Fjala e zëvendës-ambasadores Alyson Grunder gjatë konferencës për integritetin e informacionit – DISICON 2022, 29 nëntor 2022
Mirëmëngjesi, kam kënaqësinë që jam me ju sot.
Në emër të ambasadës së SHBA-së, falënderoj ambasadoren Soderberg dhe Institutin Demokratik Kombëtar për organizimin e konferencës së katërt me radhë për integritetin e informacionit – DISICON.
Ambasada po ashtu është mirënjohëse ndaj të gjithë pjesëmarrësve, folësve dhe ekspertëve që janë bërë bashkë në këtë konferencë për të luftuar dezinformimin në Kosovë dhe për të parandaluar atë që të prishë proceset demokratike.
Kjo nuk është gjë e lehtë. Gjetja e zgjidhjeve për problemin e dezinformimit kërkon përpjekje, partneritet të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të ngjeshur — dhe për këtë arsye jemi këtu. Gjatë dy ditëve të ardhshme, shpresojmë që gazetarët dhe profesionistët në media, ekspertët akademikë, OJQ-të dhe përfaqësuesit e qeverisë të shkëmbejnë njohuritë e tyre, të vënë kontakte dhe të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje për ta luftuar dezinformimin.
Kjo konferencë është aq jetike sepse bën bashkë një grup aktorësh të larmishëm nga sektorë të ndryshëm për të diskutuar për sfidat dhe zgjidhjet e përbashkëta. Duke kuptuar se dezinformimi duhet të trajtohet në nivel ndërkombëtar, DISICON 2022 përfshin këndvështrime nga Kosova, rajoni i gjerë i Ballkanit dhe Evropa, Taivani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fatkeqësisht, të gjithë po e shohim rolin që dezinformimi po e luan në pushtimin tragjik të Ukrainës nga ana e Rusisë. Rishtazi, një shembull shqetësues i tillë është lansimi i shërbimit në gjuhën serbe i Russia Today (RT), që po zgjeron përhapjen e dezinformimit nëpër tërë rajonin për luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës.
Lidhjet që ndërtohen këtu janë jetike për identifikimin dhe luftimin e dezinformimit në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë, ku aktiviteti keqdashës i huaj po vazhdon dhe shpesh rritet mes tensioneve politike.
Më vjen mirë se mund të vë në pah se DISICON 2022 do të lansojë Indeksin e parë të Cenueshmërisë së Dezinfomimit në Kosovë, duke matur dobësinë e vendit ndaj dezinformimit në tri fusha kyçe: në perceptimin publik, në mjedisin mediatik dhe në panoramën politike.
Mjedisi mediatik i Kosovës është i mbushur me keqinformata, dezinformata dhe narrativa të shtrembëruara që shpesh shpërndahen mijëra herë, brenda dhe nëpër portale e media sociale.
Diskutimi i të gjeturave të këtij Indeksi të Cenueshmërisë së Dezinformimit do të rrisë ndërgjegjësimim dhe të kuptuarit e ndikimit që dezinformimi ka në politikë në Kosovë.
Siç tregon vlerësimi i fundit i NDI-së për integritetin e informacionit në Kosovë, Kosova përballet me ndarje partiake, tensione etnike të pazgjidhura, dhunë me bazë gjinore, gjuhë të urrejtjes ndaj grave dhe dobësi ndaj proceseve të paqëndrueshme të politikave – prirje që nëse nuk kontrollohen mund ta bëjnë Kosovën të ndjeshme ndaj narrativave antidemokratike që përhapen shpejt dhe kanë ndikim të gjerë në opinionin publik.
Anketat e opinionit publik të NDI-së ndriçojnë rolin qendror që mediat sociale e luajnë në ndërtimin e opinionit publik në Kosovë, ku 66 për qind e popullatës bazohet në platformat e mediave sociale për t’i marrë lajmet e fundit.
Të njëjtat anketa tregojnë se 48 për qind e popullsisë së Kosovës nuk ndërmerr hapa bazë të verifikimit të fakteve pasi konsumojnë lajme në mediat sociale. Në vend të kësaj, qytetarët i drejtohen familjes dhe miqve për të verifikuar informatat.
E dimë se demokracitë funksionojnë më së miri kur qytetarët i marrin informatat e sakta dhe mund t’i përdorin ato për t’ju kërkuar llogari përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Anembanë globit shohim sesi qeveritë autoritare sulmojnë mediat dhe mbjellin dezinformata për të konsoliduar pushtetin e tyre. Si dhe shohim se si ndikimi i huaj mbjell farat e qëndrimeve antidemokratike dhe antiperëndimore në tërë Ballkanin.
Qytetarët, veçanërisht të rinjtë, luajnë rol jetik në luftimin e dezinformimit. Ndërsa të rinjtë marrin shumicën e informatave të tyre në internet, është shumë e rëndësishme që ata të kenë gjithashtu mjetet për të identifikuar dhe konfirmuar vërtetësinë e tyre.
Fuqizimi i të rinjve për të kuptuar dhe luftuar dezinformimin ndihmon në sigurimin e një demokracie funksionale. Ndërsa të rinjtë shohin kah telefonat e mençur dhe platformat e mediave sociale për lajmet dhe përditësimet më të fundit, ata duhet të kenë dhe përdorin mjetet dixhitale për të kontrolluar faktet e raporteve në internet dhe për të identifikuar informatat e rreme dhe mashtruese.
Ndërsa kërkojmë strategji për të luftuar dezinformimin tani dhe në të ardhmen, dëshiroj të përsëris se e çmoj pjesëmarrjen tuaj të madhe në këtë bisedë dhe konferencë të rëndësishme dhe falënderoj NDI për organizimin e saj.
Me padurim pres që të dëgjoj për rezultatet e këtij forumi të rëndësishëm dhe edhe njëherë, falënderoj NDI për organizimin e tij.