Fjala e z. Palmer me rastin e Shënimit të Operacionit të Forcave Aleate të NATO-s

Fjala e z. Palmer, Zëvendës ndihmës i Sekretarit të Shtetit, me rastin e 12 qershorit – Shënimit të Operacionit të Forcave Aleate të NATO-s, 12 qershor, 2019

Sot shënojmë 20-vjetorin e përfundimit të operacionit të Forcave Aleate të  NATO-s dhe ardhjen e Forcës së NATO-s në Kosovë, KFOR.

Shprehim mirënjohje për përkushtimin dhe sakrificat e forcave aleate të NATO-s të bëra gjatë 20 viteve të fundit.  Pa KFOR-in, që mundëson mjedis të sigurt dhe të qetë dhe liri të lëvizjes në Kosovë, përpjekjet për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe për të promovuar pajtimin do të ishin të pafrytshme.

NATO ndërhyri kur të gjitha përpjekjet tjera diplomatike dhe politike ishin shterur.  Shtetet e Bashkuara e mbështetën këtë veprim vetëm si mjetin e fundit, pasi që i kishim bërë të gjitha përpjekjet diplomatike për ta detyruar regjimin e Millosheviqit për ti dhënë fund fushatës brutale të mizorive.

Ju që jeni mbledhur këtu i dini shumë mirë rrethanat në 1999-n që kërkuan veprim për ti dhënë fund fatkeqësisë së rëndë humanitare që po shpalosej.

Ndërhyrja e NATO-s kishte qëllim të qartë dhe fushëveprim të kufizuar: për të shpëtuar jetën e të pafajshmëve dhe për të ruajtur paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë.

Në këtë përvjetor solemn, i përkujtojmë gjithë ata njerëz të zhvendosur, të plagosur, të vrarë apo të zhdukur.  Ju shprehim ngushëllime të sinqerta të gjithëve që kanë humbur më të dashurit.

Ta ripërsërisim sot zotimin tonë për të nderuar kujtimin e tyre duke punuar së bashku për të ndërtuar të ardhmen në paqe dhe begati për fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre.

Njëzet vjet më parë, do të ishte vështirë të paramendohej që sot do të mblidheshim këtu, në kryeqytetin e shtetit më të ri në Evropë, për të festuar të arriturat e mëdha dhe për të shikuar me optimizëm drejt të ardhmes.

Qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar se ky vend mund të jetë partner i besueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, se janë të përkushtuar për të ndërtuar institucione demokratike dhe për të ecur përpara drejt integrimit euroatlantik.

Mbështetja e SHBA-së për Kosovën sovrane e të pavarur, si dhe për të shtyrë përpara qëllimin për Ballkanin Perëndimor stabil, të sigurt  dhe përparimtar, mbetet e qëndrueshme.  Kjo politikë ka gëzuar mbështetje të të dy partive në Amerikë dhe jemi krenarë për investimet e qëndrueshme që populli amerikan i ka bërë për zhvillimin e Kosovës.

E refuzojmë konceptin cinik se mënyra e vetme për ta shtyrë rajonin përpara është duke e kthyer orën prapa për pavarësinë e Kosovës.  Ngjashëm, e refuzojmë idenë se e ardhmja e Kosovës qëndron në bashkimin me një shtet tjetër. Ata që i përhapin këto mendime duan t’ju shtyjnë të besoni se Kosova është e paaftë për tu pjekur e për tu bërë anëtare e pavarur e bashkësisë ndërkombëtare dhe për të shërbyer si spirancë e stabilitetit në rajon siç SHBA-ja beson se mund të bëhet.

Në 20-vjetorin e përfundimit të luftës dhe ardhjes së KFOR-it, ka ardhur koha që vëmendja të kalojë nga e kaluara te e ardhmja.  Sot, ju sfidoj të paramendoni çfarë të ardhme të ndritur mund të ketë vendi juaj i ri.

Sepse në fund të fundit, iu takon vetë qytetarëve të Kosovës për të përcaktuar fatin e tyre.  Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë krah jush, por ka kaluar koha kur SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe OKB-ja do të – ose do të duhej të – marrin barrën apo të marrin vendime që janë përgjegjësi e prijësve dhe qytetarëve të Kosovës.

Ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë për këtë vend varet nga përkushtimi i palëkundur për ti forcuar themelet e sundimit të ligjit.  Një demokraci e fortë kërkon qeverisje transparente, llogari prej të gjithëve dhe refuzim të pandëshkueshmërisë.  Të pasurit apo me lidhje të mira nuk duhet të kenë privilegje të posaçme kur kemi të bëjmë me zbatimin e njëtrajtshëm të ligjit.

Udhëheqësit duhet ti trajtojnë sfidat e njëmendta dhe të menjëhershme ekonomike me të cilat përballet vendi – për të mundësuar furnizim të sigurt me energji elektrike dhe mjedis afarist ku mund të lulëzojnë si bizneset e ndërmarrësve vendorë, ashtu edhe investimet e huaja, si dhe për të shfrytëzuar talentin dhe aspiratat popullatës së re të këtij vendi.

Progresi gjithashtu kërkon përforcim të zotimit të prijësve në Prishtinë e Beograd për të punuar së bashku për të siguruar mbrojtjen e pakicave etnike dhe për të siguruar që përgjegjësit për krime lufte dhe abuzim të të drejtave të njeriut japin llogari.

Prishtina dhe Beogradi duhet të punojnë së bashku në emër të të gjitha viktimave dhe të familjeve të tyre dhe të sigurojnë që ata kanë qasje në drejtësi dhe informata të plota për fatin e më të dashurve të tyre.

Udhëheqësit duhet ta lënë anash retorikën nacionaliste dhe revizionizmin historik.  Këto gjëra përdhosin kujtimin e viktimave, ua rihapin plagët të mbijetuarve dhe pamundësojnë punën drejt qeverisjes transparente, demokratike dhe të përgjegjshme.

Siç kemi bërë gjatë këtyre 20 viteve të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë përkrah Kosovës për të inkurajuar përparimin.  Por ka ardhur koha që Kosova ti forcojë përpjekjet e saj për të arritur paqe të qëndrueshme duke arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që në thelb ka njohjen e ndërsjellë.  Kjo është mënyra e vetme për ti dhënë fund një mospajtimi që po ua pamundëson të dy vendeve për ta shfrytëzuar tërë potencialin e tyre.

Suksesi do të kërkojë që Prishtina dhe Beogradi ti heqin pengesat dhe ti kthehen negociatave me fleksibilitet dhe në frymën e kompromisit të domosdoshëm për të siguruar një marrëveshje që përmirëson jetën e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi.

Kosova dhe Serbia gjithmonë do të jenë fqinjë, të lidhur pandashëm.  Normalizimi është jetik për të çbllokuar të ardhmen evropiane të të dy vendeve dhe është thelbësor për ta vënë rajonin në rrugë të drejtë drejt stabilitetit, sigurisë dhe begatisë për të gjithë.

Atyre që duan të zmbrapsen nga kjo sfidë, që besojnë se më vonë mund të vijnë kushte më të mira për të negociuar marrëveshje më të mirë, më lejoni të them prerazi se nuk ka çast më të mirë se tash.  Pajtimi historik i kohëve të fundit ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut dëshmon se prijësit guximtarë që shohin kah e ardhmja mund ti lënë anash mospajtimet gërryese të të kaluarës.

Nxisim Kosovën ta shfrytëzojë pak nga ajo qëndresë, këmbëngulësi e forcë që e ka dëshmuar vazhdimisht gjatë 20 viteve të fundit dhe të tregojë guxim e nevojshëm për të tejkaluar këtë ngërç.

Status quo-ja në Ballkan nuk është e qëndrueshme.  Nëse Kosova nuk ec përpara, ajo do të shkojë prapa.  Të gjithë humbin nga kjo bllokadë e tanishme.

Thyeni ciklin e provokimeve dhe shpagimit që sjell vetëm rritje të izolimit.  Hiqni dorë nga lojërat e parëndësishme partiake.  Shfrytëzojeni mundësinë për tu angazhuar në diç që do të mundësojë të ardhme më të ndritur.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme për t’ju ndihmuar për ta realizuar këtë objektivë të përbashkët.

Prandaj, sot e nderojmë kujtimin e atyre që kanë sakrifikuar aq shumë para dy dhjetëvjeçarëve.  Le ta përdorim energjinë tonë për të krijuar një Kosovë ku të gjithë qytetarët e shohin vendin e tyre dhe japin kontributin e tyre për një vend shpresëdhënës dhe përparimtar.

Ju faleminderit.