Fjala e zëvendës ambasadores, Jennifer Bachus në konferencën “LGBTI në Politikë”, 17 mars 2015

Mirëmëngjesi të gjithëve. Dëshiroj ta falënderoj Agim Margilaj dhe Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (QZHGSH) për ftesën drejtuar ambasadës sonë për të qenë pjesë e këtij diskutimi të rëndësishëm. Dëshiroj t’jua përcjell përshëndetjet e ambasadores Jacobson të gjithë juve, përfshirë edhe për veprimtarët LGBTI nga Kosova dhe rajoni, si dhe për përfaqësuesit e partive politike dhe ekspertët. Komuniteti LGBTI është pjesë përbërëse e shoqërisë kosovare dhe e meriton ta ketë zërin e vet në diskursin politik të vendit.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë mbetet bashkëpunëtore krenare e QZHGSH-së, si dhe e OJQ-ve të tjera që punojnë për të mirën e komunitetit LGBTI në Kosovë. Keni planifikuar një ditë të mbushur me diskutime, të cilat shpresojmë se do të nxjerrin ide të prekshme se si personat LGBTI mund të marrin pjesë në mënyrë të plotë në jetën politike të Kosovës. Këtu janë disa kolegë të mi nga ambasada dhe USAID-i për tu angazhuar bashkë me juve.

Siç e dini, të drejtat e LGBTI-së janë të drejta të njeriut dhe të drejtat e njeriut janë të drejta të LGBTI-së. Kjo nuk është vetëm parollë, por pjesë thelbësore e politikës së brendshme dhe të jashtme të Presidentit Obama. Në fjalimin e tij përurues të vitit 2013, Presidenti Obama ka thënë: “Rruga jonë nuk do të përfundojë krejtësisht deri në çastin kur vëllezërit dhe motrat tona homoseksualë të trajtohen njëjtë si çdokush tjetër sipas ligjit – sepse nëse me të vërtetë jemi të barabartë, atëherë me siguri edhe dashuria që ia kushtojmë njëri-tjetrit duhet gjithashtu të jetë e barabartë”.

Rrallë herë ndodh që ndryshimet kulturore, politike dhe shoqërore të bëhen shpejt, e këtë e kemi parë edhe në vendin tim. Por, aktivizmi funksionon. Janë të paktë ata pjesëmarrës të trazirave të Stonewall-it në Nju Jork në vitin 1969 apo mbështetës të përpjekjeve të Harvey Milk-ut për ta miratuar rregulloren për të drejtat e homoseksualëve në San Francisko në vitin 1978 që do t’i njihnin pikëpamjet e SHBA-së mbi të drejtat e LGBTI-së sot. Në numërimin e fundit janë 37 shtete dhe Distrikti i Kolumbisë që e pranojnë barazinë martesore. Ky numër nuk është i njëjtë si po të ishte 50 shtete, por megjithatë paraqet përparim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të fundit.

Më 27 shkurt të këtij viti, Sekretari Kerry emëroi Randy Berry-n si emisarin e parë të posaçëm për të Drejtat e Njeriut të personave LGBT. Sekretari Kerry tha se mbrojtja e të drejtave të njeriut gjithmonë “sjell stabilitet, begati, tolerancë dhe përfshirje më të madhe”. Ekspertiza e emisarit të posaçëm Berry do ta ndihmojë SHBA-në për të reaguar ndaj ligjeve dhe praktikave kundër LGBT nëpër botë. Ambasadorja Jacobson shpreson që do ta sjellë emisarin e posaçëm Berry për vizitë në Kosovë shumë shpejt.

Departamenti i Shtetit ka përparuar shumë në mënyrën se si ndërveprojmë me vetë stafin tonë LGBTI dhe familjet e tyre. Po punojmë për të siguruar që bashkëshortët dhe familjet e të punësuarve LGBTI të jenë të barabartë me çiftet heteroseksuale. Jam krenare që mund të them se i kemi disa diplomatë nga komuniteti LGBTI që shërbejnë këtu në Prishtinë.

Kjo na sjell në Kosovë, ku ka pasur një varg hapash pozitivë për – dhe nga – komuniteti LGBTI i Kosovës. Megjithatë, duhet të punohet edhe më shumë për t’u siguruar që komuniteti LGBTI këtu i gëzon të drejtat dhe privilegjet e garantuara me nenin 24 të Kushtetutës suaj.

Jemi krenarë që mbështesim një varg përpjekjesh për ta fuqizuar komunitetin LGBTI në Kosovë. USAID-i ka sponzorizuar një vlerësim të nevojave të këtij komuniteti. Po ashtu, këtu në Kosovë kemi sjellë për vizitë pune një gjykatës nga Kalifornia dhe bashkëshortin e tij, e ky është gjykatësi i parë homoseksual që ka dalur hapur i emëruar në gjykatat e Kalifornisë. Veprimtaritë e tjera përfshijnë sponzorizimin e ngjarjeve që përfshijnë policinë e Kosovës dhe komunitetin LGBTI për rritjen e ndërgjegjësimit. Përveç kësaj, Programi i USAID-it për edukim bazik ka shtuar një pjesë mbi të drejtat e LGBTI-së në modelin për gjithëpërfshirje të Programit të tij vjetor mbi menaxhimin dhe udhëheqjen në shkolla. Programi për udhëheqës të rinj i USAID-it po ashtu ka dhënë bursa për t’iu ndihmuar dy studentëve LGBT për të studiuar për shkallën e masterit.

Neve nuk na vjen turp për ta bërë të ditur hapur mbështetjen tonë për të drejtat e LGBTI-së. Shumë prej jush me siguri e keni parë flamurin e krenarisë duke valuar pranë flamurit amerikan në ambasadën tonë në Ditën Ndërkombëtare kundër homofobisë dhe transfobisë. USAID-i po ashtu ka sponzorizuar ndriçimin e një ndërtese qeveritare në qendër të Prishtinës me ngjyrat e krenarisë. Por, neve nuk na vjen turp as ta dënojmë gjuhën e urrejtjes kundër komunitetit LGBTI kurdoherë që e dëgjojmë atë.

Jemi të gatshëm që të punojmë me komunitetin LGBTI, por në fund të fundit përpjekjeve duhet t’iu prijë vetë populli i Kosovës. Kjo paraqet një mundësi për Kosovën për t’ia demonstruar botës që është shoqëri përfshirëse dhe e llojllojshme. E mirëpresim punën që e ka bërë Grupi këshilldhënës dhe koordinues i Qeverisë së Kosovës për të drejtat e komunitetit LGBT me OJQ-të, përfshirë edhe me QZHGSH-në, për zbatimin e planit të parë nacional të Kosovës për personat LGBT. E dimë nga përvoja jonë se është e rëndësishme që prijësit e vendit t’ua shpjegojnë qytetarëve se përse të drejtat e LGBTI kanë rëndësi.

Në fund, e vlerësoj dhe e çmoj punën e rëndësishme në të cilën do të përqendroheni sot. Ju dëshiroj gjithë të mirat dhe pres me padurim t’i dëgjoj përfundimet që dalin nga diskutimet tuaja.

Ju faleminderit.