Fjala e zëvendës-shefes së misionit, z-njës Colleen Hyland, gjatë nisjes së punës së Portalit për prokurimin e hapur dhe transparent

Fjala e zëvendës-shefes së misionit, z-njës Colleen Hyland, gjatë nisjes së punës së Portalit për prokurimin e hapur dhe transparent, 5 korrik 2018

Faleminderit, Mexhide dhe mirëmëngjesi të gjithëve. Jam shumë e lumtur që jam sot këtu. Kjo njëmënd është ndër ngjarjet më të parapëlqyera që e bëjmë në ambasadë dhe në USAID, sepse pa marrë parasysh sa përqendrohemi në luftimin e korrupsionit, jo gjithmonë kemi raste për ta parë përparimin e dukshëm që po e bëjmë në atë luftë. Por, sot e kemi rastin.

Ky Portali i ri për transparencë përbën hap të madh përpara sepse bën që fuqia e informatës të bëhet po aq e qasshme sa telefoni që e keni në xhep. Portali bën që informatat e vlefshme për prokurimin të jenë në dispozicion të publikut dhe është pjesë kritike e përpjekjeve tona më të mëdha për të mundësuar transparencë dhe hapje më të madhe për prokurimin publik nëpër tërë Kosovën. Dhe ne me të vërtëtë presim që ky portal i ri të luajë rol të rëndësishëm për t’iu ndihmuar kosovarëve që të veprojnë si vëzhguesë për mënyrën se si konkurrojnë dhe shpenzohen paratë publike.

Reforma e njëmendtë e prokurimit është çelës i shumë gjërave që Kosova përpiqet t’i përmbushë – për përmirësimin e shërbimeve në nivel lokal dhe në krijimin e besimit të domosdoshëm ndërmjet popullit dhe qeverisë së Kosovës. Është po ashtu thelbësor për të mundësuar barabarëzi për sektorin privat. Një mori gjërash të zhvillimit të ardhshëm të Kosovës varen nga rritja e shtyrë nga sektori privat dhe edhe pse bizneset private ndoshta duhet të ndërmarrin rreziqe, ato lulëzojnë në mjedis stabil, transparent, ku respektohet sundimi i ligjit. E njëjta vlen për tërheqjen e investorëve të jashtëm, të cilëve iu duhen të sigurohen se të drejtat dhe interesat e tyre do të mbrohen në Kosovë para se ta vënë kapitalin e tyre në tavolinë.

Krijimi i mjedisit të përshtatshëm për biznes dhe zvogëlimi i cenueshmërisë ndaj korrupsionit në sferën publike nuk janë detyra të lehta, por janë urgjentisht të domosdoshme. Dhe një pjesë e madhe e realizimit të kësaj pune nënkupton bashkëpunim të njëmendtë dhe afatgjatë ndërmjet organeve qeveritare dhe shoqërisë civile. Kjo është thelbësore dhe dëshiroj ta falënderoj Safet Hoxhën dhe ekipin e tij në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) që kanë vënë shembull të mirë se si duhet të duket ky bashkëpunim duke iu ndihmuar në mënyrë aktive partnerëve tanë si Lëvizja Fol për të mbledhur të dhëna nga serverët e KRPP-së për ta mbushur Portalin për prokurim transparent.

Portali na tregon fuqinë e teknologjisë për të krijuar shoqëri të hapur. Qoftë përmes Gazetës Zyrtare apo Sistemit gjurmues në gjyqësor, gjithnjë e më shumë qytetarë të Kosovës po kanë qasje në informata, thelbësore për komunitetin dhe mirëqenien e tyre. Teknologjia mund të jetë transformative, por s’e kryen punën tonë – ajo është po aq e fuqishme sa njerëzit që e shfrytëzojnë atë. Pra, përtej qeverisë, përtej shoqërisë civile dhe përtej gazetarëve, kosovarët duhet t’i transformojnë informatat e reja në njohuri dhe njohurinë në veprim.

Tash duhet ta përhapni fjalën për këto ndryshime dhe përparime, t’ju ndihmoni njerëzve të bëhen qytetarë më aktivë dhe më të përfshirë. Përndryshe ky portal i hatashëm është vetëm vendgrumbullim i të dhënave, në vend se të jetë nxitës i veprimit shoqëror, siç edhe është paraparë. Prandaj, dua t’ju them të gjitha organizatave të shoqërive civile dhe gazetarëve të pranishëm: ndihmoni ta përhapni fjalën dhe të bëni që bashkëqytetarët të përfshihen. Përdoreni këtë informatë për të përmirësuar llogaridhënien, monitoruar prokurimin dhe për të gjurmuar dhe ekspozuar korrupsionin në prokurimin publik.

Edhe diçka. Kjo ngjarje sot është e arritur e jashtëzakonshme në përpjekjet tuaja për të promovuar transparencën në prokurimin publik në Kosovë dhe ne, përmes grantit të USAID-it me të cilin është mundësuar ky portal, jemi tepër të mahnitur nga mundësia për kthim nga ky investim. Por, ky s’është fundi i këtij rrëfimi. Ka edhe plot mënyra të tjera se si qytetarët dhe shoqëria civile mund të ndihmojnë në mbrojtjen e prokurimit publik nga korrupsioni dhe duam të dëgjojmë nga ju. Pra, dilni hapur me ide dhe nisma të reja që do të ndihmojnë në transformimin e prokurimit publik në Kosovë në sistem të hapur dhe efektiv siç duhet të jetë. Të gjithë në këtë sallë luajnë rol jetik për këtë gjë.

Edhe njëherë, faleminderit FOL dhe KRPP që e mundësuat këtë ngjarje sot. Pres me padurim ta shoh portalin në funksion.

Ju faleminderit!