Fjala e zëvendës-shefes së misionit Hyland në Ditën ndërkombëtare të vajzave në TIK

Fjala e zëvendës-shefes së misionit Hyland në Ditën ndërkombëtare të vajzave në TIK, 28 prill 2017

Prishtinë

Mirëmëngjesi.  Me të vërtetë është privilegj që kam mundësinë t’ju flas për një temë që e kam shumë për zemër shumë.

Sot Kosova iu bashkohet vendeve anembanë botës duke nxitur përfshirjen e grave dhe vajzave për të studiuar në fushën e TIK-ut dhe fusha të ngjashme.  Kjo është çështje me rëndësi dhe urgjente si në SHBA, po ashtu edhe në Kosovë.

E dimë se shumë shpesh vajzat shkurajohen nga drejtimi i matematikës dhe inxhinierisë dhe shkencave tjera të ashtuquajtura të vështira, jo pse iu mundon aftësia apo dëshira, por thjeshtë për shkak të gjinisë së tyre.

Ndoshta jo gjithmonë ky përbën vepër të qëllimtë të diskriminimit, por në fund të fundit, efekti është i njëjtë.  Jo vetëm duke i parandaluar nga këto fusha, por duke iu dërguar porosi se disa gjëra thjeshtë nuk iu takojnë.  Kjo gjë tkurron universin e tyre të mundësive gjatë një periudhe të jetës së tyre kur imagjinata dhe aspiratat duhet të jenë të pakufishme.

Kjo zbeh vetëbesimin që iu duhet për eksplorim dhe kurajën për të rrezikuar dhe për të provuar diçka të panjohur, madje edhe diçka që mund ta bësh gabim.

Prandaj, dita e sotshme pjesërisht është që t’iu tregojmë vajzave anembanë Kosovës dhe botës se i kanë të hapura të gjitha rrugët; se asgjë nuk është e pakapapshme.

Para disa javëve, disa kolegë të mi vizituan hapësirën krijuese “Bonevet” në Gjakovë.  Vllaznim, shpresoj që nuk ju pengon që po ju citoj.

Ju iu thatë kolegëve të mi: “qëllimi i fundit nuk është që të nxjerrim më shumë inxhinierë… synimi i njëmendtë është t’iu ndihmojmë këtyre fëmijëve që t’i zbulojnë aftësitë e tyre”.

Kjo është ide vërtetë e fuqishme, sepse fëmijët i kapin aq lehtë sinjalet që ua dërgojmë se çka ne besojmë se për çka janë të aftë ata.  Është tepër e rëndësishme që jo vetëm t’iu krijojmë mundësi vajzave për të parë se çka mund të bëjnë, por që të këmbëngulim në to.

Për herë të parë këtë vit, Kosova do të dërgojë dy përfaqësuesë në SHBA në programin e mentorimit global për gra të përkrahur nga Departamenti i Shtetit dhe revista Fortune.  Dy të reja vërtetë mbresëlënëse, njëra ndër të cilat, Hana Qerimi është bashkëthemeluese e Shkollës Digjitale në Kosovë.  Bashkëthemeluesi tjetër i Shkollës Digjitale, Darsej Riza, është këtu me ne.

Kur Hana dhe Darseji ia nisën punës, ata natyrisht e kishin menduar atë për vajza dhe djem… por, shumë shpesh vajzat nuk vinin sepse prindërit e tyre nuk i dërgonin aty.

Hana na ka thënë se iu është dashur të flasin dhe t’i bindin prindërit.  Ata e bënë çështjen e përfshirjes së vajzave pjesë thelbësore të misionit të shkollës.  Shkurt, këmbëngulën.

Ajo është shembull i njëmendtë se çka mund të arrijnë gratë në karrierë në TIK dhe se si ato mund t’i mentorojnë dhe inkurajojnë të tjerët.

Në ambasadë dhe USAID jemi të përkushtuar për të qenë partnerë të plotë në këtë përpjekje.  I kemi bashkuar forcat me ndërmarrjet lokale të TIK-ut për t’i zgjeruar operacionet e tyre dhe po ndihmojmë qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve të TIK-ut për të rekrutuar, trajnuar dhe promovuar gratë.

Përmes nismave si programi i USAID-it Gratë në punë online, po gjejmë mënyra të reja për t’i nxitur vajzat dhe gratë për të kërkuar mundësi në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Sepse këtu ka edhe ndikim ekonomik: parashikimet anembanë botës po tregojnë rënie të vazhdueshme të punëtorëve të kualifikuar të TIK-ut.  Në një vend me shkallë të lartë të papunësisë në mesin e të rinjve dhe pjesëmarrje të ultë të grave në fuqinë punëtore, do të ishte çmenduri të mos e shfrytëzonit kërkesën për fuqi punëtore me shkathtësi në fushën e TIK-ut.

Ka edhe shumë punë.  Dhe do të duhet më shumë se veç nismë politike për të arritur ku duam.

Duhet që prindërit, mësimdhënësit, drejtorët e shkollave të sigurohen se të gjithë fëmijët i kanë mundësitë për të studiuar çka do që zgjedhin.

Do të duhet që burrat dhe gratë në fushën e TIK-ut të ndajnë kohë për të qenë mentorë dhe avokues dhe për t’i rrëfyer përvojat e tyre – madje edhe të këqijat – me vajzat që e marrin hapin e parë në këtë shteg.

Dhe më e rëndësishmja, do të duhet që të gjithë ne të sigurohemi që fëmijët e dinë se është mirë që të sforcohen, të mendojnë si të gjejnë zgjidhje dhe madje edhe të dështojnë gjatë kohës sa ndërmarrin rrezik që ia vlen.  Se dështimi na mëson dhe na jep mundësi, si dhe që nuk është arsye për tu turpëruar.

Po flisja me një kolege timen që punon në sektorin e TIK-ut në ambasadë për përvojat e saj në Departamentin e Shtetit dhe për përvojën e saj si mësuese e matematikës para kësaj.  Ajo tha: gjëja më e vështirë shpesh është se je e vetmja grua në sallë dhe që e di se aftësitë e tua do të vihen në pikëpyetje vetëm për shkak të gjinisë.

Të gjithë duhet të punojmë më mirë dhe më vjen mirë që po shoh se Kosova e njeh këtë çështje si prioritet.

Pra, le të punojmë së bashku për të siguruar që të gjitha shtigjet janë të hapura për vajzat kosovare dhe që çdo vajzë në Kosovë përfiton nga i tërë universi i mundësive.