Fjala e z-njës Hyland në konferencën “Edukimi: çelës për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit online”

Fjala e z-njës Colleen Hyland, zëvendës-ambasadore në ambasadën amerikane gjatë konferencës të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë “Edukimi: çelës për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit online”, 2 shkurt 2018

Ju faleminderit shumë për ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë.

Më inkurajon shumë fakti që në këtë ngjarje po e shohim kryeministrin, ministrat, ambasadorin Braathu, kolegët e tjerë, si dhe në veçanti që i dëgjova fjalët e përzemërta të kryeministrit rreth pikëpamjeve të tij si të luftohet ekstremizmi i dhunshëm tek të rinjtë. Gjithashtu është me rëndësi që sot këtu kemi edhe shtypin, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të shpërndarë porosinë tek të gjitha komunitetet anembanë Kosovës për rëndësinë e vërejtjes së shenjave dhe për të reaguar kundër ndikimeve negative te fëmijët dhe në komunitetin tuaj. Po ashtu, po shoh që në sallë kemi edhe përfaqësuesë të policisë dhe edhe ata janë pjesë e rëndësishme e kësaj përpjekjeje.

Ambasada amerikane fuqimisht i përkrah përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen e të rinjve nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm dhe prania juaj këtu vë në pah se qeveria e Kosovës i jep prioritet kësaj çështjeje.

Gjatë disa viteve të shkuara, ishim dëshmitarë të rezultateve tragjike të radikalizimit online në nivel botëror. Kemi parë sulme terroriste në Paris, Londër e Bruksel që janë nisur nga individë të përgatitur online nga ekstremistë të dhunshëm dhe të nxitur për t’i kryer sulmet në vendlindjet e tyre.

Ekstremizmi i dhunshëm vazhdon të rekrutojë, radikalizojë dhe mobilizojë individë, veçanërisht të rinjë për tu përfshirë në vepra terroriste. Këto veprime jo vetëm që kërcënojnë sigurinë, por edhe shkatërrojnë përpjekjet tona për ndërtim të shoqërive paqësore e demokratike.

Popullata e Kosovës, më e reja në Evropë, me 53 për qind të qytetarëve nën moshën 25 vjeçare – e ky numër duket që vetëm po rritet – si dhe me shkallën e lartë të përdorimit të internetit, bën që kjo konferencë të jetë veçanërisht e rëndësishme. Theksi i posaçëm i ngjarjes së sotshme vihet në sektorin e arsimit në Kosovë dhe orientimin drejt të mësuarit të mendimit kritik, i cili është element thelbësor për pajisjen e mendjeve të reja me veglat e duhura që përfundimisht t’i rezistojnë porosive radikale.

Shkathtësia e të menduarit kritik ua mundëson të rinjve t’i vlerësojnë më mirë informatat që i marrin, të formojnë dhe të shtrojnë pyetje të vështira, t’i kuptojnë gabimet në arsyetime, të bashkëpunojnë me moshatarët e tyre dhe t’i vënë në dyshim supozimet e veta. Këto shkathtësi jo vetëm që do t’i ndihmojnë të rinjtë që të bëhen më pak të cenueshëm ndaj terrorizmit dhe radikalizmit online; por të menduarit kritik do ta përgatisë rinisë për të qenë ata që i zgjidhin problemet e ardhshme të Kosovës: në ekonomi, qeverisje dhe udhëheqësi.

Përderisa të rinjtë mësojnë për botën përreth, ata po ashtu janë më të cenueshmit nga ndikimet qëllimkëqija online. ISIS dhe organizatat e tjera terroriste përdorin vegla dhe strategji jashtëzakonisht të sofistikuara digjitale që kanë cak të rinjtë pikërisht për këtë arsye. Për shembull, mediet sociale po përdoren për promovimin e radikalizimit me propagandë në gjuhën shqipe që i arrin jo vetëm kosovarët, por të gjithë shqiptarët në rajon. Kjo propagandë është e aq e sofistikuar dhe efikase sa që qindra të rinj kosovarë kanë shkuar për t’iu bashkuar ISIS-it dhe organizatave të tjera terroriste në Siri dhe Irak.

Mbrojtja e të rinjve nga këto kërcënime kërkon reagim të dyfishtë. Sigurisht që duhet të vazhdojmë të angazhohemi me ndërmarrjet si Facebook dhe YouTube për t’i fshirë videot me përmbajtje të rrezikshme, por puna që do ta bëni në këtë konferencë për përgatitjen e të rinjve përmes edukimit është edhe më e rëndësishme për uljen e cenueshmërisë së tyre ndaj këtyre kërcënimeve.

Qeveria e Kosovës tashmë ka punuar shumë për tu angazhuar me ndërmarrjet digjitale, si Facebook-u, në përpjekje për fshirjen e videove me përmbajtje të rrezikshme. Por, kjo është pothuajse detyrë e pamundshme marrë parasysh se janë mijëra minuta të përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesit që ngarkohet në rrjet çdo sekondë. Edhe me teknologjinë më të sofistikuar, gjetja dhe heqja e kësaj përmbajtjeje mund të jetë sfidë.

Për këtë arsye besojmë se Kosovao duhet t’i rrisë investimet në edukim, i cili është çelësi i çfarëdo mase të qëndrueshme parandaluese. Edukimi, veçanërisht promovimi i mendimit kritik, na mundëson ti përballemi ekstermizmit të dhunshëm duke ndërtuar komunitete dhe fëmijë rezistues.

E shoh punën tuaj sot si thelbësore për t’i ndihmuar nxënësit për adresimin e joshjes psikologjike, emocionale dhe intelektuale të narrativës terroriste.

Fuqimisht i mbështesim përpjekjet e qeverisë së Kosovës për ta përfshirë mendimin kritik në planprogramet kryesore arsimore dhe sinqerisht shpresojmë në mundësinë për të punuar së bashku me qeverinë dhe donatorët e tjerë ndërkombëtarë për ta bërë rininë më të qëndrueshme ndaj radikalizimit dhe ekstremizmit online.

Edhe njëherë, ju faleminderit për vëmendje dhe shpresoj të keni konferencë të suksesshme.