetit, ambasada trajton tërë ‘ujërat e zeza’, e pastaj e përdor atë për ujitje dhe për toaletët me shkarkim të ultë.

E nëse ende mendoni që ndërtesa e re e ambasadës sonë nuk është mjaftueshëm e gjelbër, 78 për qind të kompleksit është me hapësirë të hapur dhe të gjelbër, përfshirë edhe liqenin apo pellgun e hijshëm. Peisazhi është tërheqës me bimë dhe drunj vendorë; e para ca kohe, liqenin e mbushëm me peshk që i solli njëri ndër pjesëtarët e personelit të Korpusit të Paqes.

Por, funksioni kryesor i liqenit nuk është si burim i peshkut për drekë për ne në ambasadë, por ai ka një qëllim funksional i liqenit si mjet për rregullimin e ngrohjes për sistemin hibrid gjeotermal. Përveç stabilizimit të ngrohjes dhe ftohjes së ndërtesës, liqeni është i domosdoshëm për menaxhimin e ujit nga stuhitë – ju kujtohen reshjet që i përmenda që grumbullohen përmes atyre çative të gjelbra – dhe ndihmon në zvogëlimin e konsumimit të ujit për më shumë se 70 për qind.

Këto veçori të hatashme të gjelbra i kanë ndihmuar ambasadës të marrë çertifikatën prestigjioze të artë si Projekt prijës në dizajn të energjisë dhe mjedisit (LEED) nga Këshilli amerikan për ndërtesat e gjelbra. Kjo çertifikatë është shenjë e njohur botërisht e arritjes për ndërtesa të gjelbra me performancë të lartë e më të mira në klasën e tyre. Dhe kjo ndërtesë gjendet këtu afër në Prishtinë.

Ambasada amerikane shërben si shembull i jashtëzakonshëm se si mund të përfshijmë zgjidhje të gjelbra në ndërtesa më se bashkëkohore duke qenë të vëmendshëm për ndikimin tonë në mjedis.

Kohëve të fundit mësova edhe për një ndërtesë të gjelbër këtu në Kosovë – si vizion i një ndërmarrësi kosovar që e kupton plotësisht se biznesi i gjelbër është biznes i mirë. Fabrika e sapondërtuar REKS në Kaçanik jo vetëm që synon të bëhet fabrika më e madhe për riciklimin e plastikës në Ballkanin Perëndimor, por ajo ka ndërtuar një impiant për trajtimin e ujit që ua mundëson të rishfrytëzojnë 90 për qind të ujit; e 10 përqindshi që derdhet në lumej gjithashtu trajtohet dhe mund të përdoret për ujitje. Qoftë amerikan apo kosovar, është më se e mundshme për të qenë i përgjegjshëm për mjedisin – burimet dhe mjetet ekzistojnë dhe krejt çka duhet është vullneti për të Menduar Gjelbër dhe për ta përqafuar këtë koncept.

E di se për këtë pajtohemi të gjithë: nismat e gjelbra janë të rëndësishme për të ardhmen tonë të përbashkët.

Për këtë arsye jam kaq i lumtur që bashkëshortja ime, Cory dhe unë jemi këtu për ta kremtuar edicionin e katërtë të Festivalit të Gjelbër bashkë me ju. Ky festival ia filloi me më pak se 20 biznese të gjelbra të bashkuara përmes projektit të USAID-it për fuqizimin e sektorit privat (EMPOWER), por tashmë është dyfishuar në vitin e katërtë të tij. Besoj se po shohim një lëvizje të madhe kah teknologjia e gjelbër këtu në Kosovë.

Çdo vit, bizneset e gjelbra në Kosovë po ofrojnë larmi më të madhe të prodhimeve dhe shërbimeve që konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare. Edhe konsumatorët kosovarë gjithnjë e më shumë po kërkojnë prodhime që ndikojnë më pak në mjedis. Shumë prej prodhimeve që i shihni sot eksportohen në Evropë e përtej duke e bartur shenjën „Prodhuar në Kosovë” nëpër tërë botën. Shumë prej tyre kanë fituar edhe çertifikata ndërkombëtare për cilësi, siç janë panelet solare fotovoltaike të prodhuara nga Jaha Solar.

Na vjen mirë që këtë vit, Projekti i USAID-it për fuqizimin e sektorit privat (EMPOWER) ka organizuar program për trajnimin dhe çertifikimin për dizajn dhe instalim të sistemeve fotovoltaike. Nesër, 17 pjesëmarrës që e kanë kryer dhe kaluar me sukses trajnimin do të çertifikohen si ekspertë fotovoltaikë duke marrë çertifikatën prestigjioze të njohur ndërkombëtarisht TÜV. Ky është hap i madh drejt forcimit të sektorit të energjisë së gjelbër në Kosovë.

Bizneset e gjelbra ofrojnë mundësi të konsiderueshme për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës në Kosovë. Shikoni përreth. Sot i kemi 48 ndërmarrje pjesëmarrëse në Festival. Vitin e shkuar, gjatë festivalit ndërmarrjet pjesëmarrëse lidhën shitje para-kontratë në vlerë 2.7 milionë euro, që rezultoi me krijim të vendeve të reja të punës në Kosovë.